Vdes një yll i ri që po lindte në botën e spektaklit dhe medias shqiptare
Një lajm tragjik ka tronditur këtë të dielë botën e medias dhe jo vetëm. Në orët e para të mëngjesit të sotëm ka ndërruar jetë gazetarja dhe pjestarja e Big Brother Albania 2″, 31 vjeçarja Adela Xhamani. Ajo ishte në udhën e suksesit të botës së spektaklit me premisa të jashtëzakonshme.
Ajo ka ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm. Adela gjendej e vetme në banesë në momentin kur ka ndodhur goditja fatale, ndonëse edhe pse dy mikeshat e saj kanë njoftuar ambulancën, pas telefonatës së Adelës, përpjekjet për ta sjellë në jetë kanë rezultuar fatale. Ajo ka ndërruar jetë.
Më parë Xhamani ka qenë pjesë e ‘’Big Brother Albania 2”, mjaft orgjinale në atë që përfaqësonte në këtë show televiziv. Ajo ka qenë kryeredaktore e suplementit ‘’Bluetooth” në ‘’Gazetën Shqiptare”, si dhe kryeredaktore e Revistës ‘Who’. Adela ka lindur në qytetin e Kavajës, ndërsa në vitet e para të karrierës së saj ka qenë mësuese në qytet.
E shumëpërfolura si ish banore e Big Brother 2, humbi jetën si pasojë e një ataku kardiak. Policia është njoftuar për ngjarjen.
Njoftimi i policisë:
Më datë 29.10.2017, rreth orës 05:10, në rrugën e Thesarit, është gjetur e vdekur në banesën e saj, shtetasia Adelajda Xhamani, 31 vjeç, e cila jetonte vetëm. Nuk ka shenja dhune. Shtetasia e mësipërme vuante nga epilepsia. Pritet vendimi i mjekut ligjor.
Ndërkohë për fansat e saj në rrjetet sociale ajo është treguar gjithmonë aktive dhe me dëshirën për të jetuar në maksimum jetën e saj. Mjaft aktive në eventet më të fundit që ndodhnin në kryeqytet dhe gjithmonë e rrethuar me miq. Ishte një talent në botën e saj, tregojnë kolegët shkruan fax news.
Adela ishte një natyrë mjaft pozitive dhe këtë e reflektonte dhe në postimet e saj. Adelajda zhvilloi karierën e saj si gazetare në median rozë dhe së fundmi do të rikthehej në televizion me një projekt të ri.
Vajza nga Kavaja u bë e njohur vite më parë për guximin për të kapëryer paragjykimet.
Adelajda, vajza nga Kavaja u shua në moshën 31 vjeçare. Ajo premtonte një karierë të suksesshme në gazetari dhe spektakël. Ishte një nga kryeredaktoret e një prej revistave të njohura në vend, ajo do të fillonte programin e saj në televizionin më të ri në vend Fax News. Emisioni i saj do të quhej ‘Në shtëpinë e Adelës’.
Por jo vetëm në botën e medias, por ajo po projektonte në botën e spektaklit një show të vertetë, tregojnë artistë të medias se spektaklit.
Ajo iku nga kjo jetë në moshë fare të re, vetëm 31 – vjeçe. Me një të ardhme të shkëlqyer përpara, Adelajda prej vitesh tashmë ishte pjesë e medias dhe botës së televizionit.
Të shumtë janë ata do ta kujtojnë gazetaren dhe kryeredaktoren për thjeshtësinë e saj, energjinë pozitive e pasionin për gazetarinë. Ndër shfaqjet e saj të fundit televizive ishte ajo në studion e “Rudina”, në Televizionin Klan, më 11 Shtator, ku Adelajda ishte ftuar për të folur rreth dasmës së Marina Vjollcës dhe Getoar Selimit. Duke folur pikërisht për këtë event ajo do të vlerësonte thjeshtësinë e tij. “Ajo që pëlqyen njerëzit ishte thjeshtësia e dasmës, kërcyen thjeshtë, kishin mbledhur njerëzit e dashur. Njeriu e zgjedh si të dojë vetë ditën më të rëndësishme të jetës…”
Më lart po ju sjellim intervistën e plotë
S’të them dot lamtumirë bukuroshe…
Nga Anila Basha
Ajo ishte vajza që nuk do ta harrojë lehtë askush që e takoi njëherë në jetë. Fillimisht e morën për mendjelehtë, gocë spektakli, por bukuroshja adoleshente plot pasion na bëri të gjithëve ne që e njohëm, ta donim sipas mënyrës tonë.
Me ato sytë e mëdhenj të zinj që i qeshnin gëzueshëm, dinte të fitonte zemrën e gjithkujt për t’i dhënë një mundësi në hapat e saj të parë të karrierës. Dhe nuk u struk ekranit thjesht si një kukull që e ndriçoi për aq sa doli në skenë.
Por si një vajzë e zgjuar, që rritej me pasionin për gazetarinë dhe pasionin për të bukurën. Dalëngadalë, mes miqsh e shokësh, mësoi shumë nga kolegët që e rrethonin, dhe aq e ëmbël ishte, sa edhe mos të kishe mundësi, ajo dinte ta vidhte atë.
Filloi punën te Gazeta Shqiptare me këmbëngulje, e rrethuar nga kujdesi i Eraldos dhe shefes së saj Rezartës.
Filloi të pyeste bukur e të ngacmonte e thumbonte aty ku duhej. Përpiqej gjithmonë të ruante e të nxirrte më të mirën e personazheve që intervistonte, ishte krejt e painteresuar për skandalin e thashethemin. E rëndësishme të thuhet është se askush nuk i thoshte “jo” vajzës lozonjare që të bënte përvete që në takimin e parë.
Dhe tani do të niste një sfidë të re. Entoni, drejtori i Fax News më tregoi se studio e saj ishte në përfundim dhe Adelajda kishte bërë provat e para të emisionit të saj të mëngjesit. Do ta shihnim shumë shpejt në vendin ku i takonte, në punën që bënte më mirë.
Adelaja sa kishte filluar karrierën. Ndaj do më duket habi që nuk do ta shohim në ekran. Apo në festat e përhershme kur takoheshim të gjithë bashkë mes shoqërisë së bukur të Eraldos, Suadës, Fatmirës, apo Ervinit. Ku humbe bukuroshe? Na zgjove këtë të diel me diell me lot dhe trishtim në sy. S’të them dot lamtumirë, sepse kush të takoi njëherë, s’do të të harrojë asnjëherë….
Për Adelajdën dhe “Adelajdat” e tjera!
Nga Alfred Peza
Shija e një të diele me diell ndryshon cilësi,- pavarësisht se ndërrimi i orës të kujton se po hedhim hapin e parë drejt dimrit,- kur mëson lajme si ai i largimit nga jeta të Adelajda Xhamanit. Jo thjeshtë dhe vetëm për shkak se ishte gazetare, dhe një njeri i njohur publikisht. As edhe vetëm për shkak të moshës aq shumë të re, pjese e një trendi të frikshëm në rritje për shkaqe nga më të ndryshmet, që po i’a dorëzon Zotit të botës nëntokësore, shumë nga të rinjtë e të rejat tona. Mbi të gjitha për një shak më madhor se këto, e krejt tjetër.
Ajo që të dhemb më shumë në këtë rast, është simbolika që bartte brenda saj, jeta e një 31 vjecareje, që u bë simboli i thyerjes së disa miteve e tabuve. Jo vetëm duke hyrë në një emision si Big Brother, pasi la jashtë të fejuarin dhe duke dalë prej andej me të dashurin e ri që i’a desh shpirti, pas një historie në formën e një telenovele live të ndjekur nga e gjithë Shqipëria. Por, edhe duke vijuar më pas, derisa goditja tradhëtare i mori jetën, një përpjekje të admirueshme për të ndryshuar njëherë e përgjithmonë statusin e saj social e shoqëror. Duke sfiduar shumëkënd e shumëcka, e mbi të gjitha veten.
E gjitha kjo ka ndodhur me vajzën e dikurshme që jetonte në një qytet bregdetar vetëm 50 kilometra larg kryeqytetit të Shqipërisë, e që ishte mësuese në një fshat pak kilometra më tutje. Imagjinoni se cfarë ndodh më thellë nëpër fshatrat dhe qytezat e harruara nëpër Shqipëri e në të gjitha trojet e tjera shqiptare në Ballkan, me shumë “Adelajda” të tjera. E sigurtë është, që drama dhe tragjedia e tyre konsumohet ore e cast jashtë syve tanë dhe jashtë kamerave të emisioneve televizve që transmetojnë jetën e dikujt 24 orë non stop, pa ndërprerje.
Zemra e Adelajdës nuk kishte me sa duket më fuqi që ta përballonte të gjithën këtë. Si një version shqiptar i Mitit të Sizifit, ajo me siguri ka tentuar me dhjetra herë që ta ngjiste gurin e ëndrrave të saj në majën që i kishte caktuar vetes, pa ia arritur kurrë që ta pushtonte atë. Sepse ne jetojmë ende në këtë vend të hapur, por me një shoqëri që konsumohet nëpërmjet vetëmbylljes neotomane. Një qerthull që na ka futur në kurthin e ri të një lufte kulturash e qytetërimesh brenda familjeve, grupeve shoqërore, fshatrave, lagjeve, qytezave, qyeteve dhe deri këtu brenda përbrenda edhe vetë kryeqytetit tonë, Tiranë. Një luftë që po numëron viktimat e veta të përditëshme, pasojë e kulturës së dhunës gjithfarësh, intrigës, zilisë, egoizmit të pafre dhe heronjve të rinj të një kohe të paskrupullt.
Nuk e kam njohur nga afër Adelajdën, sepse gjatë kohës që ajo u fut të punonte në media, unë hyra në politikë. Por duke qenë se kam jetuar disa vite në Kavajë, ku edhe kam kryer shkollën 8-vjecare, si njohës i mentalitetit të qytetit dhe asaj zone, pata shkruar një shkrim në kohën kur ajo ishte në kulmin e vëmendjes për shkak të historisë së saj “të bujshme” me një djalë simpatik që njohu në emisionin aq të ndjekur atë kohë në televizion. Ajo e kish lexuar me sa duket, sepse sa herë që shkëmbeheshim, më përshendeste shumë përzerësisht dhe në të vetmin takim që patëm rastësisht para zgjedhjeve të 25 qershorit të këtij viti, edhe ma shprehu.
Duket qartë që ajo luftoi fort për jetën, duke ndjekur instiktin dhe duke paguar cmimin e sfidës. Jeta e saj, me plus minueset e veta, nuk është gjë tejtër, vecse kopja publike e jetëve të shumë “Adelajdave” të tjera, jo vetëm në Shqipëri por kudo në botë. Eshtë jeta e të gjitha atyre vajzave dhe grave, që nuk pajtohen kurrë që ta lenë fatin e tyre, në duart e të tjerëve e aq më pak, të mocalit të paragjykimit dhe rregullave të pashkruara të atij farë morali kolektiv allaturka që proklamohet edhe sot nën veshjet “Dolce& Gabbana” e “Louis Vuitton”.
Ajo pagoi cmimin, duke ikur nga kjo jetë, e lumtur. Sepse ia arriti asaj që jo gjithkush si ajo, i’a del. Adelaida iku e re, papritur dhe para kohe. Por, e lirë. Liria e saj dhe e gjithkujt, qoftë edhe një orë, një ditë apo një vit, vlen shumë më tepër se cdo jetë tjetër që shuhet kurdo që fati dhe Zoti troket. Ajo si shumë nga ne, mund të ketë dashur që ta ndryshonte Kavajën, Tiranën, Shqipërinë dhe botën. Nuk ia arriti, sigurisht. Por jam i sigurtë se ajo po ikën e qetë në atë botë, sepse ajo arriti shumë më tepër se kaq. Ajo i’a arrit si pakkush, të ndryshojë fillimisht veten e saj. Kjo është fitorja më e madhe që mund të arrijë cdokush në këtë jetë.
http://folshqip.al/vdes-nje-yll-i-ri-qe-po-lindte-ne-boten-e-spektaklit-dhe-medias/