Paulin Radovani: Shkodra meriton Keti Bazhdarin

 

Prefekti i Qarkut të Shkodrës : LSI do të arrijë një rezultat të jashtëzakonshëm

Prefekti i Qarkut të Shkodrës dhe një ndër drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Shkodër, ka folur mbi fushatën elektorale, garën për kreun e bashkisë dhe synimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim për rritjen e mbështetjes nga qytetarët shkodranë. Z. Radovani deklaron se më 21 qershor ‘Aleanca për Shqipërinë Evropiane’ do t’ua rikthejë Bashkinë e Shkodrës qytetarëve shkodranë. Sipas tij, Keti Bazhdari me programin e saj do t’i japë zhvillimin që meriton Shkodra, transformimin e shumëpritur. Prefekti Radovani deklaron se LSI në këto zgjedhje do të ketë një rritje të jashtëzakonshme dhe do të përfaqësohet në Këshillin Bashkiak të Shkodrës me figura dhe personalitete të shquara.

Jemi në prag të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, të cilat janë shumë të rëndësishme sepse vijnë pas një reforme historike si reforma administrativo-territoriale. Si do të ndikojë sipas jush kjo reformë për projektet zhvillimore në Bashkinë e re të Shkodrës?

Kam pas fatin të jem kryetar i grupit që bëri ndarjen e re territoriale, ndryshe nga propozimet e bëra që komunat në veri të Shkodrës të ishte një njësi më vete dhe qyteti deri në det të jetë një njësi më vete. Kam qenë “partizan” i ndarjes së re. Pavarësisht se duket e habitshme në pamje të parë, por kjo e fut në një njësi administrative koordinimin e masave për mbrojtjen nga përmbytja që nga Kiri, liqeni dhe Buna. Afron koordinimin e mundësive për përballimin e tyre. Bën bashkë opourtunitetet për turizmin malor e detar dhe i krijon mundësi Velipojës të zhvillohet si një bashki më e specializuar dhe e kompletuar. Në Velipojë ka rreth 4000 shtëpi apo biznese të shkodranëve të cilët do të kërkojnë patjetër trajtim tjetër për plazhin dhe rrugën e Velipojës.

Duhen edhe 3 javë nga dita e zgjedhjeve. Si po ecën fushata në Shkodër? Çfarë mund të të veçohet rreth saj?

Fushata në Shkodër po ecën në përgjithësi e qetë, kjo edhe pse janë dy zonja përballë njëra-tjetrës. Fushata po bëhet gjithnjë e më e fortë si për kandidate për kryetare bashkie dhe për këshillat bashkiak. Duket sikur fushata për këshillat është më e fortë se zgjedhjet e mëparshme lokale. Shkodra është dominuar nga dy forca të mëdha politike, pluralizmi ka ekzistuar në teori, këshilli ka vendosur çfarë ka diktuar administrata e bashkisë, shpesh pa mbledhur fare komisionet edhe materialet e vendosura në tavolinë ditën e mbledhjes, por tani duket se ka ardhur momenti që gjithçka do të ndryshojë. Përveç përfaqësuesve të partive të vogla do të ketë tre grupe të fuqishme, një ndër të cilat është patjetër Lëvizja Socialiste për Integrim. Jam i bindur se Shkodra tashmë do të ketë parlamentin e vet lokal.

“Aleanca për Shqipërinë Evropiane” kandidon për Bashkinë e re të Shkodrës Keti Bazhdarin, një personalitet i rëndësishëm i qytetit tuaj. A do të jetë znj. Bazhdari kryetarja e ardhshme e Bashkisë së Shkodrës?

Shanset janë që ‘Aleanca për Shqipërinë Evropiane’ me Keti Bazhdarin kryetare të administrojë Bashkinë e ardhshme të Shkodrës, jo për inat të askujt, jo me mendimin se e kemi mbajtur 23 vjet Shkodrën dhe do ta mbajmë dhe 23 vjet të tjera, as me mendimin se pas 23 viteve po merret kalaja e Shkodrës. Partitë janë të përkohshme, kalaja mbetet. E them me humor këtë të vërtetë sepse ASHE nuk është përfshirë në këtë betejë elektorale thjesht për hir të siglave, por për të krijuar një mjedis të përshtatshëm për qytetarinë shkodrane dhe për të nesërmen e kësaj bashkie. Shkodra nuk është biçikletë me qira, bashkia duhet të fitohet për t’u qeverisur ndryshe, për mos të hedhur poshtë sadopak gjëra të mira që janë bërë në qytet deri tani, por për të integruar të gjitha pjesët e qytetit dhe komunat rreth e rrotull në zhvillimin e bashkisë së re të madhe, duke u përmirësuar shërbimet dhe shfrytëzuar resurset e mëdha që ka bashkia e re për gjithë banorët e saj. Shkodra nuk duhet t’i gëzohet vetëm pedonaleve sepse jo larg qendrës ka zona që nuk kanë ujë të pijshëm, që u përmbyten rrugica dhe kanë hapur puse uji mbi plehra. Janë akorduar vazhdimisht fonde për ujësjellës e kanalizime, por ujë nuk ka ardhur, por ndodh edhe më keq, si në lagjen Mark Lula ku shkarkohen ujërat e zeza në mes të qendrave të banimit. Ne jemi shqiptarë, kemi karakteristikat tona, dalim të gjithë miq e kushërinj dhe sapo marrim karrigen fillojmë e punësojmë njerëzit tanë, ato bëjnë të njëjtën gjë, i japin tenderë miqve tonë kështu nga rreth miqësore fillon e merr konturet e një rrethi krahinor etj. Prandaj është e nevojshme të ndryshohet mënyra e qeverisjes së Shkodrës dhe sa më shumë të rinjtë të marrin pjesë në administrimin e bashkisë së re aq më mirë do të jetë nesër. Uroj që këtë fat dhe këtë kthesë të madhe për nesër ta ketë Keti Bazhdari që të drejtojë bashkinë, por dhe të ketë një këshill bashkiak të fortë me të vërtetë pluralist që të mos lejojë atë të gabojë si paraardhësit e saj.

Çfarë mund të na thoni rreth programit të znj. Bazhdari, diçka rreth projekteve konkrete që ajo ka për punësimin, rritjen e shërbimeve, rininë dhe ndryshimin e madh që i premtohet Shkodrës?

Programi i Keti Bazhdarit është i kompletuar, për herë të parë ka një pjesëmarrje të madhe në përgatitjen e tij me rreth 40 persona. Te Keti vërehet synimi për të realizuar në radhë të parë të ardhurat e bashkisë paralelisht me mbështetjen me projekte nga qeveria apo bashkëpunimi me donatorë. Gjithashtu programi ka të ndërthurur gjithë aspektet e zhvillimit jetësor, kulturor dhe ekonomik të bashkisë së re.

Keti Bazhdari është kandidaturë e “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, boshti i së cilës janë forcat politike PS-LSI. A është bashkëpunimi juaj optimal për një qëllim të vetëm në të gjithë këtë fushatë elektorale?

Që nga dita e parë e fushatës ka filluar të forcohet bashkëpunimi mes forcave politike të ‘Aleancës për Shqipërinë Evropiane’, në radhë të parë për të garantuar fitoren e kandidates të përbashkët për kryetare bashkie. Po kështu, paralelisht forcat politike po punojnë për këshillin bashkiak. Eshtë e qartë se pa ndryshuar bashkinë nuk mund të ndryshohet mënyra e qeverisjes së bashkisë së re dhe për në këshilli konsiderohet i domosdoshëm të dominohet për ta mbështetur qeverisjen e re.

Këshillat Bashkiakë do të marrin një rëndësi më të madhe se më parë. Çfarë mund të na thoni për listën e kandidatëve të LSI-së për Këshillin Bashkiak të Shkodrës?

Për herë të parë lista e këshilltarëve bashkiakë të Lëvizjes Socialiste për Integrim për Shkodrën përbëhet nga figura të reja, jo drejtues shtetërore, por të rinj dhe të reja të mençur, plot ide e vizion, idealistë e të pa konsumuar dhe të përfolur, të arsimuar, të aftë për të bërë një debat të qytetëruar dhe për të ngritur probleme e gjetur zgjidhje për zonat që përfaqësojnë. Përveç përfaqësimit në raport të drejtë femra dhe meshkuj në Këshillin e ri Bashkiak janë përfaqësuar edhe ish-komunat.

Ku po e mbështet fushatën, komunikimin e saj me qytetarët, LSI e Shkodrës? Si do të përfaqësojnë interesat e qytetarëve shkodranë këshilltarët e ardhshëm të Këshillit Bashkiak, që vijnë nga radhët e LSI-së?

LSI ka hapur shumë qendra në të cilat nuk bëhet vetëm fushatë elektorale, por po evidentohen shqetësimet e banorëve mbi bazën e të cilave po ftohen drejtues të institucioneve shtetërore për t’i dhënë përgjigje qytetarëve dhe zgjidhjet e mundshme siç është nxitja e legalizimeve, shpejtimi i disa punimeve të mbetura zvarrë në qytet etj. Kjo periudhë po shërben edhe si një njohje me problemet e zonave nga kandidatët për këshilltarë bashkiak dhe si një përvojë e këtyre këshilltarëve për të dëgjuar me durim shqetësimet e banorëve, propozimet e tyre për t’i paraqitur nesër në këshillin bashkiak të ardhshëm.

Cili është objektivi i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Shkodër për sa i përket rezultatit të saj si forcë politike në Shkodër?

LSI është një forcë në rritje dhe kjo është një gjë që është bërë e dukshme fushatë mbas fushate. Janë programet, besimi që ngjallim që i bën njerëzit të vijnë apo të largohen prej nesh. Ne kemi mundur të ngjallim shpresë tek njerëzit, të jemi alternativë në radhë të parë për integruar çdo cep të vendi brenda qendrave të zhvilluara. Politika e moderuar që ndjek LSI dhe roli që luan në Tiranë zoti Ilir Meta, besoj se mund të konsiderohet si një shembull edhe për qeverisjen lokale.

 

Jam i sigurt që në Shkodër si në të gjithë Shqipërinë, LSI do të jetë një forcë gjithmonë në rritje, ashtu siç do të jenë në rritje dhe detyrimet e saj për t’i shërbyer qytetarëve shkodranë dhe gjithë Shqipërisë.

Intervistoi: Kujtim Topuzi

SHKARKO APP