Valltarja e njohur: Atë që vuajta në Shqipëri s’e kam kaluar për 27 vite jashtë
Tenori Agim Hushi lajmëroi se do të largohej përfundimisht drejt Australisë duke theksuar gjithë pakënaqësitë ndaj atdheut të tij.
Veç atyre që e kundërshtuan kishte dhe figura që gjenin veten tek fjalët e tenorit.
Një përjetim i njëjtë vjen dhe nga valltarja e njohur e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, Linda Kalemi.,
Prej 27 vitesh ajo ka jetuar jashtë Shqipërisë, por ka zgjedhur që të kalojë disa ditë në vendin e saj.
‘Atë që hoqa në 27 ditë, s’e kam hequr ne 27 vite jashtë.’ – shkruan ajo,duke theksuar se patriotizmi nuk i duhet kujt kur gjendja është si mos më keq.
Reagimi i plotë i Linda Kalemit:
Hy në kufi, dredhon rrugët e gjelbra si sixhade, rrotull njerëz, fëmijë, lopë, kuaj…
Të duken si të shtëpisë. Vazhdon rrugën nëpër autostrada kurioze të kapësh ndonjë ndryshim. Buzëqeshur e sy perënduar nga malli hyn në Tiranë.
– O ma… shih sa bukur, a sistemohemi prapë këtu??– Kismet djali… duke parë, duke bërë…
Ngjita shkallët e pallatit të shtruara me qylym fara luledielli e mure dekoruar me shkarravina e citate banale.
Hy brenda, doja të çlodhesha, e pamundur, pa pushim ulërima femijësh që lozin jashtë deri në mesnatë.
Parkova makinën me rregullat e trafikut por e gjeta gomën duke dhënë shpirt nga thikat që kishte marrë. Më thanë që e bën gomisteri pranë.
Trafiku rënkon, në një miniqytet bllokohesh orë të tëra rrugëve nga shoferë që flenë me celular në vesh apo çiliminj shtriqur sediljeve me dorën në timon dhe buzët tek e dashura.
Një nga këta më goditi mbrapa, dë i vogël mendova t’ia fal por kur e pashë të afrohej krekosur si gjel e të shfrynte alla shqip më hipën bubat. Thirra policinë që ja mori leket e dëmit, i dha si çeço e iku si lepur.
Kërkoj të parkoj por nuk gjej vizat që janë fshirë kudo. Eci trotuareve, e pamundur. Jam rrëzuar, kam kapur peshkun 2 herë se pllakat janë akoma të kohës së xhaxhit. Rrofshin pijanecët që më mjekuan plagët me raki.
Shkoj në ambulancë, mjek s’ka, me siguracion shëndeti por ilaçet e duhura me lekë.
Shkoj zyrave s’gjej njeri. Shkoj te noteri të mashtron me buqetë elozhesh. Gjyqe pronash që të nxjerrin në pension, lajme vrasjesh makabre që të bëjnë të mendohesh para se të hapësh gojën.
Ulem në kafe, rrotull bukuroshe që shajnë me libër shtëpie. Kamarieri s’të hedh sytë, shërbimi zero, kudo çmime në qiell, maratone asfaltesh, mbi to rini pa shpresë me thika në brez, duken të vogla por ta nxijnë.
Më e keqja pluhuri në mushkëri. Çfarë mbeti tjeter??
Patriotizmi kujt i duhet? Atë që hoqa në 27 ditë, s’e kam hequr ne 27 vite jashtë.
Të dashur patriotë, do ju me parrullën tuaj “Eja kontribuo në atdhe”.
Une po ju them : ”Që të dua, të dashuroj apo të kontribuoj me parë duhet të ekzistoj.”
Ju çfarë bëni për atdheun e shtresat në nevojë, si e ngrini zërin, veç disa kokrrave ku jeni në protesta?
Ndaj njerëz e artistë që detyrohen të kthehen në tokë të huaj për të jetuar si njerëz mos i përflisni, mos dhunoni dëshirat e idetë e tyre.
Nderi i kombit, vëllezërit Frashëri jetuan në Turqi por zemrat i patën në Shqipëri.
Vaçja i këndoi atdheut por e mbylli jetën larg tij. Atdheu nuk duhet vetëm në atdhe. Atdheu të më kërkojë dhe jam gati. Atdheu jo që s’të kërkon e s’të dëgjon por të dëbon. Përsëri të duam ty atdhe edhe pse krahët e tu të plagosur nuk na mbajnë…