Dhimitër Muslia: Projekti im për Tiranën

 

Kandidat për Kryetar i Bashkisë së Tiranës: Ja ku duhet të ndërhyhet për zhvillimin e kryeqytetit

Dhimitër Muslia, Kandidat për Kryetar i Bashkisë së Tiranës shprehet se drejtimi i kryeqytetit ka nevojë për një vizion dhe model të ri ekonomik dhe zhvillimor. Në një intervistë për “Koha Jonë”, avokat Muslia praqet pikat kryesore të programit të tij për Tiranë, duke i vënë rëndësi të veçantë shtimit të punësimit, uljes së taksave dhe krijimit të modeleve moderne të funksionimit të administratës dhe bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe atij qendror.

Zhvillimi ekonomik dhe roli i qeverive lokale në nxitjen e rritjes ekonomike është duke u ripërcaktuar ne gjithë botën. Cila është strategjia juaj për promovimin e zhvillimit ekonomik lokal? Cilat do të jenë dy iniciativat tuaja prioritare për të krijuar vende pune dhe për të tërhequr investime në Tiranë?

Pikë së pari do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të bërë formalizimin e ekonomisë në tërë territorin e Bashkisë së madhe, pasi pothuajse 45 % ekonomisë dhe e biznesit është informale. Formalizimi i ekonomisë dhe i bizneseve krijon kushtet dhe mundësitë për stimulimin e rritjes ekonomike e të fuqizimit të biznesit në Tiranë. Formalizimi mënjanon konkurrencën e pa ndershme, i vënë të gjithë në kushte të barabarta dhe siguron të ardhura shtesë në Bashki për ti përdorë më tej para së gjithash për stimulimin e nxitjen e rritjes ekonomike në mënyrë ekstensive e intensive.

Strategjia ime për promovimin e zhvillimit ekonomik të Tiranës do të jetë e fokusuar në: Së pari: Fuqizimin e bizneseve ekzistuese, kryesisht atyre të prodhimit e shërbimit. Bashkia me aparatin e saj të ristrukturuar e profesionist do të vihet në funksion të ndihmës së këtyre bizneseve me qëllim që ato të rritin efektivitetin e tyre. Për këtë qëllim Bashkia do të përdorë të gjitha lehtësirat e mundshme të cilat konsistojnë në: a) Uljen e tatimit dhe taksave që i përkasin Bashkisë. B) Uljen e taksës së reklamës. C) Uljen e taksës mbi pasurinë e paluajtshme. Ç). Uljen e qirasë për objektet e dhëna me qira në bizneset që prodhojnë e që rrisin numrin e të punësuarve. Bashkia do të përmirësojë lëvizjen e udhtarëve në zonat ku janë përqendruar bizneset me shumë punëtorë, duke vendosur linja të reja shërbimi. Për repartet e reja të shërbimeve komunale rrobaqepës, riparime elektrik, këpucarë, llamarinist, tapicierë, berberë, axhustatorë, autoservise …etje dhe kur çdo njësi punëson mbi 5 punëtorë, do të përjashtohen nga taksat e bashkisë për dy vitet e para. Kjo do të jetë e vlefshme dhe për bizneset e zonave rurale si ndërtimi i serave të reja, ngritja e pikave të grumbullimit të produkteve bujqësore, ngritja e qendrave të përpunimit të produkteve bujqësore, ngritja e qendrave të përpunimit të produkteve blegtorale, grumbullimi e përpunimi i bimëve medicinale, etero-vajore… etj.

Dy iniciativat e mia për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për tërheqjen e investimeve do të jenë: 1. Rritja e fasonerive (rrobaqepësi, këpucari, zejtaria e përpunimit të leshit të deles. Tirana ka një moshë të re. Pjesa më e madhe e rinisë është e pa punë, kryesisht të rinjtë e të rejat e familjeve të ardhura nga zonat e largëta në dy dekadat e fundit. Me kurse të shkurtra kualifikimi mund e duhet të aftësohen për të punuar në këto fasoneri. Një pjesë e tyre sidomos ato me origjinë nga Kukësi, Dibra, Malësia e Madhe, Hasi, Tropoja, Korça, Kruja, Mati etje kanë traditë në zejtarinë e prodhimit të qilimave, sixhadeve, veshjeve kombëtare e prodhimeve artistike për eksporte. Për zhvillimin e këtyre bizneseve të reja dhe që punësojnë secili mbi 50 të rinj e të reja Bashkia do të ju paguajë qiranë e objektit atje ku nuk disponon prona të saj për tre vitet e para. Për këto biznese të reja do të ftohen së pari ata emigrantë që janë prej vitesh në shtetet perendimore dhe që kanë lidhje e përvojë për evadimin e prodhimeve. Në këtë sipërmarrje askush nuk do të jetë i përjashtuar, përkundrazi të gjithë do të jenë të mbështetur. 2. Për tërheqjen e investimeve të reja si vendase ashtu dhe ato të huaja do të krijojmë një sërë lehtësirash. Së pari: Bashkia do të japë lejen e ndërtimit atje ku kërkohet ndërtim me procedura të përshpejtuara. Trualli i ndërtimit do t’i jepet pa pagesë ( deri 2000 metra katrore e paguan Bashkia për një afat 15 vjeçar). Së dyti, Bashkia me shpenzimet e veta do të bëjë kualifikimin e punëtorëve që do të punësohen në atë aktivitet (paguan investitorin sipas një marrëveshje paraprake). Së treti: Për ato biznese vendase që në mbështetje të projektit të tyre marrin kredi, Bashkia me një fond të veçantë që do të krijojë, ju paguan këtyre bizneseve 50 % të interes të kredisë dhe po kaq kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për të punësuarit e ri në vitin e parë e të dytë të punësimit. Së katërti: Dy herë në vit Bashkia do të përballojë shpenzimet për ekspozimin e prodhimeve të bizneseve me nga 5 ditë për secilën ekspozitë. Duke patur parasysh tregun e madh që ka Bashkia e Tiranës do të synojmë që Tirana të jetë dhe një qendër e madhe e përpunimit të frutave e perimeve. Për këtë do të stimulojmë sipërmarrje të reja për prodhimin e vaj të ullirit, të reçelnave, të salcave, kompostove etje. Qendra të tilla përpunimi do të shfrytëzojnë e fusin në qarkullim me vlera ekonomike gjitha frutat e perimet që nuk tregtohen në kohën e duhur. Edhe këto biznese do të përkrahen me ato forma që cituam më lart.

Tirana është shtëpia e pak kompanive shumëkombëshe. Cilat janë pengesat kryesore për tërheqjen e investimeve të huaja në Tiranë? A ka hapësira për pushtetin lokal që të ndërmarë nisma në këtë drejtim, apo ka pengesa ligjore të cilat duhen rregulluar? Çfarë do të bëni ju si Kryetar i Bashkisë për ta bërë Tiranën më mikpritëse për biznesin dhe për të informuar kompanitë e huaja që Tirana është e hapur për biznes?

Ky është ndër problemet më të vështira. Për 25 vjet fare, fare pak investitor të shumëkombësh kanë ardhur në Tiranë. Shkaqet e një gjendje të tillë janë shumë por më kryesoret janë dy, korrupsioni shumë i lartë i administratës, i gjyqësorit, i sistemit fiskal etje dhe së dyti mos zgjidhja e problemit të pronësisë. Shkaku i parë ka bërë që investitorët e huaj serioz të mos ofrohen, pasi ata duan të fitojnë për vete e jo për qeveritarët e pushtetarët e vendit tim. Edhe ata pak shumë pak investitor të huaj që janë ofruar nuk kanë qenë seriozë, por më tepër mafiozë. Në një përballje mafiozësh (pushtetarë mafiozë, dhe mafiozë biznesmen) fitojnë vetëm ata dhe jo njerëzit e thjeshtë të qytetit e të krejt vendit. Shembuj të tillë ka jo pak në këto 20 vjet. Për këtë aspekt administrate e Bashkisë do të jetë transparente. Të gjitha veprimet për thithjen e këtyre investimeve do të bëhen transparente me njoftime mediatike, afishime, konsulta e diskutime të hapura. Do të lobohet me të gjitha mjetet e mundshme. Do të bëhet transparenca e të gjitha kompanive të ofruara e të tërhequra si dhe e atyre që kanë investuar. Të dhënat do të bëhen publike, duke dhënë dhe opinionin tonë për administratën që i ka penguar dhe për gjyqësorin si i ka ndëshkuar, tatimorin e doganierin si i kanë dënuar e gjobitur etje. Duke vepruar në këtë mënyrë ne mund e duhet të japim mesazhin se si më parë nuk mund të ecet dhe se pushteti i ri lokal është krejt ndryshe nga si ka qenë për 23 vjet. Për problemin e pronës, bashkia do të koordinojë punën me zyrën e regjistrimit të pasurisë së pa luajtshme, me qëllim që investitorët shumëkombësh të thirren në prona rreptësisht të përcaktuara e të emëruara, si një garanci kjo themelore për çdo investitor. Në kuadrin e ligjit për kompetencat e pushtetit lokal do të kërkojmë me insistim që zyrat e regjistrimit të pasurive të jenë në vartësi të plotë të bashkive dhe jo të ministrive si instrumente politike, por të kthehen në mekanizma serioze për mbështetjen e zhvillimit ekonomik. Jemi dëshmitar të masakrës së vërtetë që është bërë në këto dekada mbi regjistrin e pronave në vendin tonë. Ndoshta duhet parë me sy kritik e sens të thellë korrigjues e gjitha kasaphana politike që është bërë mbi pronat. Ndoshta për këtë duhet të ftojmë dhe ekspert nga vende shume serioze të BE (BE ka vende serioze e shume serioze). Duke marrë ekspert nga këto vende për ketë çështje rrisim shpresat se nga ato vende mund të vinë më lehtë dhe kompanitë huaja. Kur flasim për kompani e huaja, së pari kemi parasysh kompanitë e prodhimit. Tek ne kanë ardhur shumëkombëshe në sistemin banker e atë të sigurimeve, pra kanë ardhur kompani të fushës së shërbimit e jo të prodhimit. Efekti i këtyre kompanive financiare është Kredia më e shtrenjtë në Evropë për qytetarët dhe interes më të ulëta në depozita, dëmet më pak të paguara në Evropë nga kompanitë e sigurimeve. Kompanitë e huaja financiare të shërbimit nuk i kanë dhënë ndonjë hov të madh zhvillimit, përkundrazi janë pasuruar vetë dhe fitimet çdo vit, le që nuk i kanë investuar në prodhim apo kredi, por përkundrazi i kanë transferuar në vendet e origjinës. Për këto arsye ne do të insistojmë dhe do të bëjmë më të mirën të mundshme për kompanitë prodhuese që gjenerojnë vende pune, eksporte, e zhvillim.

Partneriteti Publik Privat (PPP) mund të ofrojë mundësi për të krijuar vende pune dhe për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike. Si Kryetar i Bashkisë, do të jeni një avokat i PPP-ve? Ju lutem, identifikoni dy shembuj të PPP-ve që ju besoni se janë premtuese për Tiranën dhe qytetarët e saj.

Partneriteti Publik Privat (PPP) mund e do të kontribuojë në rritjen e punësimit dhe zhvillimin e ekonomisë. Ne jemi dëshmitarë të faktit se industria e ndërtimit pothuajse ka pushuar së funksionuari. Ajo në Tiranë ka patur mbi 10 000 të punësuar, pjesa më e madhe e tyre në të zezë. Pra ajo ka prodhuar por në pjesën më të madhe të saj ka qenë informale. Në Tiranë sot ka mbi 2 500 familje që kanë nevojë të ngutshme për strehë, por që mundësitë për kredi nuk i kanë, pasi bankat kërkojnë garanci veç kolateralit edhe të ardhura të tjera shtesë, gjë që nuk mund të realizohet për mungesë të punësimit. Gjithashtu firma serioze e me kapital të lirë financiar mund të ndërtojnë pallate, por nuk ka blerës. Ato janë dakord të ndërtojnë e të japin apartamentet me çmim pak më të lartë se koston e ndërtimit, ndoshta dhe me kredi afat gjatë. Unë si kryetar bashkie do të bëj harmonizimin e dy këtyre prirjeve në favor të të pa strehëve dhe të ndërtuesve. Me këtë masë do të rrisim punësimin dhe njëherazi do të zgjidhim dhe problemin e të pa strehëve. Në partneritet me investitorët privat mendoj se mund të zgjidhi dhe ndërtimin e parkingjeve private. Bashkia do të bëjë studimin në muajin e parë të saj, do të japë lejet e ndërtimit privatëve dhe do të nisë ndërtimi. Me këtë veprim do të rritet numri i të punësuarve gjatë ndërtimit, do të zgjidhet problem i parkimit të automjeteve, si dhe i të ardhurave të bashkisë nga leja e koncensionit. Në këtë mes do të ketë një harmonizim korrekt të interesave të biznesit privat me ato të publikut e të bashkisë. Po kështu do të veprohet dhe për ndërtimin e serave, të fabrikave të përpunimit të prodhimeve bujqësore e blegtorale. Mbi bazën e studimeve te plota e pjesore ndoshta mund të ndërtohen e asfaltohen edhe rrugë automobilistike ose me kalldrëm për në fshatrat piktoreske, qendrat arkeologjike e turistike, zonat me bujqësi intensive etje. Kështu do të veproj dhe për transportin publik, duke dhënë licenca me qëllim që të mbulohet me këtë shërbim çdo cep e fshat i bashkisë së Tiranës. Në tërë këtë gamë projektesh, pa dyshimin më të vogël unë do të jem në krah të biznesit privat, pasi qytetari do të jetë i fituar jo vetëm për punësimin por dhe për shërbimin.

Gjatë fushatave politike janë bërë premtime për të ulur taksat, gjithashtu edhe për përmirësimin e shërbimeve. Si është e mundur kjo? Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është i lartë dhe tatimi mbi të ardhurat është rritur. Por, tatimi më i rëndësishëm për qeveritë lokale, tatimi për pronësinë e paluajtshme, është i ulët sipas standardeve evropiane). Çfarë propozimesh do të bëni ju si Kryetar Bashkie për menaxhimin dhe mbledhjen e tatimit mbi pronën në Tiranë?

Thashë se së pari ne do të bëjmë formalizimin e bizneseve, pra do të eliminojmë evazionin fiskal në territorin e bashkisë. Me këtë do të rriten të ardhurat gjë që na jep akses për të krijuar lehtësirat e rritjes ekonomike. Në kuadrin e miratimit të ligjit për kompetencat e pushtetit lokal do të insistojmë për uljen e tatimit mbi fitimin dhe uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar. Do të kërkojmë që të përjashtohen nga TVSH dhe nga taksa doganore të gjitha materialet e makineritë që i shërbejnë rritjes së prodhimit e të punësimit. Me formalizimin e ekonomisë në Tiranë do të krijojmë një fond për të mbuluar 30 % të tatimit mbi fitim të atyre kompanive që punojnë në Tiranë dhe që të punësuarit i kanë nga bashkia Tiranë. Tatimi mbi pasurinë është realizuar në sasi shumë të vogla (7-8 %) Kjo për tre arsye kryesore. Së pari, nuk është gjetë mekanizmi i vjeljes së këtij tatimi, së dyti; zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme kanë qenë e janë në vartësi të Ministrisë së Drejtësisë dhe së treti legalizimet e ndërtimeve të paligjshme janë zvarritë në mënyrë të pa justifikueshme. Qeveria aktuale siç duket problemin e legalizimit të ndërtimeve informale e ka marrë më seriozisht. Me legalizimin kjo pengesë eliminohet. Kalimi i zyrave të regjistrimit të pasurisë në vartësi të bashkisë eliminon hallkën burokratike e korruptive të këtij zinxhiri zvarritës. Për vjeljen e kësaj takes, deri sa të krijohet bindja tek të gjithë qytetarët, nga ana e bashkisë do të ndiqen dy rrugë. Kundrejt një pagese, për së pari, operatorin e shpërndarjes së energjisë ose së dyti për ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve do të ju ngarkojmë detyrimin për vjeljen e kësaj të ardhure të bashkisë. Nëse qytetari apo biznesi nuk e paguan këtë detyrim, krahas ndërprerjes të shërbimeve të bashkisë do t’i ndërpritet dhe energjia ose uji i pijshëm. Deri sa qytetarët të ndërgjegjësohen duhet përdorur metoda e detyrimit.

Cilat mendoni se do të jenë zërat e fuqishëm që do të sigurojnë të ardhurat e bashkisë tani që të ardhurat nga taksat e biznesit të vogël kanë rënë ndjeshëm?

Zëra që do të rrisin fuqishëm të ardhurat e bashkisë do të jenë: 1. Formalizimi i ekonomisë. Sot rreth 56 % e biznesit nuk paguan taksa. Ka munguar kontrolli si nga organet tatimore dhe nga ato të bashkisë. Nuk janë të pakta rastet e korrupsionit e të falsifikimit të të dhënave, për të cilat asnjë herë nuk është nxjerrë përgjegjësia. Kjo ka dëmtuar ndjeshëm dhe konkurrencën e barazinë në treg. Me këtë masë do të rriten të ardhurat nga ky zë mbi 45 % krahasuar me sot. Ju nuk e dini por është fakt se më se një herë nga organet tatimore janë gjobitë mbajtësit më të rregullt të kasave fiskale se sa ata që nuk i kanë mbajtur asnjëherë, e kjo vetëm për qëllime korruptive. 2. Burim i fuqishëm i të ardhurave do të jenë dhe taksa mbi pasurinë e paluajtshme. Sipas një parashikimi nga kjo taksë do të arrijmë të mbledhim aq sa kanë qenë të ardhurat e bashkisë në total për një vit të zakonshëm të mandatit të fundit. 3. Për financimin e sipërmarrjeve me rëndësi për jetën e qytetarëve dhe për ecurinë e bizneseve prodhuese do të ju drejtohem dhe partnereve të huaj për të marrë kredi të buta, kundrejt besimit për revolucion në mbledhjen e tatim taksave në vijimësi.

Pas miratimit të Reformës Territoriale, Tiranës do t’i duhet të përgatitë një Plan të ri të Përgjithshëm Territorial për Tiranën "e re" të madhe. Pa një plan, do të pengohet autoriteti i Bashkisë për lëshimin e lejeve të zhvillimit. Do të jetë përgatitja e një Plani të ri një përparësi për administratën tuaj? A keni një afat kohor në mendje për përgatitjen e këtij Plani?

Tirana, me reformën e re territoriale zmadhohet për nga sipërfaqja mbi 25 herë. Të gjitha komunat që e rrethojnë Tiranën për 25 vjet janë zhvilluar të pa varura nga njëra tjetra dhe nga ish bashkia e Tiranës. Disa prej komunave kanë ndërtuar duke zgjeruar teritorin e Tiranës qytet, kryesisht këto nga Farka, Kashari, Dajti, etj. Pikë së pari duhet bërë integrimi organik i këtyre ndërtimeve në harmoni me bashkinë ekzistuese, së dyti duhet bërë plan zhvillimi për gjithë bashkinë e madhe në harmoni me zonat, relievin, traditën, të kaluarën e perspektivën. Pra shkurt, duhet hartuar plani i ri i zhvillimit. Kjo do të jetë ndër të parat detyra, më parësorja. Me grupe specialistësh më të aftët e vendit, të të gjitha profesioneve do të ngrihen grupet e punës për ndërtimin e këtij plani. Ky plan i ri zhvillimi në të cilin të gërshetohen të gjithë komponentët e urbanizimit, zhvillimit, prodhimit e shërbimit duhet të përfundojë e të miratohet Brenda 9 muajve ( deri më 31 Mars 2016 ).

Tirana e re, si rezultat i Reformës Territoriale, do të rritet në madhësi dhe në popullsi dhe do të behet më i vështirë dhe më i komplikuar menaxhimi i saj. Territori i Tiranës do të rritet nga 42 kilometra katrorë në 1100 kilometra katrorë. Trembëdhjetë komuna do të bëhen pjesë e Bashkisë së Tiranës, duke përfshirë edhe komunat rurale si ajo e Krrabës dhe e Shëngjergjit. Si Kryetar Bashkie, çfarë do të bëni për të siguruar që të gjitha zonat e Tiranës së re do të përfitojnë nga shërbimet e përmirësuara? Si do të përfshini të gjithë qytetarët në procesin e vendimmarrjes? Çfarë hapash do të ndërmerrni për të patur aktivitet ekonomik në të gjitha zonat e Tiranës së re?

Tirana do të zmadhohet mbi 25 herë si territor. E rëndësishme është integrimi i të gjitha hapësirave dhe i gjithë qytetarëve në zhvillimin urban e ekonomik. Do të marrim të gjitha masat e nevojshme për lidhjen me rrugë të asfaltuara të të gjitha fshatrave me qendrën e Tiranës. Kjo do të kërkojmë të bëhet kryesisht me fonde shtetërore, nga buxheti, pa nënvleftësuar dhe burimet e mundshme të të ardhurave të bashkisë, me qëllim që të përfitojnë të gjithë qytetarët e fshatrave të Tiranës, do të mbështesim me pagesa të një pjese të interesave të kredisë ata fermerë që marrin kredi për zhvillimin e blegtorisë, të pemtarisë, vreshtarisë e perimeve. Gjithashtu këtë shërbim do të ju a ofrojmë dhe atyre fermerëve që do të ndërtojnë sera diellore ose me ngrohje, atyre që do të ndërtojnë depo frigorifer për frutat e perimet, atyre që do të ngrenë linja për përpunimin e produkteve bujqësore e blegtorale. Në bashkinë e Tiranës do të ngrihet një departament i fuqishëm për zhvillimin e bujqësisë e të blegtorisë me dy drejtori respektive ku do të tërhiqen jo vetëm specialistët më të aftë të fushës, por njëherazi dhe menaxherët më të zotët të këtij zhvillimi. Në shërbim të këtij funksioni do të jetë dhe mirëmbajtja e rrugëve automobilistike ekzistuese e riparimi i tyre. Në këtë shërbim do të vihet dhe puna shkencore për zgjedhjen e prodhimin e farërave elite, punën shkencore për përmirësimin e racave në blegtori e të kulturave në pemëtari, vreshtari e perime. Nëpërmjet ngritjes së linjave të përpunimit do të tërhiqen të gjitha prodhimet e fshatit pa u lejuar që të prishet asgjë, duke i kthyer ato në ushqime të dobishme për konsumatorin si salcra, reçelna, komposto, verë, raki etj. Deri me sot ky lloj menaxhimi, organizimi, bashkërendimi e mbështetje nuk është bërë. Reforma territoriale i krijon këto mundësi, por këto janë mundësi që mund të shfrytëzohen veçse nga një kryebashkiak serioz, korrekt e me ambicie për zhvillim, me një staf të zgjedhur për aftësi, ndershmëri e korrektësi. Unë jam i përgatitur, me vullnet e i motivuar për t’i realizuar këto sfida.

Punët krijohen kur një qytet ndërtohet mbi avantazhet e tij konkurruese, duke mbështetur zhvillimin e industrive të telekomunikacionit, arteve, turizmit, prodhimit dhe industrive mjedisore. Çfarë avantazhesh konkurruese ka Tirana dhe çfarë industrish do të shihni ju si objektiva për zhvillimin ekonomik? Çfarë veprimesh do të ndërmerrni për të mbështetur këto industri? Sot 40% e ndërmarrjeve janë në fushën e tregtisë, dhe vetëm 7% e totalit kanë më shumë se 4 të punësuar. Si do e orientoni kalimin e ekonomise se Tiranes drejt bizneseve më të qëndrueshme, përtej tregtisë dhe vetëpunësimit, qe do te siguronte zhvillim të qëndrueshëm?

Sot bashkia e Tiranës 40 % të bizneseve i ka në fushën e tregtisë dhe vetëm 7 % e bizneseve kanë mbi 4 të punësuar. Realisht ky është një zhvillim i paqëndrueshëm. Për të bërë zhvillimin e qëndrueshëm duhet ndryshuar struktura e zhvillimit. Përparësi do ti japim prodhimit, përpunimit industrial të prodhimeve, industrisë së turizmit, transportit në qytet e në zonat periferike si dhe industrisë së ndërtimit. Për të ndryshuar këtë strukturë kemi menduar që në shërbim të këtyre bizneseve që realizojnë këtë kthesë në dy vitet e para nga fondet e bashkisë të vëmë respektivisht nga 30 milionë dollarë. Këto, si mbështetje e sigurimeve shoqërore për të rinjtë e punësuar në favor të kompanive private, kualifikimi i punonjësve për kompanitë ndërkombëtare, interesat e kredive të marra nga bizneset vendase për zhvillimin e industrisë përpunuese e grumbulluese, për zhvillimin e artizanatit, të bujqësisë e blegtorisë etje. Po kështu mbështetje të kësaj natyre do të gëzojnë edhe bizneset që do të ngrihen për turizmin. Mbështetje do të kenë ndërtimet e haneve në zonat malore të Tiranës, si Shëngjergj, pas Dajtit deri në Bizë. Për zhvillimin e turizmit në këto zona bashkia do të ndërmjetësojë e do të bëhet garante dhe për donacione nga shoqata ndërkombëtare të kësaj fushe. Ne mendojmë se me masa të tilla do të forcojmë e garantojmë zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të bashkisë së re. Për zona të veçanta, me pak tokë bujqësore për frymë si dhe me pjellori të dobët do të nxitim kultivimin e bimëve mjekësore tipike për zonën e që kanë mundësi të garantuara eksporti. Për këtë qëllim do të bashkërendojmë punën dhe me bashkite e tjera në hapësirat shqiptare, brenda e jashtë kufijve për të lidhur marrëveshje e këmbyer eksperienca. Në vitin e dytë të mandatit do të provojmë në disa zona pilot seleksionimin e mbeturinave dhe dërgimin e tyre për përpunim. Kjo do të bëhet duke i blerë këto mbetje në disa pika. Synimi do të jetë që Brenda mandatit të parë të grumbullohen të seleksionuara të gjitha mbetjet organike e jo organike si dhe riciklimi i tyre. Kjo do të çojë krahas rritjes së punësimit dhe në një mjedis më të pastër e të garantuar për të ardhmen.

Sipas mendimit tuaj, a ka një mungesë të strehimit të sigurt, të mirë dhe të përballueshëm në Tiranë? Nëse po, çfarë hapash do të ndërmerrni ju si Kryetar Bashkie për të përmirësuar situatën e strehimit?

Më lart theksova se ka mbi 2500 familje të pastreha në Tiranë. Kompanitë e ndërtimit të pallateve kanë ndërprerë ndërtimin. Një pjesë e tyre kanë mjete të lira për ti investuar e për ti shitur me një vlere fare pak më të larta se kostoja e ndërtimit, ose dhe për ti mbajtur vetë pronë të tyre e për t’i dhënë me qira. Ne mendojmë se njëra nga këto forma duhet përdorë e me siguri do të përdorim atë forme që do të dalë i fituar, si biznesi ashtu dhe i pastrehi. Në të gjitha rastet familja e pa strehë është më mirë të paguajë këste kredie për shtëpinë e blerë se një qira banese. Në këtë kuptim ne do te jemi ndërmjetës mes qytetarit dhe bankës së nivelit të dytë dhe garantues të interesit të kredisë për blerje shtëpie me çmim fare pak mbi kosto. Kështu dhe ndërtuesit do të jenë të fituar. Këtë metode do ta zbatojmë dhe për ato apartamente që sot janë të pashitura në marrëveshje me ndërtuesit. Do të kontrollohen me ekspert disa ndërtime të vjetra pallatesh, dhe ato që nuk kanë siguri teknike do të prishen, duke ju garantuar banorëve strehim të sigurtë. Kjo do të bëhet mbi bazën e një studimi të plotë e të shpejtë. Për banesat sociale që janë bërë e nuk janë shpërndarë tash 4 vite nga politika jo e ndershme e PD e PS në kurriz të qytetarëve, ne do i japim menjëherë sapo të fillojë puna.

A besoni se rritja ekonomike dhe mbrojtja e mjedisit janë të ndërlidhura? Si e përcaktoni ju qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm? Çfarë veprimesh do të ndërmerrni ju si Kryetar Bashkie për ta bërë Tiranën një qytet sa më të qëndrueshëm?

Zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit janë të ndërvarura mes tyre. Zhvillimi i shpejtë ekonomik po nuk u shoqërua me masa të rrepta çon në rritjen e ndotjes se mjedisit. Për këtë arsye gjithnjë zhvillimin ekonomik e mbështesim me masa të rrepta për mbrojtjen e mjedisit. Siç thashë më lart, do të bëjmë mbledhjen e seleksionuar të mbetjeve dhe përpunimin e tyre. Një cikël i tillë i mbyllur do të jetë brenda tre viteve. Veç kësaj, të gjitha investimet që do të kryhen, sipërmarrjet që do të ngrihen, aktivitetet që do të zhvillohen do të kenë kushte shumë të rrepta për mbrojtjen e mjedisit. Këto do të specifikohen ne rregullore, marrëveshje e kontrata me të gjithë identitetet.

 

SHKARKO APP