Valter Gjoni: “Enciklopedi pa fund”, një histori e mirëfilltë e Tiranës

Pas “Enciklopedi pa fund”, Valter Gjoni do të sjellë për lexuesit “Rrugëtime nëpër mandatet e Tiranës”dhe një botim historik për Pallatin e Brigadave

Valter Gjoni: “Enciklopedi pa fund”, një histori e mirëfilltë e Tiranës

Intervistoi: Sidorela Lepuri

Pak ditë më parë, autori Valter Gjoni solli për lexuesit veprën “Enciklopedi pa fund”, që tregon për fillesat e traditës së dhënies së titujve “Qytetar Nderi”. Në këtë vepër ai sjell në mënyrë kronologjike që prej vitit 1937 e deri në ditët e sotme 31 qytetarët e nderit të Tiranës.
Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, Gjoni flet gjerësisht për enciklopedinë, përse e shkroi, mesazhin që përcjell si edhe planet e tij të ardhshme në fushën e botimeve…

Para pak ditësh u botua libri juaj “Enciklopedi pa fund”. Duke marrë parasysh faktin që jo çdokush mund të shkruaj një enciklopedi, sa kohë iu është dashur për ta përgatitur dhe sjellë për lexuesin këtë vepër?

Në mënyrë modeste them që kjo nuk është një enciklopedi në kuptimin e mirëfilltë dhe klasik të fjalës, por është një përmbledhje. Pjesa e parë është një enciklopedi historike, që tregon pikërisht sesi ka filluar kjo traditë që me kurorën e dafinës apo ullirit. Gjithmonë qytetarët e nderit kanë qenë më të mirët. Përsa i takon kohës së realizimit të këtij botimi, ai përfshin dy pjesë: një pjesë historike, ku është qytetaria e historisë botërore dhe pastaj vimë në një pjesë tjetër që është historia e qytetarisë shqiptare dhe arrijmë tek aktet e shpalljes qytetar nderi të këtyre 31 figurave. Përsa i takon dy pjesëve të para që janë pjesët historike për këtë praktikë, them se aty kam pasur angazhimin kryesor sepse kisha vërtetë dëshirë të gjeja origjinën nga vinte, si zhvillohej e me radhë. Po të shohësh vërtet librin ka vërtet mjaft detaje interesante, si jepej ky titull, ky bazohej apo ç’domethënie kishte kurora. Monarkitë filluan të jepnin tituj me bazë materiale si toka, tituj, principata, kurse titulli i mirëfilltë demokrat që jepte dhe jep populli është “Qytetar Nderi”.

Si lindi ideja për këtë enciklopedi?

Ideja është që unë jam një nga punonjësit me stazhin më të lartë në bashkinë e Tiranës dhe më duhej shpesh të merresha me këto figura dhe po të shohësh librin, figurat që nga viti 91’ e në vazhdim i kam njohur vetë. Ishte një grupim njerëzish për të cilët unë nuk mund të rrija pa shkruar dhe duke qenë se i kam njohur nga afër si figurat shqiptare e ato të huaja e kisha më të lehtë për të shkruar për to. Kështu i përmblodha në një libër që ka një mikëpritje nga qyterarët dhe institucionet.

Meqënëse jemi tek mikëpritja, përse duhet një enciklopedi e tillë për Tiranën?

Sepse është një histori e mirëfilltë e Tiranës. Që të bëhesh qytetar nderi duhet të jesh dikush, duhet të kesh një lidhje me qytetin, të kesh dhënë një kontribut, por ama kemi tituj që janë dhënë në mënyrë natyrale, por edhetë tjerë që stonojnë në këtë lloj praktike. Dhe pikërisht këtu është edhe historia e kësaj.

Në librin tuaj “Enciklopedi pa fund, Qytetarët e nderit të Tiranës”, sillen emrat që mbajnë këtë titull që prej vitit 1937. A është abuzuar me titujt në gjithë këto vite, duke marrë parasysh mënyrën sesi jepeshin ato gjatë periudhës komuniste?

Pikërisht ky fakt përbën histori dhe kjo histori ka filluar në 1937 me rastin e e 25- vjetorit të Pavarësisë që Zogu e festoi në mënyrën e vet me madhështi. Ai lejoi që bashki të veçanta të jepnin një lloj titulli dhe ishte motra e Zogut, Sanija që me Shoqatën e Grave i dha titullin për herë të parë “Qytetar Nderi” ministrit te jashtëm Italian. Ky titull u mirëprit e hapi një praktikë, por nuk u dha në mënyrë demokratike, për vetë faktin se u dha  nga gratë e monarkisë. Megjithatë është një numër i konsiderueshëm njerëzish që e propozojnë. Në kohën e fazhizmit fillon bastardimi i titujve sepse jepen këto tituj për tre drejtuesit kryesor të shtetit fashist. Kështu këto tituj nuk jepen nga të zgjedhurit e qytetit, por jepen nga kryeministri. Për të kaluar në periudhën gati 50-vjeçare të komunizmit janë shpallur vetëm 2 figura, Nikita Hrushov dhe kryeministri i Bullgarisë Komuniste asokohe. Në këtë pertiudhe vetëm këto janë shpallur qytetar nderi dhe që këtu kuptohet që nuk janë të karakterit demokrat. Por pas 91’ kjo traditë rrëzohet dhe merr një karakter demokratik.

Meqënëse jemi tek titujt dhe ju keni sjellë një kronologji të kësaj tradite për qytetin e Tiranës ndër vite… A vëreni se ka ndryshuar apo është konsoliduar koncepti i dhënies së titullit “Qytetar Nderi” deri në ditët e sotme?

Si praktikë, po. Tashmë ligji për organizimin dhe funksionimin e e pushtetit lokal ka një paragraf që thuhet shprehimisht: “Këshilli bashkiak jep titull nderi”. Këtu tregon që ka një lloj zyrtarimi të mënyrës së dhënies. Tashmë nuk e japin më këtë titull as kryeminstrat, as sekretarët e partive, por kemi një këshill bashkiak që përfaqëson popullin dhe nëpërmjet përfaqësisë fillon e jepet titulli. Në këtë mënyrë kthehemi në traditën e heshme helene, ku ishin pikërisht përfaqësuesit e qytetarëve që jepnin titujt. Këtu jemi pikërisht në këtë fazë.

Në pjesën më të madhe të rasteve titujt në shoqërinë tonë jepen pas vdekjes. Një praktikë tërësisht ndryshe nga ato perëndimore. Në këndvështrimin tuaj, a ka ndonjë gjë që nuk shkon në këtë aspekt?

Më vjen mirë më ngacmon këtë ide dhe që edhe redaksia shkon drejt kësaj ideje. Personalisht kam insistuar që në Bashkinë e Tiranës, ku dhe unë jam punonjës të mos jepet titulli “Qytetar Nderi” pas vdekjes. Kjo traditë ndodhi pas Luftës së Dytë Botërore, duke qenë se kishim shumë dëshmorë, luftëtarë, personalitete që gjatë luftës kishin dhënë mundin e tyre, por nuk ishin vlerësuar. Dëshmorët i kemi pas vdekjes dhe në këtë rast mund të bëhet ky vlerësim. Por sot pse? Qyterar nderi është ai burri që kalon atje, ky personi që bisedon e me radhë. Ky është qytetari, jo ai i ndjeri. Pastaj mbetet të themi “I Ndjeri Qytetar Nderi”. Praktika botërore është në këto ujëra. Bashkia e Tiranës për ta shmangur këtë ka edhe dy tituj të tjerë: “Qytetar Nderi”, “Mirënjohja e Qytetit” për njerëz me të thjeshtë dhe “Simboli i Qytetit”, i cili jepet zakonisht për njerëzit që nuk jetojnë më, por kanë dhënë një kontribut të caktuar.

Zakonisht çfarëdolloj libri përcjell një mesazh, përpos informacionit që përmban. Çfarë keni dashur të thoni me anë të kësaj Enciklopedie?

Po citoj atë që kam shkruar në një paragraf të librit: “Nderimi vjen nga greqishtja “Honos”lidhet me nderimin që u bëhej zotave pas betajave. Nderimi është një shenjë mirënjohje ndaj luftëtareve, që merr në konsideratë vetitë dhe meritat e tij. Rrjedhimisht nderimi konsiderohet si një shpërblim në formë respekti dhe gëzimi pas betejës. Por, si duhet kuptuar që për të përfituar nderimin, për t’u kualfikuar i nderuar, duhet të kësh marrë pjesë në një betejë. Në këtë kuptim, sot asnjë nuk mund të ketë cilësi nderimi. Atëherë, në kohën tonë kush mund të jetë më i “urti, i duruari, kurajozi, i përmbajturi, ata që sjellin një mendim të ri, ata që nuk bëjnë veprime fyese, mendimtarët, studiuesit, mbrojtësit e interesave publike, miq, etj.”
Ky është mesazhi që mendoj se transmeton.

A ka studiues të mirëfilltë të historisë në vendin tonë?

Nuk mund të thuash që nuk ka. Ka studiues të ngjarjeve të mëdha që merren më analizën e tyre, dhe kam vënë re që ka nevojë edhe për detajet më të imëta, si tradita e qytetit, veshjet, zakonet etj. Përshembull, Kristo Frashëri trajton personin, lagjen, shtëpinë, traditën, pra detajet më të vogla që përbëjnë ngjarjen në tërësi. Ne e dinim që Shefqet Ndroqi është “Qytetar Nderi”, por nuk dimë plot gjëra rreth tij, dhe historinë interesante që ka.

Tregu i botimeve është cilësuar shpesh si kaotik. Po përsa i përket kërkimeve historike të periudhave apo çështjeve të ndryshme, a mendoni se kanë gjetur vëmendjen e duhur në këtë treg?

Mua më pëlqen kjo ngarkesë që ka sot tregu, sidomos në drejtim të vlerave historike dhe filozofike. Letërsia ecën normalisht por ajo që është pak e vështirë dhe krijon probleme është pikërisht letërsia politike, filozofike e  historike. Dhe të them të drejtën unë e shoh tregun plot me këto prurje, ashtu siç shoh edhe që ka plot botime për Tiranën, dhe e bukura është që të gjitha këto botime shkojnë në drejtime të ndryshme dhe nuk përplasen.

Jeni autor i plot veprave të larmishme. A mund të na tregoni për planet e ardhshme në fushën e botimeve?

Unë kam filluar një bashkëpunim me një insitut interesant që quhet Illyricum Sacrum (Iliria e Shenjtë), një institut që ka grupuar një grup intelektualësh historian dhe që drejtohen nga Stefan Pinguli. Një nga preukopimet e mia është pranë këtij instituti. Unë i kam afruar këto ditë një botim që quhet “Rrugëtime nëpër mandatet e Tiranës”. Ky “Rrugëtim nëpër mandatet e Tiranës” flet për biografitë e 41 kryetarëve të bashkive të Tiranës që nuk janë thjesht emrat, mbiemrat dhe koha e qeverisjes. Por sjell historinë dhe rrugëtimin e tyre.
Kam në dorë edhe një botim tjetër historik për Pallatin e Brigadave, se për Pallatin e Brigadave dëeri më sot është folur si pallat, si strukturë, por ka detaje shumë interesante për anën historike që kam gjetur. 

SHKARKO APP