Policia serbe arreston kosovarin, Pacolli: Serbia ta lirojë menjëherë
Ministri i Jashtëm në detyrë Behgjet Pacolli dënon arrestimin e shtetasit kosovar Nezir Mehmetaj.
Mediat kosovare shkruajnë se ndalimi i Mehmetajt është bërë pasi ai së bashku me një mik kanë dërguar nënën e tij për trajtim mjekësor në një spital në Serbi.
”Ne e dënojmë arrestimin e shtetasit kosovar Nezir Mehmetaj nga policia serbe dhe bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij. Zyra jonë e ndërlidhjes në Beograd është aktive dhe do të marrë të gjitha masat e duhura për të siguruar lirimin e Nezirit” shkruan Pacolli në një postim në facebook.
Më tej Pacolli nënvizon se duhen marrë masa urgjente për të parandaluar veprimet e Beogradit kundër qytetarëve të Kosovës.
”Serbia nuk mund të pengojë më pafund lëvizjen e lirë të njerëzve dhe menjëherë të ndalojë me përndjekjet politike. Kjo është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit dhe Brukseli, nga ana tjetër, duhet të marrë masa urgjente për të parandaluar veprimet e Beogradit kundër qytetareve të Kosovës dhe për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve.”
Familjarët e Nezirit janë shprehur se fillimisht ai është dërguar në Kurshumli e më pas në Beograd.