Presidentit Nishani: Problemi i azilantëve nuk po përballojet siç duhet

 

 

Gazetarja (Eljamonda Zotka): Zoti President, faleminderit që pranuat të bëni këtë intervistë!

Presidenti Nishani: Kënaqësi dhe për mua!

Gazetarja: Evropa është përfshirë nga një krizë dhe të gjithë e dimë që është krizë e azilantëve, por edhe pse një pjesë shumë e madhe e atyre që kërkojnë azil në vendet më të zhvilluara të Evropës vijnë nga vende ku ka konflikte të armatosura. Një shqetësim shumë i madh është edhe numri i azilantëve, të cilët vijnë nga vende si Shqipëria, Kosova apo Maqedonia. Edhe për muajin gusht shifrat flasin për një numër shumë të madh shqiptarësh që i drejtohen Gjermanisë për të kërkuar atje azil. Madje shqiptarët zënë vendin e dytë pas azilantëve nga Siria ku ka luftë. Si e shikoni gjithë këtë situatë, zoti President, dhe a mendoni që ka një zgjidhje për këtë?

Presidenti Nishani: Çështja e azilantëve dhe procesit të kërkimit të azilit apo fluksit të madh që vjen nga Siria, Iraku dhe vende të tjera në konflikt është një çështje me një dimension global, jo vetëm evropian. Është një çështje që lidhet me një situatë që ka nevojë për ndërhyrje dhe një trajtim humanitar dhe përtej pjesës humanitare. Unë do të desha të fokusohesha dhe të qëndroja tek shqetësimi që ka çështja e fluksit në vijimësi të azilantëve nga Shqipëria pasi në rastin e Shqipërisë nuk ka asnjë ngjashmëri me situatën e sigurisë dhe kërcënimeve të rrezikut të jetës siç është në Siri, Irak apo Afganistan. Po ashtu në aspektin ekonomik unë vazhdoj të besoj fort se Shqipëria në raport me popullsinë dhe në aspektin gjeografik të saj ka potenciale shumë evidente për një zhvillim normal të ekonomisë krahasuar me situatën aktuale në Siri, Afganistan, Irak apo vendet e Afrikës Veriore. Ndaj, çështja e kërkimit të azilit dhe fluksit të largimit të shqiptarëve nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Evropian, veçanërisht dhe posaçërisht drejt Gjermanisë është një çështje shumë shqetësuese, shumë serioze që për fatin e keq, në gjykimin tim, nuk po trajtohet me seriozitetin e merituar pasi është një çështje që ka brenda dimensionin politik, ekonomik, social, por dhe identitar. Në aspektin politik, është një përgjegjësi në tërësi e shtetit, e të gjithë aktorëve, faktorëve të shoqërisë shqiptare për të krijuar një situatë pozitive dhe sa më shumë të relaksuar në kuptimin e ndërtimit dhe funksionimit të shoqërisë në tërësi. Në aspektin ekonomik kërkohet një sjellje dhe një qasje urgjente, në radhë të parë nga qeveria për të krijuar një ambient maksimalisht liberal të çlirimit dhe elaborimit të mundësive ekonomike, të energjive që nga individi, nga grupet e individëve dhe deri pastaj tek investimet e mëdha apo të mesme të cilat do të sjellin pikërisht mundësinë e tregut të punës që duket që është arsyeja kryesore e munguar, që lidhet pastaj në largimin e qytetarëve nga vendi.

Në aspektin social, gjithashtu, është një çështje që do trajtimin e një qasje shumë herë më serioze. Shqipëria do të vazhdojë të mbetet një shoqëri dhe një vend, i cili do të ketë nevojë edhe për një periudhë afatmesme të politikave të rëndësishme të trajtimit social jo vetëm të individëve, por edhe të disa grupimeve dhe komuniteteve të margjinalizuara për shkaqe të ndryshme të së shkuarës apo të së tashmes. Në aspektin identitar duhet ta trajtojnë me shumë seriozitet përsëri  institucionet shtetërore, në radhë të parë politik-bërësit, sepse në fund të fundit nëse kemi pasur deri tani një element për të cilin ne krenoheshim është ajo që ‘jemi një popullatë e re’, ‘jemi një vend me një popullsi të re’. Largimi kryesisht i gjeneratës së re do të rrezikojë të na kthejë në një afat jo më shumë se 10 apo 15 vjet me një popullsi të plakur. Me një popullsi të plakur që ende nuk ka rimarrë në dorën e vet elaborimin e të gjitha potencialeve dhe energjive ekonomike, financiare apo resurseve që ka vendi. Prandaj, unë do t’i bëja thirrje në radhë të parë qeverisë shqiptare, të gjithë aktorëve që kanë ndikim në krijimin e perceptimeve të shpresës dhe të sjelljes së shoqërisë dhe qytetarëve që ky të trajtohet me një seriozitet të veçantë në gjithë dimensionet që kërkon ashtu siç do t’u bëja thirrje të gjithë qytetarëve që natyrisht ne nuk duhet ta shikojmë përgjegjësinë tek qytetarët. Qytetarët kanë nevojë për ndihmë, organizim, funksionim të shtetit dhe të ofrimit të mundësive. Gjithsesi unë do t’u bëja thirrje dhe qytetarëve të vendit tim që të mos konsumohen me akte të tilla, sepse do dëmtohen qoftë në aspektin ekonomik, financiar të familjes së tyre, por njëkohësisht nuk do të gjejnë një zgjidhje. Ne duhet të mendojmë dhe duhet të bëjmë të gjithë përpjekjet së bashku që të gjejmë zgjidhje në vendin tonë. Këtu është e ardhmja më e sigurt dhe më e mirë për çdokënd për secilin prej nesh. Minimumi nuk ka një fushatë agresive, le të themi në kuptimin pozitiv të fjalës, mediatike, nga ana e autoriteteve shtetërore për  parandaluar dhe për të  ndërgjegjësuar qytetarët shqiptarë që largimi nga vendi, kërkimi i emigracionit në vende të tjera apo i azilit në vende të tjera nuk sjell zgjidhje as për individin, as për shoqërinë dhe as për të ardhmen tonë.

Gazetarja: Pikërisht këtu desha ta ndalesha zoti President. Duket se qeveria ka një tjetër këndvështrim nga ky që keni ju. Nuk duket dhe kaq e shqetësuar për gjithë këtë fluks shqiptarësh që largohen, madje përgjegjësit nuk i gjen tek qeverisja. Kemi parë Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm të deklarojnë që një pjesë e madhe e shqiptarëve që kanë kërkuar azil kryesisht në Gjermani nuk dalin nga Shqipëria, por janë emigrantë shqiptarë që jetojnë në Greqi.

Presidenti Nishani: Pikërisht mosjellja dhe mospajtimi me seriozitetin e merituar është fakti i shqetësimit që unë kam dhe këtë po përpiqem ta përcjell edhe përmes mundësisë që po më jepni ju si media. Ta përcjell këtë shqetësim në radhë të parë tek qytetarët shqiptarë, por ta përcjell këtë shqetësim edhe tek autoritetet shqiptare. Kjo nuk është një çështje që zgjidhet vetëm nga një institucion i caktuar. Kjo kërkon një qasje dhe një zgjidhje të përbashkët, por pa diskutim përgjegjësia kryesore dhe udhëheqja dhe drejtimi i zgjidhjes së problemit, përcaktimi i politikave në aspektin e sjelljes institucionale në çështjet ekonomike, sociale, çështjet e ruajtjes së identitetit janë në radhë të parë e atyre që kanë fuqinë e vendimmarrjes dhe e politik-bërjes, prandaj unë po e adresoj këtë si shqetësim. Pastaj, komentet dhe deklaratat nuk japin zgjidhje dhe as nuk e frenojnë problemin në kuptimin e shqetësimit që ai sjell, as nuk e rikthejnë një qasje ndryshe më pozitive në perceptim dhe gjykim të qytetarit shqiptar dhe as nuk bindin pastaj as partnerët që janë të shqetësuar. Të shikojmë të vërtetën në sy! Ta përballojmë atë të gjithë bashkë dhe natyrisht ajo kërkon marrjen e masave konkrete në të gjitha ato dimensione që unë përmenda pak më lart në përgjigjen time.

Gazetarja: Zoti President, stina e re politike, sezoni i ri parlamentar ka nisur me zhvillime jo pak të rëndësishme dhe jo pak tronditëse në disa raste. Kemi një deputet të Parlamentit shqiptar të arrestuar me një akuzë shumë të rëndë, – ‘plagosjen e disa shtetasve’ – por ndërkohë kemi dhe dorëheqjen e një tjetër deputeti edhe ky pjesë i mazhorancës shqiptare, i cili ishte akuzuar si nga opozita, por kemi pasur dhe një deklaratë shumë të fortë të Ambasadës amerikane për një njeri me precedentë penalë, njeri i dënuar për trafik të qenieve njerëzore. Si i shikoni të gjitha këto zhvillime? A mendoni se kjo është pjesë e vetëpastrimit të radhëve të Parlamentit nga ata persona të cilësuar si të inkriminuar? Apo duhet, siç propozon opozita, një nismë ligjore që t’i japë fund njëherë e mirë pjesëmarrjes së këtyre individëve në Parlamentin shqiptar?

Presidenti Nishani: Në gjykimin tim është nisje shumë e mirë e një rruge të rëndësishme që duket nuk do të jetë e shkurtër, por e domosdoshme, e nevojshme. Politika duhet të marrë me shumë seriozitet të gjithë këtë udhëtim, këtë rrugë që tashmë ka hyrë falë pa dyshim angazhimit të politikës sonë, por mbi të gjitha të mbështetjes dhe këmbënguljes së partnerëve dhe miqve me ndihmën e të cilëve kemi arritur jo pak rezultate të jashtëzakonshme në këtë dekadën e fundit, për të cilën u jemi mirënjohës, dhe mbetemi me bindje që do të vijojnë të jenë pranë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Institucionet, politika urgjentisht duhet të pastrohet dhe të largojë të gjithë ata individë të cilët jo vetëm kanë rekorde kriminale, jo vetëm kanë evidenca të qarta dhe të provuara të përfshirjes në veprimtari të paligjshme, por edhe të gjithë ata individë të cilët në mënyrë të provuar dhe evidente janë të lidhur me botën e krimit dhe paranë e pistë.  Nuk ka nevojë as Shqipëria, as shteti shqiptar, as qytetarët dhe as shoqëria shqiptare për të pasur në vendimmarrje individë dhe njerëz të tillë jo vetëm që duhet të japim prova të qarta të një qëndrimi të tillë, por duhet ta kemi këtë një prioritet të rëndësishëm në këtë udhëtim të cilën shqiptarët e kërkojnë sot për të kthyer pikërisht atë që kanë humbur për fatin e keq, të besimit. Nuk ka gjë më fatale kur qytetari i thjeshtë humbet besimin tek politik-bërja, tek institucionet, dhe humbet besimin në fund të fundit tek një e ardhme e cila jetohet nga njerëzit. Nuk do vijnë të tjerët të ndërtojnë të ardhmen tonë. Unë jam i bindur që shoqëria shqiptare ka kapacitete intelektuale të gjeneratës së re, kapacitete njerëzore edhe nga gjenerata të tjera të cilët duhet dhe mund t’i dalin zot shumë mirë vendit.

Gazetarja: Një pyetje të fundit zoti President: Në këto dy vite të fundit të mazhorancës së majtë në pushtet duket sikur ka pasur një ‘luftë të ftohtë’ midis Institucionit të Presidentit dhe kësaj mazhorance. E vetmja pikë kur duket se është gjetur një konsensus mes të dy këtyre institucioneve, ishte zgjedhja e Guvernatorit të Shqipërisë, ku mazhoranca e miratoi propozimin e ardhur nga ju. Por ndërkohë kemi parë herë pas here, që mazhoranca nuk ka miratuar asnjë nga dekretet që ju keni propozuar për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Ndërkohë ju keni kthyer mbas shumë ligje të sjella për dekretim nga mazhoranca, ndërkohë që shumë ambasada vazhdojnë të mbeten pa përfaqësim sepse ka pasur një përplasje mes Presidencës dhe Qeverisë, Ministrisë së Jashtme. Si mendoni do të zgjidhet kjo situatë? Kemi rastin më të fundit atë të ambasadorit tonë në Japoni, i cili edhe pse është pranuar propozimi i Ministrisë së Jashtme nga ju për largimin e këtij ambasadori, vazhdon  të mos ketë një propozim të ri nga Ministria e Jashtme.

Presidenti Nishani: E kam thënë shpesh dhe qëndroj i palëkundur në  çka unë i kam përcjellë opinionit publik, qytetarëve, institucioneve, medias. Kam pasur kam dhe do të kem deri në fund të mandatit tim vetëm një qëllim dhe një objektiv: Respektimin e Kushtetutës, mbrojtjen e identitetit dhe integritetit të Institucionit të Presidentit të Republikës, që është Institucioni i Kreut të Shtetit shqiptar dhe më i larti në përfaqësimin e qytetarit shqiptar në aspektin formal. Nuk kam pasur dhe nuk do të kem asnjë arsye tjetër, as politike dhe as të pa shpallur, për të sjellë pengesa të paarsyeshme. Përkundrazi, nëse shikohet në mënyrë të qetë, të ftohtë, institucionale, e gjithë sjellja e Presidentit të Republikës, nuk do të gjendet asnjë argument për të vërtetuar të kundërtën e këtyre që unë kam deklaruar dhe vazhdoj ti qëndroj. Është fare e thjeshtë, çelësi qëndron tek respekti i ndërsjellë institucional në të gjitha aspektet. Juve përmendët një shembull, rastin e ambasadorit tonë në Japoni, i cili pas gjashtë muaj nga dekreti i lirimit nga detyra që i ka bërë Presidenti i Republikës, madje këtë dekret me propozim të vetë qeverisë, është mbajtur në detyrë, madje në kundërshtim dhe në shkelje të ligjit, të praktikës institucionale, por edhe të shkeljeve financiare. Nuk mundet të vazhdojë të ushtrojë detyrën për një kohë kaq të gjatë një ambasador, i cili nuk është më në dekret të Presidentit. Besoj se kjo është një sjellje dhe tregues i qartë i vendosjes së raporteve dhe interesave të individit, mbi interesat e shtetit dhe të vendit. Pra, në gjykimin tim kjo është shumë e rëndësishme. Secili duhet të ikë dhe t’i largohet interesave të individit, të cilët nuk mund të jenë kurrsesi në prevalencë me interesat e shtetit dhe interesat e shoqërisë në tërësi, me interesin e vendit dhe interesin e respektimit në aspektin institucional, të çdo institucioni, të çdo agjencie, të çdo pushteti në Shqipëri.

SHKARKO APP