Ilsa Mula: Ja si mund t’i mbrojmë fëmijët nga virozat

Mjekja Pediatre shpjegon simptomat e sëmundjeve virale, grupmoshat më të rrezikuara dhe si mund ti parandalojmë ato

Ilsa Mula: Ja si mund t’i mbrojmë fëmijët nga virozat

Intervistoi: Sidorela Lepuri

Virozat e stinëve janë të pranishme gjatë të gjithë periudhave të vitit, por paralelisht me rritjen e temperaturave ka edhe një rritje të pranisë së tyre. Kur bëhet fjalë për virozat ato prekin këdo, pavarësisht gjinisë apo moshës. “Të gjitha moshat mund të preken, por më tepër preken moshat e vogla deri në 5 vjeç. Të porsalindurit mund të infektohen nga nënat e tyre dhe janë më të rrezikuar për të bërë infeksione të renda si miokardit, hepatit apo memingoencefalit. Tek të porsalindurit shenjat mund të shfaqen që në 2 javëshin e parë pas lindjes. Të rriturit janë më të mbrojtur nga enteroviruset, pasi tashmë kanë krijuar kundërtrupa si pasojë e  ekspozimeve paraardhëse.”, tregon për gazetën “Koha Jonë”, Mjekja Pediatre në spitalin Salus, Ilsa Mula.
Ndër të tjera, mjekja pediadre na shpjegon simptomat që shfaqen, virozat më të përhapura në këtë periudhë, shkaktarët që ndikojnë në përhapjen e tyre si edhe mënyrat e parandalimit dhe trajtimit…

Zonja Ilsa, virozat e stinëve janë të pranishme gjatë gjithë vitit. Por ndryshimet e stinëve shoqërohen me praninë e shtuar të infeksioneve virale qarkulluese. Çfarë viruresh qarkullojnë kryesisht në këtë periudhë?

Vera është një periudhë e vitit kur në të zhveshur tashmë nga i ftohti dhe prania e infeksioneve, shpresojmë të shijojmë ditët e gjata dhe të ngrohta duke u qetësuar dhe relaksuar. Por nuk ndodh gjithmonë kështu; pikërisht kur jashtë termometri shënon mbi 30 gradë Celsius dhe të gjithë po shijojnë javët e para të verës, ne zgjohemi papritur me ethe, temperaturë deri 40 gradë, sekrecione nga hundët apo dhimbje muskujsh, një situatë që na shfaqet në derë si një mik i padëshiruar.
Në këtë rast pyetja e parë që na vjen ndër mend është: si mund të kem simptoma të së ftohurës dhe rrufës në këtë periudhë të vitit? Përgjigjja e kësaj pyetjeje vjen kur ne dimë që simptomat e së ftohurës shkaktohen nga më shumë se 200 viruse. Secili prej tyre mund të shprehet me tështima, dhimbje fyti e sekrecione nga hundët. E ftohura që marrim gjatë periudhës vjeshtë-dimër shkaktohet zakonisht nga një grup mikrorganizmash të quajtura Rhinoviruse. Këto janë viruse që mesa duket mbijetojnë më mirë në temperatura të ulëta.

Momentalisht egziston ndonjë virozë më e përhapur?

Gjatë muajve të verës qarkullojnë me tepër një grup virusesh që futen në familjen e  enteroviruseve, por mund të gjejmë edhe virusin parainfluenzës apo edhe rhinovirus. Disa enteroviruse janë shkaktare të poliomielitit, por futja në qarkullim e vaksinës ka eleminuar rastet e shfaqjes së kësaj sëmundjeje. Ekzistojnë rreth 60 tipe enterovirusesh që përbëjnë shkaktarin e dytë më të shpeshtë pas rinoviruseve të infeksioneve virale tek njerëzit. Përveç rrugëve të  sipërme të frymëmarrjes, prekin edhe traktin gastrointestinal, lëkurën, zemrën apo trurin.

Përveçse temperaturave të larta, cilët janë shkaktarët e tjerë që ndikojnë në përhapjen e virozave?

Viruset qarkullojnë nëpërmjet sperklave të pështymës apo sekrecioneve të hundës, si dhe nëpërmjet jashtëqitjes. Ne mund të infektohemi nga kontakti me spërklat e pështymës që emetohen në ambient nëpërmjet tështimave apo kollës, duke konsumuar ushqime të kontaminuara apo me anë të kontaktit të drejtpërdrejtë me sipërfaqe të kontaminuara si  p.sh: telekomanda, panolini i bebit, lodrat, enët e guzhinës, etj.

Në stinën e verës ka gjithmonë rritje të numrit të fëmijëve që preken nga viroza të ndryshme. Në çfarë rrugësh merren këto viroza tek ata?

Përveç temperaturave të larta, shkaktarë të tjerë që ndikojnë në përhapjen e virozave janë:
Prania e shtuar e mushkonjave, rriqnave apo insekteve të tjera në qarkullim, të cilët nëpërmjet pickimit bëjnë të mundur përhapjen e infeksioneve duke shërbyer kështu si vektor transmetues. Kjo vlen në rastin e sëmundjes së Lyme, ehrichiosis, ethet hemoragjike apo babesiosis.
-Frekuentimi i pishinave, ku uji nuk është klorinuar në mënyrë të përshtatshme apo i liqeneve ku uji nuk qarkullon natyrshëm.
-Konsumimi i ushqimeve të përgatitura apo të konservuara, në mënyrë dhe temperaturë jo të përshtatshme.  
-Prishja e regjimit gjumë-zgjim (reduktojmë orët e gjumit duke qenë shumë aktive gjatë ditës) jep një prishje të ekuilibrit fiziologjik të organizmit e për pasojë priremi drejt infeksioneve.

Në pjesën më të madhe kur prekemi prej sëmundjeve virale, shfaqen edhe simptomat përkatëse. Cilat janë simptomat që shfaqen kryesisht?

Viruset që qarkullojnë gjatë verës kanë tendencën që të prekin më shumë organe të trupit (hundën, fytin, sytë, sistemin tretës, trurin etj) e për pasojë ne i përjetojmë shenjat klinike me më shumë intensitet e për një kohë më të gjatë.
Enteroviruset mund të japin shenja si temperaturë që zakonisht shfaqet menjëherë dhe varion nga 38 deri ne 40 gradë, dhimbje fyti, dhimbje koke, dhimbje të muskujve, nauze, të vjella dhe diarre.
Disa nga këto viruse mund të shfaqen me conjuctivit (skuqje dhe edeme e shtresës së jashtme të syve dhe qepallës), rash ose puçrra në lëkurë. Në raste të rralla infeksioni nga enteroviruset mund të prekë edhe zemrën dhe trurin.

Fëmijët e çfarë grupmoshe preken më së shumti?

Të gjitha moshat mund të preken, por më tepër preken moshat e vogla deri në 5 vjeç. Të porsalindurit mund të infektohen nga nënat e tyre dhe janë më të rrezikuar për të bërë infeksione të renda si miokardit, hepatit apo memingoencefalit. Tek të porsalindurit shenjat mund të shfaqen që në 2 javëshin e parë pas lindjes. Të rriturit janë më të mbrojtur nga enteroviruset, pasi tashmë kanë krijuar kundërtrupa si pasojë e  ekspozimeve paraardhëse.

A ndryshojnë këto simptoma nga individi në individ?

Sigurisht simptomat ndryshojnë nga individi në individ në varësi edhe të llojit të virusit.  Përshembull,  koksaki virus (pjesë e familjes së enteroviruseve) jep të ashtuquajturën sëmundje “gojë-dorë-këmbë”, që karakterizohet nga simptoma si: temperaturë subfebrile, dhimbje fyti dhe trupi, sekrecione nga hundët si dhe shfaqjen e puçrrave (blistera) të kuqe jo të dhimbshme në gojë, në duar dhe në këmbë.

Mund të na tregoni se cilat janë komplikacionet më të rrezikshme të sëmundjeve virale?

Ndonjëherë enteroviruset mund të japin infeksione të rënda për të cilat nevojitet shtrimi dhe trajtimi në spital. Përshembull:
Meningiti viral, një infeksion i meningjeve (membranat që mbështjellin trurin dhe palcën e kurrizit).
– Encefalitis, infeksion që prek masën trunore.
– Miocarditis, infeksion që prek muskujt e zemrës.

Dhe së fundmi, cilat janë disa nga këshillat që do të jepnit për prindërit që ti mbrojnë fëmijët e tyre?

Duhet patur parasysh që shumica e këtyre infeksioneve transmetohen me rrugë fekalo-orale dhe repiratore. Këshillat në këtë aspekt jepen në drejtim të  parandalimit ashtu edhe të trajtimit.
Parandalimi nënkupton këshillat si: larje e shpeshë e duarve para ushqimit, pas daljes nga tualeti (sidomos nga ato publike), para fillimit të përgatitjes së ushqimeve apo pas ndërrimit të panolinit.
– Shmangien e përdorimit të lugëve, gotave apo  ushqimeve me të tjerët.
– Dezinfektimi i lodrave rekomandohet sidomos në çerdhe dhe kopshte, pasi virusi mund të jetojë në sipërfaqe të tyre për disa ditë.
– Kujdes me frekuentimin e kampeve verore, ku mundësia e kontakteve me individë të sëmurë është shumë e madhe.
– Shmangni pickimet nga mushkonjat apo insektet e tjera. Vishni rroba me ngjyra të çelura dhe mos përdorni shampo apo produkte të higjenës me aromë të fortë. Kjo i tërheq shumë insektet.
– Gatuani dhe ruani ushqimet në temperaturën e përshtatshme.
– Shmangni kontaktet me njerëz të sëmurë.
– Shmangni frekuentimin e pishinave, sidomos kur ato janë të mbipopulluara.
Trajtimi nënkupton: regjim shtrati, shmangni frekuentimin e çerdhes, shkollës, kampit apo punës për 24-48 orë, konsumin e sasive të mëdha të lëngjeve, përdorimi i paracetamolit apo ibuprofenit (antiinflamator jo steroid) në rast dhimbje apo temperaturë, spray antiseptik për fytin dhe dekongjestionante apo solucion fiziologjik për hundët.
Nëse kemi diarre apo  të vjella, rekomandohet përdorimi i  solucioneve rehidruese ORS në mënyrë frekuente dhe në sasi të vogla pa tentuar të marrim ushqime të tjera. 12-24 orë pasi të vjellat kanë ndaluar mund t’i kthehemi dietës normale të zakonshme. Kur diarreja dhe të vjellat janë të vazhdueshme dhe gjendja e përgjithshme e fëmijës apo adultit kompromentohet. Kështu, nevojitet shtrimi në spital dhe rehidrimi dhe trajtimi  me rrugë venoze sipas vlerësimit të mjekut kurues.

 

SHKARKO APP