Liliana Elmazi: Enveri të dënonte për një fjalë, Rama të fut në burg po ishe i varfër
Deputetja e PD, Liliana Elmazi: Do ankimojmë në Gjykatë Kushtetuese marrëveshjen e kumbarëve në parlament
Intervistoi: Redjon Shtylla
Deputetja e PD, Liliana Elmazi, në një intervistë pë “Koha Jonë” shprehet se keqqeverisja po detyron qytetarët të largohen drejt vendeve të BE. Sipas saj, situata në vend është njëlloj si në kohën e dikturës komuniste.
Znj. Elmazi, nga përvoja juaj akademike, si do ta gjykoni reformën e arsimit?
Është reforma dhe ligji më i kontestuar nga grupet e interesit; studentët, pedagogët, prindërit. Reforma në fjalë nuk ka sesi të shmangë dhe interesat klienteliste, të segmenteve të caktuara qeverisëse. Ndaj, me keqardhje thjesht do të përsëris se si e quajnë profesorët e nderuar, pedagogët, studentët këtë projektligj: abuziv, korruptim, klientelist, që e vë arsimin e lartë nën hyqmin e qeverisë apo të njëshit dhe që e shkatërron atë. Fare troç, universitetet do të jenë nën thundrën e politikës dhe parasë. Me të drejtë lind pyetja, cilët janë porositësit e këtij projektligji? Natyrisht, nevoja e arsimit të lartë, jo “gojët e liga”, thonë që janë pronarë universitetesh private, dhe jo vetëm porositës në fakt, por ndoshta dhe autorë të tij, që duan të fusin duart e zgjatura edhe në buxhetin për arsimin, pra në taksat e shqiptarëve për të lulëzuar biznesin e tyre Universitar. Natyrisht, si profesore universiteti për rreth 24 vjet, nuk mund të votoja një ligj që bie ndesh me interesat e studentëve, pedagogëve, por dhe shoqërisë në përgjithësi. Pjesa më e debatueshme e këtij ligji është ajo e financimit të arsimit të lartë. Ky ligj pretendon të implementojë një model të ri të financimit të arsimit të lartë, i cili mbështetet në dy elementë: a). në perfomancën (outputi: treguesit e cilësisë në mësimdhënie dhe kërkimin shkencor) e universiteteve ekzistuese, b). si dhe në kredinë studentore. Financimi mbi bazën e treguesve të performancës është një prirje e kohës në vendet e zhvilluara, e cila mbështetet në një investim të rritur nga buxheti dhe burimet e tjera (fondacionet e kërkimit shkencor, industria, degë të tjera të ekonomisë private, donacione) për zhvillimin e arsimit të lartë. Por në rastin tonë, ka dy pikëpyetje në lidhje me modelin që kanë të bëjnë nga nisemi ne për të implementuar këtë model dhe çfarë objektivash ka kjo qeveri me implementimin e një modeli të tillë, të denjë për vendet e zhvilluara? Nisemi nga një buxhet i cili është vetëm rreth 0.4% e GDP për arsimin e lartë dhe parashikimi afat mesëm nuk shënon ndonjë rritje të konsiderueshme. Për të pretenduar cilësi në arsimin e lartë buxheti duhet të jetë së paktën 1.2 % të GDP. Vendet më të varfra të BE investojnë së paktën 10 herë më shumë buxhet për një student në vit në krahasim me vendin tonë! Shqipëria praktikisht, jo vetëm tani por edhe për 10 vitet që vijnë, nuk ka burime të tjera nga ekonomia private për të rritur investimin në arsimin e lartë, pra nuk do të kemi rritje të buxhetit për arsimin kuptohet që rruga e vetme është rritja e kontributit nga familjet e studentëve përmes rritjes së tarifave të shkollimit. Për të përballuar rritjen e tarifave, qeveria parashikon që studentët të marrin kredi nga skema e kredisë studentore, e cila nuk miratohet nga legjislativi por me një VKM, duke bërë që studentët të varen nga qeveritë që shkojnë e vijnë. Skema të kredive studentore aplikohen në shumë vende. Por shteti bëhet garant me mekanizma të ndryshëm për të mundësuar kushte/kritere shumë lehtësuese të kredisë studentore, në mënyrë që studentët të kenë mundësi të studiojnë, pavarësisht nga gjendja ekonomike e familjeve të tyre, dhe ta kthejnë lehtësisht kredinë pas përfundimit të studimeve. Pra, me këtë model financimi që parashikon ky ligj, kjo qeveri synon të rritë financimin e arsimit të lartë duke futur në borxhe të mëdha studentët dhe familjet e varfra shqiptare, dhe jo duke rritur buxhetin për arsimin, siç u premtoi shqiptarëve në zgjedhjet e 23 qershorit. Premtimi ishte: buxheti për arsimin 5% e GDP! Deri tani e ka vetëm 2,7% për arsimin në tërësi, ku arsimi i lartë zë vetëm 0.4% të GDP-së! Ky ishte një mashtrim i madh. Tani u thotë shqiptarëve paguani nëse doni ti shkolloni fëmijët tuaj në universitetet tona publike! Ndryshe rrini pa shkollë. Ky është model tipik komercial! Me këtë model edhe shkollat e larta private, të transformuar në këtë tip universiteti, përfitojnë “nga këto fondet shumë të mëdha publike”. Modeli i parashikuar në këtë ligj nuk ngjan me ndonjë model të një vendi tjetër. Po Shqipëria është ndonjë vend i pasur që mund të krahasohet me SHBA, Britaninë apo ndonjë vend tjetër të pasur?! Vallë qeveria na konsideron shtetin e 51 të USA apo pjesë të komonëelthit britanik? Kjo është tallje me studentët, prindërit e tyre dhe me pedagogët. Për çfarë autonomie flitet? Një bord mediokër, që mund të jetë edhe me shumicë nga qeveria sidomos kjo e super shkolluara në universitet private që u mbyllën, do të marrë vendim për ta transformuar në universitet i pavarur, ndoshta edhe kundër vullnetit të studentëve dhe pedagogëve. A mund të imagjinohet kjo në një vend demokratik? A mund të marrë një bord mediokër, thuajse politik, një vendim të tillë kaq jetik p.sh për një universitet publik, si p.sh UT, që është një pasuri e paçmuar kombëtare e ndërtuar për gati shtatë dekada nga mundi dhe djersa e shqiptarëve! Ky ligj dëmton rëndë aksesin e të rinjve në arsimin e lartë, sidomos të atyre të familjeve të varfra dhe të zonave rurale, për shkak të rritjes së tarifave të shkollimit. Modeli i financimit së bashku me kredinë studentore, edhe modeli i universiteteve publike të pavarura, do të çojnë në rritje të shpejtë të tarifave të shkollimit, duke i bërë ato të papërballueshme për studentët dhe familjet e tyre. Kjo qeveri i rriti vitin e kaluar tarifat e shkollimit me 20 deri 100 %, çka do të thotë se kjo është qasja e saj ndaj tarifave. Ligji është i bazuar në qasjen etatistë, pra është shteti në qendër, jo universiteti arsimi duhet të jetë aspekt bashkëpunimi i gjithë grupeve sociale. Përgjegjësia e shtetit në përcaktimin e ardhshëm të sistemit të karrierës duhet të balancohet me përgjegjësinë e trupës akademike. Për shkak të frymës kufizuese të ligjit për aksesin e studentëve në universitetet e vendit, ligji stimulon largimin e brezit të ri nga vendi për të studiuar, jo vetëm në vendet e zhvilluara, por edhe në universitetet e&nb
sp;Kosovës dhe Maqedonisë. Gjithashtu, ligji nuk parashikon politika reale nxitëse për kthimin në Shqipëri të të rinjve, që kanë përfunduar me rezultate të larta studimet universitare dhe pasuniversitare në universitete të huaja prestigjioze, dhe rekrutimin e tyre me përparësi si pedagogë apo kërkues shkencor në universitetet publike.
Në seancën e fundit parlamentare mbi projektligjin për gjobat e bizneseve, ju jeni shprehur se qeveria po e rrënon vendin? Çfarë duhet të ndryshojë qeveria në mënyrë që bizneset të kenë ecuri e zhvillim në treg?
Unë dhe PD-ja jemi për formalizmin e ekonomisë, kundër informalitetit dhe korrupsionit, si kancer që po e gërryen ekonominë dhe shoqërinë shqiptare, i cili tashmë është kthyer në sistem, kudo në politikë, qeverisje, drejtësi, dogana, tatime. Në dogana korrupsioni imponon kontrabandën masive në të gjithë mallrat e akcizës; cigare, karburante, alkool, pikërisht këtu u krijua një gropë prej 70 mln $ në të ardhurat e buxhetit. Fitimi nga ekonomia kriminale që konkretizohet në kontrabandë dhe që me paratë e saj kanceroze vret ekonominë dhe politikën, është bërë jetike për vendin tonë. Në tatime ai ka krijuar shtratin e evazionit galopant. Në entet prokuruese, gropa e korrupsionit thith dhe gllabëron përditë e më shumë, paratë publike. Informaliteti nuk është fenomen vetëm shqiptar, është kudo në rajon, edhe Italia e ka rreth 40% informalitetin në veri dhe 50 % në jug të saj. Kemi një ekonomi informale në masën 36-40 % ndaj reduktimi i informalitetit është jetik për ekonominë kombëtare. Qeveria ka zgjedhur rrugën e gabuar, represioni i këtij aksioni qeveritar, thjesht dhe vetëm do të rriste kostot për ekonominë dhe nuk do të jepte rezultatet e duhura. Ajo duhet të kishte përmirësuar më parë kuadrin ligjor, por edhe atë institucional. Besoj se kjo realizohet përmes bashkimit të administratës tatimore dhe asaj doganore, sepse studime të ndryshme tregojnë se humbja, në kuptimin e grabitjes së taksave apo fshehjes së tyre dhe evazionit në tërësi, ndodh pikërisht në momentin e kalimit nga jashtë-brenda, pra nga doganat në tatimet dhe taksat. Paratë e buxhetit grabiten nga një tjetër grup biznesesh, nga ato që quhen rëndom oligarkë, lufta ndaj evazionit fiskal të biznesit të vogël ka një kosto shumë të lartë dhe rendimenti i kësaj lufte do të jetë relativisht shumë i ulët, sado e dukshme të jetë kjo luftë. Madje kjo mund të përkeqësojë edhe më keq situatën ekonomike, pasi mund të dëmtojë ato 180 000 familje që marrin të ardhura nga biznesi i vogël, apo akoma më tepër, mund të çojë në një rritje të çmimeve duke përkeqësuar edhe më shumë konsumin. Kjo është shqetësuese për qytetarët, por dhe ekonominë. Mendoj qe qeveria të ofrojë licenca për biznesin joformal, që këto biznese qe thjesht mbajnë frymën gjalle, të kontribuojnë në arkën publike pa paguar taksat. Përfitimi i kësaj licence është i qartë: tregtarët nuk mund të arrestohen dhe ti sekuestrohet malli nga policia. Çdo zgjidhje tjetër, sidomos formalizmi me forcë është i destinuar të dështojë sepse bazohet të politika që nuk marrin parasysh realitetin dhe i shohin këta të vetëpunësuar për mbijetesë si një lopë për t'u mjelë e për të mbushur gropën e korrupsionit në buxhet. Askush nga ne, aq më pak qeveria nuk do të donte që rritja e formalitetit në ekonomi të përkthehej me humbjen e mijëra vendeve të punës si rezultat i falimentimeve apo bllokimit të aktivitetit të qindra e qindra bizneseve deri sot informale. Së pari, kush thotë që lëshimi i kuponëve tatimor nga të gjithë bizneset e vogla nuk do të shoqërohet me rritjen e çmimeve dhe uljen e kërkesës konsumatore do të thotë që nuk e ka idenë nga biznesi dhe ekonomia. Së dyti, detyrimi i bizneseve të vogla, si dyqane ushqimore, dyqane rrobash, mobilieri, bar-kafe etj, për të lëshuar kupon tatimor do të çojë patjetër në humbjen e një prej avantazheve kryesore të konkurrimit në treg të këtyre bizneseve të vogla me korporatat e mëdha, siç janë qendrat tregtare, hipermarketet apo rrjetet e supermarketëve, etj. Aktualisht zotërojnë rreth 40 % të tregut shqiptar dhe me siguri pas falimentimit të mijëra dyqaneve të vogla nëpër lagje për shkak të rritjes së çmimit, do të zënë rreth 70 % të tregut të mallrave të konsumit të përditshëm. Lufta kundër evazionit fiskal është e nevojshme, por klima e frikës që po krijon ky aksion është shumë shqetësues, sepse do të ketë një ndikim negativ në rritjen ekonomike të vendit dhe në punësim, për shkak se bizneset e vogla kanë aktualisht 90 për qind të të punësuarve në vend. Nëse analizojmë të dhënat e buxhetit fillestar dhe faktit të 6 mujorit, qartësisht duket se problemi në mosrealizimin e të ardhurave qëndron pikërisht tek akciza. Këtu janë dhe evazorët dhe kontrabandistët e mëdhenj, prodhuesit e parasë kriminale, ata që kanë pjesën e luanit në gropën 200 milionë dollarë që është krijuar nga janari në gusht, janë kryesisht njerëz të lidhur me qeverinë, që kanë dhënë kontribut për ardhjen tuaj ne pushtet, thjesht, këta dhe mjaft individë nga bota e malavitës kanë marrë e vazhdojnë të marrin, përmes evazionit dhe kontrabandës “lekët e tyre” të investuar me përqindje shumë të lartë në piramidën politike të qeverisë.
Ekonomia ndikon në xhepat e të gjithëve, ju si i shikoni reformat e ndërmarra, si po ndikojnë tek bizneset dhe qytetarët?
Të dhënat e EUROSTAT-it tregojnë se Shqipëria ka të ardhura sa 30% e mesatares së 28 shteteve të BE-së. Politikat ekonomike, fiskale dhe rregullatorë të qeverisë këto dy vjet e kanë zhytur ekonominë shqiptare, por dhe qytetarët në depresion të thellë. Për shkak të politikave fiskale jo efektive dhe (jo) zhvillimore të qeverisë gjatë dy viteve të fundit, shqiptarët sot blejnë nga 1.1 deri në 6.6% më pak mallra dhe shërbime sesa blinin një vit më parë- publikim i Bankës së Shqipërisë, dhe INSTAT, i cili raporton se paga reale në sektorin publik është ulur me 1.1% ndërsa në atë privat me 6.6%. Ky është niveli që tregon se me sa janë varfëruar Shqiptarët, drejtpërdrejt për shkak të politikave dhe performancës qeveritare, që nuk kryen investime publike, por ato këtë vit janë dhe më të ulëta se në 1997, që sheh sesi eksportet rrudhen çdo tremujor, dhe se si shqiptarët ikin nga sytë këmbët. Po ashtu, të gjithë pensionistet (rreth 450.000 shqiptarë) nuk do kenë rritje pensionesh gjatë të njëjtës periudhë. Sipas Bankës së Shqipërisë, numri total i familjeve që deklarojnë se kanë një ose më shumë hua për të paguar është rreth 30%, ku 34 % kanë marrë hua për konsum. Ka rënie me 1.8 për qind numri total i anëtarëve që sigurojnë të ardhura në familje. Numri total i të punësuarve (sektori shtetëror, sektori privat dhe të vetëpunësuar) gjithashtu ka rezultuar në rënie, më e theksuar në sektorin privat. Me këtë qeverisje është e sigurt që edhe në vitet që vijnë Shqiptarët, të rinj dhe pensionistë do jenë të detyruar të shtrëngojnë rripin edhe më shumë, si në sektorin publik dhe atë privat. Për vullnet të Qeverisë ata nuk kanë të drejtë të jetojnë. Vetëm të mbijetojnë, mendoj se qeveria duhet të analizojë sistemin fiskal të modifikuar gjatë dy viteve të fundit. Kjo do të shërbejë për të kuptuar se rritja e tatime-taksave gjatë kësaj periudhe ka krijuar diferencime në radhët e tatimpaguesve, e cila nga ana e vet ka nxitur evazionin dhe korrupsionin, e më keq akoma ka rritur koston e të bërit biznes në krahasim me vendet e rajonit. Janë mbyllur të gjitha rrugët, janë shtuar vetëm mundimet e faturave të larta të energjisë, tarifat e rritura të arsimit, çmimet e shtrenjtuara, taksat në qiell, dhe shqiptarët i pret burgu, vetëm se janë të varfër. Përditë skandale të reja, qeverisja e solli eksodin masiv në një eksod që nga numrat po i përngjet gjithnjë e më shumë viteve ‘90ʻ kur shqiptarët merrnin arratinë për të siguruar një kafshate buke, por me një ndryshim thelbësor, atëherë mendonin dhe të riktheheshin një ditë, tani jo më, vetëm ikje e pa e kthyer kokën pas në fakt, atëherë vinim nga diktatura komuniste, po tani? Mos vallë, po rilind?
Dikur jeni shprehur kundër reformës territoriale, sot si e shikoni këtë reformë e cila është realizuar?
Ne paralajmëruam që në pikënisje të reformës territoriale se nisja me paragjykim i këtij procesi nuk do të sjellë një produkt të qëndrueshëm. Nisja pa debat të hapur të këtij procesi, pa rrahje mendimesh, në fakt është treguesi më i mirë i një mentaliteti të vjetër dhe të tejkaluar. Një mentaliteti që e kemi denoncuar dhe vazhdojmë ta denoncojmë edhe për shkak të shfaqjeve të tjera, si një mentalitet oligarkësh, pra njerëzish që përqendrojnë pushtetin në pak duar. Oligarkia nuk funksionon dhe nuk ka funksionuar asnjëherë, që nga koha e Çezarit e deri tek e Janukoviçit, dhe nuk do të funksionojë gjatë as me këtë qeveri. Ajo që funksionon është demokracia dhe liria. Motivi i dyshes në pushtet me reformën administrative ishte “të kapim çfarë të kapim”, për të vënë edhe këtë hallkë të rëndësishme të qeverisjes dhe demokracisë nën sqetullën e një megamaxhorancë që shikon pushtetin si një mundësi për të kapur çdo ishull jashtë tij dhe jo për të shërbyer dhe qeverisur. Kjo skemë nuk kursen para, do të hajë më shumë para. Por jo për ti kthyer në investime, por për ti hedhur graso dinozaurëve të rinj të skemave të vjetra të komiteteve ekzekutive. Para se të mbërrinim tek harta duhet të bënim decentralizimin e vërtetë në përputhje me nevojat, sfidat dhe standardet e Shqipërisë 2014, dhe Shqipërisë 2015, dhe Shqipërisë 2025, Shqipërisë që duhet të shkojë drejt Evropës dhe standardeve evropiane. Funksioneve, decentralizimin, autonomisë vendore, përfaqësimin sa më afër qytetarit, atë që sot BE-ja konsiderohet gur themeli të ekzistencës së vet që do të thotë shërbimi të jepet sa më afër qytetarit. Ne kërkuan që komponenti administrativ të printe dhe ai territorial ta ndiqte. Kjo reformë nuk e afron shërbimin tek qytetari, përkundrazi, ndaj nuk do i shërbejë qytetarit, por interesave të oligarkëve në pushtetin qendror. Ata duan të zaptojnë edhe atë vendor, por kjo nuk do funksionojë gjatë. PD-ja në pushtet, do të rishikojë edhe reformën territoriale administrative, në të mirë të qytetarit dhe jo oligarkëve.
Mendoni se humbja e PD erdhi për shkak të krerëve drejtues të PD-së në qarqe e rrethe, apo nuk pati organizimin e duhur nga qendra?
PD nuk i humbi zgjedhjet lokale, sepse ato nuk ishin garë mes partive, por mes shtetit dhe qytetarëve, ato nuk ishin zgjedhje të lira e të ndershme, sipas standardeve, këtë thekson dhe raporti i OSBE-së dhe ODHIR-it, ku në asnjë rresht të tij nuk thuhet që zgjedhjet ishin të tilla, përkundrazi. Tre janë konkluzionet kryesore të raportit. E para, se me 21 Qershor, në Shqipëri nuk u mbajtën zgjedhje të lira dhe të ndershme. Togfjalëshi: “zgjedhje të lira e të ndershme” është zhdukur dhe nuk figuron në raport. Kjo, sepse qeveria zhbëri dhe dhunoi standardet themelore të zgjedhjeve, duke shënuar kështu një rrëshqitje mbrapa të demokracisë shqiptare. Standardi më themelor i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është liria e votës. Dhunimi i lirisë së votës përbën shkelje të këtij standardi themelor dhe kriteri të Kartës së Kopenhages, dokument themelor i të drejtave të njeriut. Raporti konkludon se, pikërisht liria e votuesve për të hedhur votën e tyre, të lirë e pa frikë nga ndëshkimi i qeverisë, u dhunua, raporti sjell prova të presionit dhe frikësimit të zgjedhësve nga qeveria, detyrimit për të marrë pjesë në aktivitete të qeverisë dhe për të votuar për kandidatët e qeverisë. Raporti nënvizon veçanërisht presionin dhe kontrollin mbi punonjës të administratës nëpërmjet kërcënimit për largimin nga puna dhe thekson frikën e tyre për t’u filmuar nga mediet në aktivitetet e subjekteve joqeveritare. Këtu është edhe konkluzioni i dytë kryesor i raportit: Zhbërja e standardeve themelore të zgjedhjeve si liria e votës, dhe standardeve të tjera, nuk erdhi për shkak të mungesës së legjislacionit, as thjesht prej mungesës së vullnetit për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, por për shkak të vullnetit të dyshes Rama-Meta për të mos bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për të kapur pushtetin me çdo çmim e me çdo mjet. Konkluzioni i tretë i raportit i referohet dhunimit të një tjetër standardi themelor të zgjedhjeve të lira, po kështu kriter i Kartës së Kopenhagës, që është ndarja e partisë nga shteti, zbulon mekanizmin me anë të të cilit, dyshja Rama-Meta dhunuan zgjedhjet për të kapur me çdo çmim pushtetin. Ky raport sjell prova dhe fakte se me 21 qershor nuk pati garë dhe konkurrencë alternativash, por shteti u ndesh me qytetarët dhe me opozitën. Pra jo garë mes partive, por shteti kundër qytetarëve. Kandidatët tanë ishin më të mirët që vinin nga bota akademike, e biznesit, intelektuale të njohur të fushave të ndryshme, me integritet të lartë moral e profesional, dhe përballë tyre ishte shteti, makineria shtetërore, paratë e krimit, kishte dhe trafikante. Njerëz që kishin patur problem me ligjin, po ti shtojmë kësaj dhe pazarin që dyshja në pushtet kishin bërë me reformën administrative zgjedhore. Torta ( pushteti lokal) do ndahej midis tyre, ashtu u përcaktuan kufijtë e bashkive të reja, tashmë kjo dihet nga të gjithë, brenda e jashtë vendit.
Në gati dy vite të drejtimit të PD, si do e vlerësonit punën e Kryetarit Lulzim Basha?
Basha është lider i zgjedhur në mënyrë plebishitare nga 80 % e demokratëve dhe jam e bindur se kjo shifër sot e ka kaluar 90% e atyre që e mbështesin Kryetarin Basha. Është një lider i kalibrit Evropian, vizionar, i moderuar që mbështetet në kontributet më të mira në vite të demokratëve, dhe në të rinjtë, padyshim edhe në atë që është Lideri Historik i demokratëve, Berisha. Basha ka fituar dhe vlerësimin e ndërkombëtarëve gjatë këtyre dy viteve që ka drejtuar PD-ja. Sot, e kuptojnë të gjithë, sepse është e qartë si drita e diellit, që drejtimi i vendit në pikë të hallit, me një ekonomi në rënie të lirë. Kjo qeverisje na ktheu eksodin masiv. Basha në këto dy vjet opozitë, arriti jo vetëm të ndërgjegjësojë ndërkombëtarët për “risinë” rilindëse, ku njerëz të inkriminuar u futen në parlament, por dhe në postet drejtuese të administratës, por e ktheu këtë dhe në një kauze, jo vetëm të demokratëve por dhe të BE-së dhe SHBA-së. Tashmë dekriminalizimi i politikës shqiptare është një sfidë e Bashës dhe PD-ja, e ndërkombëtarëve jam e bindur që do ia arrijmë. Basha ka një qasje tjetër ndaj qytetarëve. Nesër Kryeministër, qeverisja e Bashës do të ketë në fokus qytetarin dhe mirëqenien e tij, ligjin dhe institucionet, jo si ndodh sot ku qasja politike dhe jo-institucionale që përshkon veprimet e vendimet e qeverisë, raporti i krijuar me shqiptarët që i sheh si njerëz që duhen gdhendur dhe se vetëm ajo mund ta bëjë këtë, duke garantuar pushtetin absolut të saj mbi institucionet dhe aspak pushtetin e ligjit.
Në një status në profilin tuaj Facebook jeni shprehur se:"Pas Enver Hoxhës, jeni fatkeqësia e dytë më e madhe e kombit". Është e kuptueshme që opozita të gjej kritika tek qeverisja, por a nuk është paksa e tepruar kur jo vetëm nga ju, por shumë deputetët të PD qeverisja e sotme po krahasohet me komunizmin?
Varfëria dhe mjerimi është ulur këmbëkryq në mijëra familje shqiptare të cilët mezi mbijetojnë, nuk ka vende pune, nuk ka para, shqiptarët kërcënohen përditë me burg nëse nuk paguajnë dritat, nëse marrin mistrinë në dorë për të ndërtuar një strehë për të futur kokën. Nëse nuk marrin kuponin tatimor, shqiptarët të varfër që nuk kanë të paguajnë energjinë, që i hedhin në rrugë duke i hequr nga puna, që u konfiskojnë atë pak mall që kanë në dyqane apo tezga, që u mbyllin biznesin. U vënë tritolin shtëpive apo biznesit të ndërtuar me djersë e gjak, për vite pune në emigracion apo dhe këtu, shqiptarë të varfër që në depresion që vetëflijohen. Përditë dëgjojmë lajme të tilla dhe të jem e sinqertë, ndjeshmëria ime ndaj të varfërve është ekstremisht e lartë. Këtë shpreha dhe në atë status, më dhemb në shpirt e në zemër, por nuk kam forcë ti ndihmoj. Kemi oligarkët në pushtet, ndaj unë mendoj që ardhja e Bashës Kryeministër, me vizionin, por dhe ndjeshmërinë e tij humane është emergjente për shqiptarët e varfër. Shqiptarët në diktaturë përpiqeshin të kalonin kufirin për një jetë më të mirë, sot vetëflijohen apo marrin rrugët e Evropës, ndërkohë që oligarkët në pushtet kanë kështjellat e tyre lartësohen në qiell, janë evazorët e kontrabandistët më të mëdhenj, që me paranë kriminale financojnë e blejnë pushtet. Enveri dje të dënonte për një fjalë, konfiskonte pronat e të pasurve, këta janë më keq të fusin në burg se je i varfër. Këta krimit i gjetën strehën me komode, parlamentin, ndaj dhe shqiptarët sot duan të ikin pa e kthyer kokën pas, nuk jetohet më në ferrin rilindës.
Për skandalin e CEZ PD po akuzon Kreun e Kuvendit. Po a jeni të sigurt se qeveritarët e tjerë të PD në ato vite nuk janë të përfshirë në këtë aferë?
Ajo që ka dalë në dritë për shqiptarët është maja e ajsbergut të megaskandalit të dyshes në pushtet. Nuk e akuzon PD-ja Kreun e Kuvendit, por vetë dëshmitë, faktet dhe provat që disponohen sot nga avokatët ndërkombëtare të Shqipërisë. Dyshja aprovoi me ligj skandalin me të madh të ndodhur në këto vite demokraci, që i fal CEZ 600 mln euro dhe që të pushohen të gjitha akuzat e ngritura dhe të hetuara nga prokuroria për drejtuesit e CEZ dhe personave të përfshirë në këtë mega aferë. Berisha i çoi para drejtësisë, këta me ligj ndaluan prokurorinë ti hetojë ata. Ishte Berisha i pari që kërkoi hetim ndërkombëtar për këtë megaskandal që i fali 600 mln dollarë të shqiptarëve hajduteve të CEZ dhe politikanëve shqiptarë të lidhur me të. Si e ka deklaruar dhe Kryetari Basha, Partia Demokratike dorëzon javën që vjen dy nisma thelbësore, historike për vendin. Megaskandali do të zbardhet, Shqipëria nuk mund dhe nuk do të qëndrojë në kthetrat e këtij korrupsioni kriminal. Do të kërkojmë në Gjykatën Kushtetuese hedhjen poshtë të marrëveshjes së kumbarëve në parlament, me 31 korrik të vitit 2014, që jo vetëm u vodhi shqiptarëve 600 mln euro që u ndanë me CEZ-in, por që siguroi edhe imunitet për autorët e këtij krimi, duke mos lejuar ndjekjen e tyre penale. Të hënën, Partia Demokratike në mënyrë paralele do të dorëzojë në Kuvend, projektligjin për të mundësuar hetim ndërkombëtar, me prokurorë të vendeve partnere euroatlantike, me kompetenca të plota për zbardhjen e skemës më të madhe të korrupsionit në historinë e vendit. Ne do ti shkojmë deri në fund kësaj çështje. Shqiptarët meritojnë kthimin e parave, shqiptarët meritojnë nxjerrjen para drejtësisë të kumbarëve të krimit.