Haradinaj e Pacolli shprehin ngushëllime për ndarjen nga jeta të 2 fëmijëve shqiptarë në Francë

Dy fëmijë kosovarë, vëlla e motër, kanë humbur jetën pasi kanë rënë në një lumë në komunën Montbrison, Loire të Francës.

Fëmijët, të lindur më 2014 dhe 2017, kanë qenë duke luajtur bashkë me nënën e tyre përreth lumit Le Moingt (niveli i të cilit është rritur kohëve të fundit si pasojë e reshjeve të mëdha), kur vëllai, që ishte më i ri në moshë, ka rënë në ujë, ndërsa motra e tij më e madhe ka kërcyer për ta nxjerrë atë nga uji, por pa sukses.

Për këtë ngjarje të rëndë kanë reaguar liderët politikë të Kosovës. Kryeministri i Kosovës në detyrë Ramush Haradinaj shkruan se kjo është një ngjarje tepër tragjike, duke ngushëlluar familjet përkatëse.

“Tragjike, lajmi për dy fëmijët nga Kosova që humbën jetën aksidentalisht duke rënë në lum në qytetin Montbrison, Loire të Francës. U shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve”, nënvizon Haradinaj.

Ndërkaq, edhe ministri i Jashtëm në detyrë Behgjet Pacolli ka shprehur ngushëllimje për këtë ngjarje tepër të rëndë.

“Me dhimbje të thellë kam marrë lajmin për vdekjen e dy fëmijëve kosovar në Francë. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për prindërit e fëmijëve, familjen dhe miqtë e tyre. Mendimet tona janë me ata në këto momente të vështira dhe misioni ynë diplomatik në Paris do të sigurojë të gjithë ndihmën e nevojshme për ata në këto momente të dhimbshme”, vlerëson Pacolli.

SHKARKO APP