Trump: Historia po dëmtohet me heqjen e statujave
Presidenti Trump, i cili po kritikohet ashpër për komentet që lidhen me grupet raciste dhe të supremacistëve të bardhë, tha sot se ishte i trishtuar për faktin që historia e Shteteve të Bashkuara po dëmtohet me heqjen e statujave dhe monumenteve.
Në komentet e bëra në Twitter, Presidenti e kishte fjalën për monumentet dhe statujat e Konfederatës, heqja e të cilave kundërshtohet nga grupet e supremacistëve të bardhë.
Zyrtarët në disa shtete amerikane kanë kërkuar heqjen e monumenteve publike që janë bërë simbole të Konfederatës.
“Historinë nuk mund ta ndryshosh, por mund të mësosh prej saj,” – shkruante Presidenti Trump. “ Kush e ka radhën? Uashingtoni? Xhefersoni? Shumë qesharake,” – komenton Presidenti Trump në Twitter.
HISTORIA DHE DOMETHËNIA E STATUJAVE TË KONFEDERATËS
Ngjarjet në Sharlotsville kanë rihapur një debat të vjetër mbi statujat që nderojnë figura të Konfederatës. Shumë njerëz kërkojnë heqjen e tyre, të tjerë thonë se nuk duhet fshirë historia.
Protestat në Sharlotsvill lidheshin me Parkun Emancipimi, ku ka një statujë të Gjeneralit Robert E. Lee, komandant i forcave të Konfederatës. Supremacistët e bardhë thonë se protesta e tyre ishte kundër përpjekjeve për ta hequr statujën.
Sipas revistës Slate, në të gjithë vendin ka rreth 13 mijë statuja të Konfederatës, që ndodhen edhe në shtete jashtë perimetrit gjeografik të saj.
Në ndërtesën e Kapitolit në Uashington ka statuja të Presidentit të Konfederatës, Jefferson Davis dhe Nënpresidentit Alexander Stephens, si dhe të disa figurave ushtarake të Konfederatës. Secili nga 50 shtetet amerikane ka zgjedhur 2 statuja për koleksionin e statujave të Kongresit.
Ligjvënësja nga Florida, Debbie Wasserman Schultz bëri thirrje të martën që legjislatura në shtetin e saj të zëvendësonte statujën e një gjenerali të Konfederatës. Senatori nga Nju Xhërsi, Cory Booker tha të mërkurën se do të propozojë një projektligj për të hequr të gjitha statujat e Konfederatës nga Kapitoli.
Rreth pesë kilometra nga Kapitoli, në mes të Varrezave Kombëtare në Arlington ndodhet Shtëpia e Arlingtonit, Përkujtimore për Robert E. Lee-në, pasi ajo tokë para Luftës Civile ishte plantacioni i familjes së gjeneralit.
Në qytezat e Virxhinias ka shkolla që mbajnë emrat e figurave të Konfederatës. Disa nga këto emra po ndryshohen pas vendimeve të marra nga autoritetet lokale.
Në qytetin e Richmondit, 90km nga Uashingtoni, dhe dikur kryeqytet i Konferedatës, një rrugë kryesore e quajtur Bulevardi i Monumenteve është e rrethuar nga të dyja anët me statuja dhe përmendore për ushtarë e politikanë të Konfederatës.
Si ndodhi kjo, pasi Konfederata humbi në Luftën Civile?
Historianët thonë për Zërin e Amerikës se përmendoret janë rezultat i përpjekjeve të disa grupeve në Jug, si të organizatës Bijat e Bashkuara të Konfederatës dhe Bijtë e Veteranëve të Konfederatës, të cilët punuan për t’i dhënë një ngjyrosje të re historisë së Luftës Civile sapo përfundoi konflikti.
Universiteti i kryeqytetit Uashington, UDC ka formuar një grup pune që kërkon të “mbledhë dhe ruajë materiale për një rrëfim të drejtë të luftës mes Veriut dhe Jugut dhe për të mbrojtur vende ku është dëshmuar guxim e trimëri nga luftëtarët e Konfederatës si dhe për të ndihmuar për t’u arsimuar trashëgimtarë të ushtarëve të Konfederatës që dëshmojnë se e meritojnë”.
“Jugu e ndryshoi rregullin që fitimtarët shkruajnë historinë,” thotë Brian Matthew Jordan, i Universitetit Sam Houston në Teksas.
Lëvizja “Kauza e Humbur” ka punuar për ta veçuar Konfederatën nga tema e skllavërisë dhe për ta prezantuar luftën si një betejë për të drejtat e shteteve dhe mbrojtjen e së drejtës për vetëqeverisje. Shumë ushtarë të Konfederatës prezantoheshin si heronj se kishin luftuar me guxim dhe nder përballë një morie ushtarësh të Veriut, duke ushqyer mitin e heroit që amerikanët e respektojnë shumë.
Gjatë afro 50 vjetësh pas luftës u ngritën shumë statuja e përmendore për Konfederatën.
Grupe vullnetare mblidhnin fonde për të ngritur monumente në fushëbeteja të famshme, duke mundësuar një interpretim më pozitiv për Luftën Civile, nga perspektiva e Jugut.
Rindërtimi si politikë dhe praktikë e çimentoi lëvizjen Kauza e Humbur, pasi shihej në Jug si një përpjekje e Veriut për të shkatërruar mënyrën e tyre të jetesës.
Në 1870, vetëm pesë vjet pas Luftës Civile, në varrimin e Robert E. Lee morën pjesë politikanë të njohur nga i gjithë vendi dhe ai u nderua si hero amerikan.
Tani, pasi në Baltimorë dhe Nju Orlins u hoqën statuja të Konfederatës, po ngrihen zëra që thonë se ata që luftuan për shtetet e jugut nuk duhen parë si racistë dhe se heqja e përmendoreve do të ketë pasoja të tjera.
“Po më pas, mos do djegim librat me përmbajtje ofenduese?” shkruan shkrimtarja Cheryl K. Chumley në një artikull opinionist në gazetën konservatore Washington Times . “Do të djegim libra të shkruara nga ata që zotëronin skllevër? Muzeumet do të mbyllen”.
“Problemi me rishikimin e historisë, bazuar në argumentin se dikush ndjehet i ofenduar, si në rastin e kësaj fushate anti-Konfederatë, është se gjithmonë do të jetë dikush, diku që ndjehet i ofenduar,” thotë shkrimtarja.
Në një konferencë për shtyp të martën, Presidenti Trump komentoi mbi këto zhvillime:
“Këtë javë i jemi vënë Robert E. Lee-së,” tha zoti Trump. “Mësova se edhe (statuja e Gjeneralit të Konfederatës) Stonewall Jackson do të hiqet. Nuk e di nëse javës tjetër do të heqim George Washingtonin dhe një javë më pas Thomas Jeffersonin. Duhet të pyesim veten, ku do të përfundojë e gjithë kjo?”
NË VAZHDIM TË DEBATIT
Po sot, presidenti Donald Trump kritikoi në Twitter senatorin republikan Lindsey Graham, i cili tha dje se zoti Trump bëri një hap prapa kur la të kuptohet se ka një ekuivalencë morale mes supremacistëve të bardhë dhe njerëzve që demonstrojnë kundër tyre.
Presidenti e quajti senatorin njeri që përpiqet për publicitet.
Edhe republikanë të tjerë, duke përfshirë disa nga ligjvënësit më të fuqishëm, kanë bërë deklarata të forta për ngjarjet në Sharlotsvill dhe për racizmin, por pa e përmendur me emër Presidentin Trump.
Të mërkurën, shefi i Shtatmadhorisë amerikane, gjenerali Joe Dunford tha se në Shtetet e Bashkuara apo në ushtrinë e tij “nuk ka vend për racizëm dhe fanatizëm” dhe se ai është “shumë i pikëlluar” nga ajo që ndodhi në Sharlotsvill.
Duke folur gjatë një vizite në Pekin, zoti Dunford vlerësoi komentet e ngjashme të bëra më parë nga krerët e shërbimeve të ndryshme në ushtrinë amerikane.