Shifrat e të infektuarve nuk kan logjikë, ‘Arresti kombëtar’ nuk ka dhënë efekt
Entela Resuli
Taulant Muka, mjek epidemiolog, ka një këndvështrim ndryshe të situatës dhe raportimeve mbi virusin në vendin tonë.
Ai i shikon si absurde shifrat që përcillen çdo ditë për sa i përket numri të të infektuarve.
Për të e gjithë ecuria e deri tanishme e virusit në Shqipëri nuk ka logjikë. Njëherë kemi 28 raste, ditën tjetër 6, një ditë më pas 17…Sipas Dr. Mukës në 2 javët e para të karantinës duhet të kishim rritje eksponenciale, ndërkohë ne kemi pothuajse të njëjtë numër rastesh gjatë gjithë kësaj periudhe.
Për të gjithashtu, nuk ka kuptim që ta mbyllësh vendin në fundjavë dhe ta hapësh të hënën!
Nga ana tjetër, në këtë intervistë në Dita ai jep disa arsye se pse është e nevojshme që të bëhen më shumë testime, dhe thekson faktin që ky virus nuk ikën, as nga temperaturat e larta dhe as nga “arresti kombëtar” që është vendosur në vend dhe për këtë duhet të përgatitemi.
-Z. Muka, si ju duket ecuria e virusit në Shqipëri?
Është e vështirë të kuptosh realitetin në Shqipëri pasi ka dhe një keqkuptim mbi zbatimin e distancimit social. Distancimi social nuk është izolim komplet i individit dhe shoqërisë, por respektim i disa rregullave të sjelljes sociale të cilat lejojnë uljen e transmetimit të infeksionit. Për shembull, në Zvicër dhe në pjesën më të madhe të Europës, nuk ka kufizime në orare se kur një person mund të dalë jashtë shtëpisë, por rekomandohet se kur të dalë, të mos jetë i rrethuar më shume se 5 persona, dhe te mbahet mundësisht një distancë mbi 1,5-2 metra. Kjo bazohet në karakteristikat që njohim deri më sot të virusit, dhe ka treguar efikasitet. Edhe pse Zvicra i mori këto masa më vonë se Shqipëria, sot ka mundur të uli transmetimin e infeksionin nën nivelin 1 të R0, parametër tregues i përhapjes së infeksionit. Në vendin tonë kam parë kufizime oraresh në lëvizjen e qytetarëve e cila nuk bën sens pasi lejon daljen e qytetarëve në kohë të njëjtë e për pasojë përqendrime më të lartë të njerëzve çfarë mund të nxisë rritjen e transmetimit të infeksionit.
-Nga ana tjetër, prej ditësh kemi shifra të ndryshme infektimi, njëherë 6, njëherë 28, pastaj 17… Çfarë do të thotë kjo?
Nuk bën logjikë, dhe tregues se numrat që raportohen nuk janë përfaqësues të asaj që ndodh në realitet. Kjo përforcohet e nga një studimi i fundit i London School of Hygiene and Tropical Disease që tregon se vendi ynë deri në datën 25 Mars ka raportuar nga 5% deri në 40% të rasteve simptomatikë. E theksoj simptomatikë, pasi numri i personave asimptomatike, faktor kryesor të përhapjes së infeksionit, mund të jetë shumë më i lartë. “Arresti” kombëtar duhet të kishte dhënë efekt 2-3 javë nga data e fillimit për shkak të karakteristikave virologjike të virusit (simptomat shfaqen nga 5-14 ditë pas infeksionit).
Ndërkohë ne kemi pothuajse të njëjtë numër rastesh gjatë gjithë periudhës së karantinës, kur 2 javët e para të karantinës duhet të kishim rritje eksponenciale. Pra sipas numrave zyrtarë, karantina nuk ka dhënë asnjë efekt- shumë absurde.
-Ku qëndron problemi?
Ka shumë probleme në strategjinë që vendi ynë ka zgjedhur. Në radhe të parë, sikurse e kam përmendur më sipër, shteti “izolon” shoqërinë rreptësisht gjatë fundjavës, ndërkohë që ditën e hënë të gjithë qytetarët dalin në të njëjtën periudhë kohore e cila mund të çojë në rritje eksponenciale të përhapjes së infeksionit. Së dyti, gjurmimi i rasteve, element kryesor i kontrollit të kurbës epidemike dhe ndërprerjes së zinxhirit të transmetimit, mund të mos jetë shumë efektiv. Kjo lidhet edhe me faktin se tek ne ky proces bëhet manualisht, dhe jo në mënyre elektronike që përshpejton procesin dhe identifikimin e hershëm të kontakteve. Së treti, numri i ulët i testimeve, faktor kryesor në identifikimin e zonave komunitare në të cilat ka shpërthim të infeksionit, por edhe në sigurinë e stafe mjekësore të cilët nëse infektohen, mund të përhapin infeksionin në ambientet spitalore. Së katërti, nxjerrja jashtë loje e mjekut të familjes; 127 nuk mund të zëvendësojë rolin e mjekut të familjes! Nuk e di arsyen pse kjo ka ndodhur, ndoshta edhe për të kontrolluar informacionin. Së pesti, spitalet rajonale nuk janë vënë në shërbim të situatës, dhe kjo duhet të ndryshojë në ditët në vazhdim. Së gjashti, ende sot vendi ynë, ndryshe nga shtetet e zhvilluara, nuk ka një ekip studiuesish të fushave të ndryshme që këshillojnë dhe orientojnë qeverinë mbi masat që duhet të ndërmarrë. Qeveria bën dhe rolin e mjekut, epidemiologut, dhe virologut, duke zhvlerësuar figurën e profesionistëve/shkencëtarëve.
-A do të duhej të bëheshin më shumë teste?
Patjetër. Testet mund të ndihmojnë në disa aspekte. Së pari, në identifikimin e vatrave të infeksionit (e cila i vjen në ndihmë më pas dhe procesit të gjurmimit) në të cilat mund të ketë ndërhyrje për ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit. Së dyti, përmes testimit (për virusin apo për antitruprat), mund të kuptojmë se sa pjesë e shoqërisë ka infeksionin ose ka qenë e infektuar më parë.
Kjo ndihmon jo vetëm në perceptimin më të mirë të asaj që po ndodhë në vend, por edhe në planifikimin e masave dhe burimeve njerëzore nga shteti për kontrollin efektiv të pandemisë. Dy pikat e para mund të arrihen përmes një studimi prevalence në popullatë dhe në dhuruesit e gjakut, sikurse po bëjnë sot shumë vende si Islanda, Gjermania dhe Danimarka. 2.7% ka rezultuar prevalenca seriopozitive për COVID-19 në dhuruesit e gjakut në Danimarkë, tregues se më shumë se 150,000 banorë të Danimarkës mund të jenë të infektuar.
Të dhënat paraprake tregojnë se 0.9% e popullatës së Islandës mund të jetë e infektuar me COVID-19. Si është e mundur, një vend si i joni me lëvizje të shumta me Italinë, të kemi më pak se 450 raste COVID-19?! Së treti, kapacitetet testuese garantojnë më shumë siguri për stafet mjekësore, të cilët nëse infektohen dhe nuk kanë simptoma, mund të përhapin infeksionin në ambientet spitalore dhe për pasojë, jo vetëm infektojnë edhe më shumë personel mjekësor, por edhe pacientët kronikë që mund të gjenden në spitale duke vënë seriozisht në rrezik jetën e tyre. Së katërti, testimi ndihmon në identifikimin e hershëm të rasteve, e për pasojë në trajtim të hershëm për të parandaluar komplikacionet. Pra, testimi ndikon në ulje të vdekshmërisë.
-Qeveria thotë se nuk ka problem në gjetjen e testeve, por nuk duhen bërë ato, pse?
Nuk e di, më duket vendimi absurd për më tepër kur qeveria thotë se nuk është problem gjetja e kiteve/testeve. Ministria e Shëndetësisë duhet të bëjë publike edhe parametrat e testit aktual. Cilat janë kostot dhe parametrat e testit që përdoren aktualisht për diagnozën e COVID-19? Pra, stafet mjekësore dhe qytetarët kanë nevojë për transparencë mbi përqindjen e personave që rezultojnë negativ por mund të jenë aktualisht pozitiv (fals pozitiv), ose dhe e kundërta (fals negativ)? Gjithashtu, nuk ka informacion deri në sa kopje të virusit mund të detektojë testi aktual. Mungesa e transparencës ngre shumë dyshime, dhe mund të shpjegojë dhe pjesërisht edhe pse qeveria nuk është e gatshme të rrisë kapacitetet testuese.
-Çfarë mund të arrihet me këtë izolim të deritanishëm?
Qytetarët shqiptarë duhet të dinë se (në bazë të evidencës së deri tanishme):
- Temperaturat e larta nuk ndalojnë përhapjen e virusit, pra virusi do jetë prezent edhe gjatë verës. COVID-19 nuk është grip, dhe përfaqësuesit e qeverisë mund të gabohen kur thonë vala e dytë pritet në vjeshtë! Praktikisht, fillimi i jetës do shkaktonte një tjetër rritje eksponenciale të rasteve.
- “Arresti kombëtar”/ izolimi nuk e ç’rrënjos virusin, por është periudhë kohore që i lejon qeverisë të përgatitet për fazat e tjera. Sa me i gjatë arresti kombëtar, aq më të mëdha dëmet shëndetësore, ekonomike dhe sociale!
- Vaksina dhe trajtimi i COVID-19 nuk janë zgjidhje në 1-2 vitet e ardhshme; pra duhen menduar opsione alternative si testimi, gjurmimi, izolimi dhe/ose infektimi i shtrirë në kohë i popullatës duke ruajtura grupet në rrezik, i shoqëruar mundësisht edhe me rritje të kapaciteteve spitalore!
-Kryeministri ka propozuar disa ndryshime në kodin penal, me lirimin e masave, do të kemi dënime më të larta për ata që thyejnë rregullat, si ju duket kjo gjë ?
Nuk është njerëzore ndryshimi i kodit penal për dënimin me burg të personave të infektuar. Kryeministri duhet të kuptojë që lufta është shkencore dhe mjekësore, dhe të infektuarit nuk janë kriminelë, por kanë një infeksion/sëmundje e cila duhet të parandalohet ose mjekohet. Përkundrejt këtyre masave absurde që nuk sjellin kontrollin e pandemisë, qeveria duhet të ngrejë një komision me studiuesit/ ekspertët më të mirë që vendi ynë të planifikojë sa më shpejt hapat për lirimin e masave. Izolimi afatgjatë nuk është zgjidhja, dhe vend ynë i ka kapacitetet për t’i dhënë frymëmarrje shoqërisë!
DITA