A mund ta ndryshojë Kosova marrëveshjen ndërkombëtare për Specialen vetëm përmes një ligji?
Kuvendi i Kosovës miratoi më 6 tetor ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Një ditë më pas, Bashkimi Evropian u shpreh “thellësisht i shqetësuar” dhe tha se ndryshimet bien ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.
Partia Demokratike e Kosovës, që propozoi këto ndryshime, tha se kjo nuk është e vërtetë sepse ata s’po e kërkojnë zhbërjen e Speciales dhe se “Kosova u rri besnike detyrimeve që ka marrë për të hetuar pretendimet për trafikim të organeve”.
Ndërsa Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje s’e ka komentuar këtë deklaratë për REL-in. Megjithatë, gjatë miratimit, vetë kryeministri Albin Kurti i cilësoi ndryshimet e propozuara si “të nxituara”.
Por, nëse ndryshimet përmes një ligji vendor bien ndesh me një marrëveshje ndërkombëtare, a mund të ndryshohet ajo marrëveshje?
Ndonëse Kuvendi ka kompetencë e mandat të miratojë dhe ndryshojë ligje, ndryshimi i ligjit të Kosovës nuk do të thotë se me automatizëm ndryshohet edhe marrëveshja ndërkombëtare me të cilën ndërlidhet ligji përkatës.
Për këtë arsye, sipas tij, Kosova duhet të kërkojë fillimisht dakordim me BE-në për ndryshimet.
“Kosova mund dhe duhet ta propozojë hapjen e negociatave me BE-në për ndryshimin e marrëveshjes, duke e përshtatur atë me ndryshimet e reja”, thotë Rrecaj për Radion Evropa e Lirë.
Ai thekson se çdo ndryshim duhet të ruajë pavarësinë e gjyqësorit dhe integritetin e proceseve gjyqësore.
Kush mund ta kundërshtojë ligjin dhe cila gjykatë ka kompetencë?
Cilido ligj i miratuar nga Kuvendi mund të kontestohet te Gjykata Kushtetuese për kushtetutshmëri nga Presidentja, Qeveria, Avokati i Popullit ose Kuvendi, ndërsa 10 ose më shumë deputetë mund ta kundërshtojnë atë brenda tetë ditësh nga miratimi.
Por, në rastin e ndryshimeve të miratuara për Ligjin për Specialen ekziston një procedurë e ndarë.
Ndryshimet e miratuara nga Kuvendi synojnë pikërisht ta ndryshojnë këtë rregull përmes ligjit vendor, duke ia hequr Dhomës Kushtetuese në Hagë kompetencën për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e ligjit për Specialen e duke e kaluar këtë përgjegjësi të Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Por, Kushteteta përcakton se marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara dhe normat juridikisht të detyrueshme të së drejtës ndërkombëtare kanë përparësi ndaj ligjeve të Kosovës.
Pika 3 e nenit 162 të Kushtetutës përcakton se Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, e përbërë nga gjyqtarë ndërkombëtarë, ka kompetencë ekskluzive për referimet kushtetuese që lidhen me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Rrecaj, sqaron se nëse ligji i ri bie ndesh me marrëveshjen ndërkombëtare me BE-në, ai ligj vendor nuk mund të përdoret për ta tejkaluar marrëveshjen.
“Sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara kanë përparësi ndaj ligjeve të Kosovës. Gjithashtu, Kushtetuta e Kosoves u jep përparësi marrëveshjeve ndërkombëtare edhe ndaj dispozitave të saj”, sqaron Rrecaj. REL

