Tre tregime të vërteta (ose pjesërisht të vërteta) nga jeta e Nënë Terezës

Nga Tonin Çobani

Tregimi i parë: Një vakt si zotërinjtë

Nënë Tereza qe ftuar në njërin prej banketeve që shtronin herë pas here disa ish-nxënëse të saj nga familje të kamura të Kalkutës. Ndryshe nga ç’e kishte zakon në raste të tilla, ajo qëndroi deri në fund. Kur u larguan të ftuarit dhe kamerierët filluan të mbledhin çfarë kishte mbetur ndër pjatanca, ajo iu drejtua vajzave që  kishin organizuar festën:

–           U thoni këtyre që ngrenë tryezat, t’i mbledhin për mua ushqimet e paprekura, ëmbëlsirat e mbetura dhe frutat. Do të dërgoj menjëherë njerëz t’i marrin për fëmijët e mi të uritur e pleqtë e sëmurë. Ah, sa do të kënaqen duke ngrënë gatime për zonja e zotërinj, qoftë edhe në një vakt të vetëm të jetës së tyre!

Dhe ashtu u bë. Dhe jo vetëm pas asaj gostie. Ishte ose jo e ftuar Nënë Tereza, njerëzit e saj lajmëroheshin thuajse sa herë shtroheshin bankete të tilla…

 

Tregimi i dytë: Dialog me President

–           Do të kujdesem që të marrësh një çek me disa milion dollarë për institucione e

tua,- i tha Presidenti Regan Nënë Terezës në Washington kur po e shoqëronte me rastin e një vizite zyrtare.

–           Jo,- ia priti Nënë Tereza me një vendosmëri të pafajshme,- nuk i pranoj. Nuk

marr çeqe nga qeveritë. Nuk kam marrë asnjëherë. As nga institucionet fetare.

–           Si kështu?! Me se i mban shtëpitë e bamirësive në të katër anët e botës?

–           Me donacione prej institucionesh jo shtetërore e jo fetare, si dhe me dhurata

individësh. Qeveria Amerikane, p.sh. (ose një institucion fetar i çfarëdo rangu), me ato dollarë, që më ofron mua, le të bëjë vetë diçka më tepër për shtëpitë e pleqve, spitalet e të varfërve dhe fëmijët e braktisur.

–           Kuptova,- u tërhoq Presidenti.- Unë do të jap disa mijëra dollarë nga të ardhurat

e mija personale. Kështu mundem?

–           Po. Dhe unë me motrat e mia do t’i menaxhojmë ata dollarë, sa të jetë e

mundur më mirë, në dobi të nevojëtarëve më në nevojë.

Tregimi i tretë: Një kryq për lutje me dy shkopinj

Thjeshtësia e Nënë Terezës ka qenë proverbiale. Nënë Tereza ishte edhe racionale, tepër madje.  Thjeshtësia e bënte të ishte pa kurrfarë pretendimi vetjak, ndërsa racionliteti i siguronte në çdo rast efiçencën maksimale të bëmave të saj (dhe të motrave të saj). Kështu, Nënë Tereza nuk humbiste kohë as për të zgjedhur një altar kishe sa herë e ndiente të nevojshme të lutej.  Ndodhte që ajo merrte dy shkopinj, krijonte me to një kryq, e vendoste atë kryq mbi tryezë dhe ulej në gjunjë përballë tij, duke mbështetur kokën mbi të dy duart e veta të bëra bashkë.

Motrat  e saj, kur e shihnin ashtu, ose i bashkoheshin në lutje, ose shpejtonin të arrinin sa më parë aty ky e dinin se në atë çast një qenie tjetër njerëzore kishte nevojë për ta. Pas lutjes, atje do të mbërrinte menjëherë edhe Nënë Tereza.

Gazetarët, më se një herë, e kanë pyetur qortueshëm:

–           Po  ju, përse humbisni kohë pa fund duke ia çuar nevojëtarëve peshkun në pjatë? A nuk do të ishte më mirë t’u dhuronit atyre një kallam peshkimi dhe t’u mësonit ta zinin peshkun vetë?

Edhe ajo ia kthente jo pa ironi:

–           Ashtu është vërtetë, por ne, motrave, na duhet t’u ndihmojmë nevojëtarëve

pse janë të pamundur. Kështu që, më parë, ata duhen të bëhen të aftë ta mbajnë vetë lugën në dorë e tyre dhe, më pas, kallamin që propozoni ju për peshkim…

Shëngjin, gusht 2017

SHKARKO APP