”Beteja s’ka mbaruar”, djali i Hashim Thaçit: Vendimi na ka lënduar, por nuk na mposht
Pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e ish-drejtuesve të UÇK-së me një total prej 81 vitesh burgim, ka reaguar edhe Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi. Në një deklaratë për emisionin “Ftesë në 5”, Endrit Thaçi tha se vendimi ka qenë i dhimbshëm për të dhe familjen e tij, por sipas tij, kjo nuk do të thotë fundi i përpjekjeve për drejtësi.
“Vendimi mund të na ketë lënduar, por nuk na ka mposhtur. Beteja nuk ka mbaruar”, u shpreh ai. Endrit Thaçi shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen që familja e tij ka marrë nga shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, viset shqiptare dhe diaspora. “Dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë shqiptarët, pa asnjë përjashtim, nga të gjitha viset shqiptare dhe nga diaspora, që na kanë qëndruar pranë dhe nuk e kanë ndalur zërin e tyre as pas vendimit”, tha ai.
Ai theksoi se mesazhet dhe reagimet e qytetarëve kanë qenë një burim force për familjen në këtë periudhë. “Çdo mesazh, reagim dhe fjalë mbështetjeje në shesh, në rrjetet sociale dhe përtej tyre, ka qenë burim force për mua dhe familjen time. Mirënjohja jonë është e thellë dhe e sinqertë”, deklaroi Thaçi.
Duke folur për hapat e mëtejshëm, ai tha se familja do të vijojë të ndjekë rrugët ligjore në dispozicion. “Në këtë moment të vështirë, mbështetja juaj na ndihmon të vazhdojmë me qetësi, dinjitet dhe besim duke shfrytëzuar çdo mundësi ligjore që drejtësia të vihet në vend”, u shpreh ai.
Në fund të reagimit, Endrit Thaçi tha se familja do të vijojë përpjekjet deri në përfundimin e procesit. “Do të vazhdojmë me kokën lart deri në fund, të palëkundur në kërkimin e drejtësisë dhe të bindur se jemi në anën e duhur të historisë”, përfundoi ai.
A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?
Results
Vota totale: 4147

