“Tani veç Sirisë, kam edhe një atdhe tjetër, Shqipërinë!”
Mijëra refugjatë kërkojnë çdo ditë shansin për një jetë më të mirë në Europë. Por ka edhe nga ata që e gjejnë fatin edhe në Shqipëri, si rasti i një familjeje siriane. Shqipëria nuk renditet patjetër tek vendet e ëndërruara për refugjatër që vijnë nga zonat e luftës si Siria apo Iraku. Vërtet që këtë vit në pikat kufitare kanë ardhur disa qindra refugjatë, por azil në Shqipëri kanë kërkuar vetëm 164 prej tyre, sipas të dhënave të Drejtorisë për Azilin në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Alma Mele: Respekt për zakonet e kulturën e refugjatëve nga vendet e tjera
Një shifër që nuk është e vështirë për t’u përballuar edhe nga një vend që ka shumë halle të veta si Shqipëria. Me krenari rrëfen drejtorja e Drejtorisë për Azilin, Alma Mele se Shqipëria, megjithëse një vend i vogël ka treguar zemër të madhe për ata që kanë pasur nevojë për mbrojtje. “Ata vijnë nga kultura e fe të ndryshme, prandaj ne tregojmë shumë vëmendje për zakonet e tyre, për kulturën e tyre, që në momentin e pranimit, por edhe në kohën e pritjes.” Alma Mele thotë se, madje disa prej tyre kanë shkruar në mediat sociale për përvojën pozitive në Shqipëri, që nuk e kishin pritur. Ndoshta janë disa prej atyre që janë larguar shpejt në drejtim të veriut europian, megjithëse kanë kërkuar azil në Shqipëri.
Damask-Liban-Tiranë
Por fati ka itineraret e veta, e nganjëherë me sa duket nuk ndjek atë rrugë të çon në veriun e pasur. Mohamed Matwa nuk e kishte menduar ndonjëherë se do të vinte një ditë që të jetonte në Shqipëri. Siriani 29-vjeçar nga periferia e Damaskut ëndërronte të bëhej psikolog, por lufta shpërtheu, ai duhej të ndërpriste studimet për të filluar jetën e refugjatit. Stacioni i parë Libani. Odiseja e jetës së një refugjati do të kishte vazhduar edhe më tej, nëse në një vend të panjohur për Mohamedin, në Shqipëri nuk do të jetonte një vëlla që kishte vendosur para vitesh të bënte biznes aty. Husam Matwa jeton në Tiranë, flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, e ka marrë edhe pasaportën shqiptare.
Me ndihmën e vëllait të madh, Mohamedi erdhi në Shqipëri, ku jeton prej afër dy vitesh. “Jeta ime ka ndryshuar drejtimin, jo ashtu siç e kisha përfytyruar unë, por edhe tani jam i kënaqur”, thotë Mohamedi, që punon ndërkohë në restorantin e sapo hapur të vëllait në Vorë, pranë Tiranës.
“Kam edhe një atdhe tjetër, Shqipërinë”
Një kohë edhe Mohamedi mendonte të vazhdonte udhëtimin drejt Gjermanisë, tek një vëlla tjetër që kishte ardhur si refugjat. “Por kur dëgjova për vështirësitë që kishin refugjatët aty, mendova se është më mirë të rri këtu”, thotë ai. Vështirësi në Shqipëri atij i paraqet vetëm shqipja, një gjuhë e vështirë, thotë ai, por jo njerëzit. “Shqiptarët janë miqësorë, të gatshëm për të ndihmuar, si në Siri, edhe moti është gati njësoj.”
Mohamedi nuk e di ende, nëse Shqipëria është stacioni i tij i fundit, por në gjë është e sigurtë. Rrugës për në veri të Europës ai nuk do t’i hyjë më. “Tani për tani do të jetoj këtu, por kur të përfundojë lufta në Siri, do të kthehem atje. Por që tani e di, se kam dy atdhe, veç Sirisë kam edhe një atdhe tjetër, Shqipërinë.”
Në Shqipëri erdhi jo vetëm Mohamedi. Edhe vëllai i mesëm, Ali Matwa, 33 vjeç jeton tani në Vorë, dhe punon si elektriçist në restorantin e vëllait. Para dy vitesh ai jetonte në Stamboll, një jetë që nuk do donte ta përsëriste. “Edhe në Shqipëri mund të jetohet mirë”, buzëqesh ai, e shton se do t’u thoshte refugjatëve sirianë në Gjermani të vinin ta vizitonin këtë vend.
Shqipëria mund të jetë e varfër, por e pasur me njerëzillëk
Vëllezërit Matwa duken të kënaqur. A luan rol për familjen myslimane edhe feja në këtë ambientim të shpejtë me Shqipërinë? Ali Matwa gjen paralele me Sirinë në këtë drejtim. “Këtu myslimanët dhe të krishterët jetojnë mirë me njëri-tjetrin, si tek ne dikur. Tani tek ne nuk është më kështu, por këtu ti nuk shihesh shtrembër se je mysliman apo një i krishterë.”
Vëllai shpëtimtar i familjes, Husam Matwa e di se rasti i familjes së tij nuk është tipik. Shumë refugjatë janë të gatshëm të paguajnë para tek kontrabandistët për të shkuar në Europë. Por ne ky vend na e ktheu shpresën, thotë ai. “Shqipëria mund të jetë e varfër, jo aq e pasur sa Gjermania, por është e pasur me njerëzillëk”, thotë Husam Matwa.(DW)