T’u përkulemi me respekt e krenari emigrantëve shqiptarë, kudo në botë
Sa herë ofrohen zgjedhjet parlamentare, të gjitha partitë politike në Shqipëri, por veçanërisht mazhorancat në pushtet turren për të zhvilluar takime me emigrantët shqiptarë, me qëllimin e vetëm për t’ju marrë votat njerëzve të tyre që kanë në Atdhe. I shikon varg e varg ministra dhe zyrtarë të pushtetit duke u “përmalluar” për hallet e emigrantëve. Por kjo vetëm para votimeve. Më pas, as që kujtohen më nëse ka emigrantë shqiptarë. Nuk bën përjashtim edhe opozita, e cila kur ishte në pushtet kështu vepronte. Vetëm për vota.
Realisht Shqipëria tashmë ka zhvillime të mëdha ekonomike, emancipim në kulturë si dhe progres në shumë fusha përgjatë këtyre 27 viteve pluralizëm dhe demokraci. Kjo, fillimisht, falë emigrantëve shqiptarë, të cilët me njëmijë halle e luftë me botën ku kanë shkuar, larg familjes, punuan, mbijetuan e shumë prej tyre edhe u forcuan ekonomikisht. Por gjithçka e kanë fituar me një stërmundim titanik në shtetet ku punojnë e jetojnë. Dhe duke sakrifikuar, kursyer nga jetesa e tyre kanë nisur dhjetra e dhjetra milionë dollarë e euro, të gjithë emigrantët, në drejtim të familjeve të tyre në Shqipëri. Në vitet e para emigrantët e mbajtën Shqipërinë gjallë, ndërsa pas vitit 2000, ata filluan edhe të kthehen apo të investojnë në Atdhe. Në disa shtete ata përjetuan cinizëm, përbuzje dhe skllavërim, por mbijetuan. Ndër vite emigrantët, kudo nëpër botë, u bënë pjesë integrale e shtetit ku jetojnë, duke shkolluar e arsimuar fëmijët e tyre me kulturën e vendit ku jetojnë, por asnjëherë nuk harruan Shqipërinë, vendlindjen. Ndërkohë që emigrantët janë bërë pjesë e shoqërisë se vendit ku jetojnë e punojnë, një pjesë jo e vogël e tyre kanë shkëlqyer në fusha të ndryshme të jetës. Sidomos fëmijët e tyre kanë evoluar në raport me kohën e re dixhitale, duke shkëlqyer. Ka talente në sport, shkencë, arësim, financa, teknologji,etj.
Politika në Tiranë nuk kujtohet realisht për t’i ftuar në qeverisje apo fusha të tjera këto talente, por bën sikur interesohet vetëm para zgjedhjeve. Flasin me emigrantët, por mendjen e kanë t’u rrembejnë votat.
Po si ka mundësi që në poste ministri apo post tjetër të lartë, nuk u ftuan pjestarë të emigrantëve shqiptarë nëpër botë, të cilët janë brilantë në menaxhim, drejtim, kulturë e dije? Pse ministrin e Emigracionit, ku caktuan Pandeli Majkon, nuk ia dhanë një pjestari nga emigracioni shqiptar në botë, pasi ata e dijnë dhe kuptojnë më mirë botën shqiptare në emigrim? Natyrisht që Majko mund të ishte në qeveri, por në post tjetër. Shqipëria ka nevojë për të mësuar dhe për tu drejtuar edhe nga emigracioni shqiptar. Premtimi i fundit, dhe i përhershëm, se në zgjedhjet parlamentare të radhës emigrantët do kenë të drejtë dhe mundësi vote në shtetet ku ata banojnë e punojnë, tashmë nuk duhet zgjatur. Nuk duhet të sajohen para votimeve prapë justifikime se “nuk kemi mundësi teknike votimi!”. Ata janë nënshtetas shqiptarë, ndonëse jetojnë e punojnë larg shtetit amë. Mund të rrijnë andej ku janë, larg Atdheut, por derisa mbajnë pasaportën shqiptare kanë çdo të drejtë, si shqiptarët të cilët jetojnë në shtetin shqiptar.
Shqiptarët, kudo që janë në botë, duhet të jenë pjesë faktike e vendimmarrjes politike, sa herë ka zgjedhje. Por jo vetëm për zgjedhje. Ata pjesë e gjakut tonë.
Ata meritojnë respekt dhe duhet përulje para tyre me krenari. Ata janë, ne!
N. Lesi