“Liri për çlirimtarët”, Zara ‘frymon’ kuq e zi, kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë
Dhjetëra shqiptarë janë mbledhur në Zarë të Kroacisë në një protestë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke kërkuar drejtësi në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në protestë mori pjesë edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili tha se tubimi është organizuar për të kundërshtuar, sipas tij, padrejtësitë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
“E kemi këtë protestë në Zarë, për padrejtësitë, liri për çlirimtarët, rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Lavdi dëshmorëve të kombit”, deklaroi Gucati.
Gjatë protestës, pjesëmarrësit brohoritën vazhdimisht “UÇK, UÇK”, ndërsa mbanin flamuj kuqezi dhe shprehën mbështetje për ish-udhëheqësit e UÇK-së.
Protesta u organizua nga Shoqata e Shqiptarëve të Prefekturës së Zarës, në bashkëpunim me Unionin e Shqiptarëve në Kroaci dhe me iniciativën e Sami Gashit.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) kishte bërë të ditur më herët se e mbështet këtë organizim, duke u bërë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve të marrin pjesë për të shprehur solidaritetin me ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protesta vjen pasi trupi gjykues në Dhomat e Specializuara ka caktuar 16 shtatorin, në orën 10:00, si datë për shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas vendimit të trupit gjykues, data e shpalljes së aktgjykimit është shtyrë për shkak të vëllimit të madh të provave të administruara gjatë procesit gjyqësor.
Protesta të ngjashme janë mbajtur në Shqipëri, në Maqedoni të Veriut dhe në Hagë.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë thënë fjalët e tyre përfundimtare më 18 shkurt të këtij viti.
Ata edhe një herë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
/Kosovapress/
KOHA JONË SONDAZH

