Të paktën mos duartrokisni

Nga Mira Kazhani

U duk sikur përballë tij ishin ulur kundërshtarë dhe jo bashkëpunëtorë të paktën të një katërvjeçari. I gjithëpushtetshëm, Edi Rama u shfaq sot si një kryeministër tjetër, i një kohe tjetër, i një sistemi tjetër. Në pjesën dërrmuese të fjalës së tij me ambasadorët dhe Ministrin e Jashtëm ai ishte i saktë, por jo korrekt. Është e vërtetë që ambasadat shqiptare janë disa zyra të lodhura, me disa makina të lodhura, me rroga të lodhura, dieta gjithashtu.

Kur kam qenë reportere në Vizion Plus, isha në një shërbim pune në Bruksel ku për ters u anuluan të gjitha fluturimet dhe mbetëm në aeroport. Më kujtohet se si një nga punonjësit e ambasadës atje më dërgonte vetëm zile, sepse nuk kishte para në telefon dhe për të gjitha sqarimet duhet të përdorja roaming nga telefoni im.

Por nuk është vetëm ky rast, si gazetare më ka qëlluar të shoh ambasada dhe të takoj diplomatë të ndryshëm. Si ata për shembull që vijnë në Tiranë dhe jetojnë në kushte përrallore, në vila apartamente të shtrenjtë, me pagesa më shumë se sa dinjitoze, luksoze, përfshi këtu që Shqipëria futet te vendet të konsideruara të vështira.

Që të bësh diplomaci nuk të duhet vetëm të jesh diplomat, por të duhet që për të gjitha negociatat me investitorë, lobe të kesh mbështetje financiare nga shteti yt. Të gjithë e dimë se si punohet në ambasada. Ndoshta edhe se si vegjetohet në ambasada.

Kryeministri ka të drejtë kur thotë se ky sistem ka dështuar, por nuk ka të drejtë të merret me njeriun. Dhe sot atë bëri. U mor personalisht me të gjithë ata që nga shoferi, deri te ministri i Jashtëm. I etiketoi, pa e rrotulluar gjuhën, i kryqëzoi duke mos u lënë asgjë pa thënë.

Në tentacionin për të bërë histori në këtë qeverisje, kryeministri Edi Rama po shfaqet i pakursyer me bashkëpunëtorët e tij. Edi Rama është kryeministri i vetëm, pas Sali Berishës në ’92, që ka një shumicë të tillë parlamentare. Ai është plot pushtet, plot bashkëpunëtorë, me pak opozitë dhe duket sikur po i kërkon armiqtë brenda llojit. Por këta të fundit, ndryshe nga ata që të vrasin, sot në fund të fjalës së tij, duartrokitën. A mos duhet të shqetësohemi pak për këtë?  /Tiranapost.al/

SHKARKO APP