Vjeshta vendimtare e Opozitës dhe ofertat e KM-së për LSI…
Nga Artur Zheji –
Është koha e një “pushimi” të detyruar në Gushtin që po vjen, ku gjithmonë, si përpara krizave të mëdha, ka një qetësi të ashtuquajtur. Shtabi i ngushtë i KM-së, është përfshirë në ethe të përgjithshme përgatitore sipas strategjisë së mirënjohur: “Një hap mbrapa, dy hapa para!”
Një strategji që ka funksionuar dhe që është e mirëkolauduar dhe që ka si pikësynim, të ashtuquajturën bashkëpunim me Opozitën, për të ashtuquajturat “Çështjet e mëdha!…
Njera prej të cilave është edhe “Ligji për Magjistraturën”, një ligj edhe ky, i posaçëm, ashtu si edhe ligji për Teatrin, që synon mbushjen me kuadro të reja, të sistemit të “zbrazur” gjygjësor nga spastrimet e vettingut.
Cilësia e magjistratëve, që kanë mbaruar një shkollim shqiptar më të mirë, është një cilësi përgatitore e pakrahasueshme, me pjesën dërrmuese të juristëve në sistemin e sotëm të drejtësisë.
Kjo është pamja e jashtme e dukurisë, mirëpo thelbi i rezistencës opozitare, lidhet me përzgjedhjen dhe emërimet e tyre, të cilat, sipas dyshimit të arësyeshëm të Opozitës, do të “komandohen” përgjithësisht nga Shumica në Pushtet, që ka pushtuar sot që flasim, pikat kyçe të sistemit të drejtësisë dhe do të mundet kështu, të orientojë emërimet e reja sipas një orientimi politik të caktuar.
Kuptohet, në sferën e saj të influencës me rrezikun shqetësues, të “Kapjes” së të rinjve që në fazën e emërimit të tyre.
Shtabi i ngushtë i KM-së, e kërkon me çdo kusht këtë “Momentum”, nëpërmjet arësyetimit të rremë, se i dhemb shumë zemra dhe shpirti për plotësimin me sukses të “reformës në drejtësi”, ndërkohë që bashkëveprimin me sferën më fitimprurëse të krimit të organizuar, trafikun e drogës, e ka një nga pikat e saja të forta, ku financon xhepat e vet dhe të fushatave elektorale, të sotme, të djeshme dhe të nesërme.
Ftesat e nëndheshme për PD-në, për të mbrritur 84 votat që kërkon ky ligj, duket se kanë ngecur, ndërsa tani, sipas burimeve, “sulmi kryesor” është përqëndruar te LSI, në dy forma të ndryshme.
E para, nëpërmjet “blerjes” direkte të disa deputetëve të grupit parlamentar, por edhe nëpërmjet “parablerjes”, pikërisht nëpërmjet kërcënimit me procese hetimore që rrinë standby, në kohën kur kishin poste drejtuese në bashkëqeverisje.
Mirëpo përsëri numri 84, duket vështirësisht i vështirë, pa një marrëveshje politike me Monika Kryemadhin.
Zëra të ndryshëm të shtabit të KM-së, nxorrën në qarkullim thashethemet se LSI, po lëkundej dhe ishte nën presione të forta për këtë, duke detyruar Kryemadhin, të përdorte një gjuhë të fortë dhe të hapur, për të shmangur çdo keqkuptim:
“Jo marrëveshjeve që kërkojnë prostitucion politik” dhe që “na çojnë drejt monizmit (kupto diktaturës)”, të një force të vetme politike.
Një tjetër grackë pra, për të përçarë përfundimisht opozitën dhe për të ndarë LSI-në nga PD-ja, por mbi të gjitha, për të kapur përfunimisht sistemin e drejtësisë dhe sigurisht, për ta drejtuar më vonë, si një pushkë a top, kundër Opozitës në rradhë të parë.
Kryemadhi rezistoi, ndonëse vala e negociatorëve të niveleve shumë të larta, vazhdon akoma pelegrinazhin e vet në çdo qelizë të LSI-së…
360grade.al