Zoti Kryeministër, shkencërisht ne po bëhemi një komb i leshtë!

Placeholder Image

Letër zot Edi Rama, kryeministër!

Nga Artan Fuga

Ndaleni katrahurën e 4 shtatorit në Akademinë e Shkencave!

I nderuar zoti Kryeministër Edi Rama,

Po Ju drejtohem me këtë letër publike për të tërhequr vëmendjen Tuaj rreth problemeve akute të grumbulluara në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, si edhe në sistemin e kërkimit shkencor të vendit, me cilësinë time si anëtar i asaj Akademie dhe si kërkues shkencor.

Më konkretisht, shkas, dhe pretekst marr nga zgjedhjet për kryesinë të re të Akademisë të Shkencave, një test domethënës, të cilat, të parashikuara për në datën 4 shtator të këtij viti, i gjej të papërgatitura, jashtë standarteve dhe mbi të gjitha, të pagjetura për t’u zhvilluar tani.

Unë do ta kuptoja edhe habinë Tuaj për këtë letër. Kam qenë dhe jam publikisht kritik me kuadrin ligjor që rregullon veprimtarinë e universiteteve dhe të arësimit të lartë të vendit, si edhe për çështje të tjera për të cilat kam opinionet dhe bindjet e mia. Por, nga ana tjetër, në kuadrin e një grupi pedagogësh dhe studjuesish kam marrë pjesë në studime si për gjendjen e opinionit publik të vendit, për imazhin e institucioneve publike, për përdorimin e teknologjive të reja të informacionit nga konsumatorët shqiptarë, për cilësinë e ofertës të televizionit publik, si edhe për mjaft çështje të tjera, studime me certifikim ndërkombëtar, me financime autonome, dhe të shoqëruara me dhjetra rekomandime konstruktive. Por, nuk besoj se ka qenë rasti që t’Ju kenë njohur me to.

Kështu e kuptoj rolin e intelektualit dhe të kërkuesit shkencor, kritik për gjërat që i konsideron se duhet të vinë në modelin e tyre normal, por edhe propozues konstruktiv me studimet e veta dhe ato kolektive.

I gjithe ky kontekst nuk më pengon, përkundrazi më shtyn t’Ju drejtohem sepse mendoj që Ju sikurse edhe unë do të donim një Shqipëri inteligjente dhe jo mediokre, që kërkon në shkencë dhe racionalizon modelet e saj të administrimit dhe nuk mbetet pas. Aq më shumë që Ju keni kompetencën, detyrën, përgjegjësinë shtetrore dhe pushtetin për t’i vendosur në rrugën e zgjidhjes problemet akute të grumbulluara në këto fusha.

+++

Akademia e Shkencave në gjykimin tim është një agjenci publike e pazëvendësueshme në kërkimin shkencor të vendit. E pavarur, si përfaqësuese e komunitetit shkencor të vendit, ajo do të mund të luante një rol vetëregullues në mjaft aspekte të kërkimit shkencor dhe të ishte partnere e qeverisë dhe e gjithë aktorëve të tjerë publikë dhe privatë, pa zëvendësuar asnjërin prej tyre, në ecurinë e shkencës dhe kërkimit shkencor shqiptar.

Por fatkeqësisht nuk ndodh kështu sepse kjo Akademi është pozicionuar keq ; për përgjegjësinë e kryesisë së saj, në strategjitë e saj, është plakur, nuk ka fuqi të cojë përpara misionin e saj, dhe mbi të gjitha e mbyllur në vetvete dhe pa strategji të mirëpërcaktuar.

Nuk dëshiroj të marr kohën Tuaj për të bërë një analizë të hollësishme të kësaj gjendjeje. Le të ndalem vetëm në disa parametra.

Akademia cdo vit bën raportin e bilancit të kërkimit shkencor dhe të veprimtarive të veta. Prej vitesh unë ngre çështjen se në fakt në këto raporte që justifikojnë paranë publike të harxhuar ka fiktivitet.

Pra, ka rrena !

Veprimtaria shkencore e të gjithë ne që punojmë në institucione të tjera mësimore dhe shkencore, rimerret edhe njëherë në raportin e Akademisë të Shkencave dhe integrohet si bilanc i saj. Një pjesë tjetër e këtij bilanci që i raportohet zyrave të shtetit është punë krejt e pavarur e kërkuesve shkencorë në pension dhe nuk ka asnjë lidhje me bilancin e aktivitetit të Akademisë të Shkencave. Asnjë planifikim konkret nuk ka për veprimtaritë kërkimore – shkencore në terren që Akademia duhet të kontribuojë.

Fakti i këtij fiktiviteti është për mua një shqetësim i madh sepse ka të bëjë pikërisht me paranë publike që harxhohet me raportime dyfishe. Ju merrni pra dyfish numra artikujsh shkencorë, pjesëmarjesh në konferenca, etj. Ju ushqejnë me gënjeshtra që besoj verbërisht se po qe se do t’i kishit parë nuk do t’i kishit besuar.

Mbi të gjitha, edhe ato veprimtari shkencore që kryhen nuk iu nënshtrohen parametrave matës. Po qe se pyetet se cili është kontributi i Akademisë të Shkencave, por edhe institucioneve të tjera kërkimore dhe shkencore, pra se cili është kontributi i tyre në formimine GDP të vendit, nuk ka asnjë parametër matjeje. Akademia e Shkencave funksionon sipas mentaliteteve të vjetra që institucioni shkencor harxhon paranë publike, por nuk prodhon vlerë të shtuar financiare dhe nuk kontribuon në GDP.

Sigurisht mund të përmenden projekte ku individë të veçantë në aparatin administrativ të Akademisë marrin pjesë, por pjesëmarrja e tyre është individuale në këto projekte dhe mbi të gjitha kërkund nuk gjendet rentabiliteti financiar i kërkimeve të kryera dhe rezultati i tyre praktik. Po ta kërkonit këtë në raportin vjetor nuk do ta kishit gjetur.

Ju raportohen artikuj shkencor, por nuk do të gjeni asnjë analizë se çfarë i ka sjellë ai artikull a komunikim shkencor shkencës shqiptare si risi.

Akademia e Shkencave funksionon si një agjenci e mbyllur dhe e pahapur dhe e paintegruar me agjencitë e tjera shkencore dhe universitare të vendit dhe nuk e luan rolin e vet pararojë në përpunimin e strategjive shkencore dhe prioritetet e kërkimit shkencor kombëtar.

Mjafton të shohësh bibliotekën e saj, ku në vend të kemi një qendër përpunimi të informacionit dokumentar shkencor kombëtar dhe ndërkombëtar, do të gjeni një bibliotekë të modelit të shekullit të kaluar. Dhe kjo jo për faj të punonjësve, por të drejtimit dhe menaxhimit të Akademisë të Shkencave.

Duket cudi, por revista e Akademisë të Shkencave nuk rezulton me asnjë faktor impakti, si tregues cilësor i një reviste shkencore.

Botohen libra, por askush nuk di audiencën e tyre dhe dobinë e tyre sociale.

Edhe në planin menaxhues gjendja paraqitet e rëndë. Shtatë anëtarë të akademisë janë edhe të punësuar në administratën e saj, pra një e gjashta e numrit të përgjithshëm të akademikëve punojnë në administratën e saj. Më shumë se gjysma jonë, jo për fajin tonë, nuk ka asnjë integrim apo nuk udhëheq asnjë grup shkencor dhe kërkimor. Po aq akademikë, në mos më shumë janë në pension dhe nuk kanë asnjë infrastrukturë në dispozicion për ta zhvilluar kërkimin shkencor në kushtet e duhura. Pothuajse për dy ose tre anëtarë akademie ka një punonjës administrate që paguhet atje.

Shifra alarmante që duhen saktësuar sepse sa herë kam kërkuar të bëhet një transparencë për personelin, jam penguar të kem të dhënat e duhura.

+++

Zoti kryeministër,

Duke Ju drejtuar këtë letër, kam në kujtesë se para dy vitesh Ju mblodhët të gjithë akademikët në zyrat Tuaja në kryeministri dhe shprehët vullnetin Tuaj për ta reformuar dhe gjallëruar Akademinë e Shkencave.

Dua t’Ju informoj se qysh atëhere nuk është bërë asgjë. Komisioni që u ngrit, nën presionin e lobive të interesit individual dhe kolektiv, pa fuqinë e duhur, nuk konludoi veçse me disa faqe të zbehta, mbushur me propozime paradoksale dhe të pabazuara fluturake, çka shkaktoi një lumë kritikash ndaj propozimeve të bëra. Ndonëse ne dhamë propozimet tona individualisht sikurse na i kërkuat, kurrë, askush nuk dha një përgjigje a nuk na thirri për t’i debatuar ato.

Të leshtë këta nëpunës, zoti Rama !

Personalisht Ju bëj me dije se edhe pse anëtar formal i atij komisioni, nuk u kontaktova kurrë, veç një thirrje në mbarim të punimeve të tij pata për të lexuar materialet e përgatitura. Kur kërkova të dija i habitur se çfarë hyja unë aty, përgjigja ishte se kisha qenë anëtar i atij komisioni !!! Habisë sime iu përgjigjën me pretekstin se sekretaret komunikonin me një adresë e-mail që nuk ishte verifikuar nëse ishte faktikisht imja apo jo !!!

Me këtë nuk dua të them se kontributi im do të kishte qenë kushedi se çfarë, por për t’Ju vendosur në dijeni pra se reformimi që Ju kërkonit as ka ecur as edhe një hap dhe është lënë krejt në baltë nga vartësit Tuaj.

+++

Papritur, në fillim të muajit gusht, paraqiten kandidaturat për kryesinë e re të Akademisë të Shkencave.

Deklaroi publikisht se unë kam respekt tepër të madh si për anëtarët e kryesisë të Akademisë ashtu edhe për kolegët e mi akademikë. Janë një pasuri e mendimit intelektual kombëtar. Po ashtu ka aktivitete që janë bërë mirë sidomos ndonjë konferencë shkencore. Pavarësisht këtyre, Ju bëj me dije publikisht se përgatitja dhe konceptimi i zgjedhjeve për kryesinë e re të Akademisë të Shkencave është në kufijtë aluçinantë të imagjinatës njerëzore.

Kandidon nënkryetari për t’u ribërë kryetar dhe kandidon kryetari për t’u bërë nënkryetar ! Dhe kjop ndodh disa herë radhazi.

Sigurisht ata janë shkencëtarë të shquar, me kontribute, e drejta e tyre për rikandidim me rregulloren tinzare që është në fuqi justifikohet, por çështja nuk është këtu.

Kam kërkuar që para rikandidimit ata të bëjnë një raport të konsultueshëm publikisht për arritjet dhe mosarritjet e tyre personale në drejtim. Asgjë.

Kërkova të dilet me një platformë kandidimi. Nuk imagjinohet.

Zgjedhjet do të bëhen : hidh letrat në kuti pa debate.

Nuk ka kandidatura rivale si kusht i parë i zgjedhjes.

E mbi të gjitha ndonëse na është premtuar përpunimi i një rregulloreje të re të brendshme, ajo ende nuk është bërë.

Dhe Ju bëj me dijeni është planifikuar që pesë a gjashtë akademikë të asociuar të bëhen anëtarë të rregullt të Akademisë. Ata mund ta meritojnë, unë nuk paragjykoj kënd, por puna është që nuk janë hapur fusha studimi dhe për to të gjendet njerëzit, por janë njerëzit që kërkonin me peticione promovim dhe mbi atë bazë u hapën fushat e studimit.

Unë e ndjej se Ju e përjetoni sikurse është këtë fakt që është në kufijtë e demencës institucionale !

Në këto kushte, me një akademi që Ju kërkoni reformim, me parametra të ulët performance, pa një rregullore të re, pa platforma zhvillimi, pa ditur se çfarë perspektivash kandidatët hapin para saj, cfarë zgjedhjesh do të bëhen ?

Në këto kushte nuk ka rinovim, nënkryetari do të bëhet kryetar dhe kryetari do të bëhet nënkryetar, ndonëse janë të dy kërkues shkencorë të respektuar.

Dhe mos harroj t’Ju ve në dijeni se nga akademikët që janë të punësuar në administratë dhe paguhen si pjesë e saj, shumica e kanë kaluar moshën prej 68 vjeçve, moshë kur asnjë profesor universiteti nuk kryen më dot ligjërisht detyra administrative.

+++

Por, e njejta situatë është edhe me sistemin e kërkimit shkencor të vendit, që Ju me të drejtë kërkuat rinovim në mbledhjen e përmendur.

Nëpunësit e leshtë nuk bën dot asgjë dhe e dështuan edhe këtë reformë.

Dështuan sepse janë të ndarë nga komuniteti i pedagogëve, i kërkuesve shkencorë, madje edhe i intelektualëve jashtë vendit, që Ju me të drejtë keni kërkuar integrim nga ana e Akademisë të Shkencave. Ju e dini sesi iu përgjigj Akademia e Shkencave kërkesës Tuaj. Në mënyrë të turpshme duke refuzuar t’a kryejë këtë detyrë.

Parametrat e matjes të kërkimit shkencor janë jashtë çdo standardi bashkëkohor.
Integrimi i shkencës shqiptare në kërkimin shkencor europian është në ditë të hallit.
Mbrojta e doktoraturave vazhdon të bêhet sipas ligjit të vjetër të arësimit të lartë.
Asgjë nuk është bërë për rinovimin e shkollave doktorake universitare.
Ekipet ndërdisiplinare të kërkimit shkencor pothuajse nuk ekzistojnë.
Kontratat me kërkuesit shkencorë nuk ekzistojnë dhe pjesa më e madhe e tyre ka status si nëpunës me parametra matës të punës numra faqesh të shkruara, etj.
Tituj merren e jepen pa fund, me lopata e govata eskavatori, por askush nuk pyet për impaktin e asaj pune shkencore që jep tituj, por nuk jep efekt mbi zhvillimin e vendit.
Kërkimi në agjencitë private, publike si edhe në sipërmarrje është krejt i coroditur dhe pa asnjë bashkëpunim.

Unë e kuptoj se gjendja e sotme vjen si rezultat i akumulimeve të vjetra dhe të reja. Por, është sot që e gjithë kjo situatë duhet menaxhuar, reformuar. Cdo lënie pasdore e kësaj detyre ose trajtim me mungesë kompetencash, do të çojë jo vetëm në falimentimin e shkencës shqiptare, por ndikon përditë edhe në kulturën kombëtare dhe në mëncurinë e kombit !

Shkencërisht ne po bëhemi një komb i leshtë !

Të gjithë duan me të drejtë më shumë investime për kërkimin shkencor, por askush nuk pyet se ku do të gjenden ato. Mbi të gjitha shkenca do financime për t’u kryer, por ajo edhe jep vlerë të shtuar financiare.

Pyetini Ju lutem nëpunësit Tuaj, pra tanët, se sa është financiarisht kontributi i shkencës shqiptare në GDP dhe do të shihni se ata do të hapin sytë dhe do të ulin kokën përpara kësaj kërkese.

Unë marr lejen etike t’Ju them se Ju duhet ta vazhdoni insistimin Tuaj që nuk u pasua me asnjë energji nga nëpunësit Tuaj, pra tanët.

+++

Zoti kryeministër,

Unë Ju drejtohem me besim se Ju do të ndikoni që zgjedhjet e kryesisë të Akademisë të Shkencave të 4 shtatorit të mos kthehen në një mekanizëm të turpshëm rrotative.

As të mos jenë formale, por të jenë në funksion të rinovimit të strategjive të Akademisë të Shkencave, si agjenci e pazëvendësueshme në sistemin e kërkimit shkencor të vendit.

Idetë nuk mungojnë mjafton të mos censurohen nga kryesitë sikurse kanë bërë këto vite dhe diskutimi i lirë nga ana e kërkuesve shkencorë do ta lejonte zgjidhjen e këtij problemi dhe propozimin e modeleve më të mira në kushtet tona.

Ju sigurisht keni të gjitha të drejtat në emër të parasë publike kundrejt fiktivitetit të rezulateve rrena ta ndaloni procedurën e zgjedhjeve fallco të 4 shtatorit.

Le të ndërtohet një platformë e re për Akademinë e Shkencave, një kuadër ligjor i ri, dhe pastaj të bëhen zgjedhjet, lirisht, dhe vetëm atëhere nëse duhet le të ribëhet nënkryetari kryetar dhe kryetari nënkryetar. Kjo do të ishte një çështje e dorës së dytë.

Po ashtu lutem që ta rikonsideroni çështjen se sistemi i kërkimit shkencor në vend është në gjendje dramatike dhe kjo kërkon reforma jo të konceptuara nga zyra nëpunësish që nuk mund ta bëjnë këtë transformim, por studime, debat të lirë të vërtetë. Jam krejt i bindur se çështja nuk është as e vështirë dhe as ka nevojë për shumë kohë për t’u zgjidhur. Cështje dy ose tre muajsh.

Duke kërkuar ndjesë për shqetësimin dhe duke Ju falenderuar thellësisht nëse Ju gjeni kohën për ta lexuar këtë letër, më lejoni t’Ju them se ndërhyrjet Tuaja të shpejta dhe të vendosura si për të penguar katrahurën e 4 shtatorit si edhe për rinovimin e sistemit të kërkimit shkencor janë për mua personalisht një test besimi. Dhe Ju siguroj, se këtë e pret i gjithë komuniteti shkencor i vendit, i cili kërkon dinjitet, mbështetje, funksion si edhe kërkesë llogarie për të bërë më të mirën e mundshme për Shqipërinë.

Jam i sigurtë se ky është qëllimi ynë i përbashkët përtej divergjencave në mendime për çështje të tjera !

Me respekt,

Artan Fuga

Anëtar i Akademisë të Shkencave
Profesor në Universitetin e Tiranës
Anëtar i senatit të UT
Pedagog kontraktual pranë shkollës superiore të biznes – administrimit IPAG (Paris – Los- Anxhelos – Kunmin)
Kërkues shkencor i asociuar CNRS Francë

SHKARKO APP