Zhdukja e Remzi Hoxhës nga SHIK, sipas versionit të Izet Haxhiajt

Izet Haxhia ka filluar të flasë prej disa muajsh mbi ato që ka dëgjuar dhe ka parë gjatë periudhës që ka shërbyer si truprojë personale e Sali Berishës kur ai ishte President i Republikës së Shqipërisë në fillim të viteve ’90.  Daljet publike të Haxhiajt nxisin  interes për shkak të  afërsisë së tij me Berishën e “plotfuqishëm” të asaj kohe.

Haxhia ka dhënë së fundmi një intervistë për gazetën “Dita” duke rrëfyer atë që di mbi rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha nga SHIK-u famëkeq i asaj periudhe nën drejtimin e Bashkim Gazidedes. – “Di që Remzi Hoxha ka vdekur nga torturat në qelitë e SHIK, nga njerëzit e SHIK. Ka dy variante për vendndodhjen e trupit të tij. Njëri, që trupi është transportuar në det me lundër dhe e kanë hedhur atje. I dyti, që është transportuar diku pas malit të Dajtit, ku pasi është djegur, është varrosur. Ka disa njerëz që janë përfshirë në këtë krim. Por që arrestimi i Remzi Hoxhës është bërë me urdhër të Gazidedes, kjo është e sigurtë. Nuk e di sa e vërtetë është që Remzi Hoxha ka filmuar një takim të Berishës, Gligorovit dhe Millosheviçit në vilën Viljana në Ohër. Që ka pasur një takim Berisha- Gligorov në atë vilë, kjo është e vërtetë zyrtare, por më ka bërë përshtypje se në atë takim asnjë nga shoqëruesit e Berishës apo delegacionit që e shoqëronte nuk është lejuar të futet në brendësi të asaj vile, gjë që nuk ndodhte në asnjë takim ndërkombëtar”. Kjo është një dëshmi e re për atë ngjarje, e cila ka mbetur ende mister, ndërkohë që disa nga ata që kanë qenë përfshirë në të ose kanë ndërruar jetë ose janë jashtë Shqipërisë duke vështirësuar edhe më tej zbardhjen e saj.

SHKARKO APP