Arben Imami: PD nuk është ende gati për të ardhur në pushtet
Prej kohësh i distancuar paksa nga jeta politike, Arben Imami ishte lajm pak ditë më parë; pasi u bë me dije riangazhimi i tij në strukturat e larta të PD-së, pas një mbledhjeje kryesie të selisë blu. U komentua kjo si një rikthimi i gardës së vjetër në krah të Bashës, ngase me Imamin ishte dhe emri i Jemin Gjanës.
Por për Imamin, në politikë, apo specifikisht në PD, nuk ka të vjetër a të rinj, por ka individë që mund të kontribuojnë në çdo kohë dhe me çdo mënyrë, ku ai përfshin dhe veten.
Në një intervistë për tesheshi.com – të parën në media pas largimit si ministër nga humbja e PD-së më 23 qershor – ai pranon me sinqeritet se ende PD nuk është optimalisht e gatshme të ofrohet si një alternativë qeverisëse; por sipas tij, përballë një qeverisjeje të majtë llahtarisht të korruptuar, PD-ja natyrshëm mbetet gjithnjë një alternativë për të marrë në dorë fatet e vendit….
Intervistoi: Luljeta Progni
Zoti Imami, cili është misioni i kryesisë së re ku jeni bërë pjesë, si dhe lidershipit të PD-së për riorganizimin e kësaj partie?
Ka një mendim të përgjithshëm se në të vërtetë ka nevojë për një riorganizim serioz duke filluar nga qendra në bazën e partisë. Riorganizim në aspektin e çështjeve politike ashtu edhe organizative. Për këtë arsye, pas mbledhjes së fundit të kryesisë, kryetari i partisë ka iniciuar dy struktura, një grup pune për çështjet politike dhe një tjetër për çështjet organizative. Besoj se këto dy grupe pune do të kenë një kontribut të rëndësishëm në riorganizimin e partisë.
Pa shkuar në këtë pikë, a do të duhej të kishte përfunduar më parë analiza për humbjen në zgjedhjet e 21 qershorit?
Është bërë një farë analize dhe analiza mbetet e hapur. Unë jam për ato analiza të cilat të ndihmojnë për të ndërtuar diçka. Analizat që shërbejnë për të ndëshkuar nuk besoj se ndihmojnë në proces.
Por nuk ka ende përgjegjës për humbjen?
Në zgjedhjet lokale s`mund të ketë përgjegjës për humbjen pasi nuk ishin zgjedhje parlamentare ku kërkohen përgjegjësi politike.
Riorganizim do të thotë edhe rifreskim të strukturave të partisë…?
Në fakt, partia është plot me gjak të ri pasi janë rifreskuar strukturat në të gjitha nivelet..
Por nuk duket se kanë dhënë ndonjë rezultat po t’i referohemi 21 qershorit…?
Kanë pasur një minimum kohor për të treguar aftësitë e tyre dhe besoj se në dy vitet në vazhdim do kenë ende kohë për të treguar aftësitë e për të mbërritur tek seleksionimi. Është e njëjta gjë si në vitin 2005 kur u futën një grup i madh të rinjsh në PD por në fund mbetën vetëm katër, dhe një prej tyre ishte edhe kryetari që kemi sot.
Bashkë me kryetarin e ri jeni edhe ju si përfaqsues i një gjeneratë më të hershme të PD, tashmë pjesë e kryesisë së re të kësaj partie…?
Ne kemi qenë brenda strukturave drejtuese të partisë, kemi drejtuar zgjedhje dhe kemi qenë shumë të angazhuar. Për këtë që ju thoni, president i bordit të fondacionit “Për Liri dhe Demokraci” është një detyrë honorifike. Ndërkohë që jam përfshirë edhe në kryesi e cila për nga numri është shumë e madhe dhe është më shumë honorifike, pasi mblidhet dy apo tre herë në vit. Pra kjo kryesi nuk është shumë aktive apo operative. Ndërkohë që unë mendoj se nuk është e nevojshme të jesh në këtë apo atë strukturë për të spikatur me kontribut.
E vërtetë është që ju keni qënë shumë i angazhuar pasi keni qënë në krye të fushatave në qytete të rëndësishme; megjithatë ka kritika për lidershipin por ka edhe propozime për largimin e “gjeneratës së vjetër”….?
Nuk ka të rinj dhe të vjetër në politikë dhe punët nuk mund të ndahen kështu. Të gjithë mund të kontrubojnë, pra ata që duan të merren me politikë. Unë mendoj se nuk mund t’i ndash të rinj dhe të vjetër.
Zoti Imami, kjo PD ekzistuese me këta të vjetër dhe të rinj nuk duket se ka qënë e aftë këto dy vite të shfrytëzojë momentet kur kjo mazhoranca është shfaqur mjaft e dobësuar për shkak të krizave të saj të brendshme…
E vërteta është se kjo është një mazhorancë tejet e korruptuar është një mazhorancë ç’njerëzore pasi krerët e saj dhe zyrtarët e saj vjedhin miliona, ndërsa njerëzit po vdesin bugjeve se nuk paguajnë dot energjinë… kjo është ç’njerëzore. Kjo mazhorancë nuk mund të votohet më. Megjithatë është ende herët për opozitën, sepse është edhe çështja e rioganizimit e cila në këto dy vite ka shkaktuar kostot e veta. Sigurisht që opozita ka pasur difekte. Pra deri tani Partia Demokratike nuk ka qenë gati për t`u paraqitur si një alternativë, qoftë për opinionin brenda dhe atë ndërkombëtar. Jemi në një fazë që po përpiqemi për të arritur në nivelet e duhura të një alternative qeverisëse.
Ju thatë se është tërësisht e kriminalizuar dhe në krizë të brendshme. Në se ndodh që kriza mes Ramës e Metës do të rishfaqet, a do të jetë gati opozita për t`u shfaqur si alternativë qeverisë? A parashikoni ju zgjedhje të parakohshme?
Është e vështirë të parashikosh të ardhmen por ajo që dimë me siguri është fakt se mazhoranca është në krizë. Pavarësisht se u duk se u mbyll kriza e momentit, kjo mazhorancë është në krizë për shkak të keqqeverisjes, për shkak të korrupsionit të madh, pë shkak të zhytjes në kriminalitet, është në krizë për shkak të kokëfortësisë për të mos pranuar fakte të pakundërshtueshme të korrupsionit në të cilin është përfshirë, sic është rasti i transportit të drogës me automjetin e ministrit të Brendshëm, e të tjera që kemi dëgjuar këto kohë.
Detyra jonë është që të paraqitemi si alternativë. Pavarësisht gjithçkaje, edhe në ditët më të këqija të saj, Partia Demokratike është alternativë qeverisëse përballë kësaj mazhorance e përfshirë në këtë trafik galopant droge e në këtë superkorrupsion me miliona euro siç ishte rasti i CEZ etj. Kështu që në çfarëdolloj situate, PD është alternativë qeverisëse përballë kësaj mazhorance. /tesheshi.com/