Kosova në ngërç politik, Abrashi: Nëse nuk ka zgjidhje, të përgatitemi për zgjedhjet gjatë janarit
Partitë politike në Kosovë nuk po gjejnë mirëkuptim për çështjen e presidentit të ri dhe po rrezikojnë ta shtyjnë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Është vetë partia udhëheqëse, Lidhja Demokratike e Kosovës, që përsërit se skenari i zgjedhjeve mbetet mundësi konkrete nëse vazhdon ngërçi.
Sipas ministrit të Infrastrukturës, Arban Abrashi, kanë mbetur disa javë për të arritur dakordësinë.
“Kryetari Mustafa e ka bërë të qartë që në qoftë se nuk ka zgjidhje shumë shpejt, gjatë fillim janarit ne duhet të përgatitemi ose po rrëshqasim drejt zgjedhjeve, sepse ato duhet të përfundojnë më herët në mënyrë që vendi të mos mbetët pa president.”
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka zënë vendin e ish-presidentit Hashim Thaçi pas largimit të tij, por ministrin Abrashi e shqetëson fakti që po mbyllet hapësira për ta zëvendësuar atë vetë.
Deputetët duhet ta zgjedhin presidentin e ri para javës së dytë të marsit 2021.
“Ushtruesja e detyrës e ka një afat gjashtëmujor, kështu që do të shfaqeshin problemet se kush do t’i certifikojë zgjedhjet por edhe problemet tjera që mund të lindin nga jo stabiliteti politik.”
Qeveria e Kosovës përballet me një sërë sfidash të aspektit edhe rajonal, futjen në mini-Shengen, apo më kryesoren, raportet me Serbinë në vijim të marrëveshjes së 4 shtatorit në Uashington për normalizimin ekonomik.
“Ne mbajmë kontakte të vazhdueshme, diskutojmë për autostradën e “Paçes”, diskutojmë edhe për projektet sikurse hekurudhat. Kanë konfirmuar që marrëveshja do të mbetet si e tillë që të zbatohet.”
Tjetër sfidë për sekretarin e përgjithshëm të LDK-së, Abrashin, është miratimi i buxhetit të vitit të ardhshëm, dhe ai shpreson në mirëkuptimin mbarëpolitik.
“Ligji i buxhetit që shkon përtej interesave partiake dhe qeveritare, sepse i duhet një stabilitet buxhetor dhe financiar për vitin e ardhshëm e posaçërisht tani kur kemi problemet dhe sfidat me stabilitetin e institucioneve pas janarit.”