“Vrasja shqiptare” e Oliver Ivanoviçit
I vetmi rast kur Ivanoviç “mund të vritet” nga shqiptarët, është tani, kur Kosova që qeveriset nga shqiptarët të jetë e pazonja të dëshmoj kush e vrau atë dhe të mos i nxjerr para drejtësisë vrasësit serb…
Nga Mero Baze
Vrasja e Oliver Ivanoviç, shënon vrasjen e parë politike për luftë të brendëshme mes serbëve në Kosovë. Si e tillë ajo është bërë jo vetëm për të hequr qafe një qytetar shumë përfaqësues serb të Kosovës, por dhe për tu përdorur politikisht ndaj shqiptarëve dhe shtetit të dobët të Kosovës. Dhe këtu ka disa pika të dobëta të shoqërisë së Kosovës që mund të keqpërdoren.
Mbi të gjitha ka të bëj me traditën e keqe të vrasjeve politike në Kosovë dhe me ngulitjen e paranojës në bashkësinë ndërkombëtare, se shqiptarë nuk bëjnë dot një shtet të sigurt për qytetarët e tyre.
Vrasja e një politikani të lart serb të Kosovës, dhe ndoshta më të moderuarit prej tyre, mbart në vetvete, jo vetëm përpjekjet për radikalizimin e situatës, por dhe guximin për të mos u ndëshkuar nën shembullin e keq që kanë dhënë shqiptarët për vrasjet politike brenda tyre.
Për këtë arsye, ai hetim duhet të kthehet në prioritet shtetëror dhe Kosova duhet të provoj se ka hyrë në një epokë ku askush nuk guxon të kryej vrasje politike.
Vrasja ka ndodhur edhe në një moment delikat, kur politikanët më të fuqishëm të Kosovës, të dal nga lufta, janë angazhuar në një betejë të pistë, për të shfuqizuar Gjykatën Speciale, e cila është bërë e domosdoshme për shkak të besimit të ulët që perëndimi ka tek drejtësia në Kosovë. Vrasja e Ivanoviçit është një si vrasjet e politikanëve shqiptarë në Kosovë, që janë hequr qafe për rivalitet politik prej vitit 1999 dhe akoma nuk kanë dënuar askënd. Nëse kjo vrajse injorohet dhe vrasësit lihen të lirë, atëhere Kosova rrezikon të perceptohet si shtet, që këto 20 vitet e fundit ka më shumë vrasje politike se çdo vend i botës, dhe nuk është ndëshkuar asnjë vrasës. Kjo e bën edhe më urgjente, nevojën e Gjykatës speciale, jo vetëm për krimet e shqiptarëve kundër njëri tjetrit, por dhe krimet e serbëve kundër njëri tjetrit, për rivalitet politik.
Së fundmi vrasja duhet të hetohet dhe gjykohet shpejt edhe për rrezikin e përdorimit të saj për trazira në Kosovë dhe më gjerë. Skenarët e vrasjeve politike në zona të nxehta siç është veriu i Kosovës, dhe radikalizmi i segementeve kriminalë, që manipulojnë me vrasje të tilla, mund të rris koston e mungesës së drejtësisë në Kosovë duke shkuar tek skenarë gjeopolikë të rrezikshëm. Është koha kur radikalët serb, duan ta paraqesin Kosovën si një shtet të dështuar që nuk u del dot zot qytetarëve të vet.
Kosova duhet ti dal zot Ivanoviçit si qytetar i saj. Ajo duhet të investohet fort tek gjetja e autorëve, dhe nxjerrja e tyre para drejtësisë, për të shmangur çdo përpjekje për keqpërdorimin e kësaj vrasje për nevoja etnike, nacionaliste apo më gjerë. Retorika e disa serbëve se vrasësit e Ivanovicit janë shqiptarë, janë tipike, si retorika e shumë vrasësve shqiptarë, që natën vrisnin intelektualë dhe politikanë shqiptarë dhe në mëngjes thoshin “I vrau Serbia”!.
Ivanoviç është vrarë nga shqiptarët, po aq sa është vrarë nga serbët Xhemail Mustafa, Enver Maloku dhe dhjetra politikanë të tjerë shqiptarë në Kosovë pas vitit 1999.
Kjo histori duhet të marr fund, duke folur drejtësia në vend të kriminelëve dhe duke dëshmuar se Kosova e meriton shetin e saj, edhe pse një pjesë e territorit të saj është jashtë kontrollit.
I vetmi rast kur Ivanoviç “mund të vritet” nga shqiptarët, është tani, kur Kosova që qeveriset nga shqiptarët të jetë e pazonja të dëshmoj kush e vrau atë dhe të mos i nxjerr para drejtësisë vrasësit serb. Ky është shërbimi më i madh që pushteti në Kosovë mund të bëj serbëve dhe të vulos “vrasjen shqiptare” të Oliver Ivanoviçit.
Gazeta Tema