Të kishte Shqipëria edhe 10 Mero Baze!

Në Shqipëri ka korrupsion, shpërdorim detyre, krim të organizuar e plot fenomene negative. Natyrisht që ka edhe një shoqeri në zhvillim. Por ka shumë vite që qytetarët ankohen për halle të ndryshme apo për biznesmenë të lidhur me pushtetin e radhës, por që bëjnë ligjin aty ku duan, sipas interesit që iu shton paratë. Në shumë pak raste reagon shteti nga ankesat e qytetarëve apo medias. Biznesmenë që ndërtojnë kudo pa leje apo me leje, por që prekin interesa të komuniteteve, ka biznesmenë që shkatërrojnë lumenjtë, por që asnjeri nuk i trazon. Ankohen qytetarët, por fare pak zgjidhje u jep pushteti.

Rasti i fundit ishte i Harri Lenës një biznesmen nga Gjirokastra, i cili u denoncua nga botuesi i gazetës TEMA, Mero Baze. Baze njihet për afërsinë me kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij. Ai kontribuoi mjaft për të rrëzuar Berishën në vitin 2013. Por Mero mbetet kritik edhe me Ramën. Mero bëri një editorial kundër biznesmenit Lena që po prek lumin Vjosa dhe po hedh beton në mjedin turistik të Vjosës. Nuk vonoi dhe dy ditë pas shkrimit u dynd e gjithë qeveria në Vjosë, ku po ndërtonte Harri Lena. Ministrat Blendi Klosi dhe Sonila Qato udhëtuan të dielën pa lind dielli drejt vendit ku janë hedhur kolonat dhe betoni për devijimin e ujërave dhe shfrytëzimin e tyre për biznes. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi deklaroi buzë Vjosës se: “Nuk ka asnjë tolerim për bisnese të paligjshme në dëm të interesit të përbashkët dhe pasurisë së përbashkët, mjedisin. Dinozaure mjedisorë si ky ndërtim këtu, nuk do të pranohen, nuk do lejohen dhe nuk kalojnë në heshtje”.

Ministri tha se kanë nisur hetìme për ndëshkimim e institucioneve që nuk vepruan në kohë. “Gjej rastin të falenderoj drejtuesit e ministrisë së brendshme për nisjen e hetimeve për mosveprimin e policisë së shtetit për këtë skenë krimi, si dhe heshtjen e çdo strukture lokale që mbyllin sytë dhe lejojnë të tilla biznese të paligjshme, krime mjedisore që dëmtojnë interesat e përbashkëta, pronën e përbashkët dhe me shumë sesa kaq, lejojnë të dëmtohet kjo pasuri e përbashkët siç është lugina e Vjosës, që është trashegimi e përbashkët historike, kulturore, por dhe  shpirtore”, tha Ministri Klosi gjatë inspektimit sot në Këlcyrë.

Klosi ftoi qytetarët që të kryejnë denoncime për raste të ngjashme. “Për ne, për ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, për këtë qeveri që ka shpallur aleatë të bashkëqeverisjes qytetarët, interesi dhe zëri i tyre është vendimarrës. Ndaj ftoj çdo  qytetar të denoncojë, bashkëveprojë me ne për të penguar, moslejuar apo parandaluar vepra të tilla, krime të tilla mjedisore, dinozaure të shkatërrimit të pasurisë së përbashket, mjedisit”,-tha ministri Klosi.

 

Në foto: Pamje nga punimet e betonit nga firma e Harri Lenës

Fill pas dy ministrave Klosi e Qato doli edhe Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ku reagoi për skandalin e një ndërtimi pa leje në Grykën e Këlcyrës, i neglizhuar nga policia locale.

Fatmir xhafaj paralajmëroi nisjen e hetimeve për mosveprimet e policisë, që nuk kanë mundur të ndalojnë asnjë prej autorëve të masakrës mbi Vjosë. “SHÇBA e Hetimi Pol Shtetit në luginen e Vjosës. Tolerance 0 ndaj çdo ndërtimi të paligjshëm e krimi mjedisor. Flm medias e shoqërisë civile” shkruan Xhafaj në Twitter.

I gjithë pushteti e qeveria u dynd në Vjosë. Sekush të raportonte i pari te kryeministri Rama, se e bllokuan dhe ndëshkuan biznesmenin Harri Lena. Thonë se donte të vraponte edhe ministrja e kulturës për në Vjosë. Edhe ajo t’i niste kryeministrit foto buzë lumit dhe afër hekurave të Harri Lenës.

Tre ministra për një shkrim të Mero Bazes. Mund të shkonte dhe Gjiknuri e Ahmetaj. Por me daljen e Fatmir Xhafës nuk mund të dilte më njeri, pasi ai ka policinë, ndalimet, arrestimet.

Mirë që ishte Mero që shkoi andej ku ka origjinën, pasi për kryetarë bashkie apo deputetë, apo edhe për popullin e thjeshtë biznesmeni Harri Lena do vazhdonte masakrimin e Vjosës. Por shteti nuk funksionon kështu; se foli Mero dhe u dyndën ministrat kush të shkonte më parë e të niste foto nga Vjosa që ti shikonte kryeministri. Natyrisht që Mero Baze duhet përgëzuar për denoncimin publik në shkrimin e tij kurajoz. Por pyetja vjen: Sikur të mos ishte Mero Baze si do ta bllokonin Hari Lenën?

Sikur të kishte Shqipëria edhe 10 Mero Baze të tjerë, nuk do të kishim shkelje të ligjit, kaq hapur. Por shteti ligjor nuk funksionon kështu që pushteti vrapon nga frika e një botuesit të rëndësishëm, ku të dielën morën turravrapin një mori ministrash për në Vjosë. Mirë ministri i Mjedisit dhe Turizmit se kishte detyrë funksionale, por ministrat e tjerë pse nxituan të lajmëronin publikun se “po merremi urgjent me Vjosën”?! Apo se bëri shkrim kritik Mero Baze?

http://albanianews1.al/te-kishte-shqiperia-edhe-10-mero-baze/

SHKARKO APP