GENC DEROMEMAJ,kandidat i Opozites per Bashkine Vlore (Interviste)
Zoti Deromemaj, kryeministri Rama ju ka quajtur dje, gjatë përmbylljes së fushatës së kandidatit të majtë në Vlorë, si ‘jurist me diplomë Kristali’…
Profesioni im është inxhinier. Për këtë jam diplomuar, dhe në këtë fushë e ushtroj aktivitetin. Nuk e kam fshehur, është e shpallur publikisht në biografinë time, edhe diploma ime e dytë për Drejtësi në një universitet tashmë të mbyllur. Unë e kam frekuentuar atë shkollë të lartë, edhe për faktin se drejtohej nga një prej juristëve më të mirë në vend, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Gjithashtu, edhe për faktin se gjatë përvojës me kompaninë time inxhinjerike, kuptoja se sa e domosdoshme ishte njohja e ligjeve. Kjo ka ndodhur kur kam qenë në të njëzetat e mia, dhe më vjen mirë që e kam patur këtë interes dhe jam investuar për të. Z. Rama harron një gjë: pse ua shan kandidatëve të opozitës një diplomë të dytë te ‘Kristali’ kur një prej këshilltarëve të tij kryesorë ka një diplomë të pare, po me atë sigël? Kryeministri mund të vazhdojë me batutat, sikur është në opozitë. Është bërë si Mari Antoneta e Francës, së cilës, kur i thanë se ‘populli nuk ka bukë të hajë’ u përgjigj ‘le të hanë kek’. Në Vlorë ka shumë njerëz që marrin bukë e ushqime me lista, që nuk kanë bukë të hanë, dhe kryeministri thotë: le të hanë batutat e mia.
Kush është Genc Deromemaj përtej kësaj kontradikte me kryeministrin?
Jam lindur dhe rritur në Vlorë. Kam mbaruar gjimnazin Halim Xhelo dhe më pas studimet universitare për Inxhinjeri hidroeknike. Jam 32 vjec dhe drejtoj një biznes konsulence dhe projektesh në ndërtimtari. Jam i martuar me Anilën, gjithashtu nga Vlora, që ka mbaruar për Shkenca Sociale dhe punon si punonjëse sociale. Kemi një djalë, Jonin, 5 vjec dhe presim një tjetër një javë pas zgjedhjeve. Kjo është shkurtimisht biografia ime. Besoj në Zot, besoj te familja, besoj te qyteti im, besoj te njerëzit dhe mendoj se te ata më shumë gjen të mirën se të keqen. E keqja është një reagim nga e keqja, dhe jo gjendje e njeriut.
Ju keni një rival në këtë garë për bashkinë e Vlorës, Dritan Lelin e PS. A mund të na thoni dicka edhe për të?
Është edhe një zotëri tjetër në garën e Vlorës. Quhet Vasil Bedinaj, dhe kandidon si i pavarurr. Ai po bën garën e tij, edhe pse vëmendja është përqendruar te kandidatët e dy forcave kryesore. Sa i takon rivalit të Rilindjes, unë kam përshtypjen se jam në garë me Koco Kokëdhimën, Edi Ramën, Mirela Kumbaron, Artan Lamen e një shpurë ministrash e drejtorësh që vijnë nga Tirana me artileri të rëndë e premtime për ‘vepra të mëdha’ që do bëjnë në Vlorë. Më vjen për të qeshur se aty kanë qenë, mund t’i bënin këto ‘vepra’. Premtimet kanë zënë ndryshk dhe vlonjatët nuk i besojnë më, por Vlora është qeverisur nga e majta që nga viti 1997. Në këto 18 vite, edhe pushtetin qendror në Tiranë e ka patur e majta për plot 10 vjet. Pyetja ime dhe e vlonajtëve është: ku janë veprat e mëdha?!
I dëgjoj me habi kur vijnë e rrahin shpatullat e vlonjatëve dhe gjokset e tyre me oferta të pabesueshme, dhe harrojnë problemet e së përditëshmes, që janë në fakt ‘vepra të mëdha’. Ata, le të flasin për gënjeshtrën e radhës, unë do të flas për ujin e pijshëm që mungon, për ujrat e zeza që kanë plasur rrugëve, për ndricimin që qyteti ynë nuk e ka, për kanalizimet e pabëra, për vijëzimet në rrugë, për semaforët e munguar, e gjëra të tjera si këto. Unë këto shoh si probleme të Vlorës, dhe me këto do të merrem. Kandidati rival është duke bërë gabimin e rënies në fushatë kombëtare, edhe pse Vlora këkron një zgjidhje lokale. Shumë thonë se kjo vjen ngaqë nuk e njeh Vlorën, nuk ka jetuar këtu. Nuk mund ta fajësoj për mungesën, por gjatë saj, Vlora ka kryer një universitet premtimesh të pambajtura dhe direktivash nga Tirana.
Vlora është megjithatë një bastion i së majtës, gara, me gjithë këto ‘cene’ që i vishni kandidatit rival nuk do jetë e lehtë …
Në dhjetëra intervista që kam dhënë për gazetat dhe tv-të e Tiranës e të Vlorës, ma thonë këtë përshypjen për Vlorën si ‘bastion të së majtës’. Dhjetëra herë jam përgjigjur me të njëjtën fjali dhe do ta përsëris: Vlora është një bastion i vlonjatëve, jo i të majtëve.
Unë e kërkoj shkakun e humbjes së të djathtës në Vlorë, jo te vlonjatët, por te e djathta. Nuk jam nga ata që fajësoj popullin për zgjedhjet që bën. Kam përshtypjen se, herë pas here, oferta jonë nuk ka qenë e duhura. I jemi ofruar Vlorës ideologjikisht dhe politikisht, ndërkohë që duhet t’i ishim ofruar njerëzisht. Duhet të dalim nga sindromi i të parit të një beteje politike në shekullin 21, sikur bëhet fjalë për përplasjen partizanë-ballistë të viteve ’40. Janë shumë pak ata që votojnë për një përballje të tillë në Vlorë. Janë kryesisht të brezit të vjetër, por unë nuk dua që në emër të kësaj pakice të ndërtojmë një ofertë që largon moshë e mesme dhe rininë. Apo gratë dhe vajzat. Në këtë kuptim, unë kam kërkuar dhe kërkoj votën edhe të të majtëve, sepse kam shumë miq e shokë mes tyre. Madje unë nuk i ndaj dot vlonjatët në të majtë e të djathtë, kur ulem në kafe me ta, nëpër dasma, kur bëjmë krushqi, kur shkojmë në stadium për të ndjekur Flamurtarin, kur kujtojmë se sa krenarë na bën ende Flamurtari për përballjen e madhe me Barcelonën; kur përmbyten fshatrat e Vlorës, kur vdes një njeri i dashur, dhe ne si vlonjatë, shkojmë të kryejmë respektet tona, e kështu me radhë. Ky është shpirti i përditshëm i Vlorës. Është ‘përtej të majtës e të djathtës’ për të pëdorur një shprehje të parapëlqyer të kryeministrit Rama. Nganjëherë, e djathta në Vlorë është përpjekur dhe ka bërë fushatë duke identifikuar një armik imagjinar dhe duke iu vënë pas atij ‘me gurë në trastë’ si i thonë. Ky armik ka qenë shpesh i identifikuar si ‘komunistët’. Mendoj se Vlora e ka kapërcyer këtë formë mendimi. Nuk ka komunistë e ballistë, të djathtë e të majtë, ka vlonjatë që kërkojnë një dalje në shekullin e 21 për qytetin e tyre. Kërkojnë që Vlora të jetë një markë në Mesdhe, të jetë një destinacion turistik i preferuar, që jeta në qytet të jetë e sigurt, me aktivitete sportive e kulturore, kërkojnë që kafenetë të mos jenë më fole të pëherëshme. Këto janë zgjidhjet që duhet të ofrojmë, dhe jo të vihemi përballë si gorilla politike dhe të cjerrim gjokset derisa njërit t’i dalë gjak rozë, e tjetrit gjak blu. Nëse e vutë re, në pyetjen më lart unë nuk e kritikova rivalin në terma politikë, por në terma të konceptit dhe alternativës së tij (të munguar) për Vlorën.
Në Vlorë deputet i parë është kryeministri Edi Rama. Si ndikon prania e tij dhe e faktorit ‘qeveri’ në fushatë…
E konsideroj një plus që kryeministri Rama është deputeti i parë i Vlorës. Nuk u besoj shumë, dhe i marr me rezerva, më shumë si batuta fushate, ato që thotë nëpër takime elektorale, sa në veri e sa në jug, ‘mos votoni për kandidatë e djathtë; se do u lë pa ujë, fonde e të tjera”.
Nëse flasim për atë që ndodh aktualisht, dhe jo atë që mund të ndodhë nesër, më duhet të them se kryeministri e ka lënë kandidatin e tij pa fushatë. Një arsye pse e them këtë ka të bëjë edhe me faktin se kandidati i Rilindjes, nuk ka paraqitur ende një platformë për Vlorën. I është shmangur ftesave për debate nga disa organizata dhe qendra rinore në qytet. I është shmangur inervistave në media, kur pyetjet kishin të bënin direkt me programin e administrimit të Vlorës. Kur del në media, e bën vetëm për momentet e lehta: si kam jetuar në Sazan, si kam ikur në Itali apo zhvendosur në Tiranë, si e kam patur shtëpinë ngjitur me Bashkinë etj. E kam ftuar dhe e ftoj në debat, jo që të kreshpërohemi si gjelat, por që vlonjatët të na dëgjojnë e të kuptojnë se cili ka një alternativë më të sigurt, një program më të vërtetë, një ofertë për ndryshimin.
Në mungesë të tij, fushatën në Vlorë e kanë bërë sipas radhës, kryeministri, ministrat, drejtorët nga Tirana apo nga Vlora. Nëse Vlorën do ta qeverisin nga Tirana, unë u bëj thirrje vlonjatëve të kenë kujdes nga kjo.
Nuk e di se c’informacione kanë mbërritur në Vlorë, por këtu në Tiranë, z. Leli e dinë si mjek të Koco Kokëdhimës, dhe emrin e lobimin për të qenë ai kandidat i Rilindjes në Vlorë, e ka bërë pikërisht ky deputet i qarkut të Vlorës…A është ky perceptim edhe në Vlorë?
Sic e thashë edhe më lart, nuk dua të merrem me profilin ‘intim’ të rivalit. Vlonjatët i kanë ato informacione që duhet të kenë dhe i dinë gjërat që duhet të dinë. Por, Vlorën nuk e japim!
Cilat janë shtyllat kryesore të programit tuaj për Vlorën?
Turizmi. Një rikonceptim i tij. Synimi im është që turizmi të jetë gjithëvjetor dhe jo sezonal. Vlora i ka resurset, i ka burimet njerëzore, duhet vullnet së pari, dhe t’i rrish punës në kokë, së dyti. Me hartën e re administrative, Bashkia e re e Vlorës fillon në grykderdhjen e Vjosës dhe mbaron lart në Llogara: ka qytetin në mes me historinë dhe kulturën, ka Orikun e lashtë, ka Karaburunin dhe Sazanin, ka Lagunën e Nartës dhe Kaninën. Ka shumë gjëra për të bërë në Vlorë gjatë gjithë vitit. Ne do të përqendrohemi te ngritja e një infrastrukture serioze të turizmit, me një Vlora City Tour dhe Vlora Sea Tour, me infopointe në pika të rëndësishme në qytet, pa harruar marketingun e Vlorës, brandimin e saj, të kthyerit e Vlorës në markë. Dua të sqaroj pak se cfarë është Turi i Qytetit dhe Turi i Detit (Vlora City and Sea Tours). Bëhet fjalë për një seri autobusësh dhe anijesh të vogla, që bëjnë me orare të përcaktuar sipas sezonit, xhiron e gjithë zonës, nga Vjosa e deri në majë të Llogarasë, duke futur këtu destinacionet detare: Sazan, Karaburun, Nartë, Orikum etj. Në këtë hartë të plotë e të re tursitike të Vlorës, do të futen vendbanimet antike e mesjatere, objektet e kultit dhe ato të trashëgimisë kulturore, vendbetejat e famshme të Cezarit e Pompeut, nga Orikumi e deri në Shtegun e Cezarit. Përfitimi është i dyfishtë, sepse për këto Ture duhen kapacitete njerëzore, dmth hapen vende pune, por edhe tërhiqen turistë të rinj. E kam fjalë këtu për turizmin kulturor, që është shumë i zhvilluar në Europë dhe Amerikë. Nëse mund të krijojmë burime të ardhurash shtesë për qytetin, pse të mos e bëjmë?
Keni folur vazhdimisht për ulje taksash…
Dhe, do t’i ulim. Është pjesë e planit dhe programit tonë që të shtojmë fleksibilitetin për të mundësuar elasticitetin dhe mundësinë e biznesit që të lëvizë në hapësira fiskale të pabllokuara. Duke ulur taksat, do fusim në sistem më shumë taksapagues, që aktualisht janë jashtë sistemit për arsye që i merrni me mend, besoj. Kjo i jep përgjigje edhe shqetësimit ‘se do zbrazet arka e Bashkisë po të ulen taksat”.
Jam zotuar gjithashtu se do të rimbursoj me 35 mijë lekë faturat e energjisë të familjeve në nevojë. Gjithashtu do të ristrukturoj databazën e familjeve që marrin ndihmë ekonomike. Do të fus në sistem ata që janë përjashtuar padrejtësisht, dhe do të nxjerr ata që janë futur abuzivisht. Jo më ndihmë ekonomike për njerëz që vijnë ta marrin ndihmën me Benz.
Cilat janë hallet kryesore dhe potencialisht të zgjidhshme në afat të shkurtër të banorëve të Bashkisë Vlorë?
Kam takuar banorë të Rajonit nr. 2 në Vlorë para disa ditësh. Dua të pëmend shkurt se cilat ishin kërkesat dhe shqetësimet e tyre: kanalizime, ujë të pijshëm, ndricim të rrugëve. Kaq. Këto, përvec papunësisë, janë hallet kryesore të Vlorës që kërkojnë zgjidhje të menjëhershëme dhe mendoj se janë gjithashtu të zgjidhshme në afat të shkurtër. Problemi i fushatave elektorale dhe i qeverisjes lokale, mendoj, është përqendrimi te premimet e mëdha dhe ‘industria e rëndë’. Niset një projekt, në dukje madhështor, i cili nuk mbaron as në katër vjet dhe as në tetë, ndërkohë që njerëzit lihen pa gjërat ‘e jetës’. Në vend të ‘zgjidhje të reja, zgjidhje të mëdha’, unë preferoj ‘zgjidhje të reja, zgjidhje të vogla’, domethënë ato që prekin drejtpërdrejt jetën e përditëshme të qytetarit. Por. mos harroni: këto zgjidhje të vogla, në thonjëza, janë në fakt kryevepra. Sepse i kthejnë të përditshmen pa mungesa banale qytetarit dhe rrjedhimisht dinjitetin.
Më lejoni të shtoj dicka sa i takon punësimit. Një gazetar, në një intervistë, ngulmonte që unë t’i jepja një shifër për vendet e punës që do të hap. Sa? me thoshte. 7 mijë? 20 mijë? Isha gati t’i thosha 300 mijë, por nuk desha të kthej në shaka një gjë kaq serioze. Nuk premtoj vende pune në shifra tallëse për qytetarin. Zotohem se do krijoj lehtësira për biznesin dhe projektet e tij; do të zhduk abuzimet në sistem, do të inkurajoj sipërmarrjen e lirë dhe private; nuk do ta zmbraps biznesin me tarifa nën dorë e mbi dorë. Të bëhemi seriozë: pushteti, as qendror dhe as lokal, nuk hap vende pune. Ai bën politika punësimi. Kush jep një shifër për vendet e punës që do hapë është duke ju gënjyer. Nëse doni një gënjeshtar, ky nuk jam unë.
Bashkia e re e Vlorës është zgjeruar me komuna. A mendoni se kjo shtrirje e re do t’a vështirësojë administrimin e qytetit dhe fshatit njëkohësisht?
Unë preferoj ta shoh si lehtësim, jo si vështirësim të punëve. Vlora nuk merr vetëm hapësira dhe problematika për të administruar, por edhe burime natyrore e njerëzore. Sa i takon fshatit, unë do të instaloj në bashkinë e re një nënkryetar të Zonave rurale dhe Bujqësisë, që do të merret ekskluzivisht me fshatin. Dua të ndërtoj një urë drejt një populate, që është po aq numerike sa e qytetit dhe menaxhon burime të paimagjinueshme natyrore e agrikulturore.
Në rast fitoreje, a shihni vështirësi për bashkëpunimin me një qeveri qendrore të krahut kundërshtar?
Nuk shoh vështirësi, sepse besoj se Shqipëria, si në nivel qendror dhe lokal, duhet të qeveriset me ligje dhe kushtetutë, jo me anime politike. Ka një ligj për pushtetin vendor dhe unë do të kem busull atë. Por, dua të them se nuk do të ketë përpjekje nga ana ime për ‘qëndresa’ apo ‘krenari’ të kota me qeverinë qendrore. Unë e shoh të mundur partneritetin me qeverinë qendrore. Nëse ky partneritet nuk ngrihet, do të thotë se njëra palë nuk ka në zemë interesin e qytetarit. Qytetari, më besoni, arrin ta identifikojë se cila palë.
A ka patur sondazhe në Vlorë për pritshmëritë e rezultatit të zgjedhjeve?
Një anketë e gazetës suaj, Koha Jonë, më nxjerr fitues. Ne kemi bërë sondazhet tona dhe mund të them se sipas tyre Vlora duket larg prej të qenit bastion i një pale. Jemi optimist dhe ky optimiëzn na shtyn drejt një axhende kaq të ngjeshur, takimesh, intervistash, debatesh. Sigurisht, na duhet të punojmë shumë me të pavendosurit dhe të kemi një ofertë për ta.
Në rast se fitoni më 21 qershor, cili është problemi më akut, në listën e prioriteteve në Vlorë…
Do t’ia filloj me 50 metra tub që lë pa ujë një lagje të tërë mbi Kala. Ka shumë ‘vrima’ të tilla të zeza në Vlorë. Kam një listë të plotë të këtyre halleve, që i kam mbledhur nga dëgjesat e ankesat e banorëve lagje më lagje e fshat më fshat. Do të ketë një aksion 100 ditor me një Grup Special Pune që do merret me gjërat e prekshme dhe të përditshmërisë së njerëzve: uji i pijshëm, ujrat e zeza, pastrimi, shpluhurosja e qytetit, sepse të vish në Vlorë të mbyt pluhuri, ndricimi i rrugëve, kanalizimet etj.
Për ta mbyllur: përse duhet t’ju votojnë zgjedhësit?
Dua t’ju bëj një pyetje vlonjatëve, të majtë, të djathtë, të pavendosur e të pavarur: A duhet të votojmë një kandidat ‘të prodhuar’ në Tiranë, apo një përfaqësues të tyrin? Një vlonjat që mund të punonte gjetkë, por zgjodhi të punonte, jetonte e të ngrinte famije në Vlorë, në qytetin e tij. Të qeverisurit është edhe llogaridhënie. Kujt do t’ia kërkojmë llogarinë nëse kryetarin e kemi të telekomanduar nga qendra? Qendrës? Qendra vjen në Vlorë vetëm kur ka fushatë.
Të flasësh për veten është vështirë, por shpresoj që vlonjatët të kenë parë te unë qëllimet e mira. Rininë time si aset, energjinë time si shtysë për punë, vullnetin tim për t’i ndryshuar gjërat.