EKSKLUZIVE- Knut Fleckenstein: Asnjë prej reformave nuk është përmbushur plotësisht

 

Flet raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein: Hetim i CEZ-it, në dorën e autoriteteve shqiptare

Intervistoi: Redjon Shtylla

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein, gjatë një interviste ekskluzive dhënë për gazetën "Koha Jonë" analizon pesë reformat që vendi ynë duhet t’i plotësojë për të qenë pjesë anëtare e BE-së. Dhe sipas tij, në fakt asnjëra prej tyre nuk është përmbushur plotësisht, teksa nënvizon se reforma më e rëndësishme është ajo në drejtësi. Ndërsa lidhur me çështjen e përfolur të CEZ-it, ai shprehet i qëndrimit se beson që është në dorë të autoriteteve shqiptare për ta hetuar atë …

 

Z. Fleckenstein, në Shqipëri ka një debat lidhur me aferën e privatizimit dhe më pas anulimit të shitjes së kompanisë “CEZ Shpërndarje”, ndërsa opozita dhe LSI-ja janë dakord për një hetim ndërkombëtar. Dhe kur të gjitha palët akuzojnë njëra-tjetrën, sipas jush a do ishte zgjidhje një hetim ndërkombëtar?

Unë besoj se është në dorë të autoriteteve shqiptare për ta hetuar këtë çështje.

Reforma e gjyqësorit, administratës publike, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë minoritetet; cilat nga këto kritere, sipas jush ka përmbushur qeveria aktuale shqiptare?

Si raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, kam vëzhguar progresin e reformave në Shqipëri me shumë vëmendje gjatë viteve të fundit dhe veçanërisht, që nga vjeshta e kaluar. Unë kam pasur mundësi për të dëshmuar përparim të rëndësishëm në këto fusha, por asnjëra prej këtyre reformave nuk është arritur plotësisht. Pesë reformat prioritare që ju përmendni janë ato më të rëndësishmet dhe kërkojnë punë të vazhdueshme. Nuk është e mjaftueshme vetëm puna që qeveria aktuale po bën për këto reforma. Mbështetja nga të gjitha partitë politike shqiptare, si edhe nga shoqëria e gjerë është e domosdoshme për të garantuar suksesin e këtyre reformave. Reformimi i gjyqësorit në Shqipëri për shembull, është një detyrë shumë gjithëpërfshirëse, e cila kërkon më shumë se kurrë zgjidhje e jo vetëm plotësimin e një pike në listë. Unë jam i kënaqur të shoh se kolegët e mi nga parlamenti shqiptar janë shumë aktivë, e që po e shoqërojnë këtë proces të reformave dhe unë jam duke pritur për të mësuar më shumë në lidhje me realizimin e reformave gjatë vizitës sime të ardhshme. Unë gjithashtu besoj se sa më ambicioze të jetë reforma në drejtësi, aq më shumë ajo do të mbështesë luftën e suksesshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend. Nga bisedimet e mia të shumta me qytetarët  shqiptarë, unë e kuptoj se ndryshimet në këto zona janë pritur me padurim.

Në krahasim me një vit më parë, çfarë pritet të përmbajë Progres-Raporti për Shqipërinë?

Si çdo vit, raporti i Komisionit Evropian mbi reformat e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE do të vlerësojë se ku qëndron Shqipëria. Ajo do të marrë parasysh reformat që janë bërë gjatë 12 muajve të fundit dhe do të përshkruajë mënyrën se sa përpara, se sa janë realizuar reformat dhe sa funksionale janë ato tek qytetarët .

Si ndjekës i zhvillimeve në Shqipëri, sa larg si afat kohor është procesi i hapjes së negociatave për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian?

Shqipëria po punon për prioritetet e pesë reformave të mbetura që ju tashmë i keni përmendur dhe do të vazhdojë të bëjë kështu derisa të hapen negociatat për anëtarësim në BE. Këto reforma do të duhet të bëhen pjesë e jetës së përditshme të qytetarëve të Shqipërisë. Shqipëria do të jetë gati për t'u bërë shtet anëtar i BE-së, kur qytetarët e saj do të ndjejnë se jeta e tyre brenda shtetit shqiptar është e bazuar në sundimin e ligjit, respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe në institucione të qëndrueshme demokratike. Këto janë pjesë e kritereve që vendet kandidate për anëtarësim në BE duhet të përmbushin.

Z. Fleckenstein, keni qenë mbështetës i procesit të dekriminalizmit. Në Parlamentin shqiptar disa javë më parë u arrestua një deputet dhe një tjetër dha dorëheqjen. Si i vlerësoni këto ndryshime? A janë të mjaftueshme për të bërë dekriminalizimin? Nëse në parlamentin Gjerman do të kishte deputetë që mbi ta do të kishte akuza në lidhje me krimin, si do të veprohej?

Më është krijuar përshtypja se shumica e votuesve shqiptarë qartazi presin që liderët e tyre politikë të vendit, në të gjitha nivelet e politike, kombëtare apo vendorë, të mos tolerojnë asnjë kandidat për poste publike që kanë të dhëna penale. Unë jam shumë dakord me këtë pritje. Ku ka akuza, ato duhet të hetohen si dhe duhet të mbikëqyren që çështja të zbardhet.

SHKARKO APP