Hetimet në Greqi për vrasësin e dy motrave, dëshmitarët tregojnë marrëdhënien e tyre me Përparim Ademin
Prokuroria e Selanikut ka siguruar dëshmitë e para në hetimin e nisur pas akuzave për trafikim fëmijësh nga Përparim Ademi, autori i vrasjes së dy motrave në Tiranë.
Hetuesit grekë kanë arritur të zbulojnë se Kristina Bardhi dhe motra e saj Adriana kanë jetuar në Kavala përgjatë dy viteve të fundit në shtëpi të ndara.
Prokurorët grekë kanë marrë në pyetje drejtorin e shkollës që frekuentonin dy motrat Stylianos Tzamos, i cili është shprehur edhe për mediat se Kristina dhe Adriana kanë shkuar në shtator të vitit 2018 për të vazhduar shkollën.
Më pas sipas tij Kristina Bardhi u pagëzua si e krishterë në fillim të vitit 2019 në kishën e Shën Barbara. Zyrtari arsimor ka thënë se dy motrat frekuentonin së bashku shkollën ku mësuan dhe shkrimin e gjuhës greke, pasi të folurën e kishin përvetësuar për shkak të qëndrimit për vite në shtetin helen.
Dëshmitarët kanë thënë se dy motrat nuk takoheshin në ambientet e shkollës me Përparim Ademin, por Kristina nuk e frekuentonte rregullisht mësimin dhe mungonte me muaj.
Sipas tyre viktima thoshte se vinte në Shqipëri për të ndihmuar familjen. Hetuesit gjithashtu sipas medieve greke kanë zbuluar se dy motrat e vrara janë arrestuar për prostitucion dhe kalim të paligjshëm të kufirit.
Edhe vetë 59-vjeçari Përparim Ademi ishte arrestuar si tutori i dy motrave ku prej vitesh kishte lidhje dashurie dhe madje i shfrytëzonte si prostituta. Aty kanë qëndruar për një kohë të gjatë tek hotel “Bristol” në Selanik ku dhe dyshohet se kryenin aktivitetin e paligjshëm.
Aktiviteti i paligjshëm i prostitucionit dhe shitjes së fëmijëve sipas hetuesve dhe familjarëve dyshohet të ketë ndodhur mes viteve 90 dhe 97.