Kërcënimet ndaj Vjosa Osmanit, Prokuroria Speciale nis rast penal
Prokuroria Speciale e Kosovës bën të ditur se ka iniciuar rast penal lidhur me kërcënimet e raportuara ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu. Sipas prokurorisë, rasti është iniciuar sot dhe lidhet me dyshimet për veprën penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”, të paraparë me nenin 121, në lidhje me nenin 119 paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 të Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
“Në këtë rast ka autorizuar Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në hetimin e plotë të këtij rasti, me qëllim të sigurisë së rendit juridik të Republikës së Kosovës, të zyrtarëve dhe qytetarëve të saj”, thuhet në njoftim.
Prokuroria nuk kanë dhënë ende detaje të tjera lidhur me rrethanat e rastit apo personat e dyshuar, ndërsa Presidenca e Republikës së Kosovës ka dënuar ashpër gjuhën ku bëhet thirrje për pushkatim të presidentes Vjosa Osmani. Në reagimin e Presidencës thuhet se ata që sot flasin për “tradhti” dhe “pushkatim” dhe shtyjnë përpara shpifjet e konspiracionet, në fakt janë duke bërë thirrje për dhunë e vrasje politike.
KosovaPress merr vesh se ky reagim vjen pas një postimi të Halil Gecit, në rrjetin social Facebook, ku ai shkruan ndër të tjera “Po të ishte në Turqi, do të pushkatohej”. Deklaratat e tij për situatën kushtetuese në vend shkaktuan reagime dhe interpretime të shumta. Por, ish-veprimtari i LDK-së, Halil Geci, thotë se nuk ka kërcënuar askënd dhe se gjithçka që ka thënë ishte vetëm një shembull hipotetik.
Në një deklaratë për KosovaPress, Geci tha se ai vetëm ka përcjellë mendimet që, sipas tij, janë shprehur edhe nga disa juristë lidhur me situatën kushtetuese në vend. Sipas Gecit, deklarata e tij ishte vetëm një krahasim hipotetik për të shpjeguar një situatë të mundshme. /KosovaPress/
KOHA JONË SONDAZH

