Plas në Kosovë, Kryeministri Kurti shkarkon ministrin e Brendshëm nga LDK. Isa Mustafa: Kurti nuk më ka njoftuar!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka shkarkuar sot ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Kurti thotë se e ka marrë vendimin pas deklaratave që ministri Veliu i kishte bërë mbrëmë dhe që sipas tij përhapin panik. Agim Veliu është përfaqësues i LDK në koalicionin qeverisës të Kosovës.

“Në këto momente, kur e gjithë administrata publike po bën përpjekje maksimale për të minimizuar dëmet nga virusi korona, udhëheqësit e institucioneve qendrore, përfshirë këtu anëtarët e kabinetit qeveritar duhet të demonstrojnë maturi si në vendime, ashtu edhe deklarime.

Përmes deklaratave të tij të bëra publikisht, por jo edhe të mbështetura me qëndrime të tij në mbledhje të brendshme, ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Veliu ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë, pjesë e të cilës ai është”, shkruhet në njoftimin e qeverisë së Kosovës.

Veliu deklaroi një ditë më parë në Klan Kosova se situata është serioze dhe numri i të prekureve po rritet. “Situata në Kosovë është serioze. Numri i të prekurve po rritet”, ka deklaruar Veliu në Klan Kosova. “Institucionet duhet t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë që ta parandalojnë këtë pandemi. Unë personalisht jam që të ndërmerren të gjitha masat. Qofshin ato edhe ekstreme, sikurse po quhen, që të mbrohemi nga ky rrezik që e ka përfshirë globin, por edhe Kosovën”, është shprehur Veliu.

Ai ka përkrahur propozimin e Thacit, ndonëse Qeveria pjesë e të cilës ishte Veliu nuk mbështeste diçka të tillë. “Presidenti i Republikës ka propozuar që është mirë të bëhet gjendje e jashtëzakonshme, duke e pasur parasysh rritjen e numrit. Ai e shfrytëzon të drejtën e tij kushtetuese që ta paraqesë dekretin. Janë deputetët ata që e thonë fjalën e tyre, me votën pro ose kundër”, ka thënë Veliu.

Vendimi i Kurtit ka sjellë reagimin e ashpër të kreut të LDK, Isa Mustafa, i cili e cilësoi të papranueshme aktin e shkarkimit.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e ka cilësuar të papranueshëm vendimin e kryeministrit Albin Kurti për shkarkimin e ministrit nga radhët e LDK-së, Agim Veliu
Në një prononcim për Gazetën Express, Mustafa ka thënë se Kurti nuk është konsultuar me të për këtë vendim dhe se ky vendim është në kundërshtim me marrëveshjen e koalicionit.
“Z. Kurti nuk është konsultuar me mua, prandaj edhe nuk jam pajtuar për shkarkimin e ministrit Veliu. Ky është veprim i njëanshëm, në kundërshtim me marrëveshjen e koalicionit, dhe i papranueshëm për LDK-në”, ka thënë Mustafa.

Edhe para këtij shkarkimi marrëdhëniet ishin të ngrira mes VV dhe LDK qëkur shefi I LDK, Isa Mustafa përkrahu hapur SHBA që Kosova të heq krejtësisht tarifën ndaj mallrave serbe, pra pa asnjë kusht ndërkohë që Kryeministri Kurti vendosi kushte dhe afate Serbisë.

Tashmë pas shkarkimit të ministrit të brendshëm duket se re të zeza bien mbi qeverinë e Kosovës.

SHKARKO APP