Të gjithë njerëzit që tradhëtuan Saimir Tahirin
Nga Lorenc Vangjeli
Saimir Tahiri është babai i një djali të mrekullueshëm gjashtë vjeçar. Me të gjitha gjasat ai është dhe do të jetë i vetmi që sot dhe mot do të zgjedhë pa asnjë hezitim dilemën që ka mbërthyer shoqërinë shqiptare sidomos në këto 72 orët e fundit: ati i tij është ëngjëll apo djall. Gjithkush tjetër ka dyshime të forta për këtë dilemë. Por basti i Saimirit nuk është i biri, të cilin ai e përmendi shumë herë në intervistën më emocionale të tij që dha të enjten në Opinion. Eshtë shumë më shumë se kaq dhe është më shumë se një raport i ngrirë mes asaj që ka bërë në të shkuarën dhe fatit vetjak në të ardhmen. Eshtë shumë më tepër se një raport dinamik mes fajësisë dhe pafajësisë politike, morale e penale të tij.
Ish-ministri i brendshëm nuk është as ëngjëll dhe as djall. Eshtë një politikan pothuaj atipik shqiptar që po të jetonte në Perëndim, mund të numëronte dashuritë dhe kravatat dhe jo të emëronte policë dhe të ndiqte aksionet e çunave me uniformë. Katër vjet më parë ai ishte i bindur se kishte bërë bingon e jetës politike, pa menduar se katër vjet më pas do të rikthehej si personazh në mallkimin e poltronit të ministrit të brendshëm. Në gati gjysëm shekulli diktaturë, të gjithë ministrat e brendshëm patën jetë burgu dhe pothuaj të gjithë vdiqën nga plumbi. Në “pothuajsedemokracinë” e sotme, Tahiri rrezikon të jetë pre e këtij mallkimi të fatit të keq, pavarësisht se një gjë e tillë nuk ndodh më fshehtas si dikur e pavarësisht se sot, edhe akuza, edhe mbrojtja bëhen “live” në televizor. Saimiri arriti ta ndajë dhe njëherë opinionin publik njëlloj si në një fushatë zgjedhore. Bashkë me akuzën dhe mbrojtjen, ndahen dhe ata që u duan apo dhe e urrejnë ish-ministrin e brendshëm, i cili së paku, si pak të tjerë që paguhen si politikanë në Shqipëri, pa fytyra dhe pa emra, nuk kalon pa tërhequr vëmendje. Por kjo tashmë ka pak rëndësi. Ai vetë i pari duhet të gjejë përgjigje të disa pyetjeve që do të kushtëzojnë fort të nesërmen e tij.
Fillimisht ai duhet të gjejë se kush e tradhëtoi. Cilët janë njerëzit apo rrethanat? Interesat apo llogaritë? Miqtë apo armiqtë? Të tjerët apo vetvetja?
Ai duhet të zbulojë se kush e ka projektuar këtë gjëmë për të.
E shitën kushërinjtë e tij trafikantë, me të cilët është e vërtetuar se veç linjës të largët të gjakut, e lidh edhe makina e famshme gjermane? Fjalët e tyre të përgjuara nuk janë provë. Banditët shqiptarë ju ngjajnë meshkujve vanitozë që shtojnë me tre a katër zero numrin e parave që fshehin nën krevat dhe shumëzojnë me katër a pesë numrin e aventurave mbi krevat. Banditë që mburren se kanë pirë alkool me Nanon, se kanë marrë urdhëra nga Berisha, se janë shpërblyer nga Meta, se janë miq me Bashën apo se kanë ecur netëve mbi vijat e bardha të bulevardit me Ramën, janë rregull dhe jo përjashtim. Apo janë të tjerë banditë që për paradoks, afrojnë një tërheqje fatale për socialistët të rinj si Saimiri? Që e kanë me qejf të rrinë me ta, të flasin me ata dhe si ata, të ndajnë herë pas here ndonjë nder reciprok me ta? Dhe mbi të gjitha, pranojnë t’i marrin me qera për dy muajt e zgjedhjeve dhe të jepen me koncesion në katër vitet e pushtetit?
Ish-ministri është shitur nga çunat e policisë, zyrtarë të lartë e shumë të lartë mes tyre, që tashmë janë në dyshime serioze si të implikuar në dosjen përvëluese të Cannabis-it? Shumë nga ta, madje një shumicë e paturpshme, janë jashtëzakonisht më të pasur sesa katër vjet më parë. Dhe jo sepse kanë kursyer nga rroga, por sepse kanë qenë në mënyrë direkte rrogëtarë në bordoro punësh të pista të çunave të tjerë që afrojnë tërheqje fatale për pushtetin e marrë vende – vende me koncesion?
Deputetin socialist e braktisi Edi Rama, kryeministri i djeshëm që e kishte zgjedhur si bashkëpunëtorin më të afërt dhe që e largoi në mars mbas një kërkese pothuaj ultimative nga SHBA? Apo e bëri kurban kryeministri i sotëm që për shkak të rrethanave, e sakrifikoi Tahirin si një peshë të tepërt në balonën e tij të fryrë qeverisëse? I njëjti njeri, që siç dëshmon vetë Tahiri, i ka hënë dje: “Ti më ke mua. Dhe mos e “çaj” për askënd”, duke i dhënë imunitet përballë deputetëve të zemëruar që merrnin gjoba në trafik dhe që sot e ka lënë vetëm përballë një “përbetimi” të të gjithë armiqve të vjetër e të rinj të tij?
Saimiri duhet të dijë të orientohet për të gjetur se çfarë i bën keq personalisht duke ju shmangur kurthit për të besuar atë që i duket apo i servirin në pamje të parë. Shpesh gjërat janë shumë më ndryshe, edhe atëherë kur ai rikujtohet të përmendë Ilir Metën në kontrast me veten, edhe kur bën bashkë edhe Berishën, edhe Bashën, edhe Mediun e Habilajt në një thes dhe duke mos lënë jashtë tij edhe një numër deputetësh të partisë së tij. Pikërisht ata që këto ditë “po ngrenë dolli për fundin e tij”, siç citon Blendi Fevziu.
Po kaq e rëndësishme për Saimirin është të identifikojë miqtë e tij. Kjo mundësi e artë që ju dha për ta parë brenda një kohe shumë të shkurtër botën nga dy skaje, lart e poshtë, do t’i qartësojë se cilët janë miqtë e tij të vërtetë që e kanë dashur si Saimir dhe ata që e kanë përdorur si ministrin Tahiri.
Saimir Tahiri është një simbol i qeverisjes socialiste në katër vjetët e shkuar. Qëndrimi ndaj tij është qëndrim ndaj asaj qeverisjeje, që mendonte se zgjidhte çështjen e trafikut nëse vendoste police bukuroshe në bulevard, se kishte garantuar qetësinë nëse krismat nuk dëgjoheshin në televizor dhe se shqiptarët ishin të ngopur me supë, nëse dëgjonin fjalime. Dhe po kështu është identikit i një qeverisjeje që synoi shumë, bëri gjithashtu shumë, por dhe shpërdoroi po aq. Që ndodhte të prodhonte ligësi dhe kur fliste për moral, që bënte marrëveshje ndërkohë që edhe përgatitej për t’i shkelur, që ishte shumë herë më e mirë se qeverisja parardhëse, por shumë më e keqe sesa u premtua të ishte.
Saimir Tahiri është dëshmitar i asaj qeverisjeje.
Saimir Tahiri është gjithashtu një kasafortë me të vërteta të tjera nga ato që janë dëgjuar në katër vjetët e fundit. Mesazhi i llogaritur që dha në mbrëmjen e të enjtes, kërcënimi që bëri se do të fliste, nuk kishte të bënte me kundërshtarët e tij në ngjyrë, por me “aleatët” e tij të munguar në parti. Më së pari ndaj Edi Ramës duke i treguar se në të gjitha rastet kryeministrit i vlen më shumë një kundërshtar serioz sesa një servil budalla nga ata që ai mban me shumicë rreth vetes.
Duke ju treguar socialistëve se nëse e lëshojnë atë sot, nesër i njëjti fat mund të presë cilindo, ai la të kuptohet një paradoks; rradhën për kë do ta pasojë në fatin e keq, ai mund ta zgjedhë vetë. Socialistët e rinj, gjysma e të cilëve është tërësisht e paorientuar për çfarë po ndodh dhe as janë në gjendje të kuptojnë se çfarë po ndodh, po shohin se në politikë mund të ndodhë gjithçka. Se kush është trajtuar nga partia e tyre si mit, mund të shndërrohet shpejt në Landfill-in e Partisë. Për interesa më të mëdha, që ata gjithashtu nuk arrijnë t’i kuptojnë. Pa ditur edhe çfarë ndodhi të enjten në mesditë, pastaj në mbrëmje dhe më pas akoma, çfarë ndodhi duke u gdhirë e premtja që ndryshoi dramatikisht disa herë fatin e ish-ministrit.
“Problem është sistemi”, tha opinionin e tij të enjten Tahiri në Opinion, pa kuptuar se dhe ai vetë është pjesë e një sistemi të dështuar politik. Që e bën tërësisht të parëndësishëm fajësinë apo pafajësinë e tij penale, arrestin apo hetimin e tij në liri. Saimiri nuk është as ëngjëll siç e di me të drejtë djali i tij i mrekullueshëm, dhe as djall siç e pikturojnë jo krejt gabim armiqtë e vjetër. (Javanews.al)