REL për Bekim Sejdiun: Profesori, diplomati dhe ish-gjyqtari kandidat për President
Bekim Sejdiu do të jetë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për postin e presidentit të Kosovës. Lajmin e dhanë dy partitë, në pasditen e 31 gushtit.
Bekim Sejdiu është profesor universitar, jurist dhe diplomat kosovar, me përvojë në drejtësi kushtetuese, marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci.
Që nga viti 2002, është profesor në Departamentin e të Drejtës Ndërkombëtare të Fakultetit Juridik pranë Universitetit të Prishtinës. Sejdiu ka shërbyer edhe si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ai u emërua në këtë pozitë në vitin 2015 nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Në vitin 2021, dha dorëheqje nga Gjykata Kushtetuese dhe iu rikthye angazhimit akademik. Para emërimit në Gjykatën Kushtetuese, Sejdiu kishte mbajtur poste në diplomacinë e Kosovës.
Ai ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Turqi dhe më pas si konsull i përgjithshëm në Nju Jork. Karriera e tij akademike është e lidhur kryesisht me të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Sejdiu ka përfunduar studimet në fushën e drejtësisë dhe ka ndjekur studime pasuniversitare në marrëdhënie ndërkombëtare dhe të drejta të njeriut.
Emri i tij është rikthyer në qendër të vëmendjes gjatë takimeve për çështjen e presidentit midis LVV-së dhe LDK-së, në kuadër të bisedimeve për gjetjen e një kandidati për president të Kosovës. Zgjedhja në këtë post do ta bënte Sejdiun presidentin e gjashtë të Kosovës nga shpallja e pavarësisë. Sejdiu është i martuar me Alberie Rraci Sejdiun, me të cilën ka tre fëmijë.
KOHA JONË SONDAZH

