Unë, politikani i dështuar

 

Nga Mitro Çela

Një ditë shënëndreu ’98-të thashë të bëhem pak Sokrat, dmth. të fërkoj hundën për të njohur vetveten! 
O njerëz të bekuar! U befasova! Ndjeva se në dejtë e mi rridhte gjak i një një politikani të dështuar! Për shahit nuk kisha nevojë: faktet i kisha brenda vetes. 
Kisha qenë anëtar i byrosë politike të PD-së, madje edhe çikë më lart: një nga 16 themeluesit e partisë! Kisha qenë Baba Kombi për 6 vjet! 
Po sot? Ikën e vanë të gjitha nishanet! 
Si e vras kohën? Rri gjithë ditën në shtëpi. Bëj vrap nga kodrat e liqenit artificial duke u përshëndetur çdo sabah me Dan Eversin e OSBE-së, që e ndjek nga pas një vajzë e përjashtme, ezmerkë, lezet me kripë! 
Kruhem me zonjën time tri herë në ditë! I lëpihem ndonjë bjondeje…nga ballkoni! 
Vrava mendjen. Sikur të shkruaj dështimin tim? Sepse, kur njeriu qenke politikan i dështuar, e ka më lehtë të gjejë edhe ide. Një pjesë të kronikave do ta tregoj me kokë poshtë. Disa do t’i përshkruaj sipas teorisë së relativitetit të Einsteinit, nga poshtë -lart! Vende-vende do të fut doza humori, me synimin që, kur të mbarojë lexuesi një kronikë, të paktën të buzëqeshë dy herë!…
Dhe rrëmbeva kompjuterin. Ka sira puna e një politikani të dështuar? Sigurisht! Në fillim, doemos, do të mësoni: Pse dështoi politikani Mitro Çela? Në vazhdim, do të gjeni ndodhi "limonadë", por edhe nga ato që në Korçë u thonë: thagmë! Ka fakte të ëmbla, por më shumë të tharta. Disa do më mallkojnë.Të tjerë do më sulmojnë. Është e drejtë e tyre. Gjykatësi im është lexuesi. 
Me sytë nga "gjykatësi", duke vënë njërën dorë mbi Bibël dhe tjetrën mbi Kur’an betohem:
Në rrëfimet e mia do të gjeni vetëm ato skena ku unë kam luajtur në rolin e politikanit. Nuk do të shtoj asgjë…veç disa doza ironie. Sekret profesional! 
Me këtë ide, shkrova në gazetën “Albania” rreth 150 faqe speciale, me të cilat gatova edhe librin “Kronikë e një politikani të dështuar.” Librin e botova në vitin 2000. 
Për të festuar 10 vjetorin e nismës sime, piva kafe me të famshëm avokat në trojet arbërore: Virxhil Karaj. I kërkova të më hartoi një statut për të krijuar “Klubin e politikanëve të dështuar.” Duke qënë se jam I pari që e kam pranuar dështimin publikisht, në statut vendosa një nen ekstra: Kryetar i Klubit të Politikanëve të Dështuar emërohet Mitro Çela. 
Kur u firmos dhe vulos statuti, mendova se do kishte radhë për t’u antarësuar në klubin tim. Pse? Sepse kisha parasysh 5 a 6 ish kryeministra: Vilson Ahmeti ( dimër 1991); Ylli Bufi ( Qeveri e Stabilitetit bahar –vjeshte- dimër 1992); Fatos Nano ( 4 a 5 herë kryeministër). 
Një tufë me zëvendëskryeministra: Dylber Vrioni, Bashkim Kopliku, Rexhep Uka, Skënder Gjinushi. Rreth 60 ministra: Maqo Lakrori, Ylli Fejsiu, Spartak Poçi, Ilir Zela etj. Mbi 150 deputetë! Dy duzina me drejtorë doganash. Gjeneralë. Drejtorë policie. Ambasadorë. 
Por gabova. Edhe pse radhët e politikanëve te dështuar janë shtuar si “kërpudhat pas shiut”, askush nuk ka burrërinë dhe kurajon ta pranojë publikisht dështimin?! 
Harram! 
Po të kishte anëtarë klubi, që do ishte si punë OJQ-je, do vërshonin para nga Banka Botërore, Brukseli dhe nga vetë Xhorxh Soros, që paska bërë gati një thes me dollarë ( lexo gollogunga) për kryeministrin tonë të nderum zotin Rama, vetëm e vetëm, sepse e paska nderuar me vizitë në dasmën e Sorosit!

SHKARKO APP