Flet ish-drejtoresha e Shtepise se Femijeve – Shkoder. Gjeluci: Nuk fajësoj askënd që gjykon pa më njohur mua dhe punën time
(Flet ish drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijëve, Shkodër, shkarkuar nga puna pas skandalit të publikuar nga Emisioni “Ça thu” në Agon Channel)
Intervistoi: Albina Gjergji
Edhe pse kanë kaluar tre ditë nga skandali i publikuar (në emisionin “Ça thu” të Agon Channel) me jetimët e Shtëpisë së Fëmijëve në Shkodër, debati vazhdon të jetë ende i nxehtë në opinionin publik. E me të drejtë, pasi ngjarje të tilla, ku ushtrohet dhunë mbi fëmijët nga ato që supozohet të dhurojnë më shumë dashuri, jo vetëm rënqethin, por të bëjnë të mendosh, se… ndoshta në një tjetër Shtëpi Fëmije, ndërkohë mund të jetë duke ndodhur e njëjta gjë e shëmtuar. Të përfshirë në këtë skandal, menjëherë janë shkarkuar nga puna tre edukatorët e Shtëpisë së Fëmijëve, mes tyre edhe drejtoresha e këtij institucioni, Anjezë Gjeluci, e cila në një intervistë ekskluzive për “Koha Jonë” paraqet qëndrimin e saj rreth gjithckaje ka ndodhur. E shokuar dhe indinjuar nga ngjarja skandaloze, ajo distancohet kategorikisht nga ky akt i ulët, por pranon me përulësi vendimin e marrë nga kreu i Ministrisë së Mirëqënies Sociale, z. Blendi Klosi, i cili ditën e mërkurë, pasi dënoi ashpër dhunën e tre kujdestarëve, (Manjola Banishta, Albert Reka dhe Edvana Sula) i komunikoi edhe Gjelucit shkarkimin nga puna si drejtoreshë e Shtëpisë së Fëmijëve. E ndërkohë që drejtësia duhet të vihet në vend, që akte të tilla kaq të turpshme të mos përsëriten më kurrë, Gjeluci rrëfen me detaje momentin e përballjes me ngjarjen, zhgënjimin që mori nga punonjësit e saj, punën e bërë në këtë institucion prej pothuajse dy vitesh, lidhjen e fortë që ka krijuar me fëmijët, mbështetjen e madhe që ka pasur nga Ministria e Mirëqënies, si dhe mangësitë që Shtëpia e Fëmijës ndjen akoma…
Kanë kaluar vetëm 3 ditë nga ngjarja e rëndë, ndodhur në Shtëpinë e Fëmijëve – Shkodër (denoncuar nga emisioni “Ça Thu” në Agon Channel), ku shihen disa fëmijë që keqtrajtohen nga 3 kujdestarë të institucionit që ju drejtoni. Si e përjuat lajmin, sapo e morët vesh znj. Gjeluci, qoftë si titullare, qoftë si nënë?
Duke pasur parasysh që kam vetë një vajzë të vogël, koha ime ishte e kufizuar e për shkak të impenjimeve nuk shihja shumë televizor. E mora lajmin përmes një telefonate. Nuk di çfarë kam menduar më parë, “pse, si…”, pafund! Pësova tronditje e akoma nuk e kam marrë veten nga zhgënjimi i thellë, pasi pashë ate video. U komunikua menjëherë shkarkimi dhe po atë natë është bërë kallzimi penal ndaj 3 punonjësve.
Marrëdhëniet konkrete me kujdestaret që u ndaluan? Njiheshit me to prej vitesh dhe a diskutonit mbi problematikat që mund të shfaqë një Shtëpi Fëmije?
Kur u emërova në ate institucion nuk njihja asnjë nga punonjësit. Edhe për shkak të moshës së re, por edhe pse të gjithë aty ishin punonjës me eksperiencë mbi 10-vjecare. Ndryshe nga institucionet e tjera, ku prioritet ishte shkarkimi edhe pa shkak, ne arritëm të njiheshim nëpërmjet shumë bisedave, punës së përditshme dhe eksperiencës së mirë që ato reflektonin. Punonjëset në fjalë kishin të dyja rreth 20 vite punë.
Ju ka ndodhur të hasnit më parë episode të tilla dhe si keni reaguar?
Kjo është një pyetje, ku shumë njerëz duan të marrin përgjigje dhe me të drejtë. Jo për të justifikuar përkushtimin tim personal, por për t'i bërë me dije të gjithëve se, nga një dyshim shpulle kam propozuar po atë ditë të shkurtit, ora 10:00 shkarkimin e një punonjëseje, e cila u largua brenda ditës. Ai duhej të ishte një shembull i mirë, përveç trajnimeve e supervizimeve të ndryshme që i janë bërë punonjësve të institucioneve të përkujdesit. Por ka diçka më të thellë se kaq. Më duket e turpshme t'i them një qënieje njerëzore se, jo vetëm një fëmijë, por asnjë frymor nuk mund të dhunohet. Pavarësisht se, këtë e kam bërë çdo ditë e natë, duke e trumbetuar.
Nga kjo ngjarje natyrisht ka pasur shumë reagime të forta në opinionin publik. Por a ka qenë i tillë reagimi i këtij opinioni, kur bënit reforma lidhur me rikonstruksionin e shtëpisë së fëmijëve, për përmirësimin e kushteve në ngrënie, fjetje si dhe për edukimin e tyre në çdo formë?
Unë gjithmonë kam patur mbështetjen dhe vlerësimin pozitiv të opinionit publik për hir të së vërtetës dhe fakti që këto dy vite ka patur donacione e besim në mënyrë të vazhdueshme e tregon më së miri këtë fakt. Akti i shëmtuar, sigurisht e acaroi opinionin publik e me të drejtë, por prapë nuk i vë faj, sepse gjithsecilit i duhet koha e nevojshme për të parë sesi realisht qëndron çështja, kështu që për asnjë moment nuk kam fajësuar askënd. Fundja gjithsecili prej nesh, duke qenë njerëzor, ka momentet e veta shpërthyese me, ose pa të drejtë.
Gjithë ky besim që ju përmendët nga donatore të jashtëm (jo shtetëror) a ka qenë i audituar?
Sigurisht, madje auditimi i fundit nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinise në mars të këtij viti, nga i cili morëm vlerësimin maksimal. Për ta parë nga ana njerëzore, kurrë dhe për asnjë arsye (ashtu siç tashmë të gjithë jane të bindur) nuk do gjeja guximin të prekja qoftë edhe një 5 lekësh nga këto fonde. Kjo është diçka që më bën të ndjehem mirë me veten, sepse aty është investuar edhe qindarka e fundit në shërbim të fëmijëve.
Kujdestarët që u panë haptaz në video, duke keqtrajtuar fëmijët kanë qenë punonjës prej shumë vitesh aty, apo përzgjedhja juaj?
S’kanë qenë zgjedhje e imja. Ato janë punësuar aty që në vitin 1996.
Mund të na thoni, cilat janë kriteret që kërkohen për të plotësuar një punonjëse/edukatore në Shtëpinë e Fëmijës dhe a ju kërkohet më parë një CV atyre? Si funksionon punësimi i tyre?
Cv-ja e edukatoreve kërkon shkollë për Cikël Parashkollorë të Lartë, ndërsa kujdestarët arsim të mesëm. I gjithë personeli ka dosje të sakta, sipas kritereve që kërkon puna. Plus trajnimeve e seminareve që ka ofruar herë pas here Shërbimi Social me një staf të mrekullueshem, duke bërë të pamundurën për të rritur nivelin e standardeve të përkujdesjes ndaj fëmijëve. Siç duket, jo gjithçka që duket është ashtu…
Në dijeninë tuaj a kanë psikologë Shtëpitë e Fëmijëve në Shqipëri znj. Gjeluci e nëse nuk ka a e keni bërë ju një kërkesë të tillë?
Falë një projekti Italo-Shqiptar për kthimin e Borxhit, programi Iadsa bashkë me MMSR miratuan projektin “Shërbime Sociale Inovative”. Ky projekt kishte për qëllim shtimin e kapaciteve në personel , transformimin e një pjese të institucionit në një shtëpi-familje, familjen kujdestare dhe një qendër ditore. Brenda këtij personeli erdhi edhe psikologu, i cili do zhvillonte profesionin e tij për 1 vit aty. Në strukturë psikologu nuk ekziston, por sapo unë kam hyrë aty, gjëja e parë që kam kërkuar me anë të një shkrese ishte ndryshimi i strukturës. Organika e një institucioni nuk mund të ndryshojë sa hap e mbyll sytë, pasi kërkon shumë procedura për miratim. Në 1960 e deri 10 vite më pare, organika ka qenë e pëlqyeshme dhe e larmishme. Vitet e fundit është shkurtuar në mënyre të palogjikshme. Sot është marrë në konsideratë kjo, ndaj është në proces kërkesa ime.
U desh një incident i tillë që Shtëpia e Fëmijës të vihej në qendër të vëmendjes. Çfarë investimesh konkrete keni bërë në Jetimoren, që drejtoni prej pothuajse dy vitesh dhe, cilat kanë qenë nevojat më emergjente të kësaj Shtëpie?
Gjeta një institucion me 10 milion lekë të vjetra borxh. 35 fëmijë që flinin vetëm me një kujdestare me xhama të thyer e me mungesë rojesh 24 orë. Menu e papërshtatshme ushqimore, me mungesë vitaminash e proteinash, sipas ushqimeve të stinës. Asnjë medikament. Fëmijët nuk ndiqnin arsimin parashkollor. Mungesa e ajrit të kondicionuar si për dimër e si për verë. Vetëm 4 fëmijë të kthyer në familjen biologjike si interesi më i lartë i fëmijës. Asnjë prokurim mbi plotësimin e nevojave bazë.Ndërsa sot, për 1 vit e gjysmë u kthyen në familjen biologjike 10 fëmijë. 2 u transferuan në një shtëpi-familje, duke e reduktuar institucionalizimin e fëmijëve. Roje 24 orë. 2 kujdestarë gjatë natës. Shkuan në kopsht. U lanë brenda 3 mujorit të parë, falë buxhetit më të madh, të gjitha debitë e mbartura të dy viteve më parë. Dhoma e infermierisë me standarde moderne, si dhe furnizim i bollshëm me ilaçe. Salla e aktivitetit me të gjithë parametrat optimalë. U bënë 8 prokurime publike, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet e jetesës për herë të parë pas shumë vitesh. Pra, edhe mbështetja ka qenë shumë madhe nga ana e qeverisë.
Në raport me fëmijët, dimë që ju personalisht keni pasur një lidhje të fortë me to e madje keni investuar edhe për shërimin e dy prej tyre, të cilët kishin probleme me shëndetin…
Dita e parë e punës sime dhe e prezantimit me fëmijët e mi ishte afër fundvitit, 17 dhjetor 2013. Isha kurioze për historinë e çdo fëmijë dhe për çdo cep të shtëpisë (nuk kam preferuar asnjëherë ta konsideroj institucion). Komunikimi i parë me to, biseda mes nesh ishte sesi do e thërrisnim njëri-tjetrin. Ju thashë të mos më thërrisnin drejtoreshë, siç bënin më përpara. Vajtja ime aty ishte thjeshtë shërbim dhe menaxhim, sepse këto institucione (të tillë në terminologji) nuk kanë nevojë për njerëz me pompozitet, por për njerëz me shpirt të madh e me punë të madhe. Ne “udhëtuam” gjatë bashkë në biseda, përjetime, në momente të bukura e të vështira, ne ndamë emocione. E unë për ta u bana “Nana Anjo” (ashtu siç më thërret edhe vajza ime, që është në një moshë me to). Në fakt një hapësirë e tillë shpirtash të bukur më bënin shumë kurioze, aq sa unë të kaloja 24 orëshin me to disa herë. Natën e parë, ndërsa lëvizja korridoreve, që të çojnë në dhomat e gjumit të fëmijëve po kërkoja t'i shikoja specifikat edhe në gjumë… mënyra sesi flinin, sa rehat e sa të sigurt ishin këto fëmijë. Ndërkohë që unë mbaja shënimet e mia, dëgjoj një zhurmë të çuditshme që më vinte nga dhoma tjetër. I drejtohem dhomës e shqetësuar për të parë se çfarë po ndodhte dhe shikoj një fëmijë, i cili flinte ndenjur për shkak të infeksionit të lartë në rrugët e frymëmarrjes dhe të nesërmen po ashtu në kohën e drekës vura re se një fëmijë 4-vjeçar (në moshën kur ndërhyrjet kirurgjikale duhej të përfundonin) me anomali të lindur në qiellzë kërkonte një kujdestar tek koka sa herë ushqehej, pasi i rrezikohej jeta herë pas here. Nuk prita ditën e hënë, por të shtunën iu drejtova motrave te Misioni, “Udha Shpirtërore”. U informova se kush ndihmon në të tilla raste e ato më pritën krahëhapur, të cilat i falenderoj pafund edhe sot e kësaj dite për gjithë kontributin që dhanë për të shpëtuar të nesërmen e fëmijëve. Me 9 janar të dy vajzat u operuan në spitalin “Nënë Tereza”.
Në mediat online ka pasur gjithashtu reagime të shumta lidhur me një status që keni postuar mbrëmjen e mërkurë mbi emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut. Nga disa komentues është parë si një kërcënim i hapur që i bëni Blendi Fevziut me atë status. Çfarë ju preku kaq shumë, që ju bëri të shpreheshit se, edhe me disa prej të ftuarve “do të shihemi në gjyq”?
E vlerësoj Blendi Fevziun si një ndër gazetarët më të mirë në Shqipëri, por për të folur për çështje kaq sensitive, siç ishte rasti i Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër duhet shumë informacion. Minimalisht këto individë, duhet të dinin se çfarë është bërë brenda asaj shtëpie. Duhet të njihnin në kohë transformimin për mirë të atyre fëmijëve (nga elementi bazë, sjellja, apo rikthimi në familjen biologjike). Objektivat e SHSSH. Pasi t'i kishin marrë mirë informacionet, atëherë të fillonte intepretimi për gjithçka ndodhi. Ato duhej të ishin të informuar rreth mbledhjeve, diskutimeve, trajnimeve e supervizimeve të vazhdueshme me punonjësit e kësaj shtëpie. Fakti që, këto nuk kishin asnjë informacion të tillë, normalisht biseda denigroi rreth personit tim. Nuk ndjehem aspak kompleksive kur disa nga panelistët më quajtën “këngëtare tallavaje”, sepse unë s'kam qenë asnjëherë e tillë e as kam interes si rrymë. Megjithatë, kjo është biseda më pak problematike brenda emisionit. Hobet nuk janë mëkate dhe as pengesë për sukses në jetë. Sigurisht i gjithë informacioni i gabuar që u dha brenda emisionit, në fillim më dha ndjesinë që zgjidhja e vetme për t'i çuar gjërat në vend ishte gjyqi, por pasi reflektova me veten kuptova që gjithë këtë histori ta mbyll me shprehjen biblike, “Zot fali, se s'dinë ç’ka bajnë”!