Teuta Haveri: Faktorët që dëmtojnë shikimin dhe këshillat për ta mbrojtur atë
Intervista/ Mjekja Okuliste, Teuta Haveri shpjegon në një intervistë për “Koha Jonë” problemet më të përhapura të shikimit dhe ato më të komplikuara
Teuta Haveri: Faktorët që dëmtojnë shikimin dhë këshillat për ta mbrojtur atë
Intervistoi: Sidorela Lepri
Kur bëhet fjalë për shikimin, të gjitha grupmoshat janë të rrezikuara të preken nga probleme të ndryshme. Disa prej tyre janë më të zakonshme, të tjera më të komplikuara dhe disa të tjera prekin grupmosha të caktuara.
Mjekja Okuliste në Spitalin Amerikan, Dr. Teuta Haveri në një intervistë për gazetën “Koha Jonë” shpjegon faktorët që dëmtojnë shikimin si edhe grupmoshat më të rrezikuara.
Më tej, Haveri flet edhe për përdorimin e syzave pa konsultimin e mjekut dhe rrezikun nga qëndrimi me orë të tëra përpara kompjuterit.
Në mbyllje të intervistës, mjekja okuliste ka edhe disa këshilla sesi mund ta mbrojmë çdo ditë shikimin.
Znj.Teuta, nga eksperienca dhe puna juaj si mjeke okuliste, cilat janë problemet më të zakonshme me shikimin që hasen tek pacientët tuaj?
Janë të ndryshme, në varësi edhe të grupmoshave. Në moshën e fëmijëve më shpesh hasen “të metat e refraksionit” apo siç njihen në gjuhë të thjeshtë “nevoja për të përdorur syze”. Gjithashtu nuk jane të rralla edhe lotimi i syrit për shkak të problemeve të kanalit të lotit dhe strabizmi (shtrembërimi i syve).
Në adoleshencë hasen më tepër problemet e miopisë (vështirësia në shikimin larg) dhe astigmatizmit (prania e numrit cilindrik) progresiv i cili mund të arrijë deri në keratokonus. Mbi moshën 40 vjeç, ankesa kryesore e pacientëve është vështirësia në shikimin afër (presbiopia) e cila nuk konsiderohet si sëmundje por është thjesht ndryshim fiziologjik i syrit për shkak të moshës dhe trajtohet me syze leximi.
Në një moshe pak më të vonshme, zakonisht rreth 50 – 55 vjeç, mund të bëhen evidente dëmtimet e syrit nga sëmundjet sistemike si diabeti dhe hipertensioni arterial. Në dhjetëvjeçarin e pestë dhe të gjashtë të jetës fillojnë të shfaqen problemet e kataraktes (perdes) së syrit, glaukomës (tensionit të lartë të syrit) si dhe degjeneracionet makulare (plakja e qendrës së shikimit).
Po problemet më të komplikuara?
Mund të përmendim Glaukomen apo tensionin e syrit. Ne mjekët okulist e quajmë “hajdutja e shikimit” sepse është një sëmundje që dëmton në heshtje, nuk jep shenja alarmi për pacientët dhe ata shpesh paraqiten për vizitë në stade të avancuara të sëmundjes kur shikimi është dëmtuar ndjeshëm. Kjo është një ndër arsyet madhore që këshillohet të matet tensioni i syrit të paktën një herë në vit, gjë që do të bënte të mundur zbulimin dhe trajtimin e hershëm të sëmundjes. Gjithashtu mund të përmendim edhe keratokonin. Është një sëmundje që u përket kryesisht moshave të reja. Fillon me një numer cilindrik syzesh i cili vjen progresivisht në rritje, paralelisht me deformimin e sipërfaqes së syrit dhe shndërrimin e tij në një formë konike. Në stadet e hershme keratokoni trajtohet me metodën e cross-linking e cila ka rezultate shumë të mira në frenimin e sëmundjes. Në të kundërt nëse zbulohet vonë trajtimi ëshë detyrimisht kirurgjikal me anë të transplantimit të kornesë (xhamit të syrit).
Dëmtimi i syrit nga diabeti ( retinopatia diabetike) është një tjetër problem i komplikuar për faktin se pacientët diabetikë jo rrallë neglizhojnë kontrollet rutine tek mjeku okulist. Diabeti është një sëmundje kronike, e cila ka si organ “target” edhe syrin. Prandaj, paralelisht me mjekimin bazë të rekomanduar nga mjeku endokrinolog, pacienti duhet të jetë nën kontrollin edhe te mjekut okulist, për të diagnostikuar hershëm prekjen e e syrit nga diabeti dhe trajtimin kur është e nevojshme me laser terapi apo antiVEGF.
Po grupmoshat të cilat preken më së shumti?
Siç i permendëm më lartë, sëmundje të caktuara të syrit kanë preferencë për grupmosha të caktuara. Megjithatë mund të vërehen edhe përjashtime, p.sh katarakta që është kryesisht problem i moshave të mëdha mund të haset edhe në fëmijë (katarakta congenitale), në të rinj (juvenile) apo pas traumave të syrit (katarakta traumtike).
Sa herë këshillohet të kryhen vizitat gjatë vitit tek mjeku okulist?
Për fëmijët të paktën një vizite rutine midis moshës 3-5 vjeç. Tek të rriturit minimalisht një herë në vit. Në varësi të sëmundjes egzistuese të syrit, sipas këshillës së mjekut mund të jenë të nevojshme edhe kontrolle më të shpesh çdo 6 muaj (p.sh diabetikë apo glaukomatozet)
Shohim çdo ditë plot të rinj që përdorin syza qetësuese pa rekomandim nga mjeku. Sa e dëmshme është kjo dhe a këshillohet përdorimi i tyre pa konsultimin me mjekun përkatës?
Nuk është mirë të përdoren syze pa bërë të paktën një vizitë tek mjeku oculist, për t’u siguruar se nuk keni sëmundje te syrit si dhe për të përcaktuar numrin e saktë për të cilin keni nevoje. Numri i syzeve është individual dhe përcaktohen vetëm pas vizitës së mjekut.
Nga se dëmtohet kryesisht shikimi?
Glaukoma, diabeti, traumat e syrit.
Dëmtimi i shikimit lidhet më së shumti me faktorë gjenetikë apo të jashtëm?
Ka sëmundje që kanë bazë gjenetike, si p.sh retinitis pigmentosa apo myopia alta. Kjo e fundit karakterizohet nga numër i lartë syzesh minus dhe vështirësi në shikimin larg dhe zakonisht është e trashgueshme nga prindi tek fëmijët.
Ka edhe sëmundje të tjera kur trashëgimia luan rol të rëndësishëm siç është glaukoma. Nëse një person i afërt si nëna apo babai ka vuajtur nga kjo sëmundje, atëherë probabiliteti i shfaqjes tek fëmijët apo nipërit është më i lartë. Për këtë arsye, këshillohet këta të fundit të realizojnë matjen e tensionit intraokular një herë në vit si dhe t’i nënshtrohen egzaminimit të fushës vizive. Kjo e fundit është një egzaminim i thjeshtë joinvaziv, i cili përcakton sensibilitetin e fibrave të Nervit Optik (të syrit) në bazë të ndjeshmërisë ndaj stimujve të dritës. Fusha vizive ndihmon në zbulimin e hershëm të sëmundjes së glaukomës.
A hasen në ditët e sotme më shumë probleme me shikimin sesa disa vite më parë?
Është vënë re një shtim i frekuencës së të metave të refraksiont (nevoja për të mbajtur syze) sidomos tek fëmijët dhe moshat e reja.
Qëndrimi për një kohë të gjatë përpara kompjuterit apo telefonave celularë, si ndikon në shikimin tonë?
Sipas studimeve të fundit, shfaqja dhe rritja progresive e miopisë (nevojës për syza minus) stimulohet nga qëndrimi i zgjatur në ambjente të mbyllura dhe përqëndrimi për kohë të gjatë në objekte të distancës së afërt si p.sh libra, telefon, i-pad, kompjuter. Përqendrimi në distancë të afërt 30- 40 cm kërkon një sforcim të syrit rreth 3 herë më të madh sesa kur ai sheh në distancë të largët. Qëndrimi për orë të tëra nën këtë stres viziv ndikon në rritjen e miopisë. Për të shmangur këtë efekt të padëshiruar, rekomandohet që çdo dy orë pune e përqendruar në libra apo në kompjuter të alternohet me 5-10 min pushim, duke hedhur vështrimin në largësi më të madhe se 5 metra. Në këtë mënyrë, të gjithë muskujt e brendshem te syri clirohen dhe relaksohen dhe mund te rifillohet serisht leximi.
Zakonisht pacientët i drejtohen mjekut okulist, sa herë që hasin probleme apo edhe thjesht për vizita rutinë?
Zakonisht pacientët paraqiten pasi ndjejnë shqetësime. Megjithatë, gjithnjë e më shumë po rritet numri i personave që paraqiten për vizita rutinë pa pasur ankesa. Praktikë e zakonshme është bërë kontrolli rutinë i fëmijëve para se të fillojnë klasën e parë. Kjo gjë mundëson zbulimin dhe trajtimin e hershëm të problemeve të shikimit në fëmijë.
Mendoni se ndërgjegjësimi për shëndetin, në rast konkretin ndaj syve, ka ardhur gradualisht në rritje?
Mendoj se po.
Dhe së fundmi, cilat janë disa këshilla që do të jepnit për të mbrojtur shikimin?
– Të mos neglizhohet asnjë problem sado i vogël në lidhje me shikimin. Në prani të shqetësimeve paraqituni tek mjeku okulist.
– Personat që kanë të afërm të shkallës së parë me problem kronike të shikimit (nëna, babai, gjyshërit) të jene më të kujdeshëm në kontrollet e detyrueshme.
– Të zbatohet rekomandimi për kontrolle rutinë çdo vit, sidomos në personat që vuajnë nga sëmundje sistemike si diabeti, hipertensioni etj.
– Mbroni sytë nga rrezet e forta të diellit. Shumë i rëndësishëm është përdorimi i syzeve te errëta me filter mbrojtës ndaj rrezeve ultraviolet.
– Për ata që punojnë me materiale ndërtimi, saldim e me radhë, përdorimi i syzeve mbrojtës gjatë punës është i detyrueshëm.
– Ruani fëmijët nga goditja e syve me objekte të forta. Sytë janë të ekspozuar, fragil dhe mjaft vulnerabël. Goditjet dhe çarjet e syve mund të jenë me pasoja të rënda për shikimin.
– Nëse përdorni lente kontakti, kujtohuni t’i hiqni gjithmonë përpara se të shkoni në pishina apo plazh. Në të kundërt, mund të bëhen shkak për infeksione të rënda dhe rezistente të sipërfaqes së syrit.