Erion Veliaj: Për drejtimin e PS-së më pyesni pas 20 vitesh

Kreu i Bashkisë tha dje në një intervistë për Eni Vasilin, se Bashkia do të mbledhë 100% të taksave vendore, do të kërkojë ashpërsimin e penaliteteve dhe se do të largojë drejtorët ish-politikanë të PD-së të tipit Pal Dajçi dhe Ekrem Spahia 

Për sheshin “Skënderbej”, ç’plan keni? Do t’i riktheheni planit ‘Rama’?

Plani ‘Rama’ ishte plani më i mirë për qendrën e qytetit, i cili u hartua nga arkitektë dhe ekspertë të jashtëzakonshëm. Nuk besoj se ka sot iluzion që govata që na u servir si shesh ku kullot bar kali i Skënderbeut është simboli ynë kombëtar dhe qendra e kryeqytetit shqiptar. Por, rendi i gjerave që ne kemi propozuar është që, fillimisht do të zgjidhim çështjen e unazës së vogël. Kjo është arsye pse kemi filluar sot procesin e shpronësimeve në rrugën e “Barrikadave” me rrugën e “Kazazëve” dhe shumë shpejt do ecim me unazën e vogël. Kështu që rendi i gjërave është unaza e vogël, pastaj një opsion për të normalizuar trafikun dhe më pas punët në sheshin “Skënderbej”.

A do të ketë ndërtime aty te Liqeni? Të jemi të qartë: në atë zonë që sot mbulohet nga bari, nga pemët, pranë Korpusit, a i garantoni qytetarët e Tiranës që ku ka gjelbërim, nuk do të ketë ndërtim?

Në asnjë zonë publike nuk do të ketë ndërtim që prish dhe i merr Parkut të Liqenit. Ama, në një zonë publike, ku janë konviktet e Gardës, palestra e Gardës, ku është kuzhina e Gardës, lavanderia, parkingu i Gardës dhe që është një zonë komplet e papërdorur; pra, nga 10 ndërtesa të kemi një të saktë. Pjesa tjetër, të hiqen të gjithë ato kangjella, t’i rikthehet qytetarëve, të jetë një zonë komplet e hapur, nga diga e liqenit tek Garda dhe jo një zonë e rrethuar, e shpallur zonë ushtarake e rëndësisë së veçantë në mes të parkut.

Projekti u quajt hyrja në park, në mos gaboj…

Po, duke qenë se hiqen muret e Gardës. Në fakt edhe nga mënyra se si trajtohet e gjithë ajo hapësirë e Gardës, pra nga një zonë ushtarake që ti shikon tela me gjemba, kthehet në një zonë të hapur, sigurisht që përbën hyrjen e parkut të liqenit.

Po me ndërtimet poshtë digës…?

Jemi në gjyq. Por kësaj here Bashkia nuk është palë me ndërtuesin, por me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Deri dje juristët e Bashkisë shkonin me pronarin e pallatit, sot juristët e Bashkisë shkojnë me shtetin, me qeverinë dhe nuk jemi si dy çeta që luftojnë njëri-tjetrin, por jemi një shtet serioz në të dy anët, edhe në Bashki, edhe në qeveri, dhe do të bëj çmos që ta fitojmë atë gjyq.

Cili është plani juaj për çështjen e varrezave? Po mendoni për idenë e varrezave murale?

Për arsye personale shkoj shpesh në varreza dhe aty situata është jashtëzakonisht e rëndë. Në këto 4 vitet e fundit kemi parë njerëz që varrosen në asfalt. Komplet jo njerëzore! Kam pasur disa biseda edhe me përfaqësues të komuniteteve të besimit. Tiranës i ka ardhur koha që të ketë edhe varrezat murale. Njerëz të cilët kanë ndërruar jetë para 50 viteve mund të sistemohen fare mirë në varrezat murale, si në çdo vend të botës. Përndryshe, po vazhduam me këtë ritëm, sado të shpronësojmë, ne do rrethohemi nga varreza në të gjithë territorin tonë.

Përfaqësuesit e komuniteteve të besimit, që më parë mund të kenë pasur hezitime, janë treguar me shumë bon sens, pra ne nuk mund të rrethohemi nga varreza, s’mund të jetë kufiri modern i Tiranës, duke u zgjeruar me parcela. Kjo do të na mundësojë që të kompensojmë një pjesë të hapësirës për varre të reja. Gjithashtu, kemi një ligj që tashmë na favorizon ku edhe komunitetet e besimit mund të kenë varrezat e tyre ose shtëpi funerali për ritet sipas besimeve të ndryshme. Por, historia e varreve mbi varre dhe njerëz që shkelin mbi varre për varrin e ri është një gjë që nuk na nderon aspak, është jo dinjitoze. Unë e kuptoj se jeta në Shqipëri është e vështirë, por të paktën largimi nga jeta duhet të jetë dinjitoz. Kur edhe largimi është i shëmtuar, besoj se humbasim të gjithë pikë si shoqëri. 

Sa është metri katror i hapësirës së gjelbëruar për frymë? Sa është e mbartur dhe cili është plani juaj?

Sot është një situatë jashtëzakonisht modeste. Kjo është arsyeja se pse që në muajin e parë, ne kemi piketuar 5 parqet e reja që duam të zhvillojmë dhe gjelbërojmë, sepse shohim që hapësira sot është diku tek 4-5 metra katrorë për njeri që është komplet e pamjaftueshme. Ambicia është që të jetë shumë më e madhe.

A është e vërtetë që po bëni gati dosjen e Lulzim Bashës për në prokurori?

Di të them që i gjithë stafi i Bashkisë bashkëpunon me prokurorinë dhe nëse prokuroria kërkon informacion për këdo zyrtar, stafi është orientuar që të bashkëpunojë me prokurorinë. Kultura se ne nuk i flasim me gojë, se jemi allnuar me prokurorinë mbaroi në datën 21 qershor, por unë vetë nuk përgatis asnjë dosje. Nuk jam njeri që merrem me gjëra të tilla. Unë bëj kryetarin e Bashkisë, por nëse prokuroria kërkon informacion, i kemi dhënë çdo informacion.

Ka pasur edhe ministra që kanë çuar dosje në prokurori të paraardhësve të tyre, për shkak të shkeljeve që kanë gjetur, nëse do të ndodhte do ta bënit?

Të njëjtën gjë kam bërë edhe në ministri. Prokuroria, për të gjitha akuzat ka kërkuar bashkëpunim, kemi dhënë bashkëpunim dhe më rezulton që nga ish-ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, mbi katër zyrtarë janë pas prangave dhe i fundit u arrestua ditën që u zgjodha kryetar bashkie. Shumë njerëz thanë këtu s’ka ligj, s’ka drejtësi, por me sa duket ajo të ndjek edhe zyrtari i lartë që kërkohej prej dy vitesh më në fund është para drejtësisë. Më vjen mirë që vendosëm një standard të ri të bashkëpunimit me drejtësinë. Për sa kohë që prokuroria kërkon informacion, stafi e jep dhe nuk ndërhyn fare, për sa kohë që këtu ka një shtet.

Ka kërkuar prokuroria informacion?

U bë publike, prokuroria ka kërkuar informacion për një seri të madhe lejesh dhe shkeljesh dhe siç e ka kërkuar informacionin e ka marrë. Më rezulton se prokuroria është e kënaqur me bashkëpunimin që ka më në fund me Bashkinë e Tiranës.

Do ketë spastrime në administratën e Bashkisë?

Nuk do ketë spastrime, për kë është profesionist dhe punon aty prej vitesh. Por nëse doni të dini pse nuk funksionon pastrimi, apo turizmi në Tiranë, ndoshta duhet të kuptoni se drejtorët respektivë kanë qenë njerëz si Ekrem Spahia dhe Pal Dajçi. Nëse ju mendoni se këta janë drejtorët me të cilët unë do të punoj, më vjen keq t’ju zhgënjej se nuk mund të punoj me këta lloj drejtorësh dhe nuk mund të pretendojnë status të nëpunësit civil krerë të lartë të PD, që s’kanë asgjë të bëjnë me civilen, janë njerëz politikë, s’janë njerëz që kanë ardhur nga administrata. Pra, janë ish-zv.ministra apo kryetarë bashkish të PD, strehuar si drejtorë në bashki. Nëse ju më kërkoni që të rregulloj transportin publik dhe plehrat, s’mund ta bëj me drejtorë të PD. Nëse ju quani këtë spastrim, jam fajtor. Nëse ju quani se kush erdhi politikisht duhet të kthehet politikisht se prandaj shkuan punët në këtë derexhe, atëherë ju falënderoj për mirëkuptimin.

Si e keni bashkëpunimin me përfaqësuesit e LSI, PDIU dhe FRD?

E kam të shkëlqyer, funksionojmë si ekip. 

A kontribuojnë në punën tuaj?

Në mënyrë ditore.

A ka kërkesa për vende pune?

Nuk funksionojmë kështu, funksionojmë si një ekip. Me nënkryetarët funksionojmë si një ekip, me Edi Ramën, Ilir Metën, Shpëtim Idrizin, Bamir Topin funksionojmë si një ekip.

Sa e vështirë është të gjesh një ekuilibër mes asaj që duhet dhe asaj që kërkojnë?

S’e kam këtë sfidë. Bëj atë që duhet. Në Bashkinë e Tiranës kemi një bashkëpunim perfekt. Unë e filloj ditën shumë herët, takohem me stafin, nënkryetarët çdo ditë. E mbyll ditën me ta, funksionojmë si ekip, në pjesën dërrmuese, 90% të ditës, dhe harroj që kemi ardhur nga forca të ndryshme politike, sepse në Bashkinë e Tiranës ka një frymë komplet tjetër. Jam shumë i lumtur dhe krenar me ekipin tim.

Në një prononcim të kryeministrit gjatë fushatës elektorale e kam pyetur për ju, nëse po ju projekton për në krye të partisë. Ju e keni këtë ide në kokë?

S’e kam fare këtë ide në kokë. Jam aq i fokusuar te kjo punë dhe dua të them se sado e kam shijuar jetën politike, besoj se kjo që po bëj tani është puna më e bukur në botë.

Ju nuk e dini ende se ç’do të thotë të jeni në krye të një partie të madhe siç është PS.

Nuk më josh. Për momentin jam shumë i lumtur te kjo që po bëj dhe as nuk e shpie ndërmend.

Nxituat të thoshit “për momentin”. Më pëlqeu kjo.

Sepse jam i fokusuar te kjo që po bëj. Më pyet pas 20 vjetësh, nuk e di.

Sa ndërhyn Kryeministri në punët e Bashkisë?

Ne bisedojmë, ai ka qenë i fundit kryetar bashkie në Tiranë dhe sigurisht që dua edhe unë në një kohë rekord të informohem.

Ju pëlqen Tirana e sotme si është?

Po të më pëlqente Tirana që është sot, s’do shkoja përditë me këtë zell në punë, do ishte e bërë. Pyetja që ju bëtë është pse i referoheni atij si kryebashkiaku i fundit se them kryebashkiaku i fundit që bëri gjëra dhe sigurisht që do pyes për informacion njeriun që bëri gjëra dhe njeriu që bëri më shumë gjëra për Tiranën, siç pranohet nga i madh e i vogël, dhe nga kundërshtarët tanë ishte Edi Rama. Normal që nga ky njeri do mësoj dhe do rikuperoj informacion të 11 viteve që ai ka qenë kryetar bashkie dhe vendimmarrjeve që mund të lidhen me gjëra që tashmë janë filluar, siç ka qenë projekti i bulevardit, me park qendror, ka qenë që në atë kohë. Unë kam qenë aktiv në zgjedhjet e 2011, pavarësisht se sa shëmtuar përfunduan ato zgjedhje me vjedhjen e postit të kryetarit të bashkisë. Pra, po bëja fushatë në 2015, me diçka që bëja fushatë në 2011 si pjesë e fushatës dhe në këtë sens patjetër që komunikimi im është i fundit me njeriun që punoi. S’mund të marr mend nga njeriu që fjeti gjumë, se me shumë gjasë, as vetë nuk e di se ç’i ka ndodhur Bashkisë këto katër vite.

SHKARKO APP