Ka ardhur koha për të ndërkombëtarizuar ilirët

Nga BEN ANDONI
Intervista është bërë në vitin 2005 dhe po e risjellim për publikun në shenjë nderimi për Prof. Aleksandër Stipçeviç, ilirologun e famshëm kroat me origjinë arbëreshe, që vdiq në fillimjavë. Kujtojmë se shkencëtari i njohur na u shmang për shumë pyetje që lidheshin me kohën e luftës në ish-Jugosllavi, por edhe gjëra specifike me dashamirësinë e tij, se do të kishim mundësi për një intervistë tjetër, që në fakt nuk u bë më kurrë. Humbja e tij është vërtet një humbje e madhe për studimet shqiptare

Intervista u përgatit me shumë kujdes, duke marrë parasysh se përballë ishte një nga studiuesit më të njohur të Ilirisë. Ishte viti 2005 dhe fama e profesorit Aleksandër Stipçeviç, përveç mjedisit shkencor, kishte zbritur në publik, pas botimit të parë të librit të tij “Ilirët”, që ndiqte librin tjetër “Historia e Librit”. Profesori, pinjoll i njërës prej atyre dhjetëra familjeve të Mbi-Shkodrës, që u zhvendosën para treqind vjetësh në bregdetin Dalmat, kishte një ide të tijën sepse shqiptarët zgjodhën periferinë e qytetit antik të Zarës, që në mos gabojmë e lidhte me disa veçori të përbashkëta të vendit nga ku ishin shpërngulur. Në këtë vazhdë shpjegonte se arbanasit, si i njohën vendasit, nuk qëndruan nostalgjikë, por punuan të integroheshin realisht dhe jo më kot Raguza u njohu bajagi të drejta. Atëkohë, për shkak të kohës së kufizuar, u munduam të mbahemi tek libri, ku na bëri përshtypje një sintezë e tij: Ilirët përbënin një qytetërim shumë interesant, por kjo nuk u shndërrua asnjëherë në civilizim të mirëfilli. Duke u përpjekur të zgjidhnim këtë drejtuam një bisedë të gjatë me të, por përgjigjet sot po i japim shumë të mbledhura. Kuptohet se ai do i shmangej kohës së luftës, por edhe tezave ballkanike të vazhdimësisë. Tek profesori, si në shumë prej studiuesve të vjetër i këndshëm s’ishte vetëm kapaciteti por edhe dimensioni human, që shkonte me modestinë natyrale. Profesor Stipçeviç e kishte të gjallë respektin, por edhe vazhdonte të bënte përpjekje që studimet ilire t’i ngjiste në shkallët më të mundshme.

Intervista u zhvillua në gjuhën italisht, njërën prej gjuhëve që e njihte jashtëzakonisht mirë dhe me të cilën shkroi disa nga librat e veta. Biseda mbeti për një intervistë të gjatë, por që s’u bë dot më kurrë. Ashtu, si asnjëherë ai nuk mori vlerësimet që duheshin nga mjedisi shkencor shqiptar. Për fat, Stipçeviç u dekorua së fundmi me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Bujar Nishani, president i Republikës së Shqipërisë.

“Ilirët”, libri juaj botuar nga TOENA, ka qenë për shumë kohë i pritur nga mjedisi akademik i Shqipërisë. Çfarë do të thotë për vetë Dr. Stipçeviç, nderimi që i bëjnë shqiptarët veprës së tij dhe problemit ilir në veçanti?
“Si autor nuk do të isha vetëm shumë i kënaqur por edhe krenar të ndjej se libri im
‘Ilirët’ është ribotuar në shqip dhe se në botën shkencore janë shumë të interesuar për ta lexuar. Por, dua të theksoj se ky edicion nuk është i pari në gjuhën shqipe. Përkthimi i parë është bërë nga profesor Zef Mirdita është publikuar në Prishtinë në vitin 1967, domethënë vetëm një vit më pas shfaqjes nga origjinali, që është shkruar direkt në italisht për botuesin “Saggiatore” të A. Mondadorit të Milanos. Kur në vitin 1974 libri ka dalë në kroatisht në Zagreb versioni më i zgjeruar i librit edhe ky edicion është përkthyer në shqip nga kolegu Nazmi Rahmani dhe është publikuar në Prishtinë nga e njëjta shtëpi botuese “Rilindja”. Me sa duket libri është pëlqyer jo vetëm nga specialistët, por edhe nga një publik i gjerë, sepse në vitin 1990, ka dalë nga e njëjta shtëpi botuese në Prishtinë “Rilindja” botimi i tretë i librit. Ndërkohë libri ka pasur edhe dy botime të zgjeruara në kroatisht (1989-1991) dhe një përkthim në anglisht në vitin 1977, që është shtypur nga “Noyes Press” në Park Ridge në SHBA. Edicioni, që është botuar tani nga ‘TOENA’, është me sa duket edicioni i katërt në gjuhën shqipe, ndërsa tamam është botimi i nëntë i librit. Duhet të them se është përgatitur edhe edicioni katërt në gjuhën kroate, që do të përbëjë kështu botimi i dhjetë i librit në katër gjuhë. Në fakt, deri tani, numri më i madh i botimeve ka qenë në gjuhën shqipe dhe kjo demonstron që shqiptarët janë më të interesuarit për ta lexuar. Meqenëse është shtypur me botime elegante është evidente se nuk ka qenë vetëm për specialistët, por tek të gjithë që janë të interesuar për Ilirët si një popull antik nga të cilët kanë origjinën e tyre shqiptarët e ditëve tona”.

Juve njiheni edhe si një bibliograf i madh. A e shikoni të arsyeshme, që të botohet bibliografia e studimeve për ilirët edhe në gjuhën shqipe dhe a është penguar ndonjëherë ajo?
“Kam shkruar shumë bibliografi, madje duhet thënë vërtetë shumë, por kjo ka qenë e mundur për një periudhë kohe të caktuar, kur punoja në Bibliotekën Nacionale dhe Universitetin e Zagrebit. Duhet thënë se biblioteka ka qenë shumë e pasur me libra të karakterit shkencor antik. Materialet, që nuk ishin në këtë bibliotekë dhe në bibliotekat e tjera të Zagrebit, i konsultova kur kam udhëtuar në drejtim të vendeve të ndryshme të huaja, veçanërisht në Itali. Pra, ‘Bibliografinë Ilire’ e kam botuar në katër vëllime, e para ka qenë në vitin 1967 dhe pastaj edhe tre të tjera suplementare në vitet 1974, 1978 dhe 1984. Të gjitha së bashku kanë përbërë rreth 900 faqe. Por kam nevojë këtu t’ju kujtoj se kam hartuar edhe një bibliografi tjetër të pasur ‘Bibliografinë e arkeologjisë antike në territorin jugosllav’ në dy vëllime të mëdha, që kanë pasur rreth 1550 faqe. Nuk bëhet fjalë për materialin ilirik, por atij grek dhe romak, që në të vërtetë ka shumë koinçidencë me periudhën prehistorike ilire. Të gjitha këto bibliografi janë publikuar nga Qendra e Kërkimeve Ballkanologjike pranë Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Bosnje Hercegovinës në Sarajevë. Dua të kujtoj një gjë shumë sinjifikative, që flet për bibliografitë. Kanë qenë në një mënyrë të veçantë sintezë e një shkence, ku në çdo rast ato përbënin një manual pa të cilin është praktikisht e pamundur të studiohet në një kamp shkencor, që ka histori kaq të gjatë. Kam nevojë, po ashtu, t’ju kujtoj edhe një gjë tjetër. Teksa sintezat e tjera shkencore vjetërohen shpejt, sapo zbulohet ndonjë nekropol apo ndonjë ngulmim i ri, bibliografia është gjithmonë e domosdoshme për studiuesit. Dhe jo rastësisht shumë bibliografi qëndrojnë shumë më tepër sesa sintezat shkencore”.

“Arti ilir”, me sa dimë, është botuar në serbisht, italisht dhe anglisht, vite të shkuara. A ia vlen sipas jush, që me zhvillimet e fundit, dhe me lehtësimin e komunikimit të studiuesve mes vendeve ballkanikë, ku ka qenë e shtrirë Iliria, të ribotohet duke pasqyruar edhe këto zhvillime edhe në shqip?
“Libri im ‘Arte degli Iliri’ ka qenë libri im i parë që ka trajtuar civilizimin ilir dhe kjo është arsyeja pse është shumë i dashur, por ky libër është shkruar në italisht dhe pastaj është përkthyer në anglisht e botuar nga Shtëpia Botuese “Il Milione” në vitin 1963, por duhet të ribëhet. Shumë gjëra ndërkohë kanë ndryshuar në këto katër dekada dhe të gjithë gjetjet e reja duhet të merren në konsideratë për një botim të ri të ribotuar”.

A ka ardhur koha për një Kuvend të Studimeve ilire dhe a do të mundeshit ju që të organizonit një tubim të tillë në Shqipëri, apo në ndonjë vend tjetër Ballkanik?
“Për nevojën e organizimit të një konference ndërkombëtare mbi Ilirët, kemi folur pikërisht këto ditë në Zagreb (viti 2005). Në fakt të gjithë janë koshientë për këtë nevojë, pasi shumë probleme janë pjekur për t’u diskutuar në një konferencë të organizuar mirë ilirologjike. Mbi të gjitha duhet thënë se rezultatet arkeologjike kanë bërë hapa të mëdhenj në dekadat e fundit. Ndërkohë që janë impostuar probleme të tjera për etnogjenezën e ilirëve, të ekspansionit të tyre gjeografik, por në një mënyrë të veçantë, gjithmonë të nxehtë, të mbetjeve të ilirëve në civilizimin e ditëve tona të Ballkanit.

(Javanews.al)

SHKARKO APP