“Ëndrrën amerikane ta realizojmë në Ulqin, e jo diku tjetër”

Kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit në Mal të Zi, dr. Ilir Çapunin, në një intervistë flet për investimet në këtë qytet dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët.

 Intervistoi: Gjekë Gjonaj

Zoti kryetar, viti 2019 nuk ka qenë për të gjithë njësoj. Për dikë ka qenë i sukseshëm. Për ca të tjerë pjesërisht i frytshëm, kurse një pjesë e qytetarëve duan ta harrojnë sa më parë. Nga pozicioni Juaj, si kryesues i Kuvendit të Komunës së Ulqinit, për çka do ta mbani mend vitin që sapo lamë pas?

Ka qenë vit sfidues për Ulqinin dhe për ekonominë e qytetarit. Ka qenë vit paradoksal: është bllokuar llogaria e Komunës, por kemi organizuar gara misesh dhe nuk kemi organizuar asgjë për pritjen e Vitit të Ri. Ulqini dhe shqiptarët sfiduan veten dhe mblodhën rreth gjysëm milioni eurosh për shërimin e Emros. Ai e ringjalli te ne solidaritetin dhe shpresën që bëhemi si popull, por ai nuk është më ne mes nesh. Nga kjo botë kanë dalë disa qytetarë të rinj të cilët i kujtojmë, ama edhe jemi begatuar me filiza të reja që na gëzojnë zemrat dhe ditët. Nga Ulqini janë shpërngulur disa familje dhe emigruar me dhjetëra individë të tjerë. Banorët kanë asfaltuar vetë rrugën Krythë-Millë me gjatësi prej 3550 metrash pa pjesëmarrjen e Komunës. Për mua ka qenë akt shumë domethënës që tregon realitetet e administratës, por edhe shpresëdhënës që tregon se qytetari interesohet, kërkon, por nuk lejon të përdhoset: ka pasuri dhe krenari për të mos rënë viktimë e ofertave politike si një metër asfalt 2cm këtu, një llampë atje.

Sidoqoftë, nuk kemi pse ta harrojmë këtë vit: të gëzohemi për të mirat dhe të mësojmë nga të këqijat.

Vitin e kaluar në Komunën e Ulqinit kanë ndodhur shumë të reja, madje do të thoja të papritura mes të cilave do të veçoja bllokimin e llogarisë bankare  të Komunës së Ulqinit. Në këtë situatë të rënduar  financiare  cilat të arritura konkrete  do të mund t’i veçoni në peirudhën e kaluar dymbëdhjetë mujore?

Bllokimi i llogarisë ka qenë e papritur ngase rasti „K-1” ka qenë një shashkë që është dashur të shpërthejë në duar të kryetarit shqiptar të Komunës dhe nuk është pritur që të shpërthejë në duart e kryetarit nga rradhët e PDS. Ju rikujtojmë që PDS në fushatën e zgjedhjeve lokale ka prezantuar veten si mbajtës të çëlësit të zhvillimit të Ulqinit.

Tani, ja disa nga të arriturat e Komunës. Shërbimi i parkimit në Ulqin, pavarësisht mendimeve të përziera, është një pikë pozitive për Ulqinin sepse nis mendësinë e rregullimit të gjërave dhe qasjes tjetër të individit ndaj gjësë së përbashkët. Ka shumë arsye të tjera të cilat mund të më rradhisin kundër kësaj ndërmarrjeje dhe veprimtarisë së saj, ama nuk e fsheh kënaqësinë time dhe të kolegëve kyçë në Komunë për hapat që kemi hedhur për t’i dhënë frymën këtij shërbimi.

Me vendimin e vet për shpalljen e Kripores së Ulqinit park natyre, Kuvendi i Ulqinit ka hequr ngërçin e negociatiave të Malit të Zi për anëtarësimin në BE. Ky ka qenë një vendim domethënës dhe do të hedhë dritë mbi kapitujt e tjerë të negociatave dhe në qasjen e administratës drejt Ulqinit dhe pronës së tij.

Gjithashtu, veprimtaria e  imja, e këshilltarëve dhe e Shërbimit të Kuvendit në 2018 dhe në vitin 2019 ka vënë Shasin në qendrën e vëmendjes së pjesëve të administratës lokale e shtetërore që merren me kulturë. Kjo është një kthesë e shumëpritur. E them kthesë sepse i kemi dalë ballë për ballë tendencave të markimit të territoreve e objekteve arkeologjike në Komunën e Ulqini jo me trupa, por me dokumenta dhe vizion të qartë. Kjo ka sjellë ministrin e Kulturës në Ulqin e Shas dhe ka sjellë hulumtuesit dhe konservatorët në shkalanë e Kalasë dhe në Shas.

Një e arritur tjetër është edhe mbrojtja e ullishtës së vjetër në Ulqin. Kjo është një hapësirë e sulmuar nga ndërtimi, por mu sikur Kalaja, është pjesë e identititetit milenial të Ulqinit. Dhe në momentin kur pas djegies së 1500 rrënjëve të ullirit në Bashbylyk është tentuar ndërtimi i një „barrake” të re me pamje në det, kësaj rradhe është treguar vendosmëria e administratës dhe ndërtimi u shëmb. Disa ditë më pas, nëpër Kuvend ka kaluar edhe informata mbi dëmin, por është marrë edhe një vendim për një ndihmë simbolike ama domethënëse e cila i liron pronarët e këtyre ullinjve nga obligimi i pagimit të tatimit në patundshmëri në periudhën 2020 – 2025. Ju rikujtoj që pronarët janë lënë vetëm, pa dëmshpërblim ose fajtor të gjetur.

Hapja e parkut në Zenelaj dhuratë kjo e familjes Hajdari bën një kthesë të rëndësishme në zhvillimin e Ulqinit sepse është vënë një standart i lartë i kualitetit dhe asaj që mund të quhet hapësirë e bukur për jetë dinjitoze të begatuar me rekreacion.

Ekspozita e detarisë ulqinake e mbajtur në shtator në Ranë në Ulqin, ka qenë një event i cili ka nisur procesin e rimëkëmbjes së detarisë në hapësirën nga Ulqini deri në Sarandë dhe që e ka vendosur Ulqinin në pozicionin e merituar – në pozicionin e kryeqytetit të detarisë shqiptare. Pas kësaj ekspozitë te ne, na ftoi edhe Bashkia e Durrësit dhe shoqatat e detarëve dhe ulqinakëve atje për ta ekspozuar këtë edhe në Durrës. Nga aty, lindi iniciativa nga Forcat Detare të Shqipërisë për të nisur inventarizimin e pasurisë, hapur muzetë e detarisë në Ulqin, Durrës e Vlorë etj. Pra, kjo ngjarje përveç që ka treguar se Ulqini nuk ka marinë dhe nuk ka muze, ka treguar se Ulqini ka traditë të lavdishme dhe ka eksponate për të mbushur një muze të madh detarie.

Ka edhe vendime dhe të arritura të tjera, mirëpo këta janë gurë të mëdhënj që nuk tunden apo anashkalohen lehtë.

Kuvendi i Komunës së Ulqinit në seancën e fundit  të rregullt për vitin e kaluar  ka miratuar Buxhetin e Komunës për vitin 2020, në shumë prej 13 milonë e 885 mijë e pesëqind    Cilave projekte për këtë vit u keni dhënë  më shumë prioritet ?

Shumica e projekteve janë përsëritur nga viti i kaluar sepse nuk kanë mundur të realizohen për mungesë fondesh apo vullneti.

Unë po ceki disa projekte, që duken të vegjël, por mbajnë domethënie të madhe.

Ngjyrosja e fasadave të qytetit. Nuk është vetëm lyerje siç e bëri Edi Rama dikur në Tiranë për të hequr mërzinë kolektive. Është një propozim nga opozita i miratuar nga shumica e këshilltarëve për të hequr ngjyrën e hirit, ngjyrën e miut, nga panorama e Ulqinit.

Në buxhet është futur edhe ndërtimi i shtatores së Skenderbeut në bashkëpunim me diasporën shqiptare dhe e besoj që kjo përmendore do të realizohet brenda këtij viti krahas pllakës kushtuar termetit të vitit 1979.

Krahas investimeve të mëdha si ai i kanalizimit dhe ujit të pijshëm për disa lagjet e qytetit, lidhjes së bulevardeve Teuta dhe Gjergj Kastrioti Skenderbeu në buxhet gjindet edhe rimëkëmbja e Radio – Ulqinit, insentiva për agronomi etj.

Së fundmi, pas disa vitesh pritjesh e shtyrjesh, shpresojmë se do të fillojë edhe ndërtimi i kalldrëmit me çka do të fillojë revitalizimi i mirëfilltë i Kalasë.

A ka Komuna e Ulqinit potencial për zhvillim ekonomik më të përparuar dhe cilët sektorë do të ndihmonin zhvillimin ekonomik në të ardhmen?

Nga disa funksionarë e politikanë shpesh dëgjohet thënia që „Ulqini është resursi nacional i Malit të Zi”. Unë mendoj që para së gjithash, Ulqini është resurs i qytetarëve të saj, familjet e të cilëve e kanë mbajtur gjallë e të ruajtuar këtë vend për 2500 vjet. Gjithashtu thuhet se nga të gjithë qytetet në Mal të Zi,  Ulqini ka potencialin më të madh për investime.

Tani çështja është se çfarë investimesh na duhen dhe nga kush. Është e qartë që Ulqinit nuk i duhet një investitor si ai i Galebit ose Lidos. Investitori i huaj, mbetet i huaj. Ai në Ulqin do të vijë i prirur nga potenciali i profitit e jo nga dashuria për të punësuar apo përmirësuar jetën e qytetarëve tanë. Për këtë, unë mendoj që dijaspora jonë, duhet të bashkojë kapitalin e vet dhe të shohin mundësitë e investimeve të qëndrueshme. Kësi investimesh janë zemërmira, të mbështetura në dashurinë për vendlindjen, por edhe të mbështetura në një plan biznesi të mirëfilltë dhe një strategji zhvillimi sipas vizionit, eksperiencës dhe diturisë së bijëve të saj e jo sipas vizionit apo interesit të dikujt tjetër.

Sa i përket prospektit për investime në fushën e turizmit, duhet ditur që trendet botërore të udhëtimit po ndryshojnë. Rezortet „ultra inclusive” ku mund të hash e pish sa të duash, e që të mbajnë tërë ditën brenda kufinjve të objektit, ku më shumë lahesh në pishinë se sa në det, po tregohet si koncept i gabuar. Ulqinit nuk i duhet një rizort mysafirët e të cilit nuk mund të dalin lirshëm në qytet dhe të shetisin në të, ose që është i mbyllur e në të ulqinakët nuk mund të futen e shetisin aty, takojnë turistët etj. Ulqini është vend i sigurt, me traditë turizmi e mikpritjeje dhe nuk mund t’i imponohen standarte të reja të importuara nga vendet ku kësi rizortesh janë të rrethuar me hajdutëri, pasiguri, papastërti, sëmundje etj. Ne jemi në një shtet evropian që pretendon të futet në BE. Më e pakta, turistit duhet ta njohë Ulqinin duke komunikuar me kamarierët, recepcionistët e shefat që janë nga Ulqini e jo nga Meksika, Serbia etj., duke ngrënë jo doner e shpageta, por ushqime vendore. Kjo e nxit pjesën tjetër të ekonomisë së Ulqinit – bujqësinë. Duhet të kemi shumë kujdes me zhvillimin e Ulqinit dhe ndërtimet në të dhe duhet përherë ta shikojmë Ulqinin si një tërësi së bashku me komunat përreth – Tivarin e Shkodrën. Ulqini ende është qytet në të cilin nuk mund të vihet me anije. Buna është ende e palundrueshme. Marinë nuk ka. Flitet për fushën me panele diellore në Darzë që do të punësojë mbi 100 inxhenierë, por ne këta njerëz nuk i kemi. E besoj se kjo e jep një pasqyrë të potencialit që ka Ulqini, por edhe sfidave me të cilat ballafaqohet zhvillimi i tij.

Punët në organizatatat komunale themelues i të cilave është Komuna e Ulqinit me vite të tëra nuk qëndrojnë mirë. Si mendoni t’i përmirësoni ato ?

Problemeve të këtyre ndërmarrjeve duhet t’i qasemi me kujdes të veçantë. Për këtë arsye kam propozuar që në ditët në vijim të organizojmë një seancë të Kuvendit në të cilën do të merremi me problemet me të cilët ballafaqohen dhe të merren masat për tejkalimin e këtyre problemeve.

Gjatë periudhës Tuaj si kryesues i Kuvendit sa keni arritur të realizoni kërkesat dhe pritshmëritë e qytetarëve?

Këtë nuk e di. E di vetëm se unë nuk jam i kënaqur me pritshmëritë e mia, ama jemi duke vrapuar maratonë dhe ky rrugëtim zgjat pak. E rëndësishmja është që të mos mërzitemi dhe të punojmë çdo ditë.

Cilat janë raportet në mes Komunës dhe Qeverisë, respektivisht a keni mbështetjen e Qeverisë Markoviq për realizimin e projekteve  që janë me interes të Ulqinit?

Raporti i një vetëqeverisjeje lokale dhe qeverisë janë të rregulluara me ligje. Qeveria i jep leje dhe pëlqime të ndryshme komunave, mbikqyr funksionimin e tyre dhe siguron që e drejta kushtetuese e qytetarëve mbi vetëqeverisjen lokale të realizohet pa pengesa.

Unë nuk jam i kënaqur me qëndrimin ambivalent për ndihmë në rastin e K-1. Nuk jam i kënaqur edhe për dinamikën e procesit të kthimit të Valdanosit, nuk më pëlqen edhe marrja e pronave të Ndërmarrjes Ndërtimtare „Primorje” në Krythë e Darzë etj. Sidoqoftë, kjo qeveri, më shumë se të tjerat kanë qëndrime bashkëpunuese ndaj Komunës sonë, paçka se personalisht kam pritur më shumë.

Zëri i qytetarit është thelbi i demokracisë. Sa dëgjohen dhe respektohen zërat konstruktiv të shoqërisë civile në Kuvend, që kanë për qëllim të ndikojnë pozitivisht në politikat publike?

– Dialogu social dhe qytetar në mes të udhëheqësisë së një vendi dhe qytetarit duhet të bëhet në Kuvend e jo në rrugë apo në tubime e në dhoma të errëta në kohë të mugëta. Shembulli më i mirë i kësaj ka qenë seanca e Kuvendit më 28 dhjetor 2019 kur kryetari i Komunës dhe këshilltarët që aderojnë në atë mendësi nuk kanë dashur të diskutojnë në Kuvend atë ditë për investimin misterioz të fabrikës së bitumit në Krythë, por kanë dashur që të ballafaqohen drejtpërsëdrejti me popullin në tubimin e asaj mbrëmje. Epilogun e mbani mend: fishkëllima, pakënaqësi, britma dhe uluritje të turmës ndaj kryetarit të Komunës dhe zbrapësim të befasishëm nga qëndrimet e forta që i ka pasur përpara tubimit për të ndërtuar këtë fabrikë.

Dialogu për kësi temash është gjithmonë më i mirë brenda një institucioni që ka rregullore dhe infrastrukturë dhe vendimet e të cilit prodhojnë efekt ligjor. Në Kuvend marrin pjesë këshilltarët e deleguar nga populli, ekzekutivi i zgjedhur nga këshilltarët, por edhe qytetarët. Pra është një tribunë e mirëfilltë e kontrollit dhe përgjegjësisë.

Janë disa vendime gjatë këtij viti që kanë marrë formën falë propozimeve të cilët i kanë bërë këshilltarët sipas udhëzimeve e kërkesave të qytetarëve. Kuvendi në vazhdimësi mbanë kontakt me sektorin civil, por edhe me qytetarët. Hapi i dytë i joni do të jetë që qytetarit t’ia lehtësojmë pjesëmarrjen dhe ndikimin e vet. Për këtë do të mësoni së shpejti për hapat konkrete.

Çfarë marrëdhënie keni me këshilltarët e opozitës dhe të pozitës që për arsye të ndryshme në raste të caktuara nuk  pajtohen me qëndrimet e shumicës parlamentare?

– Jashtëzakonisht të mirë. Kam qenë ai i cili ka insistuar kyçjen e opozitës në trupat punuese të Kuvendit si dhe përkrahës i idesë që nënkryetari i Kuvendit të zgjidhet nga rradhët e opozitës politike. Gjithashtu, në momentin e rirregullimit të sallës së Kuvendit një vit më parë, kur kemi siguruar pozitën e njëjtë e këshilltarëve dhe të ekzekutivit, kam planifikuar që opozita të jetë sa më afër foltores. Gjest simbolik ky, por me domethënie të madhe. Nuk u realizua në atë kohë, por pas miratimit të rregullores së re të Kuvendit dhe meqë në buxhetin e këtij viti kemi planifikuar mjetet për ristrukturimin e sallës së Kuvendit, shpresoj se një ide kësisoj do të jetë e realizueshme.

 A keni arritur të krijoni raporte njerëzore kolegiale me të gjithë asamblistët?

Po patjetër. Që nga dita e parë kam bërë një zotim që do të jem ai që do të mbrojë dinjitetin e secilit këshilltar dhe do të sigurohem që zëri i tij/saj të dëgjohet e respektohet. E mbani mend atë fjalinë: „Mund të rrini shtrembër e flisni drejtë, rrini drejtë e flisni shtrembër, apo rrini drejtë e flisni drejtë. Në çdo rast, zëri juaj do të dëgjohet.”  Kjo marrëdhënie ma bën punën më të lehtë.

 

Njerëzit janë ata që krijojnë situata të jashtëzakonshme nganjëherë të paqëllimshme, por ndodh të jenë edhe të qëllimshme. Si i menaxhoni situatat e vështira?

Situatat e vështira më së miri i menaxhoj me bisedë të hapur dhe sinqertë duke ruajtur dinjitetin e secilit pjesëmarrës. Kemi pasur disa situata të këtilla dhe i kemi kaluar me sukses. Si përherë, jam unë ai i cili mund ta kem më të vështirë në këso rastesh, por më ka takuar ky rol.

Çfarë keni ofruar ju si kryetar i Kuvendit, që dikush tjetër para Jush nuk e ka bërë, ose s’ka mundur ta bëjë në  përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe kthimin e besimit të luhatur të  tyre në këtë institucion të vetëqeverisjes vendore?

Përpara meje dikush është kujdesur që seancat të jenë të transmetuara drejtpërsëdrejti në radio e televizion. Unë kam shkuar një hap më tej, i publikojmë seancat në Youtube dhe aty mbesin përjetësisht. Por jo vetëm kaq: secili video në Youtube është i shoqëruar me tabelën e folësve dhe qytetari e ka shumë të lehtë ta gjejë kumtesën që ka kërkuar pa humbur kohë.

Pastaj, pyetjet nga këshilltarët po marrin rëndësinë e duhur falë evidencës dhe përkujdesjes së Shërbimit të Kuvendit që pyetjet të përgjigjen në kohë.

Kemi bërë funksional Këshillin për Përmirësimin e Pozitës së Njerëzve me Invaliditet dhe Nevoja të Veçanta. Si pasojë e punës së këtij trupi, Ulqini ka vendparkimet e dedikuara për këtë kategori njerëzish.

Kemi riorganizuar ulëset në sallë ashtuqë ekzekutivi apo kushdo tjetër të mos ulet përpara këshilltarëve. Tërë kjo me qëllimin e vetëm për ta bërë Kuvendin një organ që funksionon mirë, drejtë dhe pa pengesa e të mos bëhet organ sa për sy e faqe me makineri votimi e miratimi të vendimeve kuturu.

Gjithashtu, dua të cek edhe dhuratat e Kuvendit në fund të vitit për këshilltarët. Nuk janë ditarë, lapsa, tefterë për shënime apo çanta. Janë libra të autorëve vendas dhe për vendin. Është libri për parlamentarët nga Ulqini, janë librat e Basri Çapriqit, Andrej Nikollaidisit e Gazmend Çitakut. Më është bërë zemra mal kur njëri nga këshilltarët joshqiptar në foltore ka cituar Basri Çapriqin. Sa shumë na duhet ta lexojmë këtë shkrimtar, sidomos ne shqiptarët!

Debatet e shumta qofshin ato të qeta, normale, të arsyeshme, të argumentuara apo të stërgjatura emocionale me tone të ashpra e të zhurmshme e të tjera natyrshëm krijojnë lodhje e dekoncentrim. Cili është momenti që nuk e dëshironi gjatë punës  kryesuese të Kuvendit të Ulqinit?

Gjatë orëve të mësimit, pres gjithmonë nga studentët pjesëmarrje aktive, me pyetje e propozime. Bile në amfiteatër gjithmonë i them studentëve që çdo që thoni është në rregull pavarësisht a është e saktë apo jo. Mirëpo disi në Kuvend kjo paradigmë nuk më pëlqen sepse këshilltarët janë avokatë të zgjedhësve dhe të ligjshmërisë. Nuk më vjen mirë kur dikush bëhet zëdhënës i qëllimeve të tjera, del nga rendi i ditës etj. Për dallim nga studentët, këshilltarët duhet t’i kenë disa mësime të mësuara dhe disa qëndrime të formuara.

Porosia Juaj për qytetarët e Komunës së Ulqinit?

Qytetarët janë punëdhënësit e këshilltarëve dhe tërë administratës dhe për këtë, kërkoni shërbimin më të mirë. Rrini pranë këshilltarëve, mbështesni dhe këshillojini ata.  Ulqini ka një potencial të jashtëzakonshëm zhvillimor. Ka rini e njerëz të mrekullueshëm. Duhet të bëhemi bashkë dhe mos të lejojmë që rinia jonë ëndrrën e vet amerikane ta realizojë në Amerikë, e të tjerët të vijnë e ta realizojnë endrrën e vet amerikane në Ulqin.

SHKARKO APP