Ylli Manjani: E ke personale…
Nga Ylli Manjani
Kur të thonë “e ke personale”, me thënë të drejtën të hapin barkun. Bëjnë si amerikanë e zengjinë pa e ditur se çfarë thonë.
Në fakt edhe ai që e thotë këtë gjë personale e ka. Në thelb kërkon të të relativizojë atë që ti thua.
Më ka ndodhë shpesh kjo përplasje me njerëz të ndryshëm, të cilët kur nuk kanë çtë thonë për argumentin, objekt bisede, të thonë “po ti e ke personale”.
Në fakt nuk më komplekson fare kjo gjë, sepse njerëzit marrin frymë në shpinë të kësaj toke vetëm për intereat e tyre personale. Në emër të këtyre interesave ngrihen e ngrysen duke bashkëvepruar me njerëz të tjerë të cilët gjithashtu kanë interesat e tyre.
Mbi këtë bazë ndërtohen marrëdhëniet midis njerëzve, pra pikërisht mbi interesa personale. Dhe jo vetëm që ska asgjë të keqe, por ka veçse të mira kjo punë. Këtu duhet kërkuar edhe qenia e njeriut si social.
Askush nuk i bën mirë askujt nëse interesi i tij nuk ja kërkon këtë gjë! Kjo sjellje gjendet në thelbin e çdo marrëdhënie midis njerëzve.
Politika, shteti, feja por edhe shoqëria e bisnesit përpiqen të ngulisin teorinë që njerëzit “nuk duhet ta ketë personale”. Manipulim sigurisht!
Se medemek njerëzit që merren me politikë apo bisnes nuk e kanë personale! Se atyre ju preu barku për parimet dhe për të përgjithshmen… Mashtrim i madh!
Edhe ata personale e kanë. Dhe shumë mirë që e kanë personale sepse pa ambicje personale nuk mund të mendosh dot për zgjidhjen e halleve të të tjerëve. Imagjinoni një njeri jo social, pa shpi, pa shokë, pa familje të mendojë të kuptojë hallin e një familjari apo te papuni. Lere pastaj të mendojë ta zgjidhë!! Kurrë nuk ndodh një gjë e tillë!
Prandaj bota ka vite që investon tek krijimi një komunikimi njerëzor edhe për njerëzit publikë që ata të duken si njerëz socialë që jetojnë në të njëjtat kushte si të tjerët, edhe kur ata nuk i kanë këto cilësi. Kjo shkencë ka detyrë ta bëjë bisnesmenin që të duket si hallexhi…
Pa dyshim që kjo shkencë e këtij lloj komunikimi është pjesë e mashtrimit të madh, sepse tentojnë të shesin një individ që zakonisht ngjan me shumë me monstrën sesa me njeriun normal. Por edhe kjo shkencë bazohet në rregullin e përjetshëm që:
çdo gjë është personale në këtë botë!
Kështu që kushdo që më thotë “e ke personale” më vlerëson pa masë si qenie njerëzore! Prandaj dhe nuk fyhem.
Aq më pak fyhem, kur mendoj se politikanët që më së shumti kam kritikuar na e paskan për atdheun, për popullin apo për parime… Futja kot!
Parimet e rregullat janë hyjnore nëse nuk trajtojnë interesat e njerezve. Hyjnorja është abstrakte e pa kapshme… Ajo është (ndoshta) diku ku nuk duket…
Interesat e njerëzve janë në tokë përmbi dhé. Të tjerat janë poezi. Të bukura për tu lexuar por vetëm kaq. Jeta reale vijon me gjera personale.
Edhe njerëzit publikë motivohen nga interesa personale që të jenë të sukseshëm. Në emër të interesave te tyre mund të nxjerrin broçkulla ose dhe te marrin vendime të gabura. Ashtu siç bëjnë edhe gjeste dhe vendime të drejta që ju shërbejnë njerëzve.
Politikanët, shtetarët e madhe edhe klerikët e bisnesmenët motivohen minimalisht nga interesi për karrierë. Dhe kjo është legjitime si për atë që në emër të karrierës së vet shkatërron karrierën e tjetrit dhe anasjelltas.
Ska llogjikë që e justifikon argumentin që karriera e udheheqësit nuk është personale, kurse ata që kritikojnë “e paskan personale”… Kulmi!
Koha më ka mësuar se sa më njerëzor të jetë politikani, shtetari apo bisnesmeni, aq më i sukseshëm është. Kjo sepse njerëzit shohin tek ata veten e tyre.
Sado të mirë ka kesh komunikimin me publikun, nëse largohesh nga personalja je i destinuar të biesh ose të sundosh si diktator! Kjo e dyta vjen kur “mashtrimi shkencor” në komunikim është shumë i madh!
Kështu që po e kam personale dhe do ta kem personale sa te marr frymë mbi dhé…