Joleza Koka: Familja e madhe e PS-së ndryshon nga të tjerat! (Foto)
Kryetarja e FRESH, Joleza Koka, thotë se organizata e të rinjve socialistë që ajo drejton, së shpejti do të ketë plot 85 mijë anëtarë
Intervistoi: Aranit Muraçi
Joleza Koka, me profesion arkitekte, drejton aktualisht formonin rinor Eurosocialist Shqiptar , i njohur ndryshe FRESH. Partia Socialiste, dy vjet pas ardhjes në pushtet, shënoi sukses edhe në zgjedhjet e fundit lokale. – “FRESSH ka qenë një faktor kyç në zgjedhjet lokale të 21 qershorit,” – thotë në një intervistë për Koha Jonë” Joleza, e cila shton se Shqipëria ka plot të rinj të talentuar dhe se e ardhmja e këtij vendi u përket pikërisht atyre. “Të jesh i ri i angazhuar nuk do të thotë që të jesh patjetër pjesë e një listë apo t’i thurësh lavde figurave të partisë,” – shton më tej në këtë intervistë kryetarja e FRESH:
Të jesh kryetare e FRESSH, është më tepër privilegj apo përgjegjësi?
Në këtë rast privilegji dhe përgjegjësia janë e njëjta gjë, ndihen njëkohësisht. Është privilegj të jesh kryetare e forumit rinor më të madh në vend, por njëkohësisht edhe përgjegjësi për të përfaqësuar më së miri zërin e të rinjve të FRESSH. Është privilegj të jesh në një ambient solidar, e njëkohësisht përgjegjësi për të përçuar sa më mirë botëkuptimin tonë të majtë. Ekziston ende një perceptim që udhëheqësi duhet të jetë i ashpër që t’i detyrojë anëtarët të kryejnë aksione të caktuara. Ndërkohë që udhëheqja është përgjegjësia për të fuqizuar ata që udhëheq. Për të përjetësuar vizionin e organizatës nëpërmjet aftësive unike të gjithsecilit. Është si ndryshimi midis mashinistit të një treni dhe dirigjentit të një orkestre. Treni nuk lëviz pa mashinistin, ndërsa një orkestër mund të luaj pa dirigjentin. Megjithëse orkestra mund të luaj sipas melodisë së shkruar në letër, dirigjenti është ai që drejton çdo anëtar në momentin më të përshtatshëm për të performuar. Në këtë mënyrë dhuntitë e secilit anëtar, sinkronizohen me ato të kolegëve të tij.
Cili është objektivi i të rinjve socialistë pas zgjedhjeve lokale të 21 qershorit dhe sa ka ndikuar prania e tyre në fitoren e së majtës?
FRESSH ka qenë një faktor kyç në zgjedhjet lokale të 21 qershorit, duke konsideruar këtu madhësinë dhe strukturimin e fortë kapilar të forumit. Në këto zgjedhje u reflektua në të gjithë vendin prezenca e të rinjve, e cila solli një fushate pozitive, entuziaste dhe në shumicën e rasteve me bazë dialogun. Është lajm i mirë që të rinjtë janë duke përqafuar modelin politik të debateve publike, konsultimet bazuar në projekte konkrete, bashkëbisedimin me qytetarët dhe përfshirjen e tyre në vendimmarrje. Detyra e mëtejme është forcimi i këtyre strukturave në bazë dhe qendër, në vazhdën e rifreskimit të madh që po ndodh edhe në nivel partie. Synojmë zgjerimin e Forumit me më së paku 85.000 të rinj, ndërkohë që dita-ditës organizojmë konferenca, trajnime e tryeza diskutimi për të rafinuar botëkuptimin tonë të majtë.
A është kryeministri Edi Rama më pranë të rinjve me politikat që ai ka ndjekur deri tani, krahasuar me paraardhësin e tij në detyrë?
Në fakt nuk dua të futem në retorikën e përgojimit të së djathtës, ose personave konkretë brenda saj. Rrethanat ishin të tjera, por kam përshtypjen se shumë gjëra mund të ishin bërë më mirë në mandatin e mëparshëm qeverisës. Këtë e pohojnë edhe studimet alarmante të asaj kohe nga organizata serioze si Friedrich Ebert Stiftung: besimi i të rinjve tek politika dhe përfaqësimi ishte përtokë. Këto dy vitet e fundit ndihet një përmirësim i konsiderueshëm i marrëdhënieve midis institucioneve shtetërore dhe të rinjve. Për shembull, ndarja e çështjeve për të rinjtë prej Ministrisë së Kulturës tek Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, krijimi i Shërbimit Kombëtar për Rininë, hapja e të parës Qendër Rinore në Tiranë apo nisma si "Ëndrra Ime 2015". Ka ende punë për të bërë, por jemi në një rrugë shumë të mbarë.
Si kryetare e FRESSH dhe pjesë e Këshillit Bashkiak të Tiranës, a e shihni veten pjesë të parlamentit të ardhshëm?
Nëse bazohemi në një nivel të gjithëpërfshirës përfaqësimi, atëherë një e treta e Kuvendit duhet të ishte e mbushur me të rinj. Gjithsesi avancimi i politikave rinore nuk varet vetëm nga prezenca fizike në sallë, por nga përgatitja e përshtatshme, idetë dhe objektivat e qarta. Puna konstante në funksion të rinisë është kryefjala. Në lidhje me mua, është ende herët për të folur, pasi jam fokusuar në përgjegjësinë e përfaqësimit të çështjeve rinore në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Është gjithashtu momenti të fillojmë të flasim për Tiranën si një vend kualitativ urban. Një kryeqytet, që të mund të konkurrojë me kryeqytetet e tjera të botës në terma të cilësisë së jetës, që i ofron banorëve të tij, apo edhe të shërbime e atraksioneve turistike. Si Arkitekte dhe Urbaniste kam një interes të veçantë për këto çështje dhe besoj që Këshilli Bashkiak i Tiranës është vendi më i përshtatshëm për t’i adresuar ato, por edhe për t’iu dhënë zgjidhje.
Për të rinjtë që duhet t’i bashkohen FRESSH, cili është apeli juaj dhe çfarë e bën Partinë Socialiste më të veçantë se partitë e tjera që ata t’i bashkohen forcës suaj politike?
Ata që besojnë tek e majta kanë mundësi që, me anë të FRESSH, të shprehin idetë dhe shfaqin vizionin e tyre për zhvillimin e vendit. Besimi i tyre për mënyrën sesi duhet të trajtojë politika çështjet që sjellin prosperitet për Shqipërinë duhet të kenë në bazë solidaritetin dhe parimet social-demokrate. Në finale besimet dhe modelet e këtyre njerëzve janë dhe një reflektim i partisë. Nuk është e vërtetë ajo dogma e dëshpëruar se këtu partitë janë njësoj, e vetëm ambalazhin kanë të ndryshëm. Aspak! Ne jemi një familje e majtë, dhe këtë mund ta themi me seriozitet.
Cilin do të veçonit më tepër për punën e bërë në krye të FRESSH nga paraardhësit tuaj në këtë detyrë?
Ideja e të qenit i ‘suksesshëm’ është në fakt një çështje e gjykimit personal. Por pavarësisht personalitetit, vizioni, besimit apo ngjarjeve historike, ka disa të vërteta që i qëndrojnë kohës. Gjithsecili prej tyre ka arritur të realizoj potencialin personal. Nuk mund të listoj një “hit parade” emrash pasi drejtuesit kanë qenë në kohë të ndryshme, me sfida të ndryshme. Gjithsecili ka bërë atë që ka menduar se ka qenë më e mira për FRESSH në atë periudhë, njësoj siç ndodh sot, e siç do te ndodh në të ardhmen.
Po apeli juaj për të rinjtë që largohen nga vendi, në kërkim të një jetë me të mirë në Europë?
Si fillim nuk duhet të lemë pa përmendur se këtu ekziston një keqinformim publik. Në zonat periferike ekziston një skemë fatkeqe mashtrimi që premton vende pune e prosperitet jashtë Shqipërisë në këmbim të monedhës. E në fund po shikojmë dita-ditës kthimin varfërues në Shqipëri. Kemi edhe një grupim të rinjsh që largohen për shkak se janë të lodhur nga zhvillimet e ngadalta; ata nuk janë të gatshëm të harxhojnë vitet e tyre për vendin. Është një zgjedhje edhe kjo. Gjithsecili ka të drejtë të bëjë çka mendon se është më mirë për mirëqenien e tij, për aq kohë sa zgjedhja është e lirë. Kriza globale e tregjeve ka sjellë një valë të vonë depresioni edhe në rajonin tonë, duke e bërë të pashmangshme uljen e mundësisë për të patur prosperitet, si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë. Kësisoj janë shumë faktorë kompleksë që ndikojnë në këtë histori. Unë e kuptoj se asnjë apel nuk ndikon që dikush të zgjedhë Shqipërinë, në vend të emigracionit. Jeta më e mirë është subjekt i pritshmërisë të secilit, pra secili ka një mendim të tijin për çka është prosperiteti vetjak. Shpresoj që një pjesë e mirë e atyre që shkollohen jashtë, të paktën, të kthehen dhe të ndihmojnë që brezat e rinj të rriten pa dilemën nëse duhet të rrinë a largohen. Këtë gjë i detyrohemi brezave.
A vlerësohet si duhet të rinjtë në Shqipëri. A ka kriter matës për punën, dijen apo edhe talentin e tyre, dhe çfarë mendoni se duhet bërë më mirë në këtë drejtim?
Në këtë pikë jam pak me shkollën e vjetër; mendoj se i vetmi kriter real duhet të jetë diploma përveç rasteve kur fati sjell gjeni. Pra kriterin e kemi patur gjithnjë, por për dekada me radhë ka qenë i shtrembëruar dhe keqpërdorur nga institucione të papërgjegjshme arsimi. Me aksionin e mbylljes së këtyre institucioneve u hodh hapi i parë në forcimin e diplomës. Me reformën në arsim u hodh hapi i dytë. Po ashtu këto dy vjet zyrat e punës kanë patur më shumë "punë" se kurrë, pra është rritur ndërveprimi pozitiv mes punës dhe individit. Tani duhet vetëm që diploma të kalojë nga statusi "një copë letër" në një "dokument të shenjtë" për cilindo që mbaron shkollën. Duhet të vazhdojë me seriozitet reforma arsimore dhe të mos tregohet tolerancë ndaj atyre që duan të ri-shkatërrojnë sistemin për pak kapital.
Që shqiptarët të bëjnë diferencën në rajon, a është e mundur kjo nëse rinia e kombit do të ketë më tepër vëmendjen e shtetit e të qeverisë në kohën e duhur.
Në fakt nuk mungon vëmendja e qeverisë apo mundësitë; në shumë raste thjesht mungon informimi. Për shembull ne kemi bërë një diferencë të mirë në rajon me zhvillimin e Beograna vitin që kaloi – një konferencë që mblodhi të rinjtë e FRESSH, të rinjtë e partisë simotër në Serbi, si dhe artistë të rinj nga Kosova. Folëm për arsimin, krijuam një dokument të përbashkët që u parashtrua para qeverive përkatëse, dhe kuptuam se janë më të shumta gjërat që na bashkojnë, sesa ato që na ndajnë. Këto janë iniciativa që nuk varen nga vëmendja e qeverisë, por nga dëshira e mirë për të sjellë ndryshim pozitiv. Ky është momenti më i mirë historik për shqiptarët në marrëdhënie me rajonin, dhe në marrëdhënie me njeri tjetrin. Për pasojë dhe koha më e mirë për marrëdhëniet e të rinjve të kombit Shqiptar në aspektin kulturor, arsimor dhe sportiv. Megjithatë, në kohët moderne ekziston nevoja për metoda moderne të të parit të kombit dhe të rinisë. Të rinjtë ishin ura e parë e lidhjes ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë në bazë të modelit franko-gjerman. Rezultoi si e vetmja mënyrë që bëri bashkë kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë me krijimin e “Bordit Ballkanik”. I cili bëri të mundur dakortësimin e përfshirjes jo vetëm të të rinjve të kombit shqiptar, por edhe të rinjtë e kombeve ballanike në një marrëdhënie të re, jashtë margjinalizimeve historike, që kanë prodhuar në këtë rajon vetëm luftëra, gjakderdhje dhe konflikte. Pikërisht për aksione të tilla kemi nevojë, që të arrijmë një zhvillimi të qëndrueshëm, ku te rinjtë të kenë mundësi të punësohen, dhe jo konkurse se cili kryeministër është më i gjatë.
Ju si kryetare e FRESSH, sa besim keni tek forca e të rinjve shqiptarë, pavarësisht nëse janë apo jo pjesë e subjektit tuaj politik?
Nëse kemi një pikë të fortë ne shqiptarët, është ky brezi i ri që po ndërtohet. Këtë mund ta themi të gjithë me plot gojë. Vizioni im për forumin është që të krijojë një hapësirë të ngrohtë, miqësore dhe informuese për këdo që i bashkohet. Takimet me të rinj plot energji, ide dhe dëshirë për të bërë ndryshimin më japin shpresë dhe dëshirë për të vazhduar, çdo ditë. Të jesh pjesë e një organizate politike të jep mundësi të shikosh se si punohet në një parti nga brenda, në përditshmëri, por edhe të jesh pjesë e organizimeve ku shikon se si idetë e tua mund t’i kthesh në realitet. Gjatë javëve të fundit vullnetarët tanë kanë parë se çdo të thotë; të rregullosh një çerdhe, të ndreqesh një park, të restaurosh një kënd lojërash, të njohësh njerëz të rinj, të ndash mendime. Te jesh i ri i angazhuar nuk do të thotë që të jesh patjetër pjesë e një listë apo ti thurësh lavde figurave të partisë. FRESSH është duke u transformuar në një shkollë politike dhe hapësira aktivizimi qytetar ku ka vend për të gjithë.