Kurti reagon për dy marrëveshjet me Serbinë: U firmosën pa autorizimin tim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaron se marrëveshjet e nënshkruara në Munih, mes Kosovës dhe Serbisë, u bën pa autorizimin e tij.  “Sot në Berlin janë nënshkruar dy marrëveshje nga zyrtarë të autorizuar nga ish-ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë sonë. Së këndejmi, këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare”, thotë Kurti nëpërmjet një shkrimi në Facebook.

Në Munih sot u nënshkrua marrëveshja për hekurudhat dhe autostradat mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje është arritur me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell që njëherit është edhe i Dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

“Sado që të gjitha lidhjet dhe avancimi i standardeve të infrastrukturës janë të domosdoshme për zhvillim të vendeve tona dhe pjesë e vizionit Evropian për bashkëpunim rajonal dhe marrdhënie të fqinjësisë së mirë, megjithatë është shumë me rëndësi që procesi të jetë transparent, rezultat i një negocimi të mirëfilltë dhe në respektim të plotë të sovranitetit dhe ligjeve të vendit, prioriteteve ekonomike dhe në harmoni me obligimet që dalin nga procesi i MSA-së. Për më tepër, nëse bazohemi te një verzion i marrëveshjes, po qe se analizohet për nga rëndësia ekonomike, hekurudha për në Leshak është më me prioritet dhe më e levërdishme sesa ajo për Merdare. Në procesin e tranzicionit të qeverisjes, ne jemi duke analizuar të gjithë hapat që janë marrë në të kaluarën dhe ministritë përkatëse janë të angazhuara që këtë ta trajtojnë me prioritet,- deklaron Kurti në Facebook.

Në Munih u nënshkrua një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për linjën hekurudhore dhe autostradën që lidhë të dyja vendet. Marrëveshja u ndërmjetësua nga i dërguari i posaçëm amerikan për bisedimet Kosovë- Serbi, Richard Grenell dhe nënshkrimi i saj u bë në prani të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Zyrtarë të koalicionit qeverisës nga radhët e Lidhjes Demokratike e mbështetën marrëveshjen. Ministri i Brendshëm, Agim Veliu shkroi në rrjetin facebook se “roli kyç i SHBA-së në dialogun e Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm. Çdo marrëveshje e arritur, e cila çon në normalizim të raporteve mes dy shteteve dhe në njohje reciproke është e mirëpritur. Letra e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, z. Pompeu dhe angazhimi i Ambasadorit Grenell janë tepër të qarta”, shkroi ai.

Të enjten sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i shkroi letër urimi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në të cilën thekson se është koha për vendosjen e marrëdhënieve normale me Serbinë që kanë në qendër njohjen e ndërsjellë, ndërsa kërkoi heqjen e tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kërkesa për heqjen e tarifave u ritheksua edhe gjatë punimeve të Konferencës së Sigurisë në Munih, gjatë së cilës shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell mblodhi përfaqësuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Bisedimet Beograd – Prishtinë janë zgjidhja e vetme”, shkroi ai në rrjetet sociale duke theksuar se “bisedimet duhet të fillojnë sa më parë që është e mundur”.

SHKARKO APP