Zot, ruaji shqiptarët…
Nga Flutura Açka
Sonte në radion holandeze do të ketë një bisedë enkas për rivendosjen e regjimit të vizave për shqiptarët. Edhe pse vetëm në projekt – me shpresën se Gjermania do ta refuzojë kategorikisht – ky lajm është më i trishti që shqiptarët mund te merrnin sot.
Tani janë në plazhe, kur të freskohet mbase do ta kuptojnë rrëmetin që po vjen. Tani, njerëzit e thjeshtë, ata që duan të vizitojnë fëmijët e tyre jashtë vendit dhe të tjerë që prej kohësh ndihen qytetarë të lirë të kësaj Europe, do të rrojnë me frikën e kthimit të radhëve në spoertelet e ambasadave. Për një vizë!
Një turp kombëtar shqiptar, mjaft që është ideuar diku! Fajin nuk e ka Holanda që është bërë def nga kriminelët shqiptarë me dhe pa pushtet. A ka njeri përgjegjësi, a di të bëjë njeri ndjesë për këtë.
A ka ndokush ndonjë keqardhje, ndonjë pendesë për këtë? Jo, absolutisht jo, sepse, në fund të fundit, populli do ta vuajë, jo pasaportat diplomatike, jo pasaportat e shërbimit, jo pasaportat e falsifikuara të kriminelëve, as pasaportat e garantuara të polit-kriminelëve. Populli do të jetë prapë humbësi… dhe populli e di arsyen.
KANABISGATE po na i mbyll edhe dyert e fundit me Europën. Është përsheshi që gatuam vetë, që e kthyem Shqipërinë në fillim në Lazarat e pastaj në Gjitharat!
Kur u shpreha një herë tejet e shqetësuar në një program televiziv për kanabizimin e plotë të vendit dhe pasojat që do të sillte, një zëdhënëse e politikës, u çorr publikisht duke më fyer e duke më shpjeguar se e kisha gabim dhe se në Holand lejohej të mbillje canabis sativa.
Po lejohet. Sa do të doja ta kisha tani përballë e ta pyesja se ç’mendonte sot kur Shqipëria kërcënohet nga regjimi i vizave, prej të cilit shqiptarët pandehën se kishin shpëtuar?
Holanda po, lejon pesë rrënjë për shtëpi, por jo 5 milion rrrënjë për qeveri. Akrepat e orës shqiptare janë kthyer në kundërkohë. Bravo, hë duartrokisni në teatrin e madh të turpërimit kombëtar:
Zgjedhjet…
Zjarret…
Vetingu cung…
Liria në hekura..
Kriminelët në rrugë…
Media në “burg”…
Vizat e lejëkalimet… në fund.
Zot, ruaji shqiptarët nga bastardët qe u ranë për hise, se veten nuk e ruajtën dot