Dështon për herë 32-të konstituimi i Kuvendi i Kosovës

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari edhe këtë seancë e nisi me kërkesën për formimin e komisionit për votimin ne fshehtë, por Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë refuzuar të japin emrat, me arsyetimin se ka shkelje të rregullores, pasi seanca ka nis me votim të hapur dhe po tentohet të vazhdohet me votim të fshehtë.
Në vazhdimin e seancës ishin të pranishëm 75 deputetë, por sërish nuk u arrit të votohej formimi i komisionit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit – propozim i Lëvizjes Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa.
“45 deputetë kanë dhënë votën për, kundër 1 deputet, abstenim nuk ka. Nuk kemi kourum, ndërpritet seanca. Shihemi me 17,06.2025 në orën 10:00”, tha Dehari.
Çështja ka ngecur të zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, për çka Lëvizja Vetëvendosje – në koalicion me Guxo dhe Alternativa – nuk po arrijnë t’i sigurojnë 61 votat e nevojshme për Albulena Haxhiun, të cilën e kanë propozuar.
Vazhdimi i seancës konstituive duhet të mbahet çdo dyzetetetë orë, derisa të konfirmohet përbërja e re e Kuvendit.

/Kosovapress/

SHKARKO APP