Nikoll Lesi: Pabesia e Hagës, dënoi aleatët që Perëndimi i përdori kundër Millosheviçit
Nga Nikoll Lesi-
Vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë për dënimin e Hashim Thaçit me 25 vjet burg, krahas dënimeve ndaj Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, nuk është thjesht një vendim gjyqësor. Është një goditje e rëndë politike ndaj historisë së çlirimit të Kosovës. Është një vendim absurd, i njëanshëm dhe pabesisht selektiv, që ngre pyetje të mëdha për ndërgjegjen politike dhe juridike të Perëndimit. Nëse drejtuesit kryesorë të UÇK-së ishin pjesë e një organizimi kriminal, siç përpiqet t’i paraqesë sot kjo gjykatë, atëherë pse NATO, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fuqitë kryesore europiane bashkëpunuan me ta?
Pse i njohën si partnerë politikë dhe ushtarakë?
Pse negociuan me Hashim Thaçin në Rambuje?
Pse ndanë me UÇK-në informacione dhe bashkërenduan veprimet kundër forcave të Sllobodan Millosheviçit?
Pse e pritën më pas Thaçin në Shtëpinë e Bardhë, në Bruksel dhe në kancelaritë kryesore të Europës?
A nuk ishte Hashim Thaçi i njëjti njeri atëherë?!
Apo për Perëndimin ishte i vlefshëm kur duhej mposhtur makineria ushtarake serbe, por u bë i papërshtatshëm pasi mbaroi lufta dhe Kosova shpalli pavarësinë? Apo se tani iu duhet Serbia për interesa ekonomike apo edhe gjeopolitike, si aleate e Rusisë? Apo edhe pyetja tjetër që lind: A ka lobuar me shuma dollarësh Beogradi që të dilte ky vendim?!
Kjo është dilema morale që Haga nuk mund ta mbyllë me një lexim mekanik vendimi.
Natyrisht, asnjë luftë çlirimtare nuk duhet të shërbejë si mburojë për krime individuale. Çdo viktimë, pavarësisht kombësisë apo bindjes politike, meriton drejtësi. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Por drejtësia që heton pothuajse vetëm njërën palë, ndërsa lë në hije makinerinë shtetërore serbe që vrau, dëboi dhe terrorizoi popullsinë shqiptare, nuk mund të pretendojë se ka vendosur ekuilibër historik. Ajo krijon perceptimin e një drejtësie të përzgjedhur politikisht.
Në Kosovë nuk pati dy ushtri të barabarta që luftonin për territore. Nga njëra anë ishte aparati ushtarak, policor dhe paramilitar i Serbisë. Nga ana tjetër ishte një popull i shtypur që kërkonte lirinë në tokën e vet. UÇK-ja nuk shkoi të pushtonte Beogradin. Ajo luftoi në Kosovë, kundër një pushteti që po digjte fshatra, po dëbonte qindra mijëra shqiptarë dhe po vriste civilë. Pikërisht ky realitet e detyroi NATO-n të ndërhynte ushtarakisht në vitin 1999.
Prandaj tingëllon cinike që sot kupola drejtuese e UÇK-së dënohet me dekada burg, ndërsa Serbia e paraqet vendimin si provë të propagandës së saj të vjetër se UÇK-ja ishte “organizatë terroriste”. Ndaj Presidenti serb Vuçiç ishte i lumtur dje, fitoi teza e tij se UÇK-ja ishte terroriste!
Gjykata thotë se nuk ka gjykuar UÇK-në, por përgjegjësinë individuale të katër ish-drejtuesve të saj. Juridikisht ky formulim mund të jetë i rregullt. Politikisht dhe historikisht, ai është i pamjaftueshëm. Kur dënon pothuajse të gjithë kupolën politike dhe ushtarake të një lëvizjeje çlirimtare, pasoja nuk mbetet individuale. Goditet vetë simbolika e asaj lëvizjeje dhe hidhet baltë mbi themelet e shtetit të Kosovës. Gjykata sa nuk tha se UÇK-ja vriste njerëz, por me njëmijë spërdredhje atë pohoi, tezën serbe.
Pikërisht këtë do të përdorë Serbia.
Beogradi do ta paraqesë vendimin si provë se Serbia kishte të drejtë dhe NATO gaboi. Do të përpiqet ta barazojë agresorin me viktimën, pushtuesin me të pushtuarin dhe aparatin shtetëror të terrorit me rezistencën e një populli. Kur je në një luftë ku pushtuesi të vret e sakaton te dera e shtëpisë, si do të veprojë njeriu në luftë; të presi sa të mblidhet gjykata popullore dhe të dënojë spiunin apo vrasësin tënd?! Pse nuk shikojmë sot se çfarë po bëhet në Ukrainë apo edhe në Lindjen e Mesme? Pse kjo gjykatë nuk vepron apo dënon, ata? Apo se ata janë të fuqishëm apo se nuk e pyesin fare Hagën?
Kjo është pasoja më e rrezikshme e vendimit të Hagës.
Perëndimi nuk mund të lajë duart. Ai nuk mund të thotë sot se drejtësia është krejtësisht e shkëputur nga politika, kur vetë kjo gjykatë u krijua nën një trysni të jashtëzakonshme ndërkombëtare dhe me një juridiksion që përqendrohet te njëra palë e konfliktit.
Askush nuk kërkon imunitet për krimet. Por shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë të njëjtën drejtësi për të gjithë. Ku janë dënimet e përmasave të ngjashme për drejtuesit e aparatit serb që planifikuan dhe zbatuan spastrimin etnik në Kosovë?
Ku është drejtësia për mijëra shqiptarët e vrarë, të masakruar dhe të zhdukur? Ku janë përgjegjësit për kolonat biblike të refugjatëve, për gratë e dhunuara dhe për fshatrat e djegura? Nuk mund të ketë drejtësi europiane me një sy të hapur për shqiptarët dhe tjetrin të mbyllur për Serbinë.
Dje, Haga nuk dënoi vetëm Hashim Thaçin dhe tre drejtuesit e tjerë të UÇK-së. Ajo plagosi besimin e një populli që e kishte parë Perëndimin si aleatin e tij historik.
Dhe këtë plagë do ta shfrytëzojnë Serbia, Rusia dhe të gjithë ata që kërkojnë ta largojnë Kosovën nga orientimi euroatlantik. Hashim Thaçi dhe të dënuarit e tjerë kanë të drejtën e apelimit. Beteja juridike nuk ka përfunduar. Por dëmi politik dhe historik është bërë.
Në vitin 1999, Perëndimi e njohu UÇK-në si bashkëbiseduese dhe partnere në përballjen me regjimin e Millosheviçit. Në vitin 2026, një gjykatë e ngritur me mbështetjen e po atij Perëndimi dënoi kupolën e saj drejtuese me dekada burg.
Kjo nuk është vetëm kontradiktë. Kjo është pabesi. Dhe historia do ta mbajë shënim. Por historia do të mbajë shënim që edhe shteti i Kosovës nuk loboi për ata që ishin padrejtësisht në burg në Hagë, kur Serbia ka paguar dhjetra milionë dollarë për t’i dënuar.
“Ditë e kobshme” e ka cilësuar diplomati amerikan në pension, William Walker, vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Walker shtoi se vendimi, sipas tij, do të ndikojë rëndë edhe në mënyrën se si ndërkombëtarët do ta shohin Kosovën në të ardhmen.
Ndaj ky vendim nuk është për Hashim Thaçin, ai ishte dënim për UÇK dhe Kosovën! Por ky vendim ka edhe një rrezik të madh; mund të rrisë ndjenjën antiPerëndim, ku për fatin e mirë deri më tani sondazhet jepnin se mbi 98 % e kosovarëve ishin proEuropës dhe SHBA. Pas sulmeve të mbrëmshme të turmave të egërsuara ndaj ndertesave dhe zyrave te Perëndimit tregon se do të kemi përqindje me të madhe antiperëndimore.
KOHA JONË SONDAZH

