Sukseset afatmesme dhe sfidat afatgjata të policisë

Nga Eduard Zaloshnja – Të premten e shkuar, IDRA publikoi rezultatet e sondazhit të tretë mbi opinionin rreth policisë, të financuar nga programi suedez SCPA (sondazhin e parë e zhvilloi më 2013-tën dhe të dytin më 2014-tën). Nga sondazhi, i kryer në terren përmes anketimit të drejtpërdrejtë të 2500 të rriturve në të gjithë Shqipërinë, rezultoi se 63% e shqiptarëve kanë opinion pozitiv për punën e Policisë së Shtetit. Një kuotë pothuaj identike (62%) më rezultoi nga një sondazh elektronik, që zhvillova në mënyrë paralele (krejt të shkëputur nga IDRA, të financuar po nga programi suedez SCPA. (Ndryshe nga sondazhi i IDRA-s, që ka si objektiv monitorimin afatgjatë të opinionit publik mbi policinë, sondazhi im synon monitorimin e përmuajshëm.)

Krahasuar me vitin 2013, sipas IDRA-s, rezulton se pothuaj është dyfishuar numri i të anketuarve  që kanë opinion pozitiv për punën e policisë në përgjithësi. Gjithashtu, është dyfishuar numri i të anketuarve që mendojnë se policia po i trajton qytetarët me respekt, apo që mendojnë se policia po ndikon në parandalimin e shkeljeve të kodit penal dhe të kodit rrugor.

Pa vazhduar me listën e gjatë të statistikave të prodhuara nga IDRA, mund të thuhet përmbledhtazi se në pesë vitet e fundit, është përmirësuar ndjeshëm perceptimi i publikut për punën e policisë. Sidoqoftë, ajo vazhdon të përballet me sfida afatgjata në punën e saj.

Kështu, sipas sondazhit të fundit të IDRA-s, ende 61% e shqiptarëve mendojnë se policia është e ndikuar nga politika. Sondazhi nuk zbulon dot arsyet përse mendojnë kështu shqiptarët, por logjika ta do se ndërrimet në masë të drejtuesve të policisë, pas ndryshimeve politike, kanë ndikuar në një opinion të tillë të publikut. Vetëm kur të krijohet një stabilitet në strukturat drejtuese të policisë, pavarësisht ndryshimeve politike, publiku shqiptar (ashtu si ai europian) do të krijojë bindjen se policia është e pandikuar nga politika.

Sipas sondazhit të IDRA-s, gatishmëria e publikut për të bashkëpunuar me policinë është e ulët, ndërkohë që pritshmëria e tij për punën e policisë është e lartë. Kjo gjetje e sondazhit të bën të mendosh se perceptimi i rrënjosur gjatë diktaturës mbi policinë, (ajo konsiderohej si mjet represioni ndaj popullsisë), vazhdon të mbijetojë. Gjithashtu, shkalla e ulët e dënimit në gjykata të atyre që kapen nga policia, mund të ndikojë në frikën e publikut për të bashkëpunuar me policinë. (Kallëzimi i një krimi mund të kthehet në rrezik për kallëzuesin, në qoftë se krimineli i kapur nuk dënohet nga gjykatat).

 

Pastrimi i gjykatave nga njerëzit e korruptuar,(përmes vetingut), mund të ndikojë që në një të ardhme, shqiptarët (ashtu si europianët) të jenë më të prirur për t’i raportuar në polici shkelësit e ligjit.

Sipas sondazhit të IDRA-s, publiku e vlerëson me notë mesatare kërkimin apo marrjen e ryshfetit nga ana e policëve. Ky rezultat tregon se ky fenomen me rrënjë 500-vjeçare (vetë fjala “ryshfet” është me origjinë turke) vazhdon të mbijetojë, pavarësisht përmirësimeve që janë perceptuar nga publiku në 5 vitet e fundit, në lidhje me punën e policisë në përgjithësi.

Pastrimi i policisë nga njerëzit e korruptuar, (përmes vetingut), mund të ndikojë që në një të ardhme, shqiptarët (ashtu si europianët) të jenë më pak të prirur për t’u ofruar ryshfet policëve, dhe këta të fundit më pak të prirur për të kërkuar ryshfet.

Dhe së fundi, dy fjalë për një fenomen, që nuk ka qenë në fokusin e drejtpërdrejtë të sondazhit të IDRA-s.

Ambasadori amerikan në Tiranë ka deklaruar publikisht se në Shqipëri operojnë 20 grupe të fuqishme mafioze, të përfshira në trafik drogash, qeniesh njerëzore, makinash të vjedhura në Europë, etj, etj. Këto grupe mafioze kanë vite, në mos dekada, që janë fuqizuar aq shumë, sa janë bërë shumë të vështira për t’u shkatërruar (megjithëse goditja e tyre ka filluar). Ndërkohë që, aktiviteti i këtyre grupeve ndoshta nuk ndikon drejtpërdrejt tek jeta e qytetarit të thjeshtë, (në lagjen ku ai banon), ato përbëjnë një kancer për zhvillimin normal të Shqipërisë. Për sa kohë ato eksportojnë krim e pasiguri tek fqinjët tanë perëndimorë, ndërkohë që investojnë fitimet e tyre të paligjshme në Shqipëri, zhvillimi i vendit dhe integrimi i tij europian do të mbetet vazhdimisht në pikëpyetje.

Bashkimi Europian mund t’i hapë negociatat për integrimin e Shqipërisë në fund të këtij muaji apo në dhjetor, por gjatë gjithë viteve të negociatave, do të ushtrojë vazhdimisht trysni ndaj nesh për të luftuar me rrënjë krimin e organizuar dhe lidhjet e tij me zyrtarë të lartë shtetërorë.

Lufta ndaj grupeve të fuqishme mafioze në veçanti, dhe krimit të organizuar në përgjithësi, do të jetë sfida më e vështirë afatgjatë e policisë shqiptare.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

“Albanian Free Press”

SHKARKO APP