Ilir Meta ne nje rrefim te gjate tek Sokol Balla

 

Sokol Balla– Jemi në fillim të javës së dytë të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 2015-s.

Si fillim, ju kërkojmë ndjesë për këtë vonesë në fillimin e transmetimit, sepse bëhet fjalë për fushatë, por edhe për politikë normale, zhvillimet e parlamentit, të cilat kanë mbaruar disi me vonesë!  Fajtorin  kryesor për vonesën e emisionit e kam të ftuar sot, Kryetarin e Kuvendit, zotin Ilir Meta!

Zoti Meta, faleminderit që jeni këtu!

Ilir Meta– Më takon mua t’u kërkoj ndjesë të gjithë telespektatorëve tuaj, sepse ishim në një proces votimi, të cilin nuk mund ta ndërprisja! Kështu që ju kërkoj shumë ndjesë!

Sokol Balla– Pse nuk ia latë nënkryetarit të ri, zotit Idrizi?

Ilir Meta– Sepse nuk mund ta ndërprisja procesin e votimit, kjo ishte e vetmja arsye.

Sokol Balla– Zoti Meta, dua ta filloj me takimin e fundit rajonal në Tiranë dhe, natyrisht, me vizitën historike, të parën të një Kryeministri serb, pra Aleksandër Vuçiç, të cilin e takuat edhe ju. Madje shkaktuat edhe ju vetë shumë debate, sepse gjatë shtrëngimit të duarve mbrapa kishit pikturën  e Isa Buletinit.

Ilir Meta– Isa Buletini ka qenë aty që ditën kur unë kam filluar takimet dhe aty do të jetë gjithmonë. 

Sokol Balla– Kam hall se mos pala serbe ose shtypi serb jua merr për provokacion.

Ilir Meta– Absolutisht.

Sokol Balla– Si e vlerësoni këtë vizitë?

Ilir Meta– Mendoj se është një vizitë shumë e suksesshme, sepse për herë të parë një Kryeministër i Serbisë vjen në vendin tonë.

Së dyti, mendoj se ka dhënë mesazhe mjaft pozitive për të gjithë rajonin, edhe për BE-në dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Edhe reagimi i komisionerit Hahn në emër të BE-së, që e vlerësonte këtë vizitë, tregon qartë se Shqipëria dhe Serbia ndiejnë përgjegjësi për të ardhmen e tyre e të gjithë rajonit dhe kanë vendosur të bashkëpunojnë ngushtë.  Më pas, temat që dihet se janë delikate, mbeten, por interesat janë shumë më të mëdha dhe janë interesa që i takojnë të ardhmes së dy vendeve dhe gjithë popujve tanë.

Sokol Balla– Zoti Rama është Kryeministri i parë që ka shkuar në Beograd pas shumë viteve. Në fakt, zyrtari i parë i lartë që ka shkuar në Beograd keni qenë ju në vitin 2002, si zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, madje kam pasur fatin të jem në atë vizitë bashkë me disa kolegë të tjerë. Megjithatë, në atë kohë, po të përdorim një zhargon jo keqdashës, por për humor, zoti Rama luante me peta për sa i përket politikës së jashtme në korridoret e bashkisë. A jeni i lumtur apo i palumtur që tashmë ky rol juaji në politikën e jashtme është zbehur disi?

Ilir Meta– Unë jam shumë i lumtur që kemi një stad të ri të marrëdhënieve me Serbinë. Duhet të ishim shumë më të avancuar, pasi përpjekjet kanë qenë prej kohësh të tilla dhe duhet të çlirohemi nga komplekset dhe nga përpjekjet për t’i orientuar marrëdhëniet sipas interesit të lajmeve më bombastike të ditës që kërkon shtypi, sepse sot ka ikur koha ku konkurron Shqipëria me Serbinë, ku konkurron Shqipëria me Maqedoninë, sot konkurron Ballkani me rajonet e tjera në botë, sepse bota është globalizuar. Në rast se Serbia ka probleme, ka vështirësi apo ndodh një situatë problematike, siç ishte rasti i Maqedonisë në Kumanovë, është problem për të gjithë Ballkanin. Pra, menjëherë të gjithë do të krijojnë mendimin se nuk mbetet Maqedonia në fund fare në mendjen e një gjermani, amerikani apo të një kinezi, por Ballkani. Atje në Ballkan ka diçka dhe kjo i cenon të gjitha vendet. Kështu që, besoj se ne po ndërgjegjësohemi që e ardhmja jonë, në radhë të parë, një e ardhme më e mirë do të thotë një ekonomi më e mirë, kërkon siguri, kërkon paqe, kërkon një imazh tjetër dhe këto janë në funksion të kësaj gjëje.

Së dyti, duhen projekte konkrete, që përmirësojnë infrastrukturën midis vendeve tona. Jam shumë i kënaqur që kompania që filloi linjën direkte Tiranë-Beograd, nga tri herë në javë tani është bërë çdo ditë. Kjo tregon se ka interes, ka komunikim dhe do të ketë marrëdhënie.

Marrim rastin e Shqipërisë me Malin e Zi. Shqipëria dhe Mali i Zi, para se të hiqeshin vizat, kishin pak a shumë të njëjtat marrëdhënie që ishin dikur me Serbinë, sepse për ne ishte e njëjta gjë. Komunikimi i jashtëzakonshëm që u krijua në këto më shumë se 15 vjet i ka bërë marrëdhëniet e Shqipërisë me Malin e Zi të shkëlqyera, por edhe marrëdhëniet e shqiptarëve me malazezët po të tilla dhe interesi është gjithmonë shumë i madh. Nuk fitojmë asgjë nga sherret dhe konfliktet. 

Sokol Balla– Është e vërtetë.

Në fakt, roli i ri i protagonistit të Shqipërisë në Ballkan…

Ilir Meta– Duhet qetësi dhe dashuri edhe në rajon.

Sokol Balla– Pikërisht këtë desha të thosha, meqë ju karakterizoheni nga këto epitete edhe në politikën tuaj si parti dhe si lider politik.

Ky rol protagonisti i ri që ka marrë ekzekutivi apo maxhoranca e re e shtetit shqiptar, shqiptarët i bën entuziastë, por ama shohim që krijohen tensione, siç u krijuan gjatë vizitës në Beograd, por edhe fërkimet e fundit me Greqinë. Pra, fakti që Tirana i tërheq vëmendjen Greqisë dhe thotë: pse po kontrollon, ku po kontrollon, incidentet që ndodhën me largimin Dules dhe me ardhjen e Idrizit si nënkryetar Kuvendi, paralajmërimi i Athinës se po degradoni,  në njëfarë mënyre mos duket se po luhet pak rrezikshëm me këto terma, jo më shumë nga ju sesa nga Kryeministri Rama?

Ilir Meta– Nuk duhet të ndikohemi shumë nga reagimet e ditës, të cilat gjithashtu duhet t’i kontrollojmë të gjithë. Marrëdhëniet e Shqipërisë dhe të Greqisë janë të një interesi strategjik për të dyja vendet dhe për të dy popujt tanë. Në këtë drejtim, natyrisht që herë pas here ka një mospërputhje interesash. Për shembull, kemi rastin e ujërave të lumit Vjosa. Në këtë rast nuk kemi asnjë problem me Greqinë, por mendoni se çfarë do të bënin ambientalistët dhe Sazan Guri, përveç gjithë shqiptarëve që jetojnë në luginën e Vjosës, në rast se do të dëmtoheshin interesat e tyre, të cilat nuk janë vetëm të tyre, por edhe publike. Për këto gjëra ka marrëveshje ndërkombëtare, ka komisione të përbashkëta, sepse do të shohim interesin tonë, do të shohim edhe interesin e fqinjit tonë përderisa këto janë edhe pasuri të përbashkëta. Kemi rastin e detit. Edhe për këto çështje ne kemi Gjykatë Kushtetuese, ata kanë institucionet e tyre, por ka edhe institucione ndërkombëtare, të cilave duhet t’u referohemi kur kemi një mosmarrëveshje. Natyrisht, nuk janë këto që do ta dominojnë axhendën tonë, ne kemi shumë fusha bashkëpunimi dhe marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë janë shumë të ngushta, dhe marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe grekëve janë gjithashtu shumë të ngushta, sepse kemi gati 25 vjet që jetojmë bashkë, jetojmë të mirat dhe vështirësitë e secilit.

            Sokol Balla – Zoti Meta, meqë ra fjala te nënkryetari i ri i Kuvendit, PBDNJ-ja është brenda apo jashtë koalicionit, pasi dimë vetëm që zoti Dule ka dhënë dorëheqjen?

            Ilir Meta – Unë mendoj që PBDNJ-ja është brenda koalicionit dhe unë shpresoj që zoti Dule ta rishikojë deklaratën e tij për dorëheqje, pasi zgjedhja e zotit Idrizi nuk ka qenë përjashtuese për zotin Dule, secili ka vendin e vet.

            Sokol Balla – Zoti Meta, PDIU-ja, FRD-ja, PDK-ja, një koalicioni të konsoliduar të majtë pse i duhet një zgjerim kaq i madh dhe një humbje e boshtit ideologjik?

            Ilir Meta – Shiko, boshti i vërtetë ideologjik është vetë orientimi i këtij koalicioni si Aleancë për Shqipërinë Europiane, kështu që në këtë drejtim mendoj që një përfshirje gjithnjë e më e larmishme nuk e zbeh këtë orientim, përkundrazi e përforcon, dhe unë shpresoj që gjithçka të vijë duke u stabilizuar edhe në raportet midis partnerëve tanë të mundshëm.

            Sokol Balla – Zoti Meta, keni një dekadë nga viti 2005 e këtej që direkt apo indirekt në mënyrë aktive apo pasive ndikoni në drejtimin politik që merr vendi, flas për vitin 2005 kur përçarja e të majtës ishte një faktor, të themi, kryesor ose nga më kryesorët të rikthimit të së djathtës në pushtet; ribashkimi me PS-në në vitin 2007 solli fitoren në qytetet kryesore përfshirë edhe kryeqytetin. Në vitin 2009 dihet se katër votat tuaja mbajtën të djathtën në pushtet, për të mos thënë që lanë të majtën në opozitë. Në vitin 2011 gara për Tiranën, dhe jo vetëm, u përcaktua nga votat e LSI-së, dhe të gjithë e dimë  tashmë që bashkimi i të majtës në vitin 2013 ishte faktori predominant i rikthimit të saj në pushtet. Nuk keni frikë se ky lloj zgjerimi, që nuk e di se nga kush po kërkohet në koalicion nga zoti Rama apo nga ju, mund t’jua rrezikoj këtë kartë për zgjedhjet e ardhshme apo qoftë edhe për këto zgjedhje, pra ta humbni atë vlerën e king maker-it që keni pasur?

            Ilir Meta – Absolutisht, unë kam qenë gjithnjë partizan i zgjerimit të koalicionit, sepse na është dashur të ndërmarrim disa reforma të rëndësishme, do të na duhet edhe në të ardhmen. Reforma administrative territoriale mund të ishte shumë e vështirë për t’u realizuar pa kontributin e PDIU-së, nuk duhet ta harrojmë këtë fakt, dhe në këtë drejtim mendoj se zgjerimi dhe konsolidimi i koalicionit e fuqizon maxhorancën në rrugën e saj të reformave.

            Sokol Balla – Zoti Meta, disa sondazhe, jo vetëm një, e nxjerrin LSI-në sërish në përqindje me një shifër, 7%, 8%, 9%, ndërkohë që në zgjedhjet e fundit përqindja juaj ka qenë me dy shifra dhe goxha e lartë. Ju vetë keni sondazhet tuaja apo?

            Ilir Meta – Sigurisht që unë kam sondazhet e mia…

            Sokol Balla – I besoni këto që kanë dalë deri tani?

            Ilir Meta – Natyrisht që unë nuk besoj asnjë nga sondazhet që kanë dalë, sidomos në raport me LSI-në, sepse ka një tendencë në të gjitha sondazhet që jepen ka një përpjekje për të ulur realisht peshën e LSI-së, por, në fakt, kjo nuk ka asnjë ndikim te votuesi, për votuesin ka rëndësi mesazhi që jep një parti, nuk ka rëndësi se çfarë thonë të tjerët për të.

Meqenëse jemi te loja e sondazheve, të cilat do t’i shikojmë në datën 21 qershor, dhe unë do t’ua jap të sakta përpara se ato të dalin, siç shpresoj, jua dhashë edhe më 23 qershor rezultatin para se të hapeshin kutitë, shpresoj përsëri, por dua t’ju them që të mos harrojmë një gjë që sondazhet këtu janë bërë fare qesharake, siç ishte një sondazh para zgjedhjeve të vitit 2013, i cili kishte edhe një emër të madh Fondacioni “SOROS”, sondazh që e nxirrte LSI-në 2%, që e nxirrte PD-në shumë përpara Partisë Socialiste e ku di unë, dhe disa parti të tjera relativisht shumë më modeste, shumë më mirë. Pra, nuk ka asnjë vlerë kjo gjë, unë sondazhin e bëj çdo ditë në komunikim me njerëzit dhe pa dyshim që ndihem shumë mirë, kështu që ajo 7 apo 8 duhet shumëzuar, por se sa herë duhet shumëzuar, këtë gjë nuk e di.

            Sokol Balla – Ju zakonisht jeni i njohur se keni vënë baste publike lidhur me rezultatin e partisë tuaj. I vetmi gabim që keni bërë në sasi, por jo në cilësi, ka qenë ai i vitit 2009 kur thatë që do të fitonit 40 mandate dhe fituat 4, por në fakt vlera e tyre ishte sa për 40-të. Keni ndër mend të vini ndonjë bast publik kësaj radhe?

            Ilir Meta – Ka qenë 4 me të reja ndoshta.

            Nuk kam ndër mend të vë bast për 21 qershorin, për arsye sepse i shikoj si zgjedhje fare normale dhe angazhimi ynë edhe i imi është fare modest. Ne u japim prioritet kandidatëve tanë në këto zgjedhje, sepse ata do të votohen në radhë të parë, natyrisht, kur flas kandidatët, jo kandidatët për kryetar bashkish, por edhe kandidatët për këshilltarë, sepse marrin një rol shumë të rëndësishëm, do të jenë praktikisht parlamentarë në nivelet vendore dhe ne i shohim si zgjedhje vendore, edhe unë personalisht kështu i shoh si zgjedhje administrative, pavarësisht se opozita përpiqet t’i politizojë në mënyrë ekstreme dhe të panevojshme.

            Sokol Balla – Kanë filluar disa incidente, disa tensione.

            Ilir Meta – Nuk e di se çfarë mund të quajmë incident, por incidente mund të ndodhin çdo ditë, por kam përshtypjen që ka një tendencë për të fabrikuar dhe për të ekzagjeruar incidentet që mund të ndodhin, siç ishte, fjala vjen, incidenti në Ersekë apo jo, ku një njeri me një gjendje jo normale vete atje dhe konfliktohet me një njeri tjetër aty dhe paraqitet sikur kjo ishte bërë një skemë e madhe në Tiranë për të goditur zotin Basha, gjë qesharake, ndërkohë që policia reagoi menjëherë, e ndaloi personin, i cili është dënuar dhe është në proces gjyqësor. Askush nuk ka  interes për të bërë gjëra të tilla as atje dhe asgjëkundi tjetër. Ka pasur një rast në Shkodër, me vëllanë e kandidatit në Vaun e Dejës, një polic, është pretenduar se është qëlluar me armë, pa armë, janë marrë masat nga ana e ministrit të Rendit, është hapur çështja nga prokuroria, është larguar ky person nga drejtoria e Shkodrës, në mos gaboj, është interesuar vetë ministri, Kryeministri, por këto janë gjëra, të cilat nuk kanë të bëjnë me vullnetin e maxhorancës për standardet më të mira të zgjedhjeve, gjë  që unë  tregoj  në mënyrën më të mirë dhe qëndrimin që ne mbajtëm për KQZ-në,  i cili ishte i ndryshëm nga ai i zotit Berisha. Zoti  Berisha para zgjedhjeve të vitit 2013 bëri një skandal të madh, duke  provokuar një tension të  panevojshëm. A ndërroi një anëtar të KQZ-së në mënyrë antikushtetuese, edhe pse u paralajmërua nga  ndërkombëtarët. Ka një raport të ODHIR-it që kjo është shkelje e ligjit dhe ne mund ta shfrytëzonim këtë në mënyrën më  normale,  për të thënë që  ne nuk po bëjmë gjë tjetër, veçse po rregullojmë këtë shkelje të ligjit që u bë  dhe po rregullojmë raportin, por ne nuk kemi  asnjë interes për të cenuar besimin te zgjedhjet e lira të qytetarëve  shqiptarë. Ato nuk  janë zgjedhje që do t’i vendosin as KQZ-ja, as komisionet. Ato janë zgjedhje që do t’i vendosin shqiptarët.

Tjetra që  dua të them, është se këtu ka një transparencë maksimale. Të gjithë ne jemi të monitoruar  gjithë ditën: kandidatët, partitë dhe të gjithë, nga mediet, nga  celularët, nga smartfonët, nga gjithçka. Incidenti më i vogël po të ndodhë,  menjëherë ai  bëhet publik dhe është presioni i opinionit i cili i detyron institucionet dhe politikën të veprojnë në çdo rast.

Sokol Balla– Kjo është pozitive.

Ilir Meta– Kjo është shumë pozitive. Nuk ka lidhje fare me zgjedhjet dhe këto janë  zgjedhjet më të qeta që janë bërë ndonjë herë në vendin tonë, me përjashtim të opozitës që është e paqetë për rezultatin e zgjedhjeve. Kjo është çështje e saj.

Sokol Balla–  Kolegji Zgjedhor ka kthyer një vendim të KQZ-së  dhe ka rikthyer   kandidatin e PD-së në Kurbin, vëllanç e deputetit Fufi. A keni ndonjë koment për këtë?

Ilir Meta– Nuk kam asnjë  koment. Detyra e Kolegjit Zgjedhor është të shqyrtojë vendimet e KQZ-së.

Sokol BallaZoti Meta,

Çështja e dekriminalizimit është një  çështje, që ka  shumë mbështetje nga ndërkombëtarët, por nga ana tjetër, hap një debat  të rëndësishëm kushtetues, pasi rrezikohen të përjashtohen njerëz, të cilët nuk janë dënuar në bazë të ligjit shqiptar, por vetëm në bazë të procedurave, të cilat ose nuk janë vërtetuar për shkak se nuk ka qenë e mundur  të mblidhen prova ose janë lënë në mes. Megjithatë,  ndërkombëtarët  po ngulmojnë. Si do ta zgjidhni këtë?

OK, të jemi në rregull me ndërkombëtarët, por të jemi në rregull edhe me Kushtetutën tonë.  

Ilir Meta– Si pari,  kemi   problem se dhe ndërkombëtarët kanë standarde të ndryshme  për këto raste. Unë  kam  pasur mundësi të diskutoj edhe me  deputetin Kukan edhe me Flenkenshtajnin, kur erdhën për të diskutuar  dhe për të dakordësuar për këtë iniciativë. Edhe ata vetë janë në një pozitë të vështirë, sepse ndryshe e ka Sllovenia, ndryshe e ka një vend tjetër. Nuk mund të themi që ka një standard të unifikuar  në këtë rast.

Termi “dekriminalizim” për mua është një term jashtëzakonisht i ekzagjeruar. Është pjesë e  përpjekjeve  banale të opozitës për të dëmtuar imazhin e vendit. Këtu bëhet fjalë për  të vendosur disa standarde apo  disa filtra ligjorë, institucionalë për të  zgjedhurit publikë apo  për të emëruarit në funksione publike. Mendoj se kjo është qasja më e mirë, se është edhe konstruktive, edhe pozitive, sepse s’duhet të harrojmë që  deputetë të dënuar dhe me  probleme ka pasur kudo, ka pasur edhe në Amerikë.

Dikur solli zoti Berisha një trafikant që kishte qenë në burg, që  më shante mua  kur isha  kryeministër. Më pas  u fut  përsëri.

Sokol Balla– Ndërkohë, ka vdekur.

Ilir Meta– Kjo nuk ka rëndësi, po kudo ka probleme të tilla.

Sokol Balla– Aktualisht është në Itali një nga kandidatët kryesorë për zgjedhjet lokale.

Ilir Meta– Prandaj po them që termi  “dekriminalizim” për mua është pjesë e përpjekjeve  banale të opozitës për të dëmtuar imazhin e vendit. Këto janë probleme të njohura dhe ne jemi  gati të ngremë standardin e përfaqësimit të figurave të zgjedhura dhe të figurave publike. Jemi gati të bashkëpunojmë me opozitën, por edhe këtu opozita ka standarde të dyfishta, sepse kur gjykata dënon dikë nga opozita  për korrupsion, thotë që  kjo është politike dhe me kokëfortësi, e rikandidon. Nëse nuk ka kjo opozitë, në bastionin e vet edhe një  figurë tjetër të padënuar, kjo është një çështje e saj,  po tani hajde, ta zgjidhim ne.

Ata thonë  se do të quajmë “të  kriminalizuar” atë që mendojmë ne. 

Nëse dikush tjetër ka një fakt apo ka një proces  kundër tij dhe është yni, ne do ta konsiderojmë viktimë të politikës së dyshes oligarkike  mafioze, diktatoriale Rama –Meta.

Ne ishim të hapur, edhe zoti Balla (në mos gaboj),  kur ata morën iniciativën, doli në parlament edhe për zgjedhjet e 21 qershorit, edhe pse nisma kishte  probleme të karakterit ligjor  dhe kushtetues dhe  ramë dakord me një formulim, në rast se ata do të kishin konsensusin që të miratohej, në mënyrë  që  KQZ-ja ta kishte më të lehtë për të  mos i regjistruar njerëzit me probleme. Ata nuk pranuan, sepse u intereson kjo  gjë thjesht si refren.

Sokol Balla– Zoti Meta,

Kam vënë re një angazhim  politik, pothuajse personal tuajin  në Shkodër, përkrah kandidates Keti Bazhdari, aq sa Tom Doshi ka thënë, që të mos votohet Keti Bazhdari se është kandidaturë e LSI-së, por të votohet  Voltana Ademi.

Ilir Meta– Normal, se Voltana Ademi është e PS-së.

Së pari, angazhimi  im me Shkodrën është i hershëm. Dua të them, ndoshta pa modesti dhe pse kam qenë kryeministër në një kohë shumë më të  vështirë dhe me kufizime buxhetore dhe për një kohë shumë të shkurtër, kam marrë disa vendime shumë të rëndësishme për Shkodrën, të cilat  kanë qenë personale për shkak të shqetësimit që ky qytet dhe kjo zonë me shumë  tradita në të kaluarën,  kishte mbetur shumë e marxhinalizuar nga zhvillimi.

Rruga Lezhë-Shkodër edhe sot  nuk do të ishte mbaruar ose do të kish mbaruar para një viti,  kur mbaroi,  se  ishin  në një program kooperacioni  bashkë me rrugën Shkodër-Han i Hotit. Ishte   vendimi im që kjo rrugë të fillonte me  fondet e buxhetit të shtetit dhe është vepra më e madhe   publike  e  kryer nga  shteti shqiptar me një vlerë prej 4 miliardë lekë të reja dhe ka standarde të  jashtëzakonshme.

Shikoni rrugën që ka bërë Doktori nga Fushë-Kruja,  se është e po asaj kohe (pavarësisht se nuk i mbaroi ato urat, të cilat i  bëra unë më vonë) dhe shikoni  sa aksidente ndodhin aty. Shikoni dhe rrugën Lezhë-Shkodër, rrugën  e Velipojës,  e cila do të rikonstruktohet  dhe rrugën e Muriqanit, spitalin e ri të Shkodrës etj.

Pra, angazhimi im ka qenë i përhershëm…

Sokol Balla– Paska lidhje me Tom Doshin. Nuk ka lidhje, nuk është çështje inati.

Ilir Meta– Nuk ka lidhje me asnjë individ. Kam mbështetur fuqimisht të ndjerën Esmeralda Uruçi për kryetare bashkie në Shkodër në atë kohë.

            Sokol Balla – Keni pasur dhe ministër.

            Ilir Meta – Po, patjetër. Ministra dhe disa zëvendësministra nga Shkodra, të promovuar nga unë në atë kohë, dhe Shkodra vazhdon të mbetet  pasioni im. Kështu që kjo është një histori e gjatë dhe që do të vazhdojë me Shkodrën. Më pëlqen shumë Shkodra! Nuk ka vend më të bukur! Duhet të dalësh në Kalanë e Rozafës. Pra, gjithçka që shikon është një mrekulli.

Sokol Balla– Nuk besoj të ketë një vend që të bashkojë në një vend të gjithë lumenjtë më të mëdhenj në Shqipëri,  liqenin më të madh në Shqipëri.

            Ilir Meta – Është një gjë e jashtëzakonshme me Bunën, me Drinin, me gjithçka.

            Sokol Balla – Realisht shpresoni që do të fitojë Bazhdari atje?

            Ilir Meta – Ne kemi hyrë në garë për të fituar në të gjithë Shqipërinë, po themi, në të gjitha njësitë bashkiake. Mund t’i humbasim të gjitha, sepse kjo është demokracia. Nuk them si doktori: vetëm fitore!  Demokracia kështu e ka, por pa dyshim që kemi shumë dëshirë të fitojmë në Shkodër. Natyrisht nuk është një garë e lehtë. Unë e kam thënë dhe më parë: gara e Shkodrës është gara më e bukur. Kandidatja e Aleancës për Shqipërinë Europiane është një kandidate shumë e gjetur, shumë e suksesshme, një kandidate mjaft e re dhe njëkohësisht me shumë arritje në jetën e saj. Nuk është e lehtë në Shkodër të arrish të kesh sukses në sipërmarrje dhe të kesh me qindra punonjës, të cilëve ti u jep vazhdimisht mundësinë për të punuar, për të jetuar. T’i mbash mend 800 emra nuk i mban mend dot, pale t’u paguash pagat çdo muaj, sigurimet shoqërore e kështu me radhë.

            Sokol Balla – Zoti Meta, ndërkohë ju thoni që keni pasion të vjetër Shkodrën. Unë ju kam zbuluar, ne si gazetarë, një pasion të ri: Vorën. Është e vërtetë që jeni shefi i shtabit elektoral në Vorë?

            Ilir Meta – Vora është një bashki shumë interesante. Më erdhi për të qeshur kur thatë shefi i shtabit elektoral, se unë nuk jam as shefi i shtabit në të gjithë Shqipërinë për arsye se nuk i konsideroj këto zgjedhje si zgjedhje kaq vendimtare dhe ku unë duhet të jem patjetër në krye të këtij shtabi. Ne kemi 61 shtabe sipas 61 bashkive të reja dhe në Vorë në krye të këtij shtabi është zonja Nora Malaj, zëvendësministre e Arsimit, kjo për të shuar kuriozitetin  tuaj.

            Sokol Balla – Atëherë më shuani jo thjesht kuriozitetin, por interesin tim për një akuzë që ju bëri sot ish-nënkryetari i Partisë Demokratike, zoti Patozi. Nuk di nëse regjia na ndihmon. E kemi deklaratën e Patozit?

            (insert)

            Sokol Balla – Për ta përkthyer në fjalë më të thjeshta, akuzoheni se AKU-ja, e cila drejtohet nga përfaqësues të LSI-së, sigurisht në varësi  dhe të Ministrisë së Bujqësisë, që drejtohet nga një  ministër i LSI-së, godet pikërisht në kulm të fushatës elektorale biznesin privat të kandidatit Fiqiri Ismaili të Partisë Demokraitike. Na e shpjegoni pak këtë?

            Ilir Meta – Mund të na e kishit dhënë dhe pak më gjatë zotin Patozi, se ai tha dhe disa xhevahire të tjera. Unë duhet të përgjigjem pak më gjatë këtu, sepse është një akuzë konkrete apo jo dhe ka të bëjë dhe me standardin e zgjedhjeve e kështu me radhë. Më duhet t’ju them se për herë të parë jam njohur me këtë shqetësim që ngriti Patozi prapë nga një deklaratë që bëri zoti Patozi para disa ditësh, mbasi kishin dalë rezultatet e inspektimit. Kam parë me titra Patozin: “Meta, mafia urdhëroi bllokimin e miellit”.  Kam  pyetur ministrin e Bujqësisë për të marrë vesh se çfarë kishte ndodhur. Ai më ka thënë që kanë bërë kontrolle në disa magazina, fabrika të miellit. Në magazinat që kishte kompania e kandidatit të Partisë Demokratike në Vorë, zotit Fiqiri Ismaili, kishte miell me aflatoksinë, që është substancë kancerogjene, mielli që shkonte për furrat e bukës për qytetarët shqiptarë.  Ka qenë shumë i sigurt që gjithçka ka qenë korrekte. Më pas ka pasur një reagim nga kompania, nga Partia Demokratike. Pastaj ministria e  ka bërë të qartë se këto do t’i çojë dhe në një qendër të BE-së, jo laborator privat. Se ti mund t’i çosh në laborator privat, shkon e merr te CONAD-i jo te magazina jote dhe të thotë ajo atje që është në rregull. Por këto bëhen në mënyrë ligjore, siç e ka dhe ligji. Se më ikën këta të opozitës tani mua, se ma ngritën prapë. Nuk u mjaftuan disa sqarime që i dha zoti Patozi dhe zoti Strazimiri, dhe i thashë të priste, se do t’ia jepja edhe atij në dorë këto fotografitë që më erdhën sot. Tani, këtu është mielli i fotografuar nga AKU-ja, i  magazinave të kryetarit të bashkisë së Partisë Demokratike në Vorë, Fiqiri Ismaili, që i thonë shkurt Fiqo.

Shikoni këtu, kjo është teneqe, nuk është çati, ndërsa këto janë kartonë, nuk janë as mure. Këtu mbahet mielli. Këtu hyn breshëri, hyn shiu dhe hyn gjithçka tjetër. Shikoni edhe këtë tjetrën këtu, se çfarë standardesh ka. Ja si mbahet mielli që shkon në furrat e bukës së qytetarëve shqiptarë.

Sokol Balla– Por, zoti Patozi tha se është miell  i certifikuar në Itali.

Ilir Meta– Të lutem, të lutem! Këto janë ambientet. Nuk ka as ndriçim, nuk ka as dritë për miellin, nuk ka as ventilim, pra ajrim, dhe nuk ka asnjë standard për ta mbrojtur nga lagështia, sepse këto janë standarde për miellin që shkon në furrat e bukës për qytetarët. I kam thënë ministrit të Bujqësisë, që këto t’ia çojë edhe misionit të OSBE-ODIHR-it –  meqenëse këta përpiqen ta trajtojnë këtë si një çështje të karakterit elektoral – edhe rezultatet që do të vijnë nga Bashkimi Europian.

Cila është historia? Sepse duke gërmuar, dalim në histori të reja. Pse u bë ky kontroll? A e di pse është bërë ky kontroll tani? Sepse shërbimi informativ, përpara pak javësh, i ka dërguar ministrit të Bujqësisë – nuk desha ta thosha, por jam i detyruar, se këta po e politizojnë në mënyrë kaq ekstreme – një informacion, ku e njofton se qarkullon miell me aflatoksinë e me probleme, i ka dhënë edhe disa subjekte ku ata dyshojnë se ekziston kjo gjë, dhe ka rekomanduar që të merren masa, pra të kontrollohen subjektet që merren me tregtinë e miellit, me prodhimin e miellit, sepse ky është një problem, ngaqë ka të bëjë me shëndetin e me sigurinë e qytetarëve shqiptarë. Për këtë arsye janë bërë kontrolle dhe kanë dalë probleme te ky subjekt, kanë dalë probleme te subjekte të tjera. Kjo është një histori shumë e qartë, që nuk ka lidhje fare me faktin që ky zotëri kandidon në Vorë dhe kandidon për Partinë Demokratike. Këto i ka Partia Demokratike, kur të dojë të vijë t’i marrë. Në qoftë se ata e mbajnë miellin në shtëpinë e tyre në këto kushte katastrofike, që as kafshët s’mund të rrinë këtu, jo të rrijë mielli për njerëzit, sepse edhe kafshët kanë të drejtat e tyre, të cilat duhen mbrojtur e respektuar, se jemi në demokraci, pra në qoftë se dikush e mban miellin e vet në këto kushte skandaloze, atëherë kjo është një gjë që…

Sokol Balla– Pra, ju po thoni se letra apo paralajmërimi i Shërbimit Informativ ka ardhur në këtë kohë? Pra, nuk është një shkresë e para tri javëve apo një muaji?

Ilir Meta– Kjo ka ardhur kohët e fundit. Këtë mund ta sqaroni. Nuk dua të merrem me këto gjëra. Sepse edhe unë u detyrova të pyesja ministrin se pse u bë ky kontroll. Thashë mos, kushedi, e ka nxitur dikush.

Sokol Balla– Pra, ju nuk keni qenë në dijeni?

Ilir Meta– Se nganjëherë këto i nxit edhe konkurrenca. Nuk është puna se i nxit vetëm politika.

Sokol Balla– Patjetër, po.

Ilir Meta– Unë konkurroj me ty, shikoj se ti ke probleme, çoj një letër këtu, çoj një sms aty, e të tjera. Ideja për ta politizuar me vrap këtë, është gjë mjaft e gabuar e Partisë Demokratike. Megjithatë, unë kërkoj diçka tjetër nga ju, meqenëse ju po insistoni këtu – se pashë tani që më erdhi mesazhi.

Sokol Balla– Më tepër se po insistoj unë, po insiston opozita.

Ilir Meta– Jo, më fal, po insiston opozita.

Sokol Balla– Është një rastësi e cila duhet sqaruar.

Ilir Meta– Jo, nuk është rastësi, kam përshtypjen, sepse janë fakte këto. Fakti që ata e politizojnë tregon se kanë shqetësim të madh dhe janë kthyer në zëdhënës të një biznesi, i cili i krijon shqetësim e probleme qytetarëve shqiptarë. Ia thashë zotit patozi: mos u bëj zëdhënës i biznesit të Fiqos! Je deputet i Partisë Demokratike, bëj politikën e Partisë Demokratike! Shko takoje ministrin, kërkoji informacion dhe sqarime, përpara se të dalësh e të akuzosh Ilir Metën.

Më fal një sekondë, të lutem shumë, se më vjen nga një person shumë serioz dhe i përgjegjshëm, sipas meje.

“Të lutem – thotë – kërkoji zotit Balla, që të japë një kronikë të datës 3, 9 ose 13 shtator  të vitit 2008, të vetë televizionit Top Channel, për punën e skandalit të farës së misrit të Agro-Blendit”.

Kështu që, në qoftë se ju keni mundësi, pak më vonë komunikoni me regjinë, ju lutem, sepse është e njëjta firmë që u ka shkaktuar dëm të jashtëzakonshëm fshatarëve, duke u dhënë farë misri me OMGJ, e cila nuk nxori misër, dhe për të cilën fshatarët e hodhën në gjyq. U detyrua që një pjesë ta dëmshpërblente, ndërsa një pjesë nuk e ka dëmshpërblyer akoma, më duket.

Qoftë për hir të transparencës, sepse zoti Patozi tha se kjo s’ka pasur asnjëherë probleme. Në vitin 2008 ka qenë kryeministër Sali Berisha, nuk ka qenë Edi Rama.

Kështu që, të lutem, datën 3, 9 ose 13 shtator të vitit 2008. Dhe në qoftë se kanë ndonjë pretendim tjetër për këtë rast, ata të dalin në çdo moment me ministrin e Bujqësisë, sepse nuk besoj se ato gjëra që ministri më ka thënë mua, nuk do t’ua thotë edhe atyre.

Sokol Balla– Dakord. Në rregull, atëherë. Jemi në fund të pjesës së parë, nuk kemi kohë, por ndoshta, për t’i lënë kohë edhe regjisë…

Ilir Meta– Kohë për të hedhur akuza kemi, por kohë për t’i sqaruar s’kemi. se kështu, hidh këtu e hidh aty, hajt ti sqarojmë!

Sokol Balla– Zoti Meta, megjithatë…

Ilir Meta– T’u japim njerëzve miell me aflatoksinë?

Sokol Balla – Megjithatë, ju thashë, ndoshta është ky lloj kontrolli që mund të mos ishte bërë në mënyrë kaq spektakolare.

Ilir Meta– Nuk është bërë kontroll spektakolar. Spektakolar e bën Partia Demokratike, sepse subjektet e tjera nuk kanë bërë zhurmë, nuk kanë thënë se është politike. Këta duan ta bëjnë si politike. Le ta bëjnë. Do të dalin fakte të tjera, kam frikë, se kjo punë, sa më shumë ta gërmosh, aq më shumë probleme do të dalin.

Sokol Balla– Dakord! Në rregull.

Ilir Meta– Unë nuk kam asnjë shqetësim.

Sokol Balla – Më duhet të shkoj në publicitet.

Ilir Meta – Të lutem, ia kam thënë ministrit: të gjitha këto fakte dhe të gjitha informacionet do t’ia çoni misionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it Tiranë, sepse të gjitha këto bëhen thjesht për të cenuar imazhin e zgjedhjeve. S’kanë asnjë lidhje zgjedhjet me miellin me aflatoksinë të këtij Fiqos.

Sokol Balla– Mirë. Rikthehemi sërish, pas një ndërprerjeje publicitare, me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, zoti Ilir Meta.    

   

***

 

Sokol Balla –Jemi rikthyer në transmetim.

Kjo ishte kronika që kërkuat, zoti Meta. Në fakt, mua tani edhe më kujtohet se si …

Ilir Meta –Janë tri-katër kronika të tilla.

Sokol Balla –Po, kanë qenë tre, ka qenë një çështje që do të zgjaste katër ditë apo një javë gati. Por besoj…

Ilir Meta –Unë nuk e dija që ishte e Agro Blendit, sepse nuk ua di emrat kompanive, se kush i ka dhe sesi i ka, por është kompania e Fiqos edhe kjo e misrit.

Sokol Balla –Po, dakord. Problemi është…

Ilir Meta –Më fal!

Dhe ky është mielli që është ndaluar nga AKU-ja, që ka dalë me aflatoksinë dhe kushtet ku mbahet ky miell janë kushte skandaloze. As kashta nuk mund të mbahet, jo mielli që u shkon njerëzve te fabrika e bukës.

Sokol Balla –Me sa kujtoj unë, në vitin 2008 edhe opozita bëri një projektligj për dëmshpërblimin, por…

Ilir Meta –Më fal, por fshatarët e izolojnë kasollen edhe për kashtën që do të hajë bagëtia. Shikoje këtu miellin që ky u jep njerëzve! Shikoje në çfarë kushtesh e mban! Në qoftë se nuk është ky mielli që është ndaluar nga AKU-ja, le të thotë dhe le të vijë këtu, sepse po e pres Fiqon, po thërras edhe ministrin e Bujqësisë që ta shikojnë qytetarët shqiptarë. Dakord?

Opozita të mos bëhet zëdhënëse e bizneseve të Fiqos, të bëhet zëdhënëse e njerëzve që duan të mbrohen nga Fiqoja, nga Ilir Meta apo nga Sokol Balla, të cilët nuk respektojnë standardet as të miellit, as të misrit, siç ishin ato të fshatarëve aty.

Zoti Patosi, prandaj të thashë ta kishe lënë pak më gjatë kronikën kur po fliste, sa më shumë të flasin ata, aq më mirë është, tha se kjo është kompani shumë e rregullt dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme. Ministër ka qenë Jemin Gjana, nuk ka qenë Edmond Panariti, dhe Kryeministër ka qenë Sali Berisha.

Sokol Balla –Dakord, zoti Meta, sepse kjo është një çështje që natyrisht nuk do të mbarojë dot, por…

Ilir Meta –Jo, kjo është një çështje që tregon gjithë besueshmërinë e pretendimeve që ngre opozita.

Sokol Balla –Në atë kohë, qeveria që thoni ju, e zotit Berisha dhe e zotit Gjana i kompensuan këta.

Ilir Meta –Jo, nuk janë kompensuar. Një pjesë janë kompensuar, një pjesë ende pretendojnë.

Sokol Balla –Në rregull.

Këtu bëhet fjalë për dy çështje të ndryshme dhe ndoshta debati ngjallet nga fakti që ju angazhoheni në Vorë, kandidati juaj në Vorë është i LSI-së.

Ilir Meta –Çfarë lidhje ka angazhimi? Pse të mos shkoj unë në Vorë? Sërish do të shkoj në Vorë.

Unë, kur shkoj për në Durrës, a kaloj nga Vora? Kur shkoj për në Shkodër, a kaloj nga Vora? Kur shkoj për në Berat, a kaloj nga Vora? Vetëm kur shkoj në Elbasan dhe në Korçë nuk kaloj dot nga Vora. Si të mos ndaloj në Vorë? Si të mos shkoj në Vorë? 

Sokol Balla –Po pse Vora është kaq e rëndësishme për LSI-në nga pikëpamja strategjike?

Ilir Meta –Vora është e rëndësishme për ata, sepse të dalësh dhe të mbrosh një gjë të tillë që nuk mbrohet, do të thotë që ke një hall të madh.

Po pse është kaq e rëndësishme? Sepse mua më akuzuan edhe për standardin e zgjedhjeve. Standardi i zgjedhjeve të tyre dhe i Fiqos bashkë, është standardi i zgjedhjeve në Gërdec, që pasi u vranë 30 veta, me pahir, me të gjitha format e nxorën fituese Partinë Demokratike për të thënë se shiko sa e do Gërdeci Sali Berishën. Ky është standardi i zgjedhjeve të tyre.

Sokol Balla –Ndërkohë po ju akuzojnë ju dhe partnerin tuaj të Partisë Socialiste se po blini vota tani.

Ilir Meta –Të akuzojnë për çfarë të duan. Nuk shqetësohem fare për akuzat e tyre.

Sokol Balla –Dua të them se blerja e votave nuk është fenomen i njërës palë, është fenomen…

Ilir Meta –Mua nuk më shqetëson fare blerja e votave, sepse unë jam i bindur që shqiptarët nuk e shesin votën e tyre.

Së dyti, për një akuzë të tillë që kishin bërë, se kishte nxjerrë ai foto…

Sokol Balla –Në Shkodër, po.

Ilir Meta –Doli edhe njëra në parlament që nuk di se çfarë thotë, nxori foto. 

Sokol Balla –Zonja Topalli, po.

Ilir Meta –Ka tri ditë që atë foto e ka nxjerrë Rilindja Demokratike, që e ka marrë gjoja nga rrjetet sociale, pa thënë fare se ku është, dhe ne, si LSI, me firmën e zotit Luan Rama, e kemi çuar në gjykatë foton dhe gazetën “Rilindja Demokratike” dhe kemi kërkuar që kjo çështje të gjykohet. Në rast se personi është një person që po blen vota apo po shet vota, të shkojë në burg. Në rast se kjo është një shpifje, Rilindja Demokratike dhe Partia Demokratike të mbajnë përgjegjësinë e tyre, sepse shteti funksionon në bazë të drejtësisë, nuk funksionon në bazë të thashethemeve dhe të intrigës. Ato janë si puna e Agro Blendit të këtij kandidati.

Sokol Balla –Dakord.

Ndërkohë që atje kandidon zoti Sallaku, në mos gaboj, për partinë tuaj.

Ilir Meta –Po.

Sokol Balla –Do të ishte normale që aty të ishin fotot e zotit Sallaku, jo fotot tuaja.

Ilir Meta –Ku?

Sokol Balla –Siç i kemi parë në Vorë apo diku tjetër.

Ilir Meta –Në pushim po flisja me një nga vajzat tona në Vorë, dhe u kam kërkuar ta heqin,  nuk e dija fare që paska vënë dikush fotografinë time në Vorë. Pashë para disa ditësh që kishin vënë fotografitë e mia në dalje të Tiranës.

Sokol Balla –Po, në rrethrrotullimin e TEG-ut.

Ilir Meta –Po, për në Krrabë. Por i kanë hequr, sepse ua kërkova unë.

Sokol Balla –Po, e pashë. Sot ishte ndryshuar.

Ilir Meta –Po ishin hequr. Nuk e di, para dy-tri ditësh isha në Krrabë dhe i pashë. U thashë “lërini këto budallallëqe, se unë nuk kandidoj këtu dhe vini “Voto nr. 47”, vini LSI-në”.

Sokol Balla –Po, kjo është e vërtetë.

Ilir Meta –Po, por tani më ka ardhur dhe më është krijuar problem i madh, thotë. Nuk e dija këtë në Vorë që qenka vënë fotoja ime, ishte shqetësuar zoti Patozi. I mora ata dhe i thashë: hiqeni këtë. Më thanë, tani na ka lindur një problem i madh se  është një që ka qenë i çmendur me Fiqon, me Partinë Demokratike dhe e ka vënë te shtëpia e vet, dhe thotë: jo unë nuk e heq, të thotë Ilir Meta, të thotë kush të dojë. Unë do të përpiqem  të iki nesër ta bind atë që ta heqë, por nuk mendoj se duhet të kemi frikë nga fotot, se nuk është problem i fotove. Unë nuk kam nevojë që dikush  të mbajë foton time, por na krijon një problem, sepse ata nga inati për këtë gjë që ndodh,  tani nuk po na dëgjojnë. Them ta zgjidh edhe këtë merak.

Sokol Balla  –Zoti Meta, të flasim pak për Tiranën. Një javë më parë pata  këtu Erion Veliajn, ai ju ngriti në qiell lidhur me bashkëpunimin që ka  pasur me ju në qeverisje dhe ju quajti  bashkautor në fitoren e  tij të mundshme  në Tiranë, duken shumë larg dhe ato ditë të qershorit të vitit  2009 kur G 99-ta,   e krijuar nga Erion Veliaj, lindi në fakt për të luftuar LSI-në.

Ilir Meta– Unë nuk merrem asnjëherë me të kaluarën. Demireli thoshte: “Dje ishte dje, sot është sot”. Sot jemi në rrugën e duhur dhe një nga arsyet që unë merrem pak më shumë me Vorën është se  Erioni nuk ka shumë nevojë për ndihmën dhe përkrahjen time në Tiranë, pasi atë e mori, dhe tani ka një armatë të tërë pas vetes.

Sokol Balla– Si mendoni se do të jetë rezultati i Tiranës?

Ilir Meta– Rezultat shumë i thellë.

Sokol Balla-Keni një ide se sa mund të jetë?

Ilir Meta –Nuk mund ta them sot, por pa dyshim do të jetë një rezultat mbi 80 mijë vota diferenca.

Sokol Balla–  Mbi 80?

Ilir Meta-Po, sipas meje.

Sokol Balla-Do të doja të ndiqnim një deklaratë  tuajën të pak ditëve më parë në Kukës lidhur me garën  e Tiranës në vitin 2011. Le ta ndjekim.

(Insert)

Lulushi apo jo, ai u bë kryetar bashkie falë votave të LSI-së. Kam dy pyetje lidhur me mesazhet indirekte që mund të keni përçuar në këtë deklaratë në Kukës. Jeni penduar që mbështetët Lulzim Bashën në vitin 2011?

Ilir Meta – Mendoj se ka qenë kohë tjetër, por, sipas meje, edhe ai ka qenë një Lulzim tjetër. Janë dy Lulzim sipas meje, një që kam menduar se ka qenë atëherë dhe një që shikoj tani.  Prapë te Demireli qëndrojmë: “Dje ishte dje, sot është sot”.

Sokol Balla –  Ok.  Ju folët edhe për nesër, përmendët shifrën 80 mijë vota diferencë.

Ilir Meta-Mendoj unë nga një analizë e  imja.

Sokol Balla– Pse më duket mua se ky është edhe një parashikim juaji se kaq do të jenë edhe votat e LSI-së?

Ilir Meta– Jo, nuk e kam vrarë mendjen se sa do të jenë votat e LSI-së. Nuk jam shumë i interesuar për të bërë një kalkulim të tillë. E di që LSI-ja do të ketë një rritje shumë të madhe, por kjo nuk është ndonjë gjë shumë e rëndësishme për mua.

Sokol Balla– Do të ishte e rëndësishme për ju që fitorja e kandidatit, gjithsesi të përbashkët , të kishte vulën e LSI-së?

Ilir Meta– Në çdo rast ai  e ka vulën e LSI-së.

Sokol Balla– Jo, është pak më ndryshe të thuash: edhe të LSI-së, dhe të thuash të LSI-së.

Ilir Meta– Nuk ka asnjë rëndësi kjo.

Sokol Balla– Kjo ka qenë shumë e rëndësishme për ju në vitin 2011.

Ilir Meta–  Nuk ka asnjë rëndësi kjo gjë, për ne ka rëndësi që kryetari i ri të arrijë të administrojë problemet e mëdha të kryeqytetit, që  edhe janë shtuar këto vitet e  fundit. Ka probleme shumë të mëdha. Unë isha para pak ditësh në Kashar, te stacioni i  ri  i trenit, meqenëse është prishur stacioni i  vjetër dhe duhet të zgjidhet patjetër.   Është bërë një punë shumë e mirë nga Drejtoria e  Përgjithshme e Hekurudhave me disa investime  dhe shpenzime modeste, kanë rehabilituar disa vagonë, disa  lokomotiva me  kushte shumë të mira sidomos për studentët dhe për të gjithë ata që vijnë nga Durrësi përditë në Tiranë. Është një shërbim që duhet, sepse janë shumë shtresa të popullsisë, të cilat do të ishin  shumë të mbështetura përmes transportit hekurudhor dhe  nuk ka një stacion  hekurudhor Tirana. Është një sfidë e madhe për kryetarin e ri të bashkisë, për qeverinë për të gjithë. Probleme si kjo ka me dhjetëra dhe dhjetëra që u shtuan gjatë kësaj kohe dhe që duhen zgjidhur.

Sokol Balla-Zoti Meta, u përfol shumë se ju mund të ishit   kandidaturë potenciale për Tiranën. Kjo nuk ndodhi, por të paktën, a keni pasur vendimmarrje në zgjedhjen e Erion Veliajt?

Ilir Meta– As që kam menduar për të qenë kandidat për kryetar bashkie në Tiranë, megjithëse  e kam dëgjuar këtë histori, për arsye se nuk mund të largohem nga parlamenti për një detyrë të tillë që është shumë e rëndësishme gjithashtu.

Së dyti, kjo ka qenë zgjedhje e Partisë Socialiste në kuptimin që ne kemi qenë të bindur se kandidati i Tiranës duhet të ishte  një propozim i Partisë Socialiste, është një përgjegjësi shumë e madhe  dhe i takonte asaj si partia më e madhe e koalicionit për ta marrë këtë përgjegjësi.

Për rastin e zotit Veliaj, unë e kam mbështetur me shumë kënaqësi, sepse ka qenë një ministër shumë i suksesshëm gjatë kësaj kohe, kemi bashkëpunuar ngushtë me të, pasi ajo ministri mbulonte disa nga prioritetet që ka pasur LSI-ja aq shumë për zemër: formimi profesional, punësimi, rritja  e fondit të punësimit për mbështetjen e biznesit fason e kështu me radhë. Pra, kemi qenë në një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe ai ka bërë  punë shumë të mira.

Sokol Balla– Zoti Meta,  sa vendimmarrje keni pasur ju realisht në zgjedhjen e emrave të kandidatëve, për Tiranën  dhatë një përgjigje, po për Vlorën, Sarandën, Durrësin, Bulqizën?

Ilir Meta-  Ne kemi qenë shumë fleksibël. Mënyra sesi ka funksionuar  kjo gjë, ka qenë për të ndihmuar konsensusin në terren, pra për të mos qenë një vendimmarrje e imponuar nga lart dhe për të testuar se cili do të ishte reagimi poshtë edhe i strukturave të bazës së PS-së, të LSI-së  apo të komunitetit. Për shembull, ka  pasur qytete ku unë do të doja të kishim kandidatë të tjerë, por  konsensusi më i gjerë ka qenë për një kandidat tjetër. Në këto raste më e rëndësishme është fitorja. Kështu që, unë besoj se ka qenë një proces mjaft  mirëkuptues dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme  dhe tensione të panevojshme dhe gjithmonë është vendosur logjika pozitive, argumentet dhe qëllimi më i mirë që të vendosim njerëzit më të përshtatshëm, më të mirë, që këtë reformë historike, administrative dhe territoriale ta kurorëzojmë me sukses në implementimin e saj dhe kjo është sfida jonë më e madhe. Nuk është sfida jonë  numri i bashkive, që do të marrim apo që mund të humbasim. 

Sokol Balla – Unë më tepër e kam tek emrat që kanë dalë nga ju, siç është zoti Sallaku në bashkinë Vorë apo të tjerë, pasi LSI-ja në fakt kandidon edhe në disa bashki shumë qendrore të vendit, por për shembull thuhet që për Bulqizën  kandidatura e Ardit Kajës nuk kaloi dot filtrin e Edi Ramës dhe ju u tërhoqët, ndërkohë për shembull…

Ilir Meta –  Nuk duhet parë kështu kjo.

Sokol Balla – Për shembull, për Pogradecin është imponuar një kandidaturë nga ana e LSI-së, e cila duket që ka pak probleme me bazën e Partisë Socialiste.

Ilir Meta – Nuk asnjë problem më bazën e Partisë Socialiste, përkundrazi ka mirëkuptim të plotë dhe për këtë jam i sigurt se do ta tregojë edhe rezultati i zgjedhjeve dhe është një figurë e shkëlqyer, është një arkitekte  e re me eksperiencë, pedagoge dhe është tamam pogradecare, pra është në  përputhje të plotë me  traditën  e këtij qyteti, që ajo e do aq shumë dhe që jam i bindur se do ta realizojë atë detyrë më  shumë përgjegjësi sepse është shumë e përgjegjshme.

Sokol Balla –  Më shuani kuriozitetin për rastin Kaja në Bulqizë?

Ilir Meta –  Rasti Kaja, ka qenë një nga emrat më të mundshëm dhe pastaj  është gjetur një emër më konsensual, por kjo nuk i ul vlerat e zotit Kaja, kurse në rastin e Pogradecit unë praktikisht dëshiroja një kandidat tjetër, por besoj se gjetëm zgjidhjen më të  përshtatshme, dhe në këto raste thuhet zgjidhja më e duhur ose zgjidhja në drejtimin e duhur.

Sokol Balla – Zgjidhja  më  e duhur për të ecur më shpejt?

Ilir Meta –  Po.

Sokol Balla –  Zoti Meta, po shikoja reklamën e  doktor Halim Kosovës në  ndërprerjen publicitare, kandidatit të Partisë Demokratike, të Aleancës për Punë dhe Dinjitet, siç njihet zyrtarisht. Besoj se do të keni dilema të forta në familjen tuaj, pasi të tre fëmijët tuaj kanë lindur nga duart e doktor Halimit.

Ilir Meta –  Së pari, dy fëmijët e mi të parë nuk janë të angazhuar në politikë dhe nuk janë shumë të interesuar për politikën, ndërsa më e vogla ajo  është më e flaktë se unë për LSI-në, por nuk ka të drejtë të votojë. Kështu që, doktor Halimin e kemi mik, e duam shumë, jemi edhe miq familjarë, por në këtë rast miqësia është tjetër gjë dhe politika është tjetër gjë. Absolutisht që vota jonë është në drejtimin e duhur dhe është për zotin Veliaj.

Jam i bindur që zoti Kosova nuk mërzitet për këtë gjë, pasi ai e kupton  dhe e di mirë që unë e ndaj miqësinë nga politika.

Sokol Balla – A do të fitonte zoti Veliaj pa mbështetjen e votave të  familjes  suaj të vogël dhe të madhe të LSI-së?

Ilir Meta –  Unë mendoj që zoti Veliaj do të fitojë patjetër sepse Tirana kërkon që të fitojë kohën e humbur pasi ka humbur mjaft kohë.Ai  po nxiton dhe nëse e vini re ka një fushatë mjaft me ritëm, frenetike dhe është më  i shpejti në drejtimin e duhur.

Sokol Balla – Zoti Meta, në vitin 2013, ju si parti u dyfishuat në vota, pra në këshilltarë, por fituat vetëm dy nga 10 bashkitë ku kandiduat për kryetarë, në mos gaboj në Çorovodë dhe në Lezhë me zotin Tushe.

Sivjet skema e re është një kandidat për të gjithë koalicionin, gjithsesi ka emra që kanë dalë nga partitë individuale. Pra, nga ju apo nga PS-ja dhe nga LSI-ja kanë dalë kandidatura në qytete të mëdha si Berati, Gjirokastra, Pogradeci, pa futur këtu Lezhën apo Kukësin, që janë edhe aktualisht kryetar bashkish. Duket sikur po tentoni të garoni me hapin e dy partive të  mëdha. Nuk po i shtrini pak këmbët përtej jorganit tuaj?

Ilir Meta –  Unë mendoj që ne po marrim aq përgjegjësi sa mund të mbajmë dhe me këtë rast kemi një mirëkuptim të jashtëzakonshëm të strukturave të PS-së, madje edhe me kryetarët  e bashkive në ato qytete ku LSI-ja po kandidon dhe gjej rastin të falënderoj zotin Fadil Nasufi, kryebashkiaku i Beratit, zotin Flamur  Bime, kryebashkiaku i Gjirokastrës, që janë dy nga bashkitë kryesore ku ne kandidojmë, të cilët janë në krye të shtabeve të fushatave të PS-së dhe LSI-së dhe po punojnë sikur të kandidonin për t’u rizgjedhur vetë duke treguar një përkushtim dhe një përgjegjshmëri maksimale.

Sokol Balla –  Duket se ambicia  apo agresiviteti elektoral i LSI-së është stimuluar, gjithashtu, ose kanë  stimuluar njëra –tjetrën nga sulmet e PD-së dhe duket sikur në këtë fushatë PD-ja, siç ka bërë edhe në muajt e fundit, që nga çështja Doshi,  ju ka ju target  kryesor të sulmeve individuale politike.

Ilir Meta – Unë mendoj që kjo është normale.

Sokol Balla – Se normal, duhet të sulmohej PS-ja.

Ilir Meta – Dakord tani, se PS-në ata nuk e arrijnë dot dhe duhet të luftojnë për vendin e parë dhe thonë të paktën të mbajmë vendin e dytë, kështu që  eja e  t’i biem LSI-së dhe së dyti, mendoj janë të  shqetësuar sepse shohin që shumë  njerëz, që në të kaluarën mund të kenë përkrahur Partinë Demokratike,  të zhgënjyer, kanë ardhur në LSI dhe kjo është një zgjedhje e tyre ashtu sikurse edhe një  i zhgënjyer nga LSI-ja mund të kaloj te PD-ja, kjo është një e drejtë  e çdo qytetari, prandaj jemi në demokraci dhe  prandaj bëhen çdo 4 vjet zgjedhjet, që qytetarët të nënshkruajnë  kontratat e tyre me forcat politike, me qeverisjen e tyre. Kështu që, mua nuk më shqetësojnë sulmet e PD-së , ata  le t’i shtojnë këto sulme, pasi jam i bindur që  kjo nuk na e ul rezultatin, përkundrazi.

Sokol Balla – Zoti Meta, një tjetër risi e kësaj fushate në kampin tuaj  është se ndryshe nga 2013-ta ju dhe zoti Rama dilni shpeshherë bashkë në  fushatë në qytete apo qendra të ndryshme, ose, është apo nuk është zoti Rama, janë  një apo dy ministra socialistë  që ju shoqërojnë, aq sa është  bërë  jo e lehtë të ndash se ku  fillon Rilindja dhe ku fillon ecja më shpejt. Na shpjegoni pak këtë  strategjinë e  re! A është  ky një hap i ri i rikthimit, të themi të bashkimit të të dy pjesëve të një partie që u nda në vitet 2003-2005, apo drejt një federate, siç edhe kam dëgjuar pak muaj më parë nënkryetarin e LSI-së, zotin Manjani, ta artikulojë publikisht dhe zyrtarisht nga tribuna zyrtare e LSI-së?

            Ilir Meta – Mua më pëlqen më shumë thënia e zotit Rama “Dy parti, një fuqi”, por mendoj se në këtë rast është më shumë se kaq, sepse PS-LSI është një bosht i fuqishëm i një aleance shumë më të fuqishme sesa kaq. Pra, aleanca jonë është shumë më e fuqishme sesa aleanca PS-LSI, e cila është baza e këtij koalicioni, sepse “politika është kimi…”, kam thënë unë vazhdimisht “…nuk është aritmetikë” kur mblidhen këta dhe mbledhin votat: mori kaq vota ky, mori kaq vota ai, aq. Është një tjetër…

            Sokol Balla – Është psikologji patjetër.

            Ilir Meta – Është psikologji, është gjithçka tjetër, dhe dy dhe dy nuk bëjnë katër. Dy dhe dy mund të bëjnë edhe gjashtë, edhe tetë, por mund të bëjnë edhe një, pra është çështje fryme, është çështje motivimi, është çështje psikologjie dhe perspektive. Kështu që në këtë drejtim unë jam i bindur që ky koalicion është shumë më i gjerë sesa thjesht PS-LSI.

Ju thatë: “Pse ju akuzon PD-ja e të tjera dhe pse PD-ja është kaq e shqetësuar për zgjedhjet?”, kuptohet që nuk i dalin votat Partisë Demokratike dhe nuk i kanë dalë asnjëherë në Shqipëri për të fituar dhe për të qeverisur, por vetëm kur ka qenë e majta e përçarë.

E majta e bashkuar është një shumicë e padiskutueshme në Shqipëri. A është 52%, a është 60%, a është 62%, kjo është tjetër histori. Ky është një fakt mjaft i njohur. Ata nuk duan ta pranojnë këtë gjë.

Sokol Balla – Sapo ju kthyet aritmetikës edhe ju.

Ilir Meta– Jo, jo, nuk iu ktheva aritmetikës, iu ktheva së vërtetës dhe e vërteta kjo është në të gjitha zgjedhjet. Vetëm në zgjedhjet e vitit 1992 ka fituar Partia Demokratike, por ishin zgjedhje kur Partia Socialiste në atë kohë ishte e detyruar të lëshonte terren dhe lëshoi terren me ndërgjegje të plotë, dhe gjashtë muaj pas 22 marsit u bënë zgjedhjet lokale. Për gjashtë muaj u përmbys situata, fitoi e majta; pastaj fitoi referendumin në vitin 1994; pastaj kërcitën standardet e zgjedhjeve që kërkon Doktori në vitin 1996…

Sokol Balla –Pastaj kërcitën armët në vitin 1997.

Ilir Meta –E kështu me radhë. Pra, gjithmonë e majta e bashkuar është një shumicë në Shqipëri.

Në vitin 2005 ndodhi ajo situatë që ndodhi, përçarja e së majtës. Edhe në vitin 2009 ndodhi ajo që nuk u bë koalicioni. Për këtë e ka fajin zotin Rama, nuk e kam unë; ju jeni i ndërgjegjshëm, sepse unë isha për koalicion përpara vitit 2009. Pastaj, nuk kishim çfarë të bënim, ashtu erdhën votat. E vetmja mënyrë që LSI-ja të luante një rol për stabilitetin e vendit dhe për një zgjidhje ishte koalicioni me Partinë Demokratike. Ishte një koalicion i sforcuar, por ishte një koalicion që pati disa elemente pozitive për atë kohë që funksionoi.

Sokol Balla – Një pyetje e fundit në këtë pjesë: a ka një target maxhoranca për sa u përket fitoreve në njësitë bashkiake, që tashmë janë 61?  A keni ju një target, meqenëse thatë se keni sondazhe?

Ilir Meta – Në mendjen time nuk ka asnjë target se sa duhen fituar.  Ju thashë se fitorja në Tiranë do të jetë shumë bindëse dhe…

Sokol Balla– Prapë fiksim Tiranën.

Ilir Meta– Tirana është kryeqyteti, është qendra, nuk ka lidhje me…, apo jo? Kur diskutohet për zgjedhjet vendore, kryesisht flitet për Tiranën, pastaj kuptohet çdo bashki ka rëndësinë e saj, sepse të 61-ta janë të rëndësishme, sidomos për ata që jetojnë në çdo bashki, por për ne nuk është shumë e rëndësishme se sa do të fitojmë dhe se sa do të humbasim. Kjo nuk ka asnjë impakt në të gjithë zhvillimin e mëtejshëm të qeverisjes së vendit.

Sokol Balla– Në rregull.

Ilir Meta – Për ne është e rëndësishme që këto zgjedhje të mbyllen sa më shpejt, 21 qershori të vijë sa më shpejt në mënyrë që të gjitha këto energji t’i përqendrojmë tek ekonomia dhe te reformat që do të japin impakt te qytetarët. Të zhbllokohet çështja e lejeve të ndërtimit, se nuk ishte e mirë, por ishte e detyruar qeveria ta merrte atë masë, sepse shpërthyen ndërtimet e 400 kryetarëve të bashkive në të gjithë Shqipërinë në një mënyrë të jashtëzakonshme dhe tani të ecim përpara, t’i zhbllokojmë disa gjëra.

Sokol Balla– Do të flasim pak për ekonominë pasi ju thatë: “Impakti që do të ketë”. Me sa duket, edhe ju jeni dakord, si një pjesë e mirë e opinionit publik, që ekonomia nuk e ka ende impaktin e duhur.

Ilir Meta – Ajo është kryesorja patjetër.

Sokol Balla– E lëmë në pjesën e tretë.

Rikthehemi pas një ndërprerjeje publicitare sërish me zotin Ilir Meta.

 

***

 

            Sokol Balla – Zoti Meta, përpara se të flasim pak për ekonominë, që nuk është thjesht fiksimi juaj, por problemi i të gjithë shqiptarëve, më duhet të lexoj një mesazh që më ka dërguar deputeti Tom Doshi. E di që është pak jashtë linjës elektorale, por meqë nuk kam pasur rastin të pyes, po ju rivendos në kontakt indirekt me zotin Doshi. “Përshëndetje, Sokol,- më thotë zoti Doshi. -Pyete zotin Meta se si i shpjegon komunikimet e Spartak Brahos me Tonin e Kombinatit dhe Ymer Lalën, që kanë dalë nga tabulatet telefonike? Ndërkohë që para prokurorit ka thënë që nuk i njoh”. Ky ishte mesazhi.

            Ilir Meta– Unë them që të mos e ulim emisionin në nivele kaq banale, pasi qëndrimi im është shumë i qartë: “Çdo njeri që ka shkelur ligjin, të përgjigjet para tij”. Qoftë Tom Doshi, qoftë Spartak Braho e kushdo tjetër. Qëndrimet e mia janë shumë të qarta për këtë gjë.

            Sokol Balla – Zoti Meta, harta e re administrative: sulltanë të rinj apo menaxhim i ri i territorit?

            Ilir Meta – Jam i bindur se askush nuk do të tolerojë që të kemi sulltanë të rinj, sepse thelbi i gjithë reformës është dhënia fund atij copëzimi që, në fakt, kishte krijuar ca sulltanë të vegjël. Nuk është ideja që të hiqen ca të vegjël që të vijnë ca të mëdhenj, por në atë mënyrë që ishin, ishin jashtë kontrollit. Aktualisht, do të jenë shumë të ekspozuar para qytetarëve, opinionit publik dhe këshillit bashkiak, që bëhet realisht një parlament vendor. Tani do të ketë përgjegjësi të drejtpërdrejta, sepse deri dje thoshte për një kanal vaditës se ai fillon te komuna tjetër, se kur vjen këtu, nuk ka ujë etj. Tani gjërat marrin një tjetër kuadër menaxhimi dhe mundësi për zhvillimin e integruar të rajonit. Kanë emrin bashki, por janë si rajone.

            Sokol Balla – Nëse do të kishim senat, do të kishin të drejtë vote. Si në Itali.

Ilir Meta– Është e pashmangshme. Ato marrin kapacitete të reja, instrumente të reja dhe mundësi të reja. Padyshim, marrin edhe përgjegjësi të mëdha dhe janë shumë më të ekspozuara sesa kryetarët e deritanishëm të bashkive. Pra, do të jenë gjithmonë nën prozhektorët e opinionit publik, të medias dhe të një presioni pozitiv. Natyrisht, qeveria do të ketë mundësi për të bashkëpunuar më ngushtë për zhvillimin e këtyre bashkive.

Sokol Balla– Zoti Meta, përtej këtyre zgjedhjeve, mendoni se qeverisja e së majtës duhet të korrigjojë diçka me shpejtësi?

 Ilir Meta – Unë besoj se qeveria duhet përmirësuar vazhdimisht. Këtë nuk e them thjesht për t’i bërë bisht thelbit të pyetjes suaj. Këto zgjedhje, edhe sepse nuk janë politike, janë test i mirë për të rivendosur kontaktin jo shumë konsistent me qytetarin gjatë këtyre 18 muajve, që ka qenë një periudhë tepër intensive. Rezultati do të jetë një mesazh pozitiv për të ardhmen se si duhet përmirësuar më tej qeverisja e vendit. Që ka nevojë për përmirësim, nuk ka asnjë diskutim. I binduri i parë për këtë është Kryeministri.

Sokol Balla– Besoj se jeni dakord me mua që ekonomia mbetet pika delikate, për të mos thënë e dobët, e këtyre 18 muajve. Me të vërtetë rritja ekonomike ekziston, shenjat janë, por një vend i varfër apo në zhvillim si Shqipëria, që të ndiejë se ekonomia është mirë, duhet që shifrat e rritjes, minimumi, të jenë 5-7%.

Ilir Meta– Patjetër. Por duhet të jemi realistë, me këmbë në tokë. Nuk duhet të bëjmë “petulla me ujë”, apo, siç thonë shqiptarët e Maqedonisë, “bajram me mend”.

Sokol Balla– Kjo qenka më e bukur.

Ilir Meta– Më pëlqen edhe mua. Të mos harrojmë se ekonomia është problem për të gjithë Europën.

Sokol Balla– Duket sikur Greqia ka lëvizur pozitivisht. Italia: deri-diku.

Ilir Meta– Shumica e eksporteve tona shkojnë në Itali. Ekonomia në Itali është 0,0%. Dje po e bisedoja këtë çështje me D’Alemën. Greqia ka probleme të mëdha: nuk mund të parashikohet në mënyrë të qëndrueshme. Këta janë partnerët tanë kryesorë ekonomikë. Të mos harrojmë diçka tjetër: themi shpesh Shqipëria, Maqedonia, Kosova, por nuk duhet të harrojmë që të ardhurat nga emigracioni i kemi sa gjysma e tyre, edhe pse janë vende më të vogla se Shqipëria. Ato marrin 500 milionë euro në vit më shumë remitanca nga jashtë, sepse emigracioni i tyre nuk u cenua nga kriza, sepse ishte në Zvicër e Gjermani, në vendet më të qëndrueshme, ku pagat janë shumë të larta dhe vendet e punës nuk u ulën. Ne e kishim emigracionin në Greqi dhe Itali. Të gjitha këto duhen marrë në konsideratë. prandaj duhen përqendruar të gjitha energjitë, pas 21 qershorit, tek ekonomia. Unë besoj se Kryeministri është i ndërgjegjshëm dhe i angazhuar për këtë. kështu edhe qeveria.

Sokol Balla– Pra, e keni këtë shqetësim?

Ilir Meta– Ky është shqetësim i çdo familjeje shqiptare, besoj unë.

Sokol Balla– Qeveria ka politikat e saj makro, mbase edhe të ideologjisë që kanë partitë, që përbëjnë qeverinë, të cilat i japin një drejtim të caktuar ekonomisë. Por, për shembull, po marr atë që ju të majtët e quani “taksim i ndershëm”, i cili ndoshta i jep disi frymëmarrje shtresave të varfra. Por ama ne e dimë se motori i ekonomisë nuk janë shtresat e varfra. Madje, as të pasurat. Është shtresa e mesme ajo që përbën mushkëritë e një shoqërie. Normalisht, kjo shtresë e mesme që mund të blejë edhe një shtëpi apo makinë me kredi, duket se ajo është goditur më shumë. dakord, unë jam dhe kam qenë gjithmonë dakord që shteti duhet të jetë social, por, nga ana tjetër, jo duke ngrënë dhjamin e vet.

Ilir Meta– Së pari, nuk duhet të  harrojmë se qeveria e re, kur erdhi në pushtet, nuk kishte fonde as për pagat, as për  pensionet, dhe ishte e detyruar (sepse  qeveria e mëparshme zbrazi të gjithë arkën e shtetit, ku edhe  për një fatkeqësi, që shyqyr që nuk ndodhi, nuk kishte 100 milionë lekë të vjetra për të  përballuar një fatkeqësi natyrore),  të bënte një marrëveshje me FMN-në.

Natyrisht, marrëveshja ka edhe kushtet e saj përveç  përfitimeve, të cilat  gjithmonë vijnë më pas, nuk vijnë në fillim. Pra, ajo historia e ilaçeve  të hidhura  që përmend vazhdimisht Kryeministri Rama qëndron si fabul që kur një fëmijë është sëmurë, prindi nuk jep karamele, por jep ilaçe, edhe pse nuk do që t’i japë ilaçe që të marrë veten.

Tani jemi në një moment dhe  mendoj se pas 21 qershorit, kur duhet të ulemi më mirë për të parë këto masa, që cili është efekti i tyre, efekti që pritet, efekti që kemi dhe në të ardhmen si do të vazhdojmë më tej? Por, pa dyshim, të gjitha  energjitë  duhet të përqendrohen tek ekonomia.

            Sokol Balla – Mua më bën përshtypje ajo që thoni ju, pra, ajo që më thatë tani  dhe atë  që më keni thënë  përpara dy vjetësh në fushatën e vitit 2013, kur  ju kam pyetur për tunelin e Elbasanit,  e cila, pa dyshim është një vepër madhore,  por siç e patët thënë edhe ju atëherë, ndoshta është pak më lirë t’i  biem nga Qafa e Kërrabës, pasi bëhej fjalë për 200 milionë euro të hequra deri në një mënyrë arrogante nga buxheti i shtetit duke lënë boshllëqe të tjera.

Ju thatë me shumë të drejtë, ndoshta, që kur  erdhët në pushtet në 2013-ën si  e majtë e bashkuar, se arkat e shtetit ishin bosh, por, ndërkohë, sot shikojmë  që shpenzohen, nuk e di, 110 milionë lekë të rinj për të mbjellë palma në zonat  hyrëse të Tiranës apo harxhohen 12 milionë euro për të bërë një stadium në Shkodër,  ndërkohë që e kemi një stadium për kombëtaren tonë në Elbasan. Pra,  duket që po shpenzojmë për luksin, por që të shpenzojmë për lukse të tilla do të thotë që gjërat  të jenë mirë kudo tjetër, ndërkohë që nuk janë.

Ilir  Meta– Me thënë të drejtën Shkodra e meriton stadiumin, sepse atje ka lindur futbolli…

Sokol Balla– Edhe Elbasani, dhe e gjithë Shqipëria e meritonte tunelin.

Ilir Meta– Patjetër, por  mendoj se nuk është ky problemi. Problemi është më i thellë, më strukturor. Ajo që qëndron është se investimet duhet të kenë karakter sa më shumë prodhues.

Sokol Balla– Patjetër, pra edhe  nëse ka investime publike të prodhojmë punësim, të  prodhojmë një rritje ekonomike, jo të jenë harxhime publike.

Ilir Meta– Natyrisht që edhe për kulturën do të  investohet, edhe për sportin do të investohet.

Sokol Balla– Unë jam dakord që autostrada duhet të rregullohet, duhet pastruar, duhet  zgjeruar, sepse ka nevojë.

Ilir Meta –Patjetër, sepse një hyrje ka Tirana, nuk ka  shumë hyrje.

Sokol Balla– Mua  më pëlqejnë shumë palmat dhe komplet ndryshimi dhe transformimi i qendrës, por  nuk shikoj logjikën ekonomike në mes. Kjo është ajo që më shqetëson, bashkëngjitur edhe me rezultatet  jo aq të mira të  ekonomisë atëherë ka një dilemë, apo jo?

Ilir Meta–  Rezultatet e ekonomisë janë në përmirësim, por jo me ritmin e duhur. Ka faktorë të jashtëm, ka faktor të brendshëm të prioritarizimit të investimeve e kështu me radhë. Të gjitha këto po shikohen, por mendoj se pas  21 qershorit do të  ketë një impuls të ri dhe në këtë drejtim.

Sokol Balla– Një gjë tjetër  që ju keni këmbëngulur edhe gjatë fushatës së 2013-ës ka qenë ideja të jemi  praktikë me  bizneset. Domethënë  të mos u krijojmë probleme.

Ilir Meta–  Të luftojmë  burokracinë çdo ditë.

Sokol Balla –  Një deputet i maxhorancës me shqetësim po më tregonte, jo më larg se dje, kur mori vesh se unë nuk kisha të ftuar, dhe tha për një biznes të caktuar për lëndën drusore, gati 3 milionë euro, u është dashur, të  themi, këtyre përfaqësuesve shqiptarë dhe të huaj të bredhin dhe të sorollaten pa fund për  një vit e gjysmë për të  marrë licencat e ndryshme, pra, ajo që quhet red tape. E shikoj që nuk e keni… Ky është një problem që ekziston ende. Ju i keni premtuar që këto do t’i reduktoni.

Ilir Meta  – Duke pasur  parasysh si funksionon në rastin konkret ky  lloj aktiviteti, por  gjithçka që mund të  shkurtohet duhet  shkurtuar. Patjetër. Çdo lloj burokracie. Unë jam armik i burokracisë dhe  këtë e kam treguar gjithmonë.

            Sokol Balla  –  Prandaj po ju drejtohem juve. Se ju keni qenë gjithmonë …

Ilir Meta  – Dhe shpeshherë më kanë akuzuar pse i  kapërcej shkallët për të dhënë  zgjidhje të drejtpërdrejta, por jam armik i burokracisë, e urrej burokracinë dhe urrej të gjithë ata  njerëz që kanë mundësi ta zgjidhin një gjë tani dhe për t’i dhënë rëndësi vetes i zvarrisin gjërat dhe duan t’i  bëjnë të rëndësishme duke i zvarritur gjërat për të mos thënë pastaj arsye të tjera pse i zvarrisin.

            Sokol Balla – Zoti Meta, diçka për zonat e lira ekonomike, ku u bë shumë bujë dhe ju keni qenë partizan i këtyre zonave ekonomike, por duket që gjërat po ecin jo me shpejtësinë e duhur. Nga ana tjetër një lajm i bujshëm për kredinë e Bankës Botërore, mbi 1 miliard e 200 milionë euro për 5 vjet, por nuk po dimë, ose qeveria nuk di ta shes se çfarë ka arritur, ose ndoshta nuk i keni të qarta projektet që do t’i thithin këto para?

            Ilir Meta – Është kohë lajmesh, kohë zgjedhjesh, nuk e ka mendjen njeri shumë te këto lajme, por pas 21 qershorit do të ulemi dhe do të flasim, edhe për ligjin për zonat ekonomike, edhe për turizmin, edhe për investimet strategjike, të gjitha këto bashkë, së bashku edhe me këtë mbështetje të madhe nga Banka Botërore, ku një vend nga lindja ishte i shqetësuar dhe thoshte, pse po mbështetet kaq shumë Shqipëria. Të gjitha këto tregojnë që jemi në drejtimin e duhur.

            Sokol Balla – Zoti Meta, megjithatë a duhet një ….

            Ilir Meta – Edhe një fëmijë që të lindë do kohën e vet.

            Sokol Balla – Këtë e di më mirë doktor Halimi sesa ne të dy.

            Ilir Meta – Këtë e dinë të gjithë, por do kohën e vet çdo gjë.

            Sokol Balla – Zoti Meta, megjithatë, seriozisht: a mendoni që pas gati 2 vjetësh duhet një rifreskim edhe i qeverisë?

            Ilir Meta – Në qoftë se këtu bëhet fjalë për emra, kjo është një çështje që i takon në radhë të parë ….

            Sokol Balla – Jo, nuk bëhet fjalë për emra, bëhet fjalë për sektorë.

            Ilir Meta – Më fal, pra i takon Kryeministrit në qoftë se bëhet fjala për emra, në qoftë se bëhet fjalë për sektorë, patjetër që ka nevojë për një dinamikë të re në shumë sektorë.

            Sokol Balla – Në këtë rrugëtim të gjatë që ju keni nisur së bashku me zotin Rama, asnjëherë nuk e keni sqaruar çfarë ndodh pas vitit 2017 apo është akoma herët?

            Ilir Meta – Sigurisht që është shumë herët dhe e rëndësishme është ekonomia për të gjithë shqiptarët.

            Sokol Balla – E rëndësishme është ekonomia, por edhe timonieri. Timonieri prapë Edi Rama në 2017-n?

            Ilir Meta – Rëndësi ka të rritet ekonomia, pse çfarë shqetësimi keni ju, në rast se ekonomia rritet, ekonomia e të gjithë shqiptarëve,  nuk kemi shqetësim?

            Ilir Meta – Unë nuk kam asnjë shqetësim që të jetë timonier zoti Rama, vetëm ekonomia të rritet më shpejt.

            Sokol Balla – Po nëse ajo nuk rritet?

            Ilir Meta – Unë besoj se do të rritet.

            Sokol Balla – Zoti Meta, ju falënderoj shumë që ishit me mua sonte në Top Story.

            Ilir Meta – Faleminderit!

            Sokol Balla – Suksese në fushatë!

            Ilir Meta– Faleminderit!

            Sokol Balla – Top Story rikthehet sërish të enjten tjetër, ku sapo kam konfirmuar tashmë në mënyrë përfundimtare edhe nga stafi i kandidatit, por edhe nga vetë Partia Demokratike dhe kryetari i saj, se javën e ardhshme këtu në Top Story do të jetë kandidati i opozitës, doktori i njohur Halim Kosova, pra kandidati për Bashkinë e Tiranës.

            Deri atëherë nga unë Sokol Balla, natën e mirë!

SHKARKO APP