Tashmë Rama i ka të gjitha, por nuk di ti përdorë

 

Nga Dritan Hila

Pas Asamblesë së partisë në pushtet janë dy faktorë që do të përcaktojnë të ardhmen e kësaj partie dhe qeverisjen e vendit. Rezultati i parë i prekshëm është ç’ideologjizimi i partisë. Sllogani për luftë totale ndaj PD dhe LSI nuk është as ideologji dhe as program. Tregon vetëm rrugën me të cilën do të mbahet pushteti. Tashmë në radhët e saj janë që të gjithë të rinj të cilët kanë bërë karrierë vitet e fundit, por vështirë të spikatur në ndonjë fushë, përjashto besnikërinë ndaj shefit.

Nuk ka individë të cilët të kenë një të shkuar ideologjike të majtë, apo të jenë të artikuluar në këtë krah. Nga pikëpamja filozofike i fundit ishte Servet Pëllumbi. Gramoz Ruçi ishte po ashtu figura që mori pensionin e artë. Arta Dade, Valentina Leskaj, Namik Dokle, i përkasin historisë së kësaj partie.

Bie në sy mungesa e individëve të shquar në profesionet e tyre apo në ato kërkimore. Asnjë shkrimtar, asnjë historian, asnjë kërkues shkencor nuk ka në listat e saj. Boshllëku intelektual është i frikshëm. Në fakt është sëmundje kombëtare.

Ajo që duket se ka mbetur si qëllim në një parti që nuk ka më ideologji, është pasurimi. Dhe kjo nuk do shumë mund të shikohet. E tregojnë rrobat e titullarëve, makinat dhe bashkëshortët/et apo fëmijët e tyre.

Ajo që do të ofrojë në lidhje me qeverisjen e saj PS, është edhe ajo që është parashikuar. Koncentrimi i shumë ministrive në disa duar nuk është për efekt ulje të burokracisë, pasi nuk mund të bihet nën një numër të caktuar nëpunësish, nëse nuk do që të asfiksosh shtetin dhe funksionet e tij. Qëllimi ishte që kontrolli nëpërmjet njerëzve të besuar të jetë sa më i afërt, që nëpërmjet sa më pak njerëzve të kontrollojë paratë, fondet apo liçencat në funksion të mbajtjes së pushtetit. Por kjo ka shkaktuar bllokimin e aparatit shtetëror. Edhe sikur drejtoritë e fuqizuara të bëjnë organikat e reja edhe sikur të bëhen rregulloret dhe “job description” e secilit specialist, nuk është e mundur të vihen në lëvizje. Mjaft të mendosh që zëvendësministrat u premtua që do të merrnin kompetenca ligjore, por asgjë nuk është bërë për këtë. Vazhdon amullia e kompetencave. Imagjinoni sa mund të jenë bërë në rangje më të ulëta.

Rama nuk mund të bëjë një shpikje të re për të zëvendësuar mekanizmin që quhet shtet. Nëse e fut në shtratin e Prokustit, e sigurtë është që do të marrë një krijesë të deformuar.

E vetmja e re që solli kjo asamble ishte konfirmimi i Edi Ramës si zot i plotëfuqishëm i PS. Ka koncentruar në duart e tij gjithë pushtetin politik dhe ekonomik. Por nuk di përse ta përdorë pasi ata që ka rreth vetes ose nuk kanë ide ose kanë frikë t’i flasin. Do të jetë një impas që do vazhdojë për disa vite, derisa të ndodhë fenomeni i vdekjes nga mbipesha./Dritare.net

SHKARKO APP