NATO: “KFOR” do qëndrojë në Kosovë
Shqetësimet e Serbisë lidhur me forcat paqeruajtëse dhe trupat shtesë nga Kroacia drejt Kosovës kanë marrë përgjigje nga NATO-ja, duke thënë se ato kanë për qëllim vetëm paqen dhe stabilitetin e rajonit. Presidenti serb, Vuçiç, u prit nga drejtuesi i aleancës ushtarake.
NATO-ja ka siguruar Serbinë se nuk do e tërheqë misionin e saj paqeruajtës nga Kosova, duke i dhënë fund spekulimeve në Beograd.
Presidenti Aleksandër Vuçiç u prit të hënën nga Sekretari i Përgjithshëm i aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg, me të cilin diskutoi edhe lajmin se një fuqi e madhe po kërkon largimin zyrtar të forcave të KFOR-it dhe UNMIK-ut.
Në konferencën e përbashkët, Stoltenberg tha se KFOR-i me gati 3,500 trupat e vet është faktor paqeje dhe stabiliteti.
“Ndodhemi aty për të mbrojtur të gjitha komunitetet, për të garantuar lirinë e lëvizjes. Misioni ka një mandat të qartë sipas OKB-së, dhe nuk ka ndryshim planesh apo zotimesh.”
Stoltenberg komentoi edhe një shqetësim tjetër të Serbisë: dërgimin e pritshëm të më shumë trupave nga Kroacia drejt Kosovës, por siguroi se kjo është bërë me marrëveshje me NATO-n.
Vuçiq tha se pjesë e diskutimeve me kryediplomatin e NATO-s ishin edhe raportet me Prishtinën, përkatësisht dialogu dypalësh.
“Serbia është 100 për qind e përkushtuar për dialog dhe do bëjmë më të mirën për të arritur zgjidhjen me kompromis. Shpresojmë që do kemi bashkërisht forcën për ta mbyllur pozitivisht, përndryshe duhet të ruajmë paqen dhe stabilitetin, që janë gjithmonë më mirë sesa dhuna, incidentet, revoltat, trazirat.”
Misioni paqeruajtës i KFOR-it është vendosur në Kosovë në qershor të vitit 1999, pas bombardimit nga NATO-ja dhe tërheqjes së forcave serbe, arsye për të cilat qytetarët serbë, në shumicë, ende e kundërshtojnë anëtarësimin e vendit në NATO.