“Do të bëhemi pishman, por do të jetë vonë”, kur Rexhep Selimi apelonte ndaj Krasniqit të mos votohej Gjykata Speciale
Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi është pjesë e gjykimit të Gjykatës Speciale të Hagës, së bashku me Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin dhe Kadri Veselin.
Ai së bashku pjesën kryesore, udhëheqëse të UÇK-së po hetohet për krimet e luftës. Rexhep Selimi tashmë pjesë e Vetëvendosjes ka qenë kundër miratimit të ligjit të krijimit të Gjykatës Speciale. Madje ai ka kërkuar me forcë ndaj kryeparlamentarit të asaj kohe, Jakup Krasniqi që të mos miratohej.
Në një seancë të vitin 2013 kur po votohej rezoluta që ishte pro hetimeve nga një gjykatë e posaçme, Selimi i drejtohej kryeparlamentarit: Jakup Krasniqi mos e lejo, sepse nesër do të jetë vonë. Sot është mëngjesi më i rëndësishëm për ato që kanë luftuar e Kosovën, mos e lejoni se do të bëhemi pishman, por nesër do të jetë vonë.
Më pas, një vit më vonë u fut në shqyrtim ligji për krijimin e Gjykatës Speciale, Selimi do të deklaronte: “Kush prej jush e din që çfarë po votojmë sot? Kurrkush nuk e di.
Ne po nënshkruajmë një çek të bardhë, e kjo nuk do të bjerë vetëm mbi ne, por mbi të gjitha do t’i faturohet imazhit të shqiptarëve. Ne nuk jemi këtu që të votojmë të keqen më të madhe dhe të keqen më të vogël, por duhet të bëjmë drejtësi.
Nuk duhet ta rreshtojmë Kosovën e kombin shqiptar në rresht shumë të keq. Themelimi i kësaj gjykata, nuk ka bazë juridike e politike dhe ndaj nuk duhet ta votojmë”, do të deklaronte Selimi.
.Në këtë fjalim, i mbajtur më 23 prill 2014, Rexhep Selimi pyeste kolegët deputetë, sidomos ata nga partia kryesore – PDK, të cilët insistonin për miratimin e Gjykatës Speciale, se kush prej tyre e dinte se çfarë po votonte atë ditë.
“Ne nuk mundemi as nuk do të duhej që me votën tonë ta rreshtonim Kosovën dhe kombin shqiptar në një rresht shumë të rëndë tjetër, të gjykatave të ngjashme të pasluftës së Dytë Botërore.
Prandaj, në një situatë kur themelimi i kësaj gjykate nuk ka bazë juridike, nuk ka bazë politike, e as morale, ne si Lëvizje Vetëvendosje nuk mund të dalim kundër këtyre tri parimeve të rëndësishme”, deklaroi në atë seanca Rexhep Selimi.